back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Dy shpalime për Zotin dhe dashurinë! Nënë Tereza & Papa Gjon Pali i Dytë – nga Emrije Krosi

Gazeta

Dy shenjtorë të Shekullit të XX - Madre Tereza & Gjon Pali i II
Dy shenjtorë të Shekullit të XX – Madre Tereza & Gjon Pali i II

Dy shpalime* për Zotin dhe dashurinë!

Nënë Tereza & Papa Gjon Pali i Dytë – nga Emrije Krosi

“Duaje Zotin, Perëndinë tënd,
me gjithë zemrën tënde”
Shën Tereza

Madre Tereza di Kalkuta
Madre Tereza di Kalkuta

Të shkruash për një njeri, me përmasë të pakufishme dashurie, për/ ndaj njeriut, si Shenjtore Tereza, është misioni më i vështirë për çdo shkrues të çdo lëmie, pavarësisht vendit, kohës gjuhës apo besimit, nuk na duhet të shpikim ndonjë “gjuhë tjetër”, përpos gjuhës së zemrës, arsyes së dashurisë, mirësisë apo si kumt i Epërm i Hyjit, “E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit” (Anton N. Berisha, ndoshta studimi më i plotë, për Nënë Terezën), se ajo ishte më shumë se njeri dhe më shumë se një shenjtore, ajo ishte një Hyjni Tokësore. T’i qasesh afër figures së saj, duhet të përcaktosh dy linja:

a)linja tokësore

Kjo linjë shpalon përvuejtninë e mëshirës të pafundme, të tejskajshme, që përmjes poezisë së njohur nga e gjithë bota, “Jetoje jetën”, një poezi mesazhdhënie, që përplotnon enzimën e tharmit të shpirtit më human të botës. Ajo ishte më e thjeshta e të thjeshtëve. Një tokësore, që “puthi” çdo dhimbje, që përqafoj çdo trishtim, që mëkoj çdo lot me shpresë, që preku çdo trup lebroz, që prehëroj çdo jetim të flakur nga mjerimi, që ndihmoj çdo të varfër, mes të varfërve, ndaj ajo poezi/ mesazh, që himnizon jetën, aq e madhëron Shenjtëreshën tokësore, si një motiv, për çdo kalimtar, lakmitar, harrestar, nevojtar, humbës, refuzues, mohues, mallkues, urryes, shpëtimtar, apo vdekatar.

Jeta është mundësi, përfito nga ajo.
Jeta është e bukur, adhuroje.
Jeta është ëndërr, jetoje.
Jeta është sfidë, përballu me të.
Jeta është lojë, luaje.
Jeta është detyrë, plotësoje.
Jeta është e shtrenjtë, vleresoje.
Jeta është pasuri, ruaje.
Jeta është dashuri, shijoje.
Jeta është mister, zbuloje.
Jeta është dhimbje, sfidoje.
Jeta është këngë, këndoje.
Jeta është tragjedi, shmangiu.
Jeta është fat, përfito.
Jeta është aventurë, kujdes.
Jeta është shumë e çmuar, duaje.
Jeta është luftë, mësohu dhe me të.
Jeta është jetë, lufto për të…”

Kjo poezi, me fjalëçelësa si këshilla për jetën, por të strukturuar [në formë 9/10/11 rrokësh], ku togfjalëshi kryshenjor si anaforë, ka(emër/jeta + folja/është] në krijuar folje me rrokje fundore tingëlluese, në të gjitha llojet e foljeve kalimtyre/ jokalimtare/ veprore etj., të diatezës veprore me [mbaresat-je], pra folje që kanë forcë vepruese, lëvizëse kundrejt jetës, njeriut, dashurisë. “Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe”, ka thënë Shën Tereza. Në poezinë tjetër, “Jep ç’ka ke më të mirë…” ku shenjtorja e nis me njeriun, me vargun: njeriu është i paarsyeshëm, i palogjikshëm, egoist/ nuk ka rëndësi, duaje, duke zbërthyer thelbin e shpirtit të kalbur të “njeriut”, ndërmjet dy mbiemrave dhe një emri, por pjesëza [s’] me apostrof zëvendëson pjezësën mohuese [nuk] me foljen ndihmëse [kam/ v.III, nj.], që del si anaforë. Jo qëllimisht, shenjtorja ka ndërtuar një poezi në formë këshillash për njerëzit, po bëre mirë, do të të veshin qëllime dytësore egoiste/ s’ka rëndësi, bëj mirë, sepse njeriu si natyrë egoiste është i prirur për të rritur në çdo kusht, mirëqenien, pasurinë, pushtetin, lumturinë, po realizove objektivat e tua, do të gjesh miq të rremë dhe armiq të vërtetë/ s’ka rëndësi, realizoji, duke shijuar çdo mirësi të kësaj jete, përmes “shijeve” materiale, ama do të shtohen “miqtë e rremë” dhe armiqtë e vërtetë, e mira që bën do të harrohet nesër s’ka rëndësi, bëj mirë, sepse gjithmonë e mira nuk shpërblehet, por kur ke një ideal, qëllim të lartë, zgjidh të jetosh mes baltës dhe pluhurit, mes varfërisë dhe sëmundjeve, zgjidh të lodhesh, të rraskapitesh, zgjidh fatkeqësitë dhe vdekjen, zgjidh të shkosh drejt Përkryrjes njerëzore, ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të lëndueshëm/ s’ka rëndësi, ji i sinqertë dhe i ndershëm, se njeriu me veset e tij, nuk mund të jetë kurrë tërësisht i “ndershëm” as më pak i sinqertë dhe pse hiqet si i tillë, sepse është një qenie morale e “thyeshme” që anon nga vesi, pabesia, babëzia, imoraliteti, dëshirat epshore, pamëshira, vjedhja, mashtrimi, materialiteti, se duhej dikush, – thotë Shën Tereza në letrën drejtuar kryepeshkopit Périer, të dërgonte mëshirën dhe “Krishtin në “vrimat” e palumtura të lagjeve të varfra të Kalkutës” se, ajo që për vite ke ndërtuar mund në një çast të prishet/ s’ka rëndësi, ndërto, se të ndërtosh ura ku të kalojë dashuria njerëzore, të mbledhësh gurët që hidhen ndaj njeriut të ndërtosh, shtëpi për të pastrehët, për të varfërit mes të varfërve, mjeranëve, lypsarëve, lebrozëve, jetimëve, të sëmurëve, nuk ka rëndësi nëse prishet apo jo, vetëm ndërto, ura, udhë, shtëpi, ndërto një botë më të mirë, pa luftra, pa frikë, pa sëmundje për Njeriun.
Nëse ndihmon njerëzit, do të lodhesh/ s’ka rëndësi, ndihmoji/ Jepi botës çka ke më të mirë, e do të zënë me shqelma/ s’ka rëndesi, jep… çka ke më të mirë, dystrofëshi i fundit nxjerr nga skutat, sepse shenjtorja e errësirës, në planin shëlbyes të Krishtit me indentifikimin me të varfërit, si një narrativë sublime të identitetit edhe nga origjina etnike e saj, aq përunjëse sa dhe përvuajtëse me shtresën më vulgare, atë që njeriut të ashtëquajtur modern, i quan “qenien të ndyra”, apo “të pështira”, apo “kafshë mjerane”.
Thënia e saj, “të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, tregon me pozitivitetin e saj, shpirtin e çlirët, ajo kishte edhe një shpirt poetik. Këto poezi-lutje apo poezi-këshilla, jo vetëm që kanë në thelb artin, por burojnë vetishëm, në formë lutjesh, për paqen, për dashurinë, pa rënë në prozaizëm të pështirë, si një kult i dashurisë, bashkë me filozofinë e saj të thjeshtë: dashuria si veprim!
Ajo tokësorja shpërndau mëshirën Hyjnore duke:
-duke përkrahur të dobëtit,
-përmes mëshirës dhe shpresës,
-duke mbrojtur të braktisurit,
-përmes lutjes dhe dashurisë.

b)linja Hyjnore

Në këtë linjë është pjesa më sublime, ajo që vetë ka shprehur se ishte vetëm “Shërbëtorja vullnetare e vullnesës së Zotit”, pasi shumë prej atyre që e njohën nga afër, e kanë cilësuar si: “Ungjilli i gjallë”, si një grua e varfër, që i lutet Zotit t’i mbushë shpirtin me dashurinë për dritën e Hyjit dhe njesimin me Të, përmasa e saj Hyjnore, shkëlqente me dritën që shenjtëroj veten dhe botën, me dashurinë e pafund, që vetëm një shenjtore mund të dhurojë. Në poezinë tjetër, “Mos jeto kurrë pa jetë!”, do ta quaja poezi, sepse ka ndërtim vargor, se është ndërtuar në formë pyetjesh me pikëpyetje dhe fjalë ose fjali të thjeshta si përgjigje, është një dialog, në formë vetrrëfimi që pyet dhe përgjigjet po vetë, me karakteristika të prozës, por një prozë në vargje. Dita më e bukur? Sot./ Pengesa më e madhe? Frika./ Gjëja më e lehtë? Të gabosh./ Gabimi më i madh? Të heqësh dorë./ Rrënja e çdo të keqeje?/ Egoizmi./ Mëndjeheqja më e mirë? Puna./ Humbja më e madhe? Mospasja e kurajës./ Profesionistët më të mirë? Fëmijët./ Nevoja e parë? Komunikimi nëpërmjet këshillave si Lartësi Supreme, ndaj së keqes, egoizmit, cmirës, indiferencës, zilisë, frikës, gabimit, humbjes, moskurajos, dorëheqjes, shpresëhumjes. Komunkimi, e para është fjala, – thotë Bibla, se fjala “vret më shumëse plumbi”, – thotë populli. Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët./ Misteri më i madh? Vdekja./ E meta më e keqe? Të qenit pa humor./ Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen.
Ndjenja më e shëmtuar? Mëria./ Dhurata më e bukur? Falja./ Ajo më e paçmuara? Familja. Drejtimi më i mirë? Rruga e duhur./ Sensacioni më i kënaqshëm? Paqja e brendshme. Pritja më e mirë? Buzëqeshja./ Ilaçi më i mirë? Optimizmi./ Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer./ Forca më e madhe? Besimi./ Personat më të nevojshëm? Shërbyesit e Zotit (priftërinjtë etj.)/ Gjëja më e bukur në botë? Dashuria. Dobinë për të tjerët ajo e shikon tek marrëdhënia e “fshehtë”, “sekrete”, “nënshtruese”, “mistike” dhe bashkë me vullnesën e saj, si një përvojë tërësisht shpirtëror, për të qenë një misionare, fundja “po të buzëqeshësh e ndien veten më mirë. Alter-egoja e intertekstualitetit, sipas (Kristevës), “s’ka tekst pa intertekst, është loja e ligjërimit si filozofi postmoderne në letërsi, se çdo shenjë gjuhësore, brenda kufijve të rrëfimit, për të predikuar të vërtetën, për Eco-n; “të kuptojmë shenjat përmes shenjave të tjera” do të thotë të ushqesh fenë tënde me lutje, kërkimfalje dhe përulësi. Mund të jetë “errësi shpirtërore”, që sipas një nocioni mistik katolik, të “natës së errët të shpirtit” ose “natës së errët të shqisave”, sipas (Shën Gjoni i Kryqit, 1542-1591 e.s), si proces purifikimi, dhe zvrazje së shpirtit, që duhet të shkëputet nga çdo “prekje” tokësore, duke arritur bashkimin me Perëndinë, del tek vargu: forca më e madhe? Besimi, sepse tashmë “purifikimi”, drita dhe dashuria e plotë e Hyjit, komunikohet nëpërmjet shpirtit të varfër dhe të (pa)pësosur njerëzor, duke përjetuar Dritën Hyjnore, si vuajtje, errësirë, thatësirë, mundim, për të arritur kënaqësinë e Zotit, se tek vetë vargu: Shërbyesit e Zotit priftërinjtë etj, se përtej shenjave të errësirës njerëzore, përballen me dritësinë Hyjnore, për të arritur tek bashkimi me Zotin, “pasionit dhe vuajtjes shëlbyese të Krishtit. Ky besim përbënte për të “përvojën shëlbyese të jetës së saj”, shprehet At Neuner. Poezia tjetër, ka me shumë shenja të besimit: “Duaj”, ku mesazhi jo vetëm i besimit përulës të Shenjtores, sipas Biblës, “ besimi pa vepra është i vdekur” (Jakovi 2: 26). Vargu: duaj deri në dhembje/ ne nëse të dhemb,/ pikërisht për këtë do të jetë më mirë./ Përse të ankohesh?, se dhembja dhe besimi janë të barazvlefshme, se ai që beson duhet që ta tregojë besimin te Jezui, duhet të jetojë sipas besimit të tij, se: nëse vuajtjen e pranon/ e ja ofron Zotit, do të të japë gëzim./ Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit:/ kush e vjel/ kush do me gjithë zemër, ishte edhe Qëllimi i Misionit, ishte vokacioni misionar dhe shpëtimi i shpirtrave. Vuajtja për të qenë e denjë për Hyjin dhe besimin, duhet të vuash, që të vuash duhet të shkosh në vendet ku nuk mund të jesh kurrë, “duke i shërbyer më të varfërve në vende ku ne nuk do të shkonim kurrë. Ajo është me të vërtetë një shenjtore e gjallë!” tregonte në një komunikatë të saj, Dioqeza Katolike e Pretorias në SHBA, e frymëzuar nga misioni i saj si “shërbëtore” e përulur ndaj Krishtit dhe Zotit. “Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë; një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi” (Psalm 46:1), se Shenjtorja Terezë, nuk u mposht aspak as nga vështirësitë, kur brenda shpirtit të saj, ishte ndezuar zjarri i dashurisë ndaj të pamundurve dhe të harruarve, kudo në botë. Një shpirt i mishërura në shpirtit e Hyjit, një “shenjtore të gjallë” si mbrojtëse” shprehet Eileen Egan, por ajo ndoshta e dinte se një ditë do të ishte një shenjtore, “nëse ndonjëherë do të bëhem shenjtore, do të jem me siguri një shenjtore e errësirës. Do të mungoj vazhdimisht nga Parajsa për të ndezur dritën e atyre që në Tokë jetojnë në errësirë”, – shprehet Brian Kolodiejchuk.
Ajo hyjnorja kishte;
-mëshirë (për)kundër varfërisë,
-misionare fjalëpak dhe veprashumë,
-model i shenjtërisë,
-modeli i dhurimit të dashurisë,
-modeli i përuljes ndaj Hyjit dhe Hyjnores.
Me shpalljen të Lume më 19 tetor 2003, nga Papa Gjon Pali II, deri me kremtimin e kanonizimit të saj me 4 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke e shpallur Shenjte të Kishës Katolike Romake, nga Papë Françesku, ku Shën Nënë Tereza, është shembulli i përmbysjes së çdo skeme njerëzore, në duart e Zotit, për të jetuar fenë me vepra, jo vetëm me fjalë, ku vepra e saj ishte takimi i shenjtores me Zotin.
Si përfundim: për Shën Terezën janë shkruar shumë libra, por edhe shumë kritika, madje se ajo me shumë mendonte të përhapte mesazhin biblik, sesa bamirësinë, duke “çmitizuar” një figurë madhore, nga njerëz që nuk e kanë pranuar “shenjtërimin e saj” si një bamirëse misionare për të varfrit, të sëmurët dhe të braktisurit e gjithë botës.

(*Shënim: para se të shugurohej Shenjtore Nënë Tereza, shqiptarja e Kalkutës, shkrova dhe unë disa rreshta, për këtë misionare të përjetshme të dashurisë së pafundme njerëzore, se janë shkruar shumë libra, histori, rrëfenja, kujtime, monografi, për atë figurë madhore, por këto shkarravina do mbeten këtu. Titulli është ndryshur, si kujtesë për studiuesin kosovar prof. Anton N. Berisha, që ka shkruar një sërë librash për Shenjtoren shqiptare të titulluar “Shtatë shpalime”, ndaj po i referohem edhe emrit si citim, sepse atë fjalë e kam huazuar prej tij).

Papa Gjon Pali i Dyte
Papa Gjon Pali i Dyte

Madhështia e besimit, si përulje ndaj Zotit

“Por përveçse kujdeset për ne fizikisht,
Zoti e shpreh dashurinë edhe në shumë mënyra të tjera.
Ai na ka lartësuar dhe na ka falur dinjitet duke na dhënë një botë shpirtërore
dhe duke na ndihmuar të plotësojmë nevojat shpirtërore”
(Mateu 5:3)

“Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në ‘të janë mbjellë farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare.” (Nga vizita e Papa Gjon Pali II, në Shqipëri, me 25 prill, 1993).
Poezia është një shpreje e dhimbjes shpirtërore, në agim të njerëzimit, kur lindi dhe u zhvillua qytetërimi që njohim, poezia zë vendin e parë të shprehjes së shpirtit, ajo fillon që me Konfucin, Budën, Krishtin dhe Muhametin, por të afruar njeriun me Perëndinë. “Poezia lind nga dashuria për të rijetuar jetën në vargje”, sipas Octavio Paz, për të kuptuar se poezia nuk është “pronë” shkrimore vetëm e poetëve, por e çdo shpirti njerëzor. Në kërkim të Unit poetik, ligjërimi i Njeriut-Poet, nuk ka rregulla as “amisti”, se poezia është një (mimesis) imitim poetik, se në poezi marrëdhëniet nga vijnë nga fjalët apo fonemat, por edhe ndërtimet stilistikore. Ndërtimi i marrëdhënieve konceptuale mes fjalës dhe objektit, për Hegelin, që e sheh poezinë, “si formë të veçantë të shprehjes” apo të modelimit me pak individualitet, atë të marrëdhënies së fjalëve me autorin, por në rastin e poezisë së Karol Vojtilë-s, ose (Papa Gjon Pali II) , “Vetëm për sot”, nuk është një poezi fetare, përkundrazi një poezi drejtuar vetvetes, në mëvetësinë e tij, si fabul, ka “figura”, “simbole”, duke shfaqur kontekste të ndryshme, për qëllime ekstraletrare, me lidhje konvencionale, ku simbolet fetare shprehen në një linjë të brendshme midis “shenjës” dhe objektit “të shënuar”.

Vetëm për sot, do të besoj në mënyrë të vendosur,
pavarësisht paraqitjeve të kundërta,
se Providenca e Zotit do të kujdeset për mua
sikur askush tjetër nuk do të ekzistonte në këtë botë.
Vetëm për sot unë do të kujdesem për pamjen time;
nuk do ta ngre zërin, do të jem i sjellshëm në mënyra,
nuk do të kritikoj askënd,
nuk do të pretendoj të përmirësojë askënd, përpos vetes.
Vetëm për sot unë do të bëj një vepër të mirë dhe nuk do t’ia tregoj askujt.
Vetëm për sot unë do t’i kushtoj dhjetë minuta
një leximi të mirë duke kujtuar se,
ashtu si ushqimi që është i nevojshëm për trupin,
një lexim i mirë e zbukuron jetën dhe shpirtin.
Vetëm për sot  nuk do të kem frikë.
Nuk do të kem frikë të shijoj
Atë çka është e bukur e t’i besoj mirësisë.
Vetëm për sot do të bëj një plan
ndoshta nuk do ta ndjek pikë për pikë por do ta bëj
duke u ruajtur nga dy të këqija: nxitimi dhe pavendosmëria.
Mund të bëj për dymbëdhjetë orë atë që do të më lebetiste
Nëse do të mendoja se më duhet ta bëj për gjithë jetën…

(Karol Vojtyla, Shqipëroi: Elida Buçpapaj)

Në dyvargorin e parë: vetëm për sot, do të besoj në mënyrë të vendosur,/ pavarësisht paraqitjeve të kundërta, është një poezi që ka vetëm një kohë: kohën e tashme, togjalëshi [vetëm për sot/përsëritet gjashtë herë (6)], se përsëritjet janë figura që lidhin mendimin, se rastin e poezisë si “një figurë pamore”, që lidh qenësinë dhe të pranishmen me logjikën konvencionale të padukshme (që nënkutohen), se Providenca e Zotit do të kujdeset për mua/ sikur askush tjetër nuk do të ekzistonte në këtë botë, në ndërfutjen tekstuale të “simbolit” të fesë, (besimit). Fjala [Providenca e Zotit], për të kuptuar diçka më tepër, për të aluduar për diçka të pathënë deri në fund, por të kuptuar deri në infinitin e saj, se është një metonimi, që zëvendëson simbolikën e hapur për të shprehur edhe qëllimin fillestar të poezisë, (duke fshirë autorin). Vetë poezia është një “simbolikë sunduese”, e një vetësundimi, për të kontrolluar, sjelljen, se adresimi në veten e parë [unë], kemi një konstatim të bollshëm të metaforës simbolike, mesazhit lidhëz me vetveten, por më shumë me besimin, (vullneti dhe përshkutimi ndaj besimit në Zot). Aty, ka një identitet njerëzor, ka edhe një Zot për të definuar, si një tjetër (super)identitet mbi njeriun. Siç thotë Sartri “ai është asgjë/ hiç”, ku pika fillestare për njeriun është subjektiviteti i tij, dhe në bazë të kësaj, ai përcakton esencën për veten e tij, “Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi,” thotë Zoti” (Zbulesa 1:8). Autori i qaset vetes, se dashuria e Zotit për njeriun, është lëvizja duke mos pushuar së kërkuari të vërtetën absolute, pra Providencën e Zotit, (thelbi i përkushtimit jetësor), për të mirën e njerëzimit mes Tokës dhe Qiellit. “Mos u tremb! Unë jam i pari dhe i fundit”, thotë Zoti tek (Zbulesa 1:17), që pason tek vargjet: vetëm për sot unë do të kujdesem për pamjen time;/nuk do ta ngre zërin, do të jem i sjellshëm në mënyra,/nuk do të kritikoj askënd,/nuk do të pretendoj të përmirësoj askënd, përpos vetes, duke përçuar misionin tashmë të shpallur të meditimit rreth fuqisë Sipëriore të Hyjnisë, me anaforat, [nuk do të]. Misioni ndaj vetes, është të mposhtë çdo dobësi njerëzore, çdo mllef, urrejtje, epsh dhe dëshirë fizike dhe trupore, për të qenë i denjë për vullnesën e Tenzosë së Tij. Njeriu është zhytur në errësirë, duke kërkuar Dritën Hyjnore, do të dlirësohet, të purifikohet, të çlirohet nga prangat e robërimit të dëshirave tokësore, të (a)moralit njerëzor, të materiales apo të sendeve që i shërbejnë, sepse mes asgjësë, hiçit, kotësisë, absurdit dhe ekzistencializmit, është vepra e mirë, mëshira, dashuria, vetëm për sot unë do të bëj një vepër të mirë dhe nuk do t’ia tregoj askujt/ Vetëm për sot unë do t’i kushtoj dhjetë minuta/ një leximi të mirë duke kujtuar se,/ ashtu si ushqimi që është i nevojshëm për trupin,/ një lexim i mirë e zbukuron jetën dhe shpirtin, se dobia për njeriun është Dija. Vetëm dija e shpëton njeriun nga “skllavërimi”. Dija lidhet, përsëri me Zbulesën, (Molla e ndaluar e Adamit) pse Perëndia e “ndaloj” pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes në mes të kopshtit, “Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur” (Zanafilla: 2: 17), duke zbuluar të mirën dhe të keqen mund të përsosemi si njerëz, drejt Përsosmërisë Absolute, që është Fryma Hyjnore (Zoti). Vargjet: vetëm për sot nuk do të kem frikë./ Nuk do të kem frikë të shijoj/ Atë çka është e bukur e t’i besoj mirësisë, vetëm mirësia si koncept, është dikotomia e shpirtit, një lloj ndërfutje tekstuale të mitit Biblik, (e gjithë teksti ka lidhje me Biblën), se “miti, pra, është një skajshmëri e modelit letrar” sipas Fraj-it, duke e trupëzuar në vargjet e mëposhtme: vetëm për sot do të bëj një plan ndoshta nuk do ta ndjek pikë për pikë por do ta bëj/ duke u ruajtur nga dy të këqija: nxitimi dhe pavendosmëria, duke tejkaluar “murin njerzor” duke “fshehur” difektet e tij, nëpërmjet një regjimi/ plani që të ecë nëpër gjurmët e Krishtit, duke mësuar, (zotëronte disa gjuhë, por edhe teologjinë dhe filozofinë), për të kuptuar si mungesë njerëzore por edhe tepritë, të dyja të dëmshme për njeriun. Në këtë masë të matshme, në mes “e mesmja e artë”, nu ia heq aureolën e trupëzimit të Krishtit, ashtu siç është shprehur vetë Vojtila, kur u bë Papë: “me bindje në besim ndaj Krishtit, Zotit tim, dhe me besim në Nënës së Krishtit dhe të Kishës, pavarësisht nga vështirësitë e mëdha, unë pranoj”.
Përplotmëria e vullnetit të Zotit, më formë edhe të urtisë librore (tekst poetik), në fundvargjet: mund të bëj për dymbëdhjetë orë atë që do të më lebetiste/ Nëse do të mendoja se më duhet ta bëj për gjithë jetën…, retiçenca na shpie tek misioni: froni i papatit si bari i Ungjillit dhe të gjithë njerëzimit (udhëtimet nëpër botë), nuk ai “tradhëtuan” besimin, urtinë, bindjen në Trininë e Shenjtë, as në fundjetën e tij, fjalët në polonisht: “Pozwólcie mi odejść do domu Ojca” ( “Më lejoni të shkoj në shtëpinë e Atit”). Shumë fjalë shenjojnë ndërtekstorinë e një simbolike të thellë, që shtresëzohet brenda çdo vargu: [besoj, kujdes, shpirt, trup, mirësi, jetë], janë në analogji me vetë tekstin, se janë një alamak biblik, si mbulesë të konceptit të kryeshenjës: përulësia dhe trupëzimi i shpirtit të tij tek Krishti Zoti!

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.