back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

E bardha e Ernest Koliqit i veshur me të bardha – nga Roland Qafoku

Gazeta

Koliqi viti 1943
Koliqi viti 194o

E bardha e Ernest Koliqit i veshur me të bardha

nga Roland Qafoku

Kjo është një fotografi jo shumë e njohur për google. E kam botuar për herë të parë në librin “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, botim 1 i “Onufrit” në 2015 dhe botimi 2 po i “Onufrit” në 2017.
Në qendër është kryeministri i 18-të i shtetit shqiptar Maliq Bushati, në këtë moment ministër i Brendshëm dhe në krahun e majtë të tij ndodhet Ernest Koliqi. I përket ndoshta vitit 1940 dhe vendi i shkrepjes së fotos është në Shirokë të Shkodrës. I veshur në kostum të bardhë, Koliqi është personi me syze që mban kravatë të zezë, thile po të zezë në xhep dhe me këpucë të dizenjuara bardh e zi. Në foton tjetër kam nxjerrë të cut-uar një pjesëz nga shkrimi itj “Fjala qet fjalën” në revistën “Shejzat” numri i janar-shkurt 1965, të firmosur me pseudonimin “Hilushi”. Është rrëfimi për një malësor të thjeshtë me emrin Binak Kola dhe raportin e tij besnik ndaj Kanunit, por që më shumë del në pah karakteri i tij duke ia kaluar edhe të shkolluarëve për “ndjesina më të nalta shoqnore se na” siç e perifrazon Koliqi. Lexojeni dhe shijojeni një detaj të bukur në gegenishten e bukur të Koliqit!
Si sot 48 vjet më parë, më 15 janar 1975, Ernest Koliqi vdiq në Romë duke lënduar jo vetëm zemrat e familjarëve, të atyre që e njohën por të gjithë atyre shqiptarëve që e vlerësuan për atë që ai përfaqësoi në jetë. Në fakt opinioni për të ka qenë i pamëshirshëm dhe i ndarë me thikë, pro dhe kundër, me shumë dashuri dhe me shumë urrejtje, ashtu siç ishte edhe jeta e tij e ndarë mes Shqipërisë dhe Italisë. Një nga figurat më të mëdha që ka nxjerrë qyteti i Shkodrës, shkrimtar, poet, publicist, përkthyes, politikan, ai u trajtua si armik nga regjimi komunist përse ishte ministër i Arsimit në qeverinë fashiste. Kryeministri Maliq Bushati u pushkatua në vitin 1946, dhe eshtrat e tij nuk janë gjetur. Merret me mend se ç’do t’i kishin bërë Koliqit komunistët nëse nuk do ishte larguar pas lufte në Itali. Po çfarë bëri Ernest Koliqi si ministër? Mjafton fakti që dërgoi qindra mësues në Kosovë për të përhapur gjuhën dhe kulturën shqipe dhe fraza kolaboracionist për të bie poshtë. Rrjedhimisht, vendi i tij është i denjë për të qenë në piedestal në historinë e Shqipërisë. E kam lexuar dhe e kam ndjekur me shumë vëmendje debatin rreth studimit të shokut tim të shkollës Auron Tare me titull “Dritëhije në histori… Martin Camaj dhe Ernest Koliqi të pazbuluar”. Kam biseduar gjerë e gjatë vetë me të, madje edhe e kam intervistuar për emisionin tim. Por vetë nuk mbaj pozicion në këtë debat. Dhe a e dini pse? Është hedhur aq shumë baltë ndaj Ernest Koliqit sa që si fillim duhen dekada që figura e tij të pastrohet dhe vetëm më pas ai të studiohet. Një nga përfaqësuesit më cilësorë të letërsisë shqipe së viteve ‘30-të dhe si kërkues shkencor, ai u ndalua për 50 vjet në tokën amë dhe ky është krimi më i madh që i është bërë figurës së tij. Duhet ta mësojmë, ta lexojmë dhe ta njohim veprën e tij dhe më pas të nisim nga opinionet. Unë jam i bindur që Koliqi ende nuk njihet nga masa e njerëzve. Për atë që bëri dhe la, Ernest Koliqi e ka vendin në panteonin e letërsisë shqipe. Lexoni vetëm, një numër të kryeveprës së tij, “Shejzat” dhe do bindeni! Nivel i lartë i krijimeve letrare por edhe studimeve për letërsinë dhe më gjerë. Një letërsi e bardhë siç Koliqi është veshur në foton që po botoj. Nderim për këtë kalorës të munguar të letrave shqipe!

Marre nga Muri i FB Roland Qafoku, 15 janar 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.