back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

“Dyzuar përtej dhimbjes intektuale dhe qyetare..” nga Emi Krosi

Gazeta

Hasan Qyqalla " Në ëndrra digjet nata"
Hasan Qyqalla ” Në ëndrra digjet nata”

“Dyzuar përtej dhimbjes intektuale dhe qyetare..”

nga Emi Krosi

Qasje vëllimit poetik “Në ëndrra digjet nata” e Hasan Qyqallës

Përtejkoha nuk ka emër.
Kohësia ka motive dhe në ushëtime të “trishta malli”, koha vyshket si një luledele ferrnaje. Kjo kujtesë, ndoshta e pandyshkur në “gozhdën e memorjes”, më tingëllon si (a)profetike në verën e Prishtinës së zhurshme, kur u ritakova (në ekzilin tim të parë në Gjermani, Hasan Qyqalla ishte “streha” e genit poetik) jo vetëm me prushin e “shkrumtë” të librit “Në ëndrra digjet nata”, por edhe me kolanën e veprave të Jusuf Gërvallës. Me (një gur zura tri zogj), por “nyjë e Orfeut” më tundoi si djalli…
Ndoshta nuk isha zgjuar akoma “nga ikja e rikthyer”, në udhët e fatit ku të gjithë jemi hamej të kujtimeve, me thasë malli ngarkuar, në kërkim të motivit poetik, të mallit të vyshkur, të kujtesës kolektive dhe personale, për të mundurën dhe të pamundurën, në librin e fatit që skaliten tre fjalë: njeri, mall, dashuri!
Libri i ndarë në tre pjesë me kumte metaforike “të mallit të përjetshëm” të përtejAtdheut e bën poetin sa persiatës të hapsirave të njohura dhe të panjohura, por edhe bohem të elegjisë jetësore, në besimin dhe (mos)besimin në kultin “e vetvetes” apo në kumtin e poetikës, lidhet me renditjen e poezive ne tre sinore (sinore malli jodashurore por sinore malli shekullore), me metaforën e madhe mall. Nuk është thjesht “mall mërgimtari” me kujtime ngarkuar si trenat e Europës, me dritare hapsirash të mugëta, me plojë kujtimesh nga vatra me prush dhe kërcu mali, por një lloj tjetër malli, “derdhur” mes vargjeve, si polen jetësor.
.
Emi Krosi
Emi Krosi

.

Te sinori i parë: “Mall motesh të përhumbur” hapet me poezinë: “Sonte”, me vargje të thyera ku fjala [sonte] përsëritet në çdo fillimvargu, me retiçencë në çthurje mendimesh deri tek “Uverturë dhembjesh”, sepse loti rrëzon burrin dhe çan edhe gurin…
Polisemia dhe simfonia, si parabolë e shpirtit rebel, nuk bëzan me kuje dhe ligje, por “ngërthen hapsirat e shpirtit” që bie në greminë dhe ringrihet si vullkan në oktavën e fundit si erë dhjetori fryn dhe të ngrin vetmia… ajo vetmi që “thërrmohet” në kultin e vuajtjeve, që tingëllon në modernitetin e poezisë duke u rrokullis si “lot i artë” i vetmisë, jo të një emigranti “mejhanesh” por të poetit, që ka ngritur “kultin e kulturës së dheut të tij” deri në brigjet e Rinit gjerman. Dhjetori dhe vetmia, janë atribute të mallit të moteve të largëta, ku “Mes mureve të shpirtit” fjalët fillojnë të pakësohen ose të rigojnë shi apo yllësi.
Bota le të shuhet sonte/ Të përgjërohem…
kandil të digjem unë për ty,/ mes mureve të shpirtit tënd
mbase, më gjen diku aty!/ …Amen!
Në dukje poezia është një etyd malli, për dashurinë por ajo dashuri “drithëron” si një lutje, si një psallm, të kërkimit të shpirtit tek Hyji. Amin! Fillimi dhe fundi i lutjeve përshpirtëruese, deri në përgjërim le të ndezë një qiri!
Qiriu është në përshpirtje të një të “vdekuri” nga dashuria sepse metafora dyshe kandil-qiri tregojnë udhërrëfimin e udhëtarit, që ka mbërritur në udhëkryq dhe kërkon “udhëheqjen” e shpirtit, me dritërimin e fatit të tij të (pa)mëkatë, por edhe të përmalluar nga vetmia.
Kandilqiriu, shenjon jo dritën në fundin e tunelit, por planetin e Universit njerzor, që do të ushqehet me dashurinë, dhimbjen, mallin, shpresën dhe pritjen në litarin e gjatë të durim, lidhur si nyje gordiane. Udhëtimi vazhdon (në hone poezie që lartohen si mjegullat larushe) si në poezinë “Jetëbesë” se nuk ka kohë në (pa)kohën e kotësive…!
 
Nuk kam kohë të prehem tutje në ëndërra,
perëndoi rrezja e predikimeve!/ Sa bajate…
poeti rreket të prekë jo vetëm ëndrrën, por vetë realitetin (e shumë bashkombsave që mburren dhe “çfryhen si kaposhat”) në emër të idealit “delirant”, sepse koha e predikimeve është vetëm humbje kohë, me “ëndërra boshe” në poezinë “Ndjenjëvrarë”, ca pika shiu si kokrra misri vijnë… se vargjet përthyhen nga triptika deri në strofa dyvargore, me rimë klasike derdhet meteori i dritës së ftoftë gjermanike.
 
me rrezet e diellit nuk flas si më parë,
as me ditën nuk shihem buzëqeshur si dikur,
 
poeti nuk është fatkeq, sepse nën “ritmin dembel” të Rinit, stinët ndërrohen bashkë me fatit e poetit, që në shpirt mbledh vargje, për t’i kruspullosur në letrat pak harrakate me “Psherëtima malli” në kërkim të skenarit të jetës.
 
Mos thuaj se shëtit bulevardit të kohës
mes parkut të kujtimeve shkrehur në vaj,
dëgjoje lirikën time mbi tel të kitarës
dhe shplaje ti dhembjen në shpirtin pa faj!
Ne jemi si retë, një dramë pa skenar…
 
si kutia e Pandorës “shkrehet” lirika e mallit të shpirtit të pafaj në poezinë: “Pa skenar”.
 
Në sinorin e dytë: “Më shumë se mall” për të përçuar tek lexuesi pamjen reale dhe “surreale” të realitetit jetësor brenda dhe jashtë poezisë, duke qarkuar dhe nyjëtuar edhe zërin e kritikut, sepse jashtë “poezisë bajate” të atdhetarizmit demode (këtij atdhetarizmi nuk i shpëton as Qyqalla), por në “Mote të humbura” mërgimtari i munguar, apo mungesa e mërgimtarit është nëna, shoku, udha, ditëlindja, mbesa, familja, poeti/poetët, miku/miqtë, heroi, Prishtina dhe Tirana.
 
Mërgimtari është kalendari/i moteve të humbura,/ pa Atdhe.
Apo jo, loti im/ që nuk bie përdhe.
 
Tramensimit figurativ i “mallit” bashkë më linjën e vetëbesimit i kthen mirazhet e largëta, në kuarte muzikore, të sendërtuara tashmë “imazhin” e udhëtarit të përjetshëm, të poetit mërgimtar, që endet botëve, duke dhënë elemente biografike, me “skenarin e mërgimtarit”, moteve të humbura, me ëndrra të prishura (fati i shqiptarit kokëulur në kërkim të fatit, apo rebel sipas mendësisë dhe psikologjisë së tij), përplasja e dritës dhe errësirës, fatit dhe parasë, personale dhe kolektives, ndërveprimi i të kundërtave, duke paguar “taksën e mërgimtarit të pafat” në (pa)atdheun e tij të varfër, endet torba boshe e një emigranti të paadresë, se poezia “Nesër” tjerr një narrativë që kërkon të nesërmen tek shpresat e “reja”.
 
Nën muzgun e blertë më yje/ mbledh dhembjen e leckosur
metropolit shumëngjyrësh,/ vjeshtës së sakatosur
 
afirmon unin poetik, forcën narative përshkruese, thellësinë meditive dhe fluiditetin artistik.
Në këtë pjesë, poeti risjell “çaste” autobiografike si në poezitë: “1001 e një net me nënën”, “Dosja pa kurorë”, “Mbesë, moj Lorana”, “Prej vit në vit” poeti identifikohet si: prind, burrë, bashkëshort, baba, gjysh i përkushtuar njerzve që do, duke thurur jo vetëm ëndrra, por edhe “përthyer” në mall dhe mugesë herë-herë nga distancat dhe koha.
 
Unë dhe t’i qëndrojmë ballë për ballë
unë vargje shkruaj dhe ti këndon me kitarë.
 
Në kujtesën apo mungesën për miqtë dhe shokët (në arkivin poetik të poetëve, heronjve dhe veprës së tyre si rekuiem) tek poezia: “Dialog i kthimit”… (me Jusuf Gërvallën) si porosi jetike, por edhe si kujtesë për poetët e kombit Poradeci, Ali Podrimja, miqtë e tij poeti, F. Tanushi, piktori Gjelosh Gjoka, pse jo dhe testamenti ogurmirë në portën e madhe të dashurisë, ku hapen kanat më kanat për të pritur miqtë që bujnë në konakun e “dashurisë” së poetit. Poezitë përshkruese, reflektive, dedikime deri në bjerramallin e vendlindjes “që ther” zemrën me “Mbrëmë” ku fatet tehollohen në mungesën e pa(shmangshme) të atdheut.
 
Mbrëmë ngritëm dolli çasti/ mallkuam motet e thata
Mbrëmë…/ u takuam në udhëkryq metropolesh/ pas njëmijë vjet kalërimi
 
fati tragjik i shqiptarit ecën… ecën si apologjia e pasosur e Sokratit.
“Testamentin” poeti shkon deri në thellësi të Genit Shqiptar. Nyja Ilirike që e lidh me Lisin e Gjakut (Shqipërinë) dhe Lisin e Tamblit (Kosovën) shenjon Pemën e Jetës Ilirike.
 
Dhe gurët shtrydhëm për gjuhën amnore
dhe gurrë e Drinit të Bardhë qajmë Drinin e Zi
I ra kryq e tërthor Shqipërisë së përvuajtur
t’i mblidhte në një besë e në një frymë
vdekja pergamnenë shkronjëgjaku i lirisë
një gjuhë, një flamur i lagur me lot
poeti stampon identitetin…
 
*Në sinorin e tretë: “Mall… përtej shekujsh” poeti nuk i shpëton dot “klithmës ulëritëse” të atdheut të tij. Në udhëtimin mes tre ciklesh, tani është ura mes unit poetik dhe unit kombëtar. Klithma poetike shkon përtej revoltës, jo ndaj fatit apo ndaj Perëndisë së keqe antishqiptare, por në sinkroni me kohën poeti nuk mund të shmangë atdhetarizmin dhe laramaninë që shfaqin bashkombasit e tij me (kartën e madhe të atdhetarizmit apo nacionalizmit të sëmurë) duke menduar se vetëm me fjalë, sharje, duke drejtuar gishtin tek tjetri dhe kundër tjetrit, apo kokëulur dhe shërbëtorë të përvuajtur, jo të kauzës amë, shumë atdhemohues në emër “dinjitetit kombëtar” janë bashkuar me qoftëlargun të vetëquajturit “baballarë të kombit”, herë-herë shfaqen viktima të vetëpërjashtimit. Këtë hipokrizi, poeti e shpalos hapur edhe ndaj të ashtquajturve pseudopoetë atdhetarë, tek “Gjarprinjtë” që digjen nga forca rrënuese e dashurisë për kombin, nëpërmjet metaforës htonike të gjarprit që të “kafshon fshehurazi”.
 
Gjarpërinjtë e gjakut/ me (pa)thimthë zvarriten rërës
“e mira more” qëndisë yjet e verdha/ Në tymnajë mjegulle ka prerës,
…ka edhe piratë shpirtnxirë,/ për kobin e Lirisë së lirë.
 
Në këtë cikël poetik parakojnë në autostradën poetike koha, njerëzit, rrethanat, momentet, historia që ngrihen në fluturim me horizonte të hapura sërisht kthehen në folenë e vjetër, për të mëkuar jetën me qumështin e pemës së frymëzimit.
 
Ngërthehen imazhe individuale dhe kolektive, ndjesi fluide dhe inkandeshenca poetike kthehet ne procedime të ngrohta të fytyrës të Atdheut, të dyzuar përtej dhimbjes intektuale dhe qyetare të poetit kur pyet: “Kush ma prek Shqipërinë” se është plaga shekullore e “vetmisë së madhe” të kombit të gjymtë që lëpin gjakun e valë nga shpata e pabesisë historike, ka prekur identitentin shqiptar.
 
Kush më prek Shqipërinë./ më vret djepin,
dhe Flamurin,/ më fyen Besën dhe betimin,/ më shemb burrin
 
vetë kjo poezi si një himn kombëtar, e ndërtuar me stofa katërshe pa një metrikë të rregullt, e bën poetin jo vetëm persiatës por mesazher të kombit, një Poet-Ante, për Komb-Atdhe. Ajo risjell ironinë dhe sarkazmën, ndaj pseudove (ka aq shumë puthadorë dhe pseudo që “qajnë hallin e atdheut” që dalin me flamurin e mashtrimit se u dhemb shumë Adheu, Kosova dhe Shqipëria, saqë duan ta çlirojnë nga vetja e tyre, por jo me kontribute të drejtpërdrejtë por me analogji), në poezitë “Pleshti”, “Utopi”, “Loja e vdekjes”. Në përjetimin emocional dhe shpirtëzimin e shpirtit të shqiptarit në vargjet:
 
Atmëmë…/ po vdes në kepin e shpresën anonim,
veç me tatuazhin “kuq e zi”,-shpend i lirë…
medet, o medet/ i huaj (thanë) linda
i huaj (thonë) do vdes!…
Atmëmë,/ tek pragu yt do rri unë,/ vdekja le të presë/
nga poezia “Kënga e (mos)kthimit”.
 
Por kokëdhembja, zemërndezura, plagëshpirti për kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Diasporës, organizatorin e shumë mbrëmjeve poetiko-letrare-artistiske mbajnë vulën e tij në Koblezin Gjerman është Kosova e tij. Në poezinë “Kosova ime” Hasan Qyqalla qetëson “shpirtin” e trazuar nga dhimbja shekullore për gjysmëkombin fatkeq Kosovën.
 
Tunden rrathët e purgatorit/ mekur
ti gjysmëgjallë e unë gjysmëvdekur!
Kosova ime/ …apo/ durimi ynë – një shekull
 
Jo vetëm vargëzimi nga dyvargor, trevargor në rimën klasike AB-AB deri në zbritje dhe ngjitje, thyerje në vargje të lira horizontalisht dhe vertikalisht me prerje diakronike dhe sinkronike në shtirje dhe thurje të rimës së mbyllur AA-BB. Jo vetëm metafora e mallit, atdheut, vetmia, por edhe epitete si loti, kroi, deti, Shqipëria, apo motivet e lirikës popullore sendërtojnë stilistikën gjithëpërfshirëse jo “vajtimtare” por një lirikë të ëmbël me shenjues gjuhësore kuptimplotë që të joshin dhe janë udhëtarë të këndshëm të lexuesit të poezisë së Hasan Qyqallës.
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.