back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Dy vllazën – dhe nji dashni përtej jetës e vdekjes… Gjergj Kola

Gazeta

Tirana - Kafe Kursaal
Tirana – Kafe Kursaal

Dy vllazën – dhe nji dashni përtej jetës e vdekjes…

tregim nga Gjergj Kola

Në Tiranën e viti 1942, sapo ka ra sirena e alarmit dhe trupat fashiste të armatosuna deri në dhambë kanë mbërthye n’qoshe t’nji rrugice me kalldram, nji djalosh 17 vjeçar, të veshun qytetarçe me nji shllungë traktesh në trup.
Djaloshi nuk ban rezistencë, ai asht i paarmatosun dhe ka në sy nji shikim krejt të qetë, sikur e tana kjo mos me pasë asnji lidhje me të. Në burgun e Tiranës ai thotë veç tri gjana:
-Quhem Ndoc B. Le e rritë jam në Shkodër dhe e urrej pushtuesin fashist.
Tirana asht ala e ngime me bollëkun që ka derdhë fashizmi në këto vite pushtimi, dhe lajmi se asht kapë nji djaloç që pregatit terror,  veç sa e spërkat qiellin e qytetit me gjakun e nji flijimi të ri. Celulat komuniste fiken e ndezen si xixlloja të parrezikshme në pragvere.
Gjyqi ushtarak sapo asht mbledhë, në Kuesturë dhe daktilografuesja, nji tiranse e re e veshun me kostumin e fashios, shënon me t’shpejtë pyetjet dhe përgjigjet:
Për tana pyetjet djaloshi 17 vjeçar ka vetëm nji përgjigje: të shpejtë e të pamendueme, gati instiktive:
-Gjyshi jem ishte nji prej shtatë shaljanëve qi kanë ra n’Shkodër dhe ia kanë pre kryet pashës turk, tuj ja lanë në dorë…!

Filmi Debatik...
Filmi Debatik…

Me qi kjo përgjigje, s’lidhet aspak me pyetjet, kuestori fashist i Tiranës, zoti Papalilo tërbohet dhe e kqyr me sy të çakarrisun.  Ia vendos pistolën n’lule t’ballit tuj i thanë se tash e vret n’vend nëse s’i kallxon emnat e të tjerëve.
Ndoc B. s’e flet ma asnji fjalë, veçse i kujtohet gjyshi i tij, të cilin s’e ka pa kurrë. Mban mend se i kanë kallxue si ja ka pre gjyshi kryet pashës turk në Shkodër, dhe ja ka lanë në dorë.
-Si mund t’i pritet kryeja dikujt e t’i lehet në dorë? – pyet kuestor Papalilo zavendsat e vet shqiptarë.
Asht çeshtje gjuhe, kërkush s’e din pse thuhet kështu, s’mund të përkthehet në at mënyrë që t’i bahet e kjartë kuestorit tanë ky veprim.
Mirë pra, se tashma s’ka mbetë ma kurrgja me thanë dhe trupi gjykues i përbamë prej ushtarakësh italianë e shqiptarë, fashistë të gjithë, japin dënimin simbas Ligjit antiterror:
Me vdekje, me pushkatim, mbrenda 24 orësh!
Ndoc B. debatikasi 17 vjeçar, çohet ngadalë ne kambë me kryet nalt dhe hekurat që i gërsasin ndër kambë e duer, e del jashtë… I bahet, për nji çast sikur sheh gjyshin e vet që e përshendet…
Në të njejtin çast, bjen telefoni prej Shkodre dhe daktilografistja, që asht edhe përkthyese e Kuestorit, flet me dikë dhe po i kallzon masën e dënimit, dhe ditën e ekzekutimit.
Mbas njizet minutash nji motocikletë ushtarake asht nisë prej Shkodre dhe në nji kohë rekord prej katër orësh, futet ndër rrugë të pashtrueme e tanë gropa të Tiranës.
Nji djalë i ri, i veshun n’uniformë të zakonshme fashiste të inxhinjerve italianë paraqitet te Jacomoni. Sekretarja lajmëron  ardhjen e të vllait të djaloshit të trakteve të sapodënuemit me vdekje, me pushktatim.
-Lascatemi in pace! – bërtet Jacomoni – La cosa non mi appartiene.

Shefqet Verlaci e Francesco Jacomoni
Shefqet Verlaci e Francesco Jacomoni

Mbas nji ore Jacomoni del prej zyre dhe i njejti djalë i ri, i veshun me uniformën fashiste të inxhinjerit të pyjeve, i del përpara dhe e përshendet me nji italishte të mbushun me akcent torinez.
-Signor generale scusi il disturbo ma devo parlare per forza con lei – i thotë ai me at e-në e picikatun të torinezve.
Jacomoni ndalet dhe sekretarja i pëshpërit se kush asht, ndërsa ai çoroditet e s’po e kapte mirë lidhjen e atij t’riut me trakte për terror komunist dhe inxhinjerit torinez.
-Vllai jem asht minoren, mandej vorfnia i ban njerëzit me u lidhë me komunizmin dhe idetë e rrezikshme! – i thotë Inxh. Zef B.
-Nji shoqni e re s’mund të ndërtohet tuj vra të tjerët e tuj ja marrë pasuninë, se herët a vonë të nxen gjaku i tjetrit! – i thotë Jacomoni mbi ideologjinë komuniste.
Ata i zbresin shkallët ngadalë dhe inxhinjeri shqiptar që ka mbarue studimet në Itali e din se në çdo kambë shkalle që zbresin, zbret edhe jeta e të vllait. Vazhdojnë nji bisedë midis intelektualësh mbi sistemet shoqnore dhe luftën botnore që ka mbërthye në fyt krejt botën.
Erdh koha dhe ata ndahen. Jacomoni hyp në makinë tuj rrudhë supet dhe inxhinjeri shqiptar me uniformë fashiste mbetet i shtangun në kambë midis rruge.
Asnji premtim, asnji mëshirë! Tashma “zaret janë hjedhë”! – duket se mendojnë të dy njiherit.
Në Kuesturë ka ra nji heshtje vdekjeje, dhe kur Zef B. mbrrin aty, duket sikur tymi i randë i makinave i ka rrethue krejt muret e nalta me të zezën e vet mbytëse.
Kuestori Papalilo i ka dhanë veç 5 minuta kohë, me takue të vllanë, përpara ekzekutimit, simbas rregullit ushtarak për të dënuemin e kësaj shkalle…
Tash të dy vllaznit janë të shtërnguem në krahët e njeni tjetrit në nji qeli të freskët në Kuesturën e Tiranës së vitit 1942.
Njeni i veshun me uniformen fashiste të inxhinjerit dhe tjetri me këmishën e bardhë, të shkyeme e të përgjakun nëpër trup. Zefi i ka sytë blu si të babës së vet,  Ndoci sytë kaf si të nanës. E shtërngojnë fort njeni-tjetrin pse janë në çastet e fundit të jetës.
S’kanë kalue veç krejt pak kohë bashkë. Njat rininë e parë, të bindun se kishin me pasë nji jetë të tanë me e gzue…
Me sy flasin ma fort se gjithçka tjetër. Përmes shikimesh Zefi e pyet për të tjerët, për pakujdesinë, po Ndoci nuk fajson kërkend, veç flet mbi ngjarjen si të ishte nji ndeshje sporti, ku dikush fiton e dikush humb. Vëllai i vogël asht vetëm 17 vjeçar dhe s’e ka fort të kjartë idenë se si nji lojë e guximshme me trakte, mund të mbyllet me nji dënimin me vdekje!!
Asht roja që i bjen derës fort dhe ju thotë se takimi mbaroi. Lotë të mëdhej varen në sytë e të dy vllazënve, tash të vetdijshëm se s’kanë me u takue kurrë ma. Përqafen edhe ma fort me njeni tjetrin dhe fytyrat tuj u njeshë përzijnë lot’t dhe dhimbjen e njeni tjetrit.
Njeni vlla del ngadalë jashtë në jetë, kurse tjetri mbet mbrenda në pritje të vdekjes. Po pesha duket e ndame për të dy njisoj.
Me nda për së gjalli dashninë e dy vllazënve që janë rritë bashkë, asht diçka e tmerrshme, çnjerzore. Ndoci 17 vjeçar, rrin në kambë mbështetë mbas murit të ftoftë. Mendon se njato pak orë të mbetuna t’i kalojë në kambë pse kohë me ndejë i shtrimë ka me pasë boll, nji përjetsi të tanë.
Zefi 21 vjeçar, ka dalë jashtë dhe asht mbas murit të Kuesturës mbështetetë për të. Gjaku i të vllait s’e len me ikë prej njaty.
Ndërmend i kalon Kaini që e ka vra t’vllanë e vet Abelin, dhe në çast asht gati me i thirrë kuestorit e me i ofrue jetën e vet, megjithse e din se kjo asht diçka krejt e kotë, nji iluzion.
Realiteti se i vllai asht mbas njatij muri, i dënuem me vdekje dhe ai s’mundet me ba asgja për të, asht ma i fortë se çdo imagjinatë heroike.
Kuestori Papalilo i premton veç diçka. I thotë se: ekzekutimin do ta bajnë ne nesre, nadje herët që ai me pasë kohë me e çue trupin e t’vllait në Shkodër te prindt.
Zef B. merr motorrin dhe shkon e blen nji batanie të madhe për të vllanë. Merr në telefon Bashkinë ku punon, dhe e çon lajmin në familje me u pregatitë për mort, me premtimin që trupin e vdekun të vllait, me e vorrosë në Shkodër. Kjo deridiku sikur ia lehtësoi peshën.
Krenaria e malsorit me e përcjellë vdekjen  me dorë, pa ju dridhë qerpiku tash e ka mbështjellë edhe at studentin me “trenta e lode”!
-Ma shumë po m’vjen mirë për prindët, që dojnë me e dijtë vorrin e fëmijës së tyne! – pëshpërit me vedi.
Sapo ka nisë shtetrrethimi dhe Zef B., as do me dijtë për sirenat. Njashtu i strukun në uniformën fashiste të inxhinjerit të pyjeve, rrin aty anash murit të Kuesturës dhe ia numron të vllait edhe minutat e fundit.
Yjet mbi qiellin e Tiranës, n’at pranverë të 1942, kanë nji shkëlqim të zbehtë dhe duket sikur hija e vdekjes i prek me dorë tuj i fikë nji nga nji, para se me ra e nata e thellë mbi qytet.
Të dy vllaznit me sytë përpjetë shohin lëvizjet e tyne në qiell dhe e dijnë se nesër qielli s’ka me kenë kurrë ma kështu. Të dy dremisin lehtë me sytë ndër yje, e njashtu në kambë shofin vdekjen se si vjen e i prek me dorën e ftoftë… dhe ndijnë krisma plumbash nëpër natë.
“Vdekja me pushkatim, asht gjithmone si nji gjylpanë djegse që ta ngrin trupin!” – mendon Ndoc B.
“Vdekja që të merr vllanë, asht ma e randë se jeta, sepse ta len vdekjen e tij mbi shpinë!” – mendon Zef B.

Qendra e Tiranes 1942
Qendra e Tiranes 1942

***

Nadja mbi Tiranë sapo ka hjedhë nji mbulesë mjegulle dhe hije të randa shetisin mbi të. Dera e Kuestures asht hapë dhe Kuestori Papalilo hyn mbrendë. Tash inxhinieri Zef B., vrapon në korridorin e pritjes dhe mbërthehet mbas dritareve të hekurta dhe shikimi i bjen n’oborrin e Kuesturës, ku sapo asht rreshtue nji togë ushtarakësh fashistë.
Ngjeshet fort mbas hekurave të zinj të dritores dhe zemra sa si pëlcet prej dhimbjes. I vllai shfaqet i lidhun kambë e duer me hekura, i mbajtun përkrahësh prej dy xhandarve që mbasi e mbështesin për mur, ja heqin prangat.
Nji meshtar i afrohet ngadalë dhe i merr rrëfimin e fundit dhe amanetet familjes.
Ndoc B. me ballin nalt sheh qiellin për t’fundmen herë. Meshtari, nji françeskan me litarin e bardhë ndër kambë, asht ngjeshë mbas dere dhe me lot ndër sy, lutet me shpresë se mos ndonji engjëll  zbret prej qiellës dhe ia pshton jetën njatij 17 vjeçari t’çoroditun.
Pushkët janë të mbushme me nji zhurmë të frikshme dhe komanda e parë e çan qiellin mbi burg përgjysë:
-Aaaaattentiiii!
Nji batare e ka vra dritën dhe Zef B. ka i hapë sytë dhe sheh se asgja s’ka lëvizë. I vëllai asht njaty mbështetë mbas murit kurse toga ushtarake me pushkët e tendosuna.
Diku rrotull ndjehet nji zile telefonit.
Balli i Zef B., mbytet në djersë të ftofta, që i derdhen mbi sy. Shpejt kujtohet se asht filiz malsorit, e në jetë ka çaste kur njeriu s’duhet me e derdhë pikën e lotit.
Kuestori Papalilo ka dalë përjashtë dhe e thërret Zef B.
-Eja, – i thotë – Shkëlqësia e Tij,  kërkon t’ju flasë.
Zef B. turravrap e kap telefonin dhe ndigjon në anën tjetër nji zà që i flet. Tash lotët i rrëshqasin nëpër fytyrë, dhe ai filizi i malsorit s’i ndalon dot, pse janë do lot’t të tjerë, që kalojnë përtej forcës dhe imagjinatës së njeriut.
Ai vrapon mbas Kuestorit dhe futet në oborr. I afrohet të vllait, qe s’po merr vesh kurgja, se ku nis deka e ku mbaron jeta! I çliruem prangash si e shtrëgon fort në krahë dhe i pëshpërit:
-Iku vlla! Mbaroi, eja të shkojmë në shpi!
Të dy vllaznit ecin krah për krah tuj u mbajtë te njeni-tjetri, sikur friken se mos diçka ma e fortë se vdekja kërkon me i nda. Shtrëngueshëm ecin nëpër krejt oborrin e Kuesturës së Tiranës, ndërsa françeskani plak ka ra në gjujë, tuj kërkue me gjetë në qiell shenjat e asaj mrekullie ka ai ishte pjesë.
Prefekti i Tiranës Qazim Mulleti, i përcjell deri te dera e daljes së Kuesturës dy të rinjtë e mbërthyem fort mbas njeni tjetrit, kurse kuestori Man Kukaleshi i thotë Ndoc B:
“Hik mer çuno ke tata, ne mo u merr me komunizma se ka për hongër kaptinën!”
Zef B. ia  hjedh të vllait batanijen krahve dhe  e ngjesh edhe ma fort mbas vedit… ndez motorrin dhe zhduken rrugicave të Tiranës.
Rrugës s’e ndrrojnë nji fjalë, dhe katër orët e kthimit ju duken veç katër minuta. Kur u shfaqet prej larg kështjella e Rozafës, vllai i madh i thotë vllait të vogël!
-Torinezja ta ka pshtue jetën.
Ndoci s’e flet asnji fjalë, veç mendon se tash atje n’shpi të Brucetajve, n’të dalë të rrugës Badrej, familja duhet ta ket ble kafen e rakinë për mortin e djalit të vogël. Ai ndjehet i tronditun, pse ala s’mundet me e kuptue se kthimi i tij në kambë pranë prindve, i ka kapërcye kufijtë e legjendës…

Në ditët e mbasme, inxhinjeri me uniformë fashiste Zef. B, u përpoq me ia shpjegue të vllait debatikas Ndoc B., se si torinezja ja  kishte pshtue jetën. Ai i shpjegoi se ka njerëz që s’munden me jetue me De Ja Vu-në e nji kujtese të thellë e të randë. Sikur ta kishin pushkatue, atëhere çdo kush që kishte me folë me Jacomonin në dialektin torinez, kishte me i kujtue vdekjen, e atij djaloçi shtatëmbdhjet vjeçar.
-Gjuha asht magjia e jetës, o vlla! – i tha i madhi, të voglit – Nji herë ta mori… dhe herën tjetër, ta fali jetën!

 

 

 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.