back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

E bukura që godet… dhe fjala – nga Ervina Toptani

Gazeta

Ervina Toptani
Ervina Toptani

E bukura që godet… dhe fjala

nga Ervina Toptani

Nuk jam e bindur se mund të flitet për të bukurën, sepse kur flitet për diçka ajo zakonisht objektivizohet, mbi të gjitha konceptohet, vihet nën arsyetim, ndërsa e bukura është diçka e menjëhershme që i ikën arsyetimit. Sa herë përpiqemi të flasim për të bukurën e tradhëtojmë atë nga pak. E bukura godet… e rreth saj në atë moment nuk mund të arsyetojmë.
Kanti thotë: “E bukura nuk ka koncept e nuk ka qëllim…” Nuk ka koncept do të thotë që ajo nuk mund të konceptualizohet, nuk mund të bëhet një bisedë bazuar në arsyetim logjik mbi të bukurën, pikë së pari sepse ajo është shumë relative. Përcaktimin më të përshtatshëm për të bukurën e ka dhënë Thomas Mann: “E bukura të shtang, unë nuk kam fuqi mbi të, por ajo ka mbi mua!” (Kushdo që ka dëgjuar të flitet për sindomën e Stendhal-it, shkrimtarit të famshëm francez e kupton mirë shtangien dhe mahnitjen nga e bukura)
Por, ekziston dhe bukuria e fjalës që nëpërmjet dëgjimit të saj apo leximit, njeriu arrin të ndjejë, të perceptojë emocion, ndjenja të fuqishme. Fjala ka fuqi të jashtëzakonshme. Dekadave të fundit kam vënë re, se ne po e humbasim konfiguracionin e bukurisë së fjalës. Gjuha varfërohet në mënyrë progresive shumë më lehtë sesa pasurohet. Teknologjia në këtë aspekt nuk ndihmon, përkundrazi. Tullio de Mauro, linguist i madh italian, në 1976, bëri një statistikë nëpër gjimnaze me të rinjtë dhe rezultoi se ata njihnin rreth 1500 fjalë (secili prej tyre). 25 vjet më pas e ripërsëriti statistikën dhe rezultoi se ata njihnin 640. Mendoj se sot një gjimnazist tek ne nuk njeh më shumë se 200-250 fjalë.
Mos harroni, ne nuk mund të mendojmë përtej fjalëve që njohim!
Ne mendimin e shtrijmë deri aty ku njohim fjalët, me aq fjalë sa dimë të shpjegojmë, të kuptojmë, të perceptojmë, jashtë tyre asgjë tjetër nuk është e mundur. Heidegger thotë: “Nuk mund të mendosh përtej asaj ku mungon fjala…”
Fjala në vetvete ka të bëjë me thelbin e njeriut. Në antikitet thuhej se njeriu është “kafsha” që ka fjalën. Nëse fjala mungon shkon duke anuar gjithnjë e më shumë drejt kafshës. Është fjala ajo që bën dallimin kryesor. Në Bibël thuhet: “E para ishte fjala!”
Sa më shumë fjala mungon aq më pak mund të kuptohemi me njeri-tjetrin edhe për të shprehur ndjenjat tona, mendimet, idetë diskursive që shpesh nuk arrijmë t’i artikulojmë siç duhet sepse mungojnë fjalët. Kemi humbur e çdo ditë humbasim një bukuri të jashtëzakonshme, atë të fjalës.
Mjafton të ndezim televizorin, mjetin më të rëndësishëm informativ të njeriut sot, sikurse rrjetet sociale e burime të tjera informative online për të kuptuar në pesë minuta se gazetarët tanë në përgjithësi e kanë shumë të varfër shprehinë e fjalës, se politikanët që mbajnë fjalime e dalin nëpër konferenca e talk shoë nuk dinë të flasin, se analistët tanë përdorin një gjuhë shumë të vakët e të cunguar në kuptime. Kemi mësues që nuk dinë të shprehen, u mungojnë fjalët.
Ne, mbi të gjitha, për këtë shkak kemi humbur efikasitetin e aryetimit! E nuk ka gjë më të bukur sesa arsyetimi, logjika e artikuluar në fjalë që sot e gjen rrallë e më rrallë. Të shprehurit sot është i një varfërie të frikshme lingustike, sepse ne kemi frikë nga libri.
Unë, çdo vit, në javën e mesit të nëntorit, lë punën, studimet, gjithçka dhe vij në Panair. Jo pse nuk kam mundësi tjetër t’i gjej librat, në fund të fundit unë jetën e kam lidhur me librat, jetoj mbi to, me to e pa to nuk e kuptoj jetën. Por, çdo nëntor për mua është një ditëlindje e re e librit dhe unë ditë të tilla i gëzoj njësoj si atëherë kur isha e vogël. Vij në panair çdo vit si lexuese, e dashuruar me librin dhe kjo nuk ka pësuar asnjë ndryshim edhe pasi kisha librat e mi në stendën e shtëpisë botuese.
Nëse njeriut nuk i dhemb varfëria që përjeton kur nuk shpreh dot as emocionet, kur nuk ndërton e nuk artikulon dot një bisedë me fjalë të zgjedhura qoftë për t’i bërë përshtypje një gruaje të bukur, një burri që ka kulturë apo një të riu që ta shohë me admirim, atëherë është e kotë të flasësh për rëndësinë e librit e të një panairi.
Librin tim kush ka dashur apo dëshiron ta lexojë për kureshtje, për dëshirë a për kritikë besoj e ka shumë të lehtë ta gjejë.
Librat gjenden çdo ditë në shtëpinë e tyre e një herë në vit edhe në Panair.
Kush është i dashuruar me të bukurën, është padyshim i dashuruar me librin. Unë do të jem tek një nga stendat e shtëpisë botuese më të bukura të panairit.

Marre nga muri i FB i Ervina Toptani, 16 nentor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.