back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dy vepra të reja mbi figurën e Gjergj Kastriotit – nga Mark Ndoja

Gazeta

Kastriotët - Mark Ndoja
Kastriotët – Mark Ndoja

Kastriotët – Roman në vargje

nga Mark Ndoja

Vepra Kastriotët, me 9000 vargje, është shkruar nga Mark Ndoja në vitet 1961-1964, në ndërkohën mes dy dënimeve; më 25 dhjetor 1964, kohë kur autori u internua për 5 vjet në ishullin e Zvernecit. Vepra botohet si porosi e autorit, që i kishte shkruar këto dy vepra në prag të kremtimit të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut më 1968, si lutje e miqve të tij poetë në vitet ’90, si Pano Taçi e Vehbi Skenderi që kishin lexuar pjesë të dorëshkrimit Kastriotët, në vitet ’60, sidomos për pasurinë e stilit poetik, narracionit të panjohur për Gjon Kastriotin dhe gjuhës epike-kalorsiake.
Libri u daktilografua nga bashkëshortja e autorit Milena, në vitet ’90, dhe botohet si kushtim ndaj saj dhe autorit. Fragmentet e letrave të Markut dërguar së shoqes nga Zverneci japin një ide të skajshme për procesin krijues dhe itinerarin e kësaj vepre me travajet e jetës së autorit.
Vepra Kastriotët, është e shkruar me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe kishte nëntitullin Trilogji kreshnike, vepër në tri pjesë. Pjesa e tretë ishte projektuar për Gjergj Kastriotin, projekt që u modifikua në kushtet e reja të internimit në ishullin e Zvërnecit. Në vitin 1967, në vijim të ciklit të Kastriotëve, autori shkroi tragjedinë në vargje Lavdi e shekujve që fillimisht mbante titullin Vdekja e Skënderbeut, e cila do të botohet më vete.
Vepra Kastriotët përbëhet nga 9000 vargje me rima me masën 16 rr. dhe ndahet në tri pjesë sipas temave. Në pjesën e parë, Gjon Kastrioti përshkruhen luftërat e Gjon Kastrotit; në pjesën e dytë nis ekpedita kundër Gjergj Arjanitit; ndërsa argumenti i pjesës së tretë ka në qendër vëllain e Gjergj Kastriotit, fratin Reposh Kastrioti i cili i lutet Zotit në kishën françeskane të Malit Sinai, si Moisiu për popullin e tij të zgjedhur. Lutjet e At Reposhit paralajmërojnë, revanshin e Gjergj Kastriot Skënderbeut kundër Sulltan Muratit.
.

Argumentet e veprës Kastriotët – Praeludiumi

Invokacioni i Muzës së historisë, (Zana arbënore), parashkrimi epik i derës së Kastriotëve dhe i kronotopisë së zhvillimit të ngjarjeve. Ëndrra e Vojsavës dhe konceptimi i Gjergj Kastriotit në pallatin e Gjon Kastriotit në Krujë, rreth vitit 1403.
Në pjesën e parë (viti 1415), personazhet kryesorë janë Gjon Kastrioti dhe kunati i tij nga Pollogu, Dedosh Tribala, ndërsa luftimet turko-shqiptare zhvillohen në Kosovë (Suharekë, Kelm, Gjakovë) dhe Shqipëri.
Në pjesën e dytë (viti 1425), rimerret tema e kryengritjes së Gjergj Arjanitit dhe ripushtimit të jugut të Shqipërisë nga Evrenoz Pasha, që mbërrin me ushtrinë turke në Janinë nga Edreneja pas urdhërit të Sulltan Muratit.
Pjesa e tretë (viti 1443) personazh kryesor është Reposh Kastrioti, gjithashtu Gjergj Kastrioti, Hamza Kastrioti dhe Ati françeskan Ludoviko Loredani. Kjo pjesë dallohet për mistikën biblike, skenat e së cilës nisin në Ederne, vijojnë me Reposhin në kampin e Serasqerit Skënderbe në Siri, mandej Reposhi bëhet kallugjer dhe përshkon si profetët lumin Jordan, Jeruzalemin, shkretëtirën e Negevit dhe të Malit Sinai.
.
Mark Ndoja - “Beteja e fundit e Skënderbeut”, tragjedi
Mark Ndoja – “Beteja e fundit e Skënderbeut”, tragjedi

“Beteja e fundit e Skënderbeut”, tragjedi me 5 Akte

Parathënie nga Leka Ndoja

Në vijim të ciklit të “Kastriotëve”, autori shkroi në ishullin e Zvernecit në vitin 1967, tragjedinë në vargje që fillimisht mbante titullin “Vdekja e Skënderbeut” me temë betejën e fundit të heroit deri në fund të jetës. Tragjedia “Beteja e fundit e Skënderbeut”, tragjedi me 5 Akte, rimerr personazhet e veprës “Kastriotët”, që mbante nëntitullin: “Trilogji kreshnike”. Me këtë dramë për Skënderbeun përmbyllet cikli i “Kastriotëve”. Këtë tragjedi, autori e rikonceptoi pasi kishte shkruar Aktin I në Tiranë, por duke e vijuar në kushtet e rënda të internimit.
Personazhet si Dodë e Gjin Perlati dhe nanë Mrica ruajnë karakteret e krijuara më parë në veprën “Kastriotët” sikundër Karaxha Beu dhe Ballaban Baderi, i cili në pjesën III Reposh Kastrioti shfaqej asker i Serasqer Skënderbeut në Siri.
.

Argumenti

Në dramë si vijim i sagës së Kastriotëve përfshihet Gjon Kastrioti i ri që mbyll rendin e princave arbër, letrarizuar nga Mark Ndoja, në Aktin 5.
Tragjedia zhvillohet në periudhën e fundit të jetës së Skënderbeut duke nisur në vitin 1465 dhe kulmon më 17 janar 1468 në Lezhë, me vdekjen e Gjergj Kastriotit ndërsa Lekë Dukagjini vjen me fitore nga Shkodra në Kuvendin e dytë të Lezhës thirrur nga Skënderbeu, pasi kishte thyer turqit.
Tragjedia ka ruajtur formën klasike të melodramave në vargje model i shkruar nga Mark Ndoja edhe në vitin 1937, në tragjedinë në vargje “Ded Gjo Luli” si vijim i kësaj forme të zhvilluar së shumti në shkollën letrare katolike të Shkodrës që u ndoq edhe nga Et’hem Haxhiademi.
“Beteja e fundit e Skënderbeut” është rrethuar nga një mori personazhesh historikë, mitologjikë (Zana, Perri, Xhind) dhe fiction apo aktantë sikundër Papagali i Sulltan Mehmetit II. Prozodia e dramës është modeluar nga elementi eufonik për të krijuar një ontologji dhe mistikë ardhur përmes muzikalitetit të vargut përkrah aksionit dhe ritualit. Veprimi dramatik arrin një kulm ferik (luftarak) por pastaj vjen duke u fashitur në Aktin 5, sipas temës monumentale të procesioneve medievale të varrosjes së kalorësve me blasonierët e tyre. Në këtë Akt, drama merr ngjyrat elegjiake dhe dialogon me poezinë e varrezave.
Gjithashtu në epilog ravijëzohet projektimi i njësisë nacionale ndonëse vihet në dyshim nga vetë zhvillimi i dramës dhe sidomos vargu i fundit që përfundon me mallkim.
Vargëzimi shquhet për masat dhe proporcionet strofike klasike dhe të rimuara. Metrat e vargjeve lëvizin nga 11 rrokshi në 7, rrokësh, dhe 5, 6 rrokësh, por ka edhe skandime të masave të tjera. Didaskalitë me shpjegimet para njësive dramatike, ndihmojnë për vënien në skenë të tragjedisë.
.

Konteksti historik dhe distopia: zhvendosja në kohë

Argumetet bashkëshoqëruese të 5 akteve shfaqen si pjesë të mendimit të përpunuar të autorit rreth dokumentacionit të shqyrtuar dhe autorëve si Marin Barleti e Fan S. Noli, për ngjarjet e fundjetës së Skënderbeut dhe të argumenteve të reja rreth kontekstit gjeostrategjik të kohës.
Në shekullin XV, Turqia, Venediku dhe Mbretëria e Napolit kërkonin kontrollin e principatës së Arbërit. Shfaqet pozita e veçantë e Lekë Dukagjinit dhe Tanush Topisë si trashëgimi politike e Skënderbeut, duke minimizuar rivalitetet e përmenduara nga historianët mes principatave shqiptare.
Gjithashtu gjejne vend në dramë antagonistët e pushtetit të Skënderbeut si Ballaban Pasha, Jakup Arnauti e vasalë të tjerë të Sulltanit.
Në dramë shfaqen aspekte të kontrastit etik dhe të civilizimeve mes shqiptarëve dhe turqve: Kruja e Lezha nga asnjë anë dhe pallati i sulltan Mehmetit II në Stamboll me sallën e divanit. Rikonceptualizimi i leximeve si distopi letrare është një qasje e pasqyrimit të diktaturës e dhunës që sundonte në Shqipëri, ku po kryehej edicioni i revolucionit kultural kinez.
Shkrimi i tragjedisë si vijim i traditës letrare europiane, në vitin 1967 vendos skenën e Aktit 5, në Katedralen e Shënkollit të Lezhës, duke dialoguar: me profanizimin e kohës së shkrimit të sh. XX; me prishjen e trashëgimisë së besimit dhe rrënimin e monumenteve kultike. Në kontrast me atmosferën
letrare e politike antieuropiane që buiste në Tiranë, në këtë tragjedi prifti At Dhimitri udhëheq ritualin për shpëtimin e heroit brenda Katedrales së Shënkollit shoqëruar nga lutjet korale të grave, ushtarëve dhe pleqve.
Me botimin e romanit në vargje apo eposit “Kastriotët” dhe të tragjedisë “Beteja e fundit e Skënderbeut” shkruar thuajse 50 vjet më parë për kremtimin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, plotësohet nxjerrja në pah e një pjese të letërsisë Underground në Shqipëri, si alternativë gjalluese ndaj asaj ex zyrtare dhe Jubileut të papranishëm Kastriotian.

 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.