back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dy vjet pa Ikonën e Kelmendit: Marash Mërrnaçaj kujtesë nga Dalip Greca

Gazeta

 

Marash Merrnaçaj (21 Dhjetor 1921-10 Tetor 2019)
Marash Merrnaçaj (21 Dhjetor 1921-10 Tetor 2019)

Dy vjet pa Ikonën e Kelmendit: Marash Mërrnaçaj

kujtesë nga Dalip Greca

Si sot, dy vjet të shkuara, ndërroi jetë një nga ikonat e Kelmendit, Marash Mrnaçaj. Ishte paraditja e së Enjtes të 10 tetorit 2019, kur zemra e lodhur e Marashit pushoi së rrahuri në White Plaince Hospital. Familja e e pat rrethuar me aq shumë dashuri gjatë gjithë jetës, edhe në ato çaste ishte pranë tij. Në sytë e tyre u shua njeriu që e kishte udhëheqë me zotësinë e një kapiteni të sprovuar familjen e tij, që e kishte drejtuar me mençuri anijen në dallgët e rrezikshme të jetës. Nuk ishte e lehtë t’i prije familjes së madhe të kapërcente kufirin në kohën e diktaturës, me pleq e fëmijë të vegjël, së bashku me bagëtitë, në një natë me terr e stuhi bore. Po me zotsinë e një kapiteni ai e voziti anijen (familjen) nëpër Ish Jugosllavi, Itali, derisa e ankoroi në portet e Lirisë amerikane. Të gjitha betejat jetësore Marashi i fitoi me zotsi dhe familja e tij e madhe ndjehet krenare për kapitenin e saj, edhe pas vdekjes.
Sot në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, Nju Jork, do të mbahet meshë për shpirtin e Marashit, ndërkohë që familja do të shkojë në varrezat Gate of Haeven në Westchester, ku prehet Marashi dhe pjestarët e tjerë të familjes së Mrnaçajve.
Edhe vitin e kaluar me 10 tetor 2020, një vit pas ikjes nga jeta toksore, Marash Mrnaçaj u përkujtua me nderim e respekt të thellë nga familja e madhe dhe miqtë. Edhe pas ikjes së tij, familja e madhe (Mrnaçajt e kalojnë numrin 100 e pjestarëve), ndjehet e bashkuar rreth simbolit të tyre,kapitenit të tyre, ikonës së Kelmendit, njeriut që sfidoi dhe u kthye në simbol qëndrushmërie. Dera e Shtëpisë së Mrnaçajve është përherë e hapur për miqtë falë frymës së dashurisë njerëzore që u përcolli ai fëmijëve, mbesave dhe nipërve. Mësimet e Marashit mbeten jetësore, njerëzore, përcillnin besim dhe shpresë.
Duke pasë pranë vetes gjysmën e Tij, një bashkeshorte si Mrija, Shtëpia e Mrnaçajve mbetet derë e hapur Kelmendase në Nju Jork. Marashi i edukoi pasardhësit e vet me frymën e besimit,miqësisë, respektit për veten dhe të tjerët, i edukoi me frymën e dashurisë, Lutjes e Besimit në Zot!
Filozofia e tij jetësore mbështetej në porosi të tilla si: Kembengul dhe mos u dorëzo asnjëhere! Nëse do të arrish diçka ,puno shumë dhe kurrë mos u dorëzo!
.
Kujtimi i Marashit ne familjen e tij eshte i shenjte
Kujtimi i Marashit ne familjen e tij eshte i shenjte
Shembull ishte ai vetë, kurrë nuk u dorëzua – Qëndroi stoik, i patundur nga shtërngatat jetsore, si malet nga vinte, edhe kur jeta ndodhej e rrezikuar buzë honeve që mund ta përpinin atë dhe familjen, ai sërish ia dilte.
Marashi ishte një njeri me karakter të forte, që e kishte sfiduar vdekjen shumë herë gjatë jetës se tij.E kishte sfiduar vdekjen duke besuar fort tek jeta.Kurrë nuk qe dorëzuar, as kur i arrestuan e burgosën vëllanë Nikollën, – që i kaloi dy dekada në burg dhe gjithë familjen të internuar kampeve të vdekjes; as kur humbi jetën, në emër të idealeve, i biri, Nika (I kthyer në simbol të Ditës së Lirisë Shqiptare në Nju Jork).
Ka shumë sfida në jetën e Marash Mrnaçajt, që ai i kapërceu me zotsi. Sfida me e rrezikshme ishte ajo e arratisjes pas burgosjes të vëllait Nikollës. Arratisja u bë në një mot të ashpër me acar, erë dhe borë. Ishte 21 dhjetori i vitit 1959. U arratisën burra e gra, pleq, fëmijë e bagëti-dele, lopë e mushka. Edhe sot Mrija e ka të vështirë të heqë nga kujtesa imazhet e akullta të asaj nate me terr, të ftohtë të acartë, bore mbi një metër, kur ajo shtërngonte fëmijët në gjoks dhe i ngrohte me frymën e saj prej nënë. Prindërit e Marashit që ishin në moshë të thyer dhe fëmijët e vegjël, e kishin të vështirë ta përballonin atë rrugëtim, gati ishin ngrirë nga stuhia. Ndoshta ata, fëmijët dhe pleqtë, ishin ëngjëjt që i shpëtuan edhe të rriturit atë natë dimri. Guximi i Marashit, besimi në Zot, u dha fuqi të gjithëve që ta kapërcenin kufirin, edhe pse u endën për shumë kohë nëpër terr e borë, në një rrugë që normalisht nuk mbante më shumë se 1 orë nga shtëpia e tyre, ndërsa ata e përshkuan për 22 orë nga që edhe mjegulla e terrin ua pengonin orientimin. Disa here u kthyen në pikën e nisjes.
Sfidë tjetër ishte sigurimi i jetesës në Titograd, ku e vendosën me familjen. Marashi punoi fort, siguroi jetesën dhe e ndërtoi vetë shtëpinë, falë forcës së krahëve, pa i hyrë në borxh kujt.
Marashi ishte si ai timonieri i mirë, që falë zotsisë, arrinë ta nxjerrë anijen në breg edhe në shtërngatë. Pas tetë vitesh në Ish Jugosllavi, arriti të emigrojë në Itali dhe që andej më 1967 në krye të familjes mbërriti në Amerikën e ëndrrave, ku u ankorua anija e fatit të tij.
Pa shumë shkollë, pa e ditur gjuhën angleze, me guxim iu fut biznesit dhe sërish sfidoi duke shënuar sukses. Ai u kthye në një biznesmen të suksesshëm me ndërtesat e veta, që i gëzon dhe i administron familja edhe sot. Por suksesi më i madh i Marashit ishte edukimi i fëmijëve, përcjellja e dashurisë dhe respektit për njeri-tjetrin, për mikun,fqinjin, dashuria dhe besimi i patundur në Zot. Jo vetëm fëmijët e Marashit, por dhe fëmijët e fëmijëve, e donin me shpirt, edhe sot betohen ‘për kokën e tatës’. Ai ishte gjithçka për ata, një gjysh frymëzues, një ikonë e gjallë.
.
Ceremonia në kishë e përcjelljes së Marash Merrnaçajt
Ceremonia në kishë e përcjelljes së Marash Merrnaçajt
Edhe sot, familja Mrnacaj nuk mungon në asnjë prej ngjarjeve të komunitetit, në ngjarje të gëzuara apo në morte, ajo përcjell respekt dhe fisnikëri të trashëguar nga Marashi.
Tek i pyesja gjatë përvjetorit të parë të pasvdekjes, mbesat dhe nipat – Si e kujtoni gjyshin Marash? Përgjigja që marr është kjo: Tata (kështu e thërrisnin) ishte gjithçka për ne. Ne mezi prisnim të takoheshim me atë gjat fundjavëve.
Citoj të bijën, Verën: Mëngjesin e 10 Tetorit 2019, Zoti e mori pranë vetes babain për t’ju bashkuar pjesës tjeter të familjes në parajsë. Me ne fund ai u lirua nga dhimbjet dhe vuajtjet,duke u preh në paqe bashkë me prindërit, vëllezërit dhe djalin e tij Nikën e dashur… Tani po na shikojnë të gjithë nga parajsa. Im atë nuk u dorëzua asnjëherë deri ne fund… Për të gruaja, fëmijet dhe më vonë nipërit dhe mbesat ishin krenaria dhe gëzimi më i madh në jetë. Babai im erdhi në këte vend me mendimin për të punuar shumë,për të bëre një jetë të ndershme në mënyre që të mos i detyrohej askujt një ditë… dhe ashtu bëri. Siç e dimë te gjithë, historia e jetës së tij flet vetë… Ishte shumë e vështire për të të gjente kohën e lirë por çdo moment që kalonte me ne ishte shumë i veçantë. E diela ishte padiskutim dita jonë, një dite që i dedikohej vetëm familjes.
Tata thoshte gjithmonë që të punosh të dielën është e ndaluar, është dita e Zotit, e familjes dhe miqëve për të qendruar sëbashku.
Ai ishte një gjysh i përkushtuar dhe krenar deri në ditën e fundit të jetës.
Marashi pati fatin t’i shikonte nipërit e tij (shpirtrat e tates) tek rriteshin dhe që ishin shumë krenar që e kishin në jetën e tyre.Dhimbja qe ne perjetuam me ikjen e tij nuk ka kaluar,por ne e dimë dhe e pranojmë qe ai është në një vend shumë më të mirë…Nëse secili nga ju do te mbyllte sytë për një moment dhe të kujtonte tim atë,jam shumë e sigurtë që me të keni ndier dashuri,siguri,respekt,kënaqësi dhe krenari…Ne si fëmijet e tij ndihemi të bekuar që kishim një baba model dhe një shembull shumë të mire per secilin nga ne. Ne mësonim jo vetëm nga fjalët e tij por edhe nga veprat.
.
Marash Merrnaçaj mes dashurise se familjarve te tij
Marash Merrnaçaj mes dashurise se familjarve te tij
Ai ishte një njeri që bëri çfare tha dhe fjala e tij ishte e pathyeshme.Babai im na dha mesime shume të vyera per jeten qe kur ishim të vegjël:
-I pari dhe më i rendesishmi: Besimi, lutja dhe dashuria për zotin. Ne ndjekim meshën çdo te dielë dhe themi rruzarën si familje.
‘’Respekti’’ është dinjitet, siç thoshte ai, “respekto veten dhe të tjerët’’.
‘’Je i dashur me të tjerët’’ nuk humbet asgjë të jesh i sjellshëm.
‘’Këmbëngul dhe mos u dorëzo asnjëhere. Nëse do të arrish diçka, puno shumë dhe kurrë mos u dorëzo.Ai thoshte gjithmonë që asgjë në këtë jetë nuk është falas, edhe nëse është, do ta paguash dyfish ose më shumë më vonë]… Dhe mësimi më i madh që na dha në jetë ishte sesi të kemi besim dhe të mos gabojmë me Zotin… Babai im ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe fjalet nuk mjaftojnë për të folur për të. Ai ishte një i krishterë i përkushtuar, që për të shpëtuar nga një vend komunist dhe duke rrezikuar jeten e tij dhe të familjes, na bëri të besojmë sesa të fortë e kishte besimin.
.
Mrì Merrnaçaj - Bashkëshorte e bashkëluftëtare e gjithë betejave të Marashit
Mrì Merrnaçaj – Bashkëshorte e bashkëluftëtare e gjithë betejave të Marashit
Një bashkëshort i përkushtuar, që thoshte shumë herë që Kur të largohej një ditë, i vetmi peng i tij ishte që po linte gruan pas. Nëna ime ishte gjysma që plotësonte tim atë. Ai ishte burri, babai, gjyshi dhe miku që nëse ti kishe nevojë ai do gjendej gjithmonë aty! Jemi krenar për Atin tone fisnik! – përfundon Vera.
Familja Mrnaçaj edhe pas vdekjes së Marashit përcjell mesazhe për komunitetin shqiptar, mesazhe dashurie e respekti. Një vit më pare tek po përcillja një kronikë të shkurtër për TV Albanian Culture në Nju Jork me rastin e përvjetorit të ikjes nga jeta, thashë se nëse At Gjergj Fishta do të ishte gjallë, patjetër Marash Mrnaçaj do të ishte personazh i “Lahutës së Malcisë” dhe se aty do të këndoheshin e hymnizoheshin bëmat e tij dhe të familjes së tij.
Marash Mrnacaj ishte dhe një vatran i mirë, mbështetës familjar i Vatrës. Edhe sot familja e tij mbetet vatrane, e përkushtuar ndaj Kombit!
I përjetshëm kujtimi i Marash Mrnaçaj!
Nju Jork, 10 tetor 2021

.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Nini, fort I dashtun,
    Nji muej para lirimit të Nikoll Mërrnaçajt nga burgu i Shën Vasisë, në Sarandë, ndodhi nji çudi e pandodhun kurrë në historinë e burgjeve shqiptare… E pabesueshme!
    Baftjar Xherahu – Lala, vdiq ditën e lirimit, n’orën 6 të mëngjesit.
    Gjithë ne të burgosunit, vdiqëm atë ditë.
    Kaluem në nji tension a çmenduni kolektive të 300 të burgosunit e Shën Vasisë!
    Mes atij ankthi e me shumë tension e ndoqëm gjithë ngjarjen, e cila përfundoi, si gjithë të tjerat, fatalisht kundra nesh!
    Vrasësit (drejtoria e atij Burgu) e nisën për Sarandë vëllanë e Lalës, që po e priste, mbasi ai kishte ardhë ta merrte të vëllanë që lirohej… Por ai u nis për Sarandë dhe u kthye prej andej me nji arkivol prej bezeje të kuqe!!
    Eh, sa mirë u ndjemë kur e pamë. Së paku do t’ia kthenin familjes të vdekun! E ndjemë si nji fitore, nji çlirim e nji lumtuni e madhe për të gjithë ne. Ishim 20 të dalë menç o krejt të çmendun, që e rregulluem Lalën në arkivol, i shkuem të gjithë pranë tue u dridhë dhe e puthëm në sy e ballë, me nji dashuni ma shumë se vllaznore, e… dikush prej nesh, lexoi e na tregoi me gisht edhe nji shënim në dërrasën e arkivolit…
    “Rahmet paç, o vëlla!”
    Ankthin dhe makthin e asaj dite s’do ta harrojmë kurrë!!
    Po kriminelat e banë kriminelin edhe at ditë!!
    Nuk lejuen me ia dhanë trupin të vëllait të ardhun nga ana e anës, me marrë të vëllanë që atë ditë e kishte krye dënimin, dhe na kapi nji trishtim revoltues kur pamë kamionin me 7 a 8 ordinerë, që u nis me e hjedhë kufomën e Baftjar Xherahu Lalëst – në vorrin e madh e të përbashkët të burgut!!!
    At ditë ndodhi nji ngjarje që në 13 e pak ma shumë vjet histori që kam jetue me kazanin e burgut, s’më kishte ndodhë ta shifsha kurrë…!!
    Asnji prej 300 të burgosunve s’iu afrue atë ditë fatale, mensës së ushqimit!
    E kallzova kët histori, për me vazhdue me Nikollë Mërrnaçajn.
    Edhe ai, ishte shumë i sëmunë n’ato ditë në prag lirimit. Nji javë para lirimit, u hap fjala se Nikolla kishte pasë nji vdekje klinike.
    Nuk e di dhe nuk gjej asnji mënyrë origjinale me e shpjegue mobilizimin tonë: ku rreth 30 vetë, të organizuem nga dr. M. K. jemi marrë për 24 orë rrjesht me Nikollën, ndjesë pastë! Masazhe të herë mbas hershme deri në frymëmarrje artificiale… dhe në fund ia dolëm, e deri në çastet e fundit të lirimit të tij, kemi qenë në tension të plotë. Kur e thirrën ditën e lirimit, e nisëm për te ndërtesa e komandës me nji tezgë që na e rekomandoi, Padër Zef Pllumi, pavarsisht se at ditë Nikolla ishte ma mirë se në 10 ditët e fundit. Mes thirrjesh, brohoritjesh e urimeve të rreth të 300 të burgosunve të Shën Vasisë, n’at janar të ftoftë të vitit 1989, e përshëndetëm si fitore lirimin për së gjalli, të kelmendasit krenar, Nikollë Merrnaçaj…
    Mes atyne që e shoqnuem deri te dera e Komandës së Burgut, veç meje ishin edhe Burhan Kalaja, Sali Gjonku, Mezan Abazi e mjaft të tjerë…
    Rahmet paçin shpirtnat e tyne…!
    Oficeri i rojes dhe 2 policë që na shoqnuen, u morën për 5 minuta me kontrollin dhe procedurën e lirimit dhe kur gjithçka ishte në rregull, ata hapën derën dhe liruen dy herë të burgosunin Nikollë Mërrnaçajn.
    Jashtë po e priste nji djale i ri dhe dikush tjetër, që s’e dinim se kush ishin!
    At ditë ne kishim fitue nji betejë të madhe, dhe Zoti e ndigjoj lutjen tonë. Nikollë Merrnaçaj qe me fat, s’u fut në gropën kolektive të burgut të Shën Vasisë, si shumë bashkvuejtësa të tij të moshuem…
    Disa ditë mbas lirimit të tij, aty në Shën Vasi, ku vazhdonte vuejtja e shumë të moshuemve, po edhe ne të rinjve, na erdh lajmi i trishtë i vdekjes së Nikollë Merrnaçajt.
    Çuditnisht ne s’u ndjemë keq at ditë, bile e kujtuem me humor… Sepse nji ditë të gjithë do të vdisnim, po Zoti e kishte dashtë Nikollë Merrnaçajn, dhe ai vdiq në shpi të vet, në duert e djalit dhe të dashtunve të tjerë…
    Edhe ne tashma dëshironim të kishim fat, si Nikolla…!
    Në përfundim të këtij shënimi, mund të them se unë s’e kam njoftë vëllanë e Nikollës, Marash Mërrnaçajn, për fat të keq, as kam ndie kurrë për të, por ju dhe artikullshkruesi e queni … Krenaria e Kelmendit, dhe unë besoj në fjalën tuej… dhe ndjej respekt për kët zotni, pse jam i bindun se e ka meritue kët fjalë, po unë dhe mija ish të burgosun politikë shqiptarë kemi njoftë vëllanë e tij, zotninë Nikollë Merrnaçaj, që për mue dhe të gjithë ish të burgosunit politikë që e kanë njoftë, ka qenë vërtet: Krenari e burgjeve shqiptare!
    Me respekt të thellë, Bujar Bakalli…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.