back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dy Shqipnitë e nji Flamuri esse nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2016
Jozef Radi 2016

Dy Shqipnitë e nji Flamuri

esse nga Jozef Radi

Asnjiherë s’e kam kuptue si dhe sa duhet pse shqiptarët e vërtetë ndjehen të zemruem me Shqipninë e pavërtetë… dhe pse Shqipninë e Vërtetë s’duen me e pa me sy shqiptarët e pavërtetë!?
Asnjiherë s’ia kam gjetë fillin e hollë këtij (keq)kuptimi sa njerzor e delikat aq djallzor e agresiv; çka e ban kët vend malesh t’egra e traditash të lashta, nënvizue dukshëm me nji krenari t’epërme (shpesh boshe) ndër kohna, me u mpakë e me u ligshtue, m’u tkurrë e m’u tukeqë shpesh prej të huejve po ma shumë prej vetvedit; ama, gjithnji në përpjekje me dalë në breg të stuhive që rreken me e trand, me e shplà, me e mbytë e me e zhbì; e gjithnji i detyruem me iu rinisë me nji hov mbinjerzor jetës dhe së arthmes, a thue se krejt të këqijat e mëdha rrëzue mbi fatin e tij, veç për mirë i kanë ardhë, dhe asgja tjetër s’kanë mujtë ma tepër…!?
Gjithnji e ma shpesh ndër heshtitë e mia flatruese, rrekem me ia gjetë kuptimin asaj çka shpesh asht e pakuptim, me ia gjetë rrfanën asaj çka m’rrin pezull mbi krye dhe m’bahet e pamundun ndër kta rreshta t’mos më jetë busull shprehja e atij shqiptari të madh e të pashoq në të djeshme tonë, po edhe në të sotme edhe në të nesërme, gdhendë ndër shkambijtë e ashpër të kësaj toke, shprehja lapidare: “Shqipërinë e krijoi Zoti, e shpëtuan idealistët dhe do ta vrasin politikanët…”
Kjo figurë e nji drite hyjnore dhe kritike ndërtuese të pashoqe, ky njeri i nji mendjenaltësie vizionare, dhe gjeni i nji shkëlqimi të pazakontë dhe nji kulture mahnitëse, e desh shumë kët vend, aq sa u detyrue me i ndejtë larg! Shpesh u soll fort ashpër me të, prej asaj ndjenje të trazueme që Ai e quente Atdhe e që gjithnji e ma shpesh i shfaqej si dashni, dhimbje e cinizëm bashkë, si hov e dëshpërim, si mall dhe trishtim ndër mërgimet e tija të pafundme… E megjithatë, Ai kurrë s’heshti as s’rreshti me qenë i dobishëm, vlerë e patjetërsueme dhe e patjetërsueshme e kombit të vet! Cinizmi i tij prej “buzëholli”, edhe pse fort i ashpër ndër bashkohësa të vet, asnjiherë s’u ndje i përjashtuem prej shqetësimit panshqiptar, dhe dashnor i përjetshëm i fjalës dhe frymës shqipe…
Kjo shprehje lapidare e tij, m’asht nëpërkambë e s’më ka lanë me hikë ma përtej, e me gjetë të vërtetën e ndryme të kësaj Shqipnie dykrenëshe, që ma së pari e fali Zoti, mandej iu desht shumë mund e hjekë në mbijetesë midis idealistash gjithnji e ma të rralluem. Ata mbetën ma të mëdhenjtë krahasue me shtatin e saj, e cungue prej atyne politikanëve dumrrucë, gjithnji të përfshimë ndër ethe të pragmatizmit e grabitjes së gjithçkaje të mundshme, që kjo tokë (për çudi) i paska pasë kaq të shumta, për kta të përkohshëm të pangijshëm, të pandijshëm e të padijshëm… aq sa me jua e pasë zili edhe vdekja, gryksinë e tyne…
Asht pikërisht ky fakt, kjo e vërtetë trishtuese, kjo ndjesi e kapërthyeme që më shtyn me mendue se ka pasë e ka me pasë gjithherë Dy Shqipni, Dy Shqipni paralele: si dy qè që lodhin njeni-tjetrin, si dy shina që s’puthen kërkund, si dy shemra të vëngërta e anmiqsore mes tyne, si dy krena kryeneçë që s’kthehen së mbari… Njena Shqipni që e jep shpirtin n’shqiptarì, e tjetra që ia grryen gur’t e themelit vedit; njena me plagë në shpirt do me u çue n’kambë, e tjetra tuj ja thithë gjakun s’ndjen të ngopun; njena e ngulfatun n’legjendë të mbijetesës e tjetra tuj u ngrofë n’zjarr të dhimbave që krijon; njena me zhgunin dhe sandallet e françeskanit dhe tjetra me frakun dhe llustrafinat e modës ma të fundit; njena Shqipni e përdhunon tjetrën pa mëshirë… e mandej ia mbushë vedit gjoksin me dekorata, nderekombi, çmime e atribute të pakufi, për at mjerim shndërrue n’emblemë… kurse tjetra Shqipni që pëson të keqen dhe sqepit të simotrës së flamurit, lufton me mbetë njashtu e paepun, njashtu kryefortë e kryenare, e bindun se asht në të drejtë të Zotit, e në përpjekje me i dhanë sado pak mirësi e vlerë edhe njasaj kresë tjetër, që Zoti e ka dashtë dhe i ka dënue me u valvitë në jetë të jetëve të dyja bashkë…
.
Ibrahim Kodra - Flamuri Shqiptar - stilizim
Ibrahim Kodra – Flamuri Shqiptar – stilizim
Pse gjithë ky dualitet Shqipnish?!
Nji Shqipni e fisshme dhe e qytetnueme e Gjergj Fishtës dhe Faik Konicës, po edhe nji Shqipni harbute e dumbabiste e Haxhi Qamilit dhe Musa Qazimit; nji Shqipni e Enver Hoxhës dhe Vasil Shantos që s’do me e pa me sy Shqipninë e Mit’hat Frashërit dhe Lef Nosit; me nji krah ecën Shqipnia e Nexhmije Xhuglinit dhe Fiqirete Sanxhaktarit, n’krahun tjetër rropatet Shqipnia e Nanë Terezës dhe Shote Galicës; Shqipnia e Vinçenc Prennushit dhe Et’hem Haxhiademit s’mundet me e pranue n’tavolinë Shqipninë e Dhimitër Shuteriqit dhe Arianit Çelës; Shqipnia e Lenka Çukos dhe Tefta Camit n’jetë të jetëve s’ka me gëzue asnji respekt prej Shqipnisë së Musine Kokalarit e Sabiha Kasimatit; Shqipnia e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit ka me ndje neveri dhe përçmim për Shqipninë e Diana Çulit dhe Koçi Petritit; Shqipnia e Ernest Koliqit dhe e Ali Asllanit kurrë s’ka me i ba temena Shqipnisë së Razi Brahimit e Shefqet Musarajt; Shqipnia e Ismail Kadaresë dhe Dritero Agollit dikur ka m’u kujtue se ka jetue n’bashkohsi me Shqipninë kryforte të Kasem Trebeshinës e Trifon Xhagjikës; Shqipnia e Mitrush Kutelit dhe Lasgush Poradecit s’ka me gjetë asnji arsye me u matë me Shqipninë e Fatmir Gjatës e Andrea Varfit; Shqipnia akademike Isuf Luzajt dhe Martin Camajt çka do të mundet me i shtrue për zgjidhje Shqipnisë akademike të Gudar Beqirajt e Myzafer Korkutit; Shqipnisë së Eqrem Çabejt e Selman Rizës, i duhet mundim me ja hjekë kapelen Shqipnisë së Androkli Kostallarit dhe Aleks Budës; shqiptaria e dashnisë së Ibrahim Rugovës dhe Anton Çettës, kahera ndjen lodhje prej shqiptarisë mllefshume të Rexhep Qoses e Baton Haxhisë… se Shqipninë e fehmiabdinjve dhe nefzat’haznadarve s’ka me lanë xhap Shqipnia e havzinelëve dhe arshipipëve… Kjo Shqipni e përkohshme e muçnanove e frrokçupëve s’ka me pasë kurrë guxim me e pà drejt e n’sy Shqipninë e përjetëshme të padërmeshkallëve e lekpervizëve; e kështu siç kanë ardhë e janë ntrashë punët, kështu kanë me vazhdue, ndoshta edhe ma përtej ka me zgjatë kjo përballje e pafund e DyShqipnive: asaj idealiste dhe e sakrifikueme, me at pragmatiste e kanibaleske…
Pse Shqipnia e Flamurit me Zhgabën Dykrenëshe s’ka qenë kurrë e vogël dhe as ka me u ba kurrë e tillë; dhe as ka qenë e Madhe as ka me pasë kurrë dëshirë me u shty ndër tjerë, ma së shumti sot ajo ndjehet e zvoglueme dhe e tkurrun prej njatyne mendjeve të mbrapshta që e kanë projektue thjesht si çiflig të marrisë së tyne, po kjo hyn tashma në të përkohshmen e saj të kapërcyeshme, në përgjunjen e saj të siziftë drejt naltësive… dhe asgja ma shumë…
 
Pse asht nji Shqipni që vret pamëshirë gjithkah e gjithkënd… shfaqet Shqipnia tjetër, që edhe pse e vrame, e sakatueme, ngjit e përgjakun në pidestal dhimbjen…
Pse asht nji Shqipni që e gjykon nderin si krim dhe i thur hym terrorit, shfaqet ajo tjetra që vërtet i stepet së keqes, veç me gjetë distancën e duhun e me lshue gurin e Davidit…
Pse asht nji Shqipni që i njef mirë ata që e kanë lodhë së keqeje, rallue së vrami, sfilitun së përjashtuemi, do të mbijetojë e paepun ajo tjetra: e bulzueme shprese, e paepun dashnie, e gatshme m’u ringjallë…
Janë dy Shqipnitë që i rrijnë vetvedit përballë…
Shqipnia e Flamurit, në dukje asht Shqipni simetrike, ku njaq bukur përputhen dy gjysat e saj.
Te kjo Shqipni dy gjysash ne dukje simetrike, që jo vengër e shofin njena-tjetrën, po shumë ma përtej; duhet kërkue dhe duhet gjetë Shqipnia e simetrisë së paqme e të mirkuptueshme; Shqipnia e vlerave, e sakrificave dhe e dashnisë, e cila domosdoshmënisht duhet m’u shfaqë sa ma shpejt e sa ma fuqishëm te krejt ata që ndjehen krenar pse fati u qëlloi me qenë asgja tjetër: pos… shqiptarë!!
.
nandor 2015 – shtator 2017

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Klaudia Gargjola Shllaku
    Bravo Jozef Radi…. ça me të thanë ty… përveçse i denjë për me kenë Shqiptar, urime për veprën, shpresoj ta gjej…
    Përshëndetje mik i mirë.

    Lumturi Lapardhaja Demiri
    Do e gjej edhe në fund të botës po të jetë… do ta lexoj, faleminderit për njoftimin Jozef Radi.

    Tanush Kaso
    Mire që e paskan botuar! Do ta gjejmë edhe në internet për ta lexuar. Suksese!

    Fatma Mesiti
    Unë e lexova Nini, e dëgjova në mëngjes te gazetat!

    Advie Hoxha
    Urime Jozef! Shkrimet e tua janë perla.

    Arjeta Kokalari
    Shumë e gjetur Jozef. Një Shqipëri e ndarë historikisht, që s’po bëhet dot e tërë dhe arsyeja pse janë mentalitetet ekstremisht të kundërta. Kjo kundërshti nuk sjell asnjë të mirë për kombin tonë, që po humb e arratis ditë pas dite vlerat e tij më të çmuara. Ndoshta ka ardhur koha për një tjetër Skënderbe.

    Artan Kerluku
    Shkrim i bukur, për ta lexuar nuk ka nevojë të kërkohet, mjafton të klikohet mbi titullin…

    Bajame Hoxha
    Urime Nini!

    Juli Gruda Pistulli
    E lexova e po e rilexoj!!! Përgëzimet i dashtun Jozef!! Asht nji realitete i dhimbshëm!!!

    Irena Stein-steinova
    Esse shumë shumë bukur. Krahasimet gjeniale.

    Kostandin Koliqi
    Kjo është e vërteta shqiptare dhe e Shqipërisë, sado e dhimbëshme të jetë… ky është realiteti historik shqiptare… historikisht, në trojet shqipfolëse, injoranca dhe barbaria ka fituar gjithmonë mbi kulturën dhe mirësinë…
    Përgëzime Jozef Radi që po na e tregon të vërtetën tonë lakuriq…

    Vergjil Xhafa
    Si gjithnjë respekt e mirënjohje për kontributin qe jepni me shkrimet tuaja tepër të çmuara.

    Ferdin Liçaj
    Urime! Shkrim sintetik!

    Roza Veliko Raidou
    Të vetmen fjalë që mund t’ju them… faleminderit… Faleminderit që jam pjesë e shoqërisë suaj virtuale, dhe kam shansin t’ju lexoj… Respekte… të jini mirë të gezoni shëndetin.

    Shpetim Brehamaj
    Ç’a me t’thane Nino… Krahasimi i të pakrahasueshmes… Gjetje perfekte edhe pse realiteti i hidhur është vrastar e kjo Shqipnia jonë e merr me shumë vonesë kthesën…

    Kazanova Aliaj
    Tesh mund të quhet koha jonë, kur lexon këto shkrime për të cilat pak kohë ma parë, të çonin për t’u eduku në Burrel ose shkurt një plumb kokës…!! Atë që nuk munden me e ba njerzit e ban koha dhe zoti…
    Faleminderit J. Radi!!

    Robert Prendushi
    Çfare esseje! Asht pak ta quejmë kështu. Ma shumë nji studim i thelluem shumëplanësh i nji dashnori të zjarrtë të dheut tonë, por i shkruem me mjeshtri që të le pafrymë e të ban me mendue thellë për vendin tonë, të shkretë, por të lavdishëm.

    Kazanova Aliaj
    Në këtë shkrim, predominon antagonizmi, krahasimi dhe sarkazma në formën më të përkryer dhe gegnishtja klasike që Radi and Radi e kanë kultivu si një pemë që rritet me kujdes…!! E kjo e gjitha asht një sfidë e rafinume, përballë mrapshtisë sociale dhe politikave të mbrapshta, që e bajnë flamurin e shkretë krejt pa vlerë…!! Të lexosh shkrimet e Radit ndjen se Shqipërisë i duhen shqiptarët atdhetarë e jo tradhtarët e pa emër e të pabesë..!!
    Mirënjohje z. Radi…!!

    Juela Sulka
    “Pse asht nji Shqipni që vret pamëshirë gjithkah e gjithkënd… shfaqet Shqipnia tjetër që edhe pse e vrame dhe e sakatueme ngjit në pidestal dhimbjen… pse asht nji Shqipni që e gjykon nderin si krim dhe i thur hymne terrorit, shfaqet ajo tjetra që vërte…

    Irena Stein-steinova
    Ah sikur të dilte një David shqiptar me atë llastikun e tij të gjuante mbi Goliatin shqiptar për me i çlirue shqiptarët nga ky varfërim shpirtëror… ah

    Keti Dibra
    “Shqipnia e dashnisë”, Zef?! Kur…? Urime per shkrimin.

    Rezart Palluqi
    Urime Jozef Radi një ese jo vetëm poetike por edhe tejet e mprehtë, ku del lakuriq krimi vetvrasës shqiptar, ku dashnorët e errësirës tentojnë t’i hanë mëlçitë dashnoreve të dritës!

    Isak Ahmeti
    Shkrim brilant, miku im i çmuar, Jozef Radi!

    Jozef Radi
    Të falenderoj Profesor Isaku!

    Nini Mano
    Ndofta nje destin, sepse ja që dhe flamurin e kemi me dy koka??? Esse që të nxit mendimet Jozef Radi!

    Engjell Çeka
    Nji radiografi brilante. Krahasime të goditura. Realitete konkrete. Gjuhë gegnisht mjaft e goditur. Ju lumtë mendja dhe dora. Komplimentet e mija, qytetar i thjeshtë por me histori familje nga të dy krahët.
    Urime te perzemerta nga Shkodra

    Edmond Papadopulos
    …një shkrim shume dinjtoz Jozef si për nga ana ideore (me shumë kuptim) dhe filozofike, por më pëlqen jashtë mase shumë gjuha e përdorur.

    Endriketa Qoshja
    Ne duhet t’ju falenderojmë për ktë qendisje shpirti!

    Florian Xhamia
    Urime! Sidomos për stilin! Edhe ideja është gjeniale (dhe kam ndërmend ta vjedh, si gjithmonë pa copyright), po ka diçka që nuk shkon tek grupet që i rrinë përballë nj-tj, shpesh i përkasin së njejtës familje, pamvarsisht se me qasje komplet të kundërt në praktikë. Gjithsesi, një shkrim që ja vlen të meditosh gjatë me veten.

    Avis Gjyshja
    Jozef! Ju thatë që keni punuar gati dy vjet me “Dy Shqipnitë e nji famuri” Dhe ne po duam të komentojme për dy minuta!
    Ishja në makine kur e pashë këtë postim dhe ngaqe dallohem si shofer problematik, une pothuaj gjithmonë shkruaj apo lexoj diçka duke ecur(!!).
    Dua te tregoj nje histori qe vjen nga fëmijëria ime;
    -Ti e di ku është Ballagati i Lushnjes. Diku nga fundi i viteve ’60 fillimi i viteve ’70, pranë zyrave të kooperativës Ballagat kalonte një grup arixhinjsh që vinin nga Peqini e iknin s’di se ku. Thonin që midis tyre ishte një këngëtar shumë i mirë. U ulën në një hije shege aty afër, dhe dikush ju dha pak raki. Kaq u desh qe ata të fillonin të këndonin. Mbaj mend që një nga grupi i kureshtarëve ju kërkoi të këndonin këngën e Dumresë: “Mbani vesh o çuna ku po bien daullet”
    Kënga pushoi dhe ai kryesori i tha kërkuesit:
    -Or çun ajo këngë nuk këndohet kështu. Do të ulesh mirë e të kesh një kile raki përpara!
    Unë ishja vetë atje. Tani që lexova çfarë ke shkruar ti po kërkoj kilen e rakisë e vendin për tu ulur. E lexova dy herë. Dhe e shoh që nuk duhet të komentoj… Si ts thuash me gjuhsn tsnde me vjen ms mirs ts mendohem se sa ts flas. Ashtu ns “heshtitë e mia flatruese…”.

    Teuta Ademi
    Margaritar mbas margaritari, na ke thur dhe dhurue këtë kollanë kaq të vlefshme për shpirtërat tonë, edhe ju jeni dashnor i përjetshëm i fjalës dhe frymës shqiptare.

    Liza Rexha
    Me patjetër… më kënaqësi…

    Lumturi Lapardhaja Demiri
    Një esse që duhet lexuar dhe rilexuar!!!

    Seri Siria
    E lexova e rilexova këtë shkrim sa bukur shkruar; thellësisht i drejtë, i mpreftë dhe kuptim plotë në çdo drejtim. Nuk ka koment për të plotësuar çka është shkrujtë me kujdes, qartësi, me zemër dhe më llogjikë të naltë gjeniale, Nderime

    Estela Ruka
    Jozef Radi të përgëzoj sinqerisht për këtë shkrim filozofik dhe them me bindje se është shkrimi i parë i këtij stili (pavarësisht se shumë nga ne mund ta kemi menduar shpesh këtë “Pse” nè) por e thënë dhe e përmbledhur kaq bukur merr një kuptim krejt të madh. Dua të them se ky shkrim duhet botuar në të gjitha gazetat shqiptare si një përsosmëri.
    Urime Jozef Radi.

    Jozef Radi
    Sa shumë me emocionove Estelë!

    Erida Cela Perlala
    Ndodhemi gjithmonë të çoroditur nga kjo Shqipëri e dyzueme, që nuk po fiton mbi të keqen e gjatë, që e cënon deri në virtytet e saj më të lashta e më të mira… Shqipëria e legjendës është në hall të madh , nga kanosja e gjatë e të keqes, që po bren nga brenda vendin tonë dhe banorët e tij…

    Sofije Simoni
    Sa bukur e keni përmbledhë të terren… Pyetja mbetet ende tek Ne-populli!!! Ta pyesim seicili vetevehten!!???

    Niko Ljarja
    Shumë e bukur Zef… Kënaqësi kur e lexon… Shkrim me kualitet dhe i vërtëtë… Sigurisht shkrim në propocion të drejtë me kualitetin tënd… Shëndet Zef…..

    Engjell Belliu
    Z. Jozef përshendetje. Thonë që reklama, është shpirti i tregëtisë, d.m.th që çfare pasqyrohet në vitrinë, i ke brenda në magazinë. Kurse në letërsi, dhe konkretisht në shkrimin tuaj të bukur dhe realistik, mund të thuash që çfare titulli kam vënë në kopertinë,i keni të zbërthyera brenda në librin tim.

    Ilir Prifti
    Shkëlqyer Jozef…!

    Osmon Kaceli
    Më dha kënaqësi të veçantë. Të falenderoj Jozef…

    Mimoza Leskaj
    Jozef, juve duhet t’iu falenderosh çdo ditë miku im, por në këte esse meritoni shumë e më shumë. Mirnjohje!

    Shqipe Saraçi
    Juve ju është dashtë 2 vjet me e shkrujtë, mua m’u desh 3 herë me e lexu, për ta kuptu mirë e për t’a shiju 100%. Sepse kjo esse nuk është për t’u komentu, është thjesht për t’u fut në tru e për t’u shiju. Shkrimi në gegnisht i jep përmasa edhe më të mëdha. Urimet më të mira, për shkrime të tjera po kaq të forta!

    Domi Zabelaj
    Një shkrim shumë intersant dhe aq i gjetun një gjë duhet të them se idealizmin e atdhetarëve e kanë vra dhe vrasin të shiturit!

    Durime Siqeca Agaci
    Falemnderit Jozef për këtë essay kaq emocionuese!!!!

    Diana Lazri
    Një esse è mrekullueshme. Realiteti shqiptar me tanë lakuriqësinë e vet. E mandej edhe gegnisht. Urime e suksese.

    Antoneta Nushi
    Urime për punën tënde…!

    Elona Baçi
    Shumë esse e bukur, dashuri e dëshperim njëkohësisht!

    Niko Todhri
    Nga mania çfarosëse e familjeve të mëdha prej kriminelëve të kuq, fatmirësisht mbeten gjallë disa prej tyre. Japin shpresë për të ardhmen.
    Urime për shkrimin Jozef.

    Yzedin Hima
    Shkrim origjinal në këndvështrim dhe ide. Urime Jozef! Kur e mbaron shkrimin vjen në përfundimin se Shqipëria vërtetë është ndarë në dy. Njëra anë ka pëqafuar e përvetësuar atdheun moral me historinë, artin, shkencën, diturinë, fisnikërinë, drejtësinë, humanizmin, europianizmin, ndërsa pala tjetër tinëz ka grabitur atdheun fizik fushat, kodrat, malet, lumenjtë, bregdetin, minierat, universitetin, doganat, ministritë, bashkitë, etj etj.

    Afërdita Hall
    Po, ashtu është, por mua më shfaqej vazhdimisht gjatë leximit, ajo gjysma tjetër, e përvuajtuna Kosova!

    Interista Xsempre
    Nini sei Grande

    Elida Hysenbegasi
    Jozef i dashur… asnjiherë nuk ke për ta kuptue si dhe sa duhet këtë ‘përse’ fatale… Sepse ti, si ata pak të rrallë në historinë e këtij kombi, je fisnik ‘sui generis’… nga ata të cilët asnjiherë nuk e mësuan se sa fisnikë ishin…

    Lindaniza Kasoruho
    Ty ta lumsha!

    Tina Mosko
    Urime Jozef!

    Republika e Shkresurinave Përgëzime e Urime Rad!
    I madh je! Kisha kaq kohë që doja të shkruaja një gjë të ngjashme por nuk arrita.
    Sepse sa herë kthehem nga jashtë, kam një shprehje që ia them vetes, te kafja e lagjes: E ambla, e idhta, e keqja, e vramja, e mira Shqipnia ime! Edhe për kapakët e pusetave më kish marrë malli… të du kështu siç je… pa kushte të du!

    Aferdita Hall
    Me ndershmëri e them, një nga aresyet që hap fbook është edhe Jozef me shkrimet e tua…

    Valbone Shehu
    Gjithnji e ma shpesh ndër heshtitë e mia flatruese, rrekem me ia gjetë kuptimin asaj çka shpesh asht e pakuptim, me ia gjetë rrfanën asaj çka na rrin pezull mbi krye dhe m’bahet e pamundun që ndër kta rreshta t’mos më jetë busull shprehja e atij shqiptari të madh e të pashoq në të djeshme tonë, po edhe në të sotme edhe në të nesërme, gdhendë ndër shkambinjtë e ashpër të kësaj toke, shprehja lapidare: “Shqipërinë e krijoi Zoti, e shpëtuan idealistët dhe do ta vrasin politikanët…”
    Të lumtë Jozef Radi, i moooodh’… je

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.