back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

E drejta morale e rikthimit të gegnishtes – nga Shpëtim Kelmendi

Gazeta

Shpëtim Kelmendi
Shpëtim Kelmendi
Shpëtim Kelmendi asht nji za përveçse elitar, po edhe i paepun në skenën aktuale,
në artikulimin e problematikave të mprehta lidhur me rikthimin
e magjisë dhe nderit të marrun dikur të gegnishtes.
Shpëtim Kelmendi nji geg studiues, poet, prozator, përkthyes
dhe nji ligjërues pasionant që mban gjallë dhe i imponohet çdo tavoline dhe auditori
me performancën e tij sa elekuencë dhe shumëdimensionale përsa i përket
ndriçimit të problemeve madhore që zoti i ka dhanë individit si krijues.
Denata Rroji

E drejta morale e rikthimit të gegnishtes

nga Shpëtim Kelmendi

Ky po që asht titull i mirë, por njikohësisht dhe fillim i mirë për nji shkrim të këtij lloji. Kam vu re se të gjithë individët që shkruajnë dhe japin ndershmërisht mendimet e tyre në lidhje me mundësinë e rishikimit të standardit të sotëm gjuhësor, pra të gjuhës zyrtare shqipe, shihen si njerëz që duan të çojnë ujë në mullinin e armiqve të kombit, trajtohen si elementë të rrezikshëm për çështjen kombëtare, si përçarës të unitetit ndërshqiptar, si armiq të atdheut e bla-bla-bla. Kësisoj, rrezikun e të shndërruemit në armik përballë mendësisë së kalbun të disa rrashtave të sëmura, po e marr parasysh. E di mirë se nji shkrim i tillë kërkon njifarë guximi, por nëse nji njeri nuk ka guxim me shprehë të vërtetën, atëherë nuk e kuptoj se për çfarë dreqin ban hije mbi dhé.
Pyetja asht: mbi cilin nga dy dialektet bazë duhet të mbështetet gjuha jonë shqipe, mbi toskërishten apo mbi gegnishten? Kjo asht pyetje e kahershme, së cilës disa gjuhëtarë të politizuem kinse ia dhanë nji përgjigje në vitin 1972, përgjigje, e cila shënoi nji atentat të randë ndaj ndaj gjuhës dhe kulturës tonë kombëtare.
Ajo përgjigje që patën dhanë gjuhëtarët e vitit 1972, nji pjesë e të cilëve vazhdojnë me qenë gjallë, dhe vazhdojnë me u ndi krenarë, nuk ishte kurrsesi shkencore, por thjesht e parafabrikueme prej klikës komuniste, e indoktrinueme, e ideologjizueme, e politizueme, e urdhërueme dhe e nënshtrueme, paçka se qe ambalazhue ma së miri me turlifarë termash me përmbajtje atdhetare, kombëtare, panshqiptare e me plot gërrvërre të tjera si këto. Pak a shumë, ideja e tyre ishte dhe mbetet kjo: rreshto sa më tepër terma atdhetarie e ditirambe dashurie për kombin, ban hartime patetike, ço zanin kundër atyre që mendojnë ndryshe, dhe mandej ke fitue të drejtën me lnurë me gjuhën shqipe, me ba çka të dojë qejfi me strukturën identitare të këtij kombi të stërlashtë. Sa për argumentet shkencore, ata gjuhëtarë as e vranë dhe as s’e vrasin mendjen ende sot, sepse mendjevramë kanë qenë qysh në krye të herës.
Nuk arrij me kuptue se si nji gjuhëtar nuk ka pikë turpi deri në atë masë, sa paaftësinë e tij profesionale dhe mungesën e argumenteve shkencore ta fshehë mbas termave të atdhedashjes, mbas tymnave të retorikë gjoja kombëtare, mbas hartimeve dhe ligjëratave të thekshme patriotike. Sepse, mënyra më e shkëlqyeme përmes së cilës nji gjuhëtar shqiptar duhet ta shprehë ardhetarizmin e tij, asht padyshim vetëm puna e ndershme dhe profesionale me gjuhën shqipe. Rastin madhor që patën në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, për të shprehë atdhetarizmin e tyre, gjuhëtarët tanë e nëpërkambën në mënyrën ma të turpshme. Kësisoj, specialistët e gjuhës që morën pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 dhe e brohoritën atë, nuk kanë absolutisht të drejtë morale me folë ma, sepse dami që ata kanë ba flet ma së miri. Në vitin 1972, treni i historisë u kaloi aq afër, aq përshqit, sa gati ua fshiku hundën, por ata nuk patën as dinjitet e as këllqe me e kapë atë tren. Tashma, heshtja do të qe në nderin e tyre, nëse ende mund të flitet për nder.
Po cila është gjuha që na lanë këta gjuhëtarë pa dinjitet? Na lanë nji gjuhë tanësisht artificiale! Dhe e quaj artificiale për nji arsye fare të thjeshtë: asht gjuhë që nuk flitet! Nuk flitet! Janë apo s’janë nji grusht njerëz që e flasin. Por, pa më thoni, sa gjasa ka të zhvillohet e të begatohet nji gjuhë që nuk flitet? Ku e merr ushqimin nji gjuhë që nuk flitet? Si mund të rritet nji gjuhë që nuk flitet? Cilat janë burimet e nji gjuhe që nuk flitet? A mund ta quajmë të gjallë dhe organike nji gjuhë që nuk flitet? Ma e forta asht se këtë gjuhë, as për ta shkrue nuk e shkruejnë mirë shumica dërrmuese e shqiptarëve. Madje ka edhe gjuhëtarë që as s’e shkruajnë, as s’e flasin mirë! Po të tjerët? Mos pyet! Po masat e gjanë e popullsisë, mbi të cilat po shtrihet dita-ditës hija e zezë e analfabetizmit kulturor?
Nuk dua ta besoj se kjo gjuhë asht toskërisht! Kjo sepse falë toskërishtes dhe lëvrimit të mrekullueshëm të saj, kemi poetë të përmasave të Naim Frashërit, Lasgush Poradecit, Ali Asllanit, Nexhat Hakiut, apo prozatorë shijehollë si Konica, Kuteli, etj. si dhe trashëgiminë e mrekullueshme epike dhe lirike të trevave të Jugut. Po të ishte modeli ma i mirë i toskërishtes, askush nuk kishte me e kundërshtue kaq energjikisht standardin, sepse autorët që sipërpërmenda na kanë dhanë prova të shkëlqyeshme të fuqisë shprehëse të toskërishtes. Kjo sajesë gjuhësore, pra standardi, asht në të vërtetë aliazhi ma i palezetshëm i nëndialekteve toske, nji gjuhë e sajueme, e cila po tëhuajësohet dita-ditës. Kjo gjuhë nuk asnji shans me nxjerrë prozatorë të mëdhenj, sepse maksimumin e vet e ka arritë tashmë me Kadarenë, që prapë nuk ka arritë ndonji gja të madhe. Letërsia shqipe nuk quhet “Kadare” dhe gjuha shqipe as fillon e as mbaron me të.
“Ta pasurojmë gjuhën” – thonë disa. Po si ta pasurojmë? Nëse këtë gjuhë e krahasojmë me nji godinë, mund ta vërejmë çilembyll sytë se strukturën e ka aq të dobët, sa mezi mbahet në kambë. Kësisoj, leksiku i pafundmë dhe i larmishëm gegë, asht i dënuem me mbetë jashtë, sepse përndryshe struktura e standardit shkërmoqet.
Unë nuk jam specialist i gjuhës, por si shkrimtar, gjuhën e ndjej në gjak, e kam frymëmarrje, mënyrë jetese. Jam autor gegë dhe gjuhën që përdor s’e quej gegnisht, por thjesht: gjuhë shqipe, të njësueme me raporte të reja të pjesëmarrjes së dy dielekteve.
Në gjuhën standarde të tërbojnë fjali të tilla si: “Do të doja të vija të të takoja, por kisha frikë se mos do të të shqetësoja…”. Ose: “Të të them të drejtën, unë të kam patur inat, por tani e tutje të premtoj se do të të dua përjetë!” Ose: “Të jini të sigurtë të gjithë se të korrat do të jenë të mbara!” A s’ju duken pak a shumë si krismat e nji pistolete TT? Simbas kësaj gjuhe, njerëzit nuk duhet të pijnë “verë në verë”, sepse s’është e qartë nëse je duke pirë stinën apo lëngun e rrushit, dhe duhet t’i zbatojnë plotësisht “vendimet e marra”, çka se mund të jenë edhe idiote. Skandaloze! Shembujt janë të pafundmë. Pse kjo asht gjuha shqipe?! Kaq pak? Kaq kot? A përnjimend besoni se kjo asht gjuha hyjnore shqipe me rrânjë pellazgo-ilire? Unë nuk e besoj fare këtë! Mbase asht nji thërrime e saj, po kurrë tanësia. Pjesëmarrja e gegnishtes në këtë standart asht minimale, ose thanë ndryshe asht nji pjesëmarrje e mundësueme nga halli, vetëm për të mbyllë birat e çatisë së standardit apo për të suvatue muret e saj të rrjepuna. E thotë saktë Arshi Pipa: “Standardi s’asht gja tjetër veçse nji pilaf toskë, me pak byber gegnisht në të.”
Koha e sapunit që shitet për djathë ka marrë fund tashma. Tue mënjanuar gegnishten, në fakt kanë mënjanuar gjuhën shqipe, apo thanë ndryshe, tri të katërtat e fuqisë së saj shprehëse. Sigurisht, duke mos qenë specialist i gjuhës, nuk e kam tagrin shkencor për ta denoncuar me termat e duhun këtë padrejtësi të turpshme, por nga ana tjetër, di mirë se mjaft nga ata që patën tagrin e duhun shkencor, nuk patën tagrin e duhun moral për ta mbrojtë, sepse nën sytë e tyre, nën miratimin e tyre brohoritës u masakrue gjuha jonë e bukur shqipe. Gjithsesi, nji gja mundem me e ba: mundem me folë rreth të drejtës morale që ka gegnishtja për t’u rikthye në skenë me tanë autoritetin dhe pushtetin e saj, e drejtë që shtrihet në rrafshet historike, letrare, gjeografike, demografike, etj. Nëse ndonji nga argumentet e mia mund të trajtohet edhe si shkencor, aq ma mirë.
Caktimi i nji dialekti si bazë e nji standardi gjuhësor, duam apo jo, duhet të jetë i lidhun ngusht edhe me ndihmesën gjuhësore dhe letrare të individëve të caktuar, të cilët mund t’i përkasin këtij apo atij mjedisi gjuhësor, kësaj apo asaj treve. Ja, pikërisht me këtë do merrem: me ndihmesën që kanë dhanë gegët dhe veprat e shkrueme në gegnisht, në lidhje me historinë e letërsisë dhe të gjuhës shqipe, shto këtu edhe ndikimin që kanë pasë në formësimin e vetëdijes kulturore e kombëtare. E di që kjo asht temë delikate, por di gjithashtu se asht nji temë e vërtetë dhe tejet e randësishme. Dhe e vërteta duhet thanë:
-Formula e pagëzimit mbërrin deri në ditët tona falë kryepeshkopit të Durrësit, mikut dhe bashkëpunëtorit të Skënderbeut, Pal Engjëllit. Meqë ishte kohë luftnash, kjo formulë u mundësonte shqiptarëve që t’i pagëzonin vetë fëmijët e tyre, nëpërmjet fjalëve: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”. Porosia për ta përdorë këtë formulë, asht lëshue nga nji kishë në Mat dhe mban datën 8 nandor 1462. Kjo formulë asht e shkrueme në dialektin e Veriut dhe me shkronja latine, ndërsa Pal Engjëlli ishte pinjoll i familjes së ndritur të Engjëllorëve të Drishtit.
-Fjalori i Arnold Fon Harfit. Dihet se ky fjalorth i përbamë prej 26 fjalësh, asht hartue nga udhëtari gjerman Arnold Fon Harf (1417-1505) në vitin 1496, gjatë ndalimeve që ai ka pasë bâ përgjat bregdetit shqiptar: Ulqin, Durrës e Sazan, teksa udhëtonte për në Tokën e Shenjtë. Që të mund të merrej vesh disi me banorët shqiptarë, ai shënoi 26 fjale shqipe, 8 shprehje, (si dhe numrat 1 deri 10 dhe 100 e 1000), tue i shoqnue edhe me përkthimin në gjermanisht. Janë fjalë të përdorimit të përditshëm, si për shembull: ujë, vênë, bukë, mish etj. Vlen të thuhet se me përjashtim të ndoshta nji apo dy fjalëve, të tjerat janë të dialektit verior!
-Meshari i Gjon Buzukut 1555. E njohim si kolonën e parë në ngrehinën e shqipes së shkrueme. Nuk ka nevojë për komente, por po citoj diçka nga Prof. Shaban Demiraj: “Tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nuk kish gjaa të endigluom en së shkruomit shenjtë”, ai iu përvesh me zell punës së vështirë për të shkruar nji libër mjaft të vëllimshëm në gjuhën amtare , i nxitur, siç na e thotë vetë, “en së dashunit së botësë sanë”. 
Mua s’më mbetet tjetër, veçse të sjell në kujtesë faktin se Gjon Buzuku, i biri i Bdek Buzukut, ishte nga treva e Tivarit apo e Ulqinit, shkurt nga Veriu i Shqipnisë.
-Pjetër Budi, autori i veprave “Doktrina e krishtenë”, “Rituali roman” dhe “Pasqyra e të rrëfyemit”, nji nga poetët e parë të vargëzimit shqip, në fakt poeti i parë i njoftun i tokës shqiptare. Pjetër Budi asht jo vetëm nji nga figurat ma të vetëdijshme e ma të shkëlqyeshme të shkrimit shqip, por dhe martiri i parë i gjuhës shqipe. Qarqet antishqiptare e mbytën në vitin 1662, teksa po kalonte Drinin. Ju kujtojmë se Pjetër Budi ishte nga katundi Gur i Bardhë i Matit. Dhe Mati ndodhet në Veri të Shqipnisë.
-Pjetër Bogdani. Njeri me kulturë të gjanë dhe me pikëpamje iluministe. Përmes leximit të veprës së tij, zbulojmë se veç gjuhës amtare, ai njihte italishten, latinishten, kroatishten, armenishten, greqishten, arabishten, hebraishten dhe sirishten. Pra, kemi të bajmë me nji njeri jashtëzakonisht të kulturuem. Konsiderohet autori më i shquar i letërsisë së vjetër shqiptare, autor i “Çeta e Profetëve” (Cuneus Profetharum) dhe njikohësisht poet i mrekullueshëm. Kujtojmë Sibilat e tij, që mund t’i shijojmë ende sot. Le të mos harrojmë se ishte nip i Andrea Bogdanit, kryepeshkop i Shkupit, i cili qe marrë me lëvrimin e shqipes, pati hartue edhe nji tekst gramatike dhe pati hapë në Kosovë nji shkollë ku mësohej shqip. Pjetër Bogdani ishte nga Hasi i Kukësit. Dhe Hasi i Kukësit ndodhet në Veri të Shqipnisë.
-Frang Bardhi. Ipeshkv i Sapës (Zadrimës). Zotëria ka qenë nji tjetër iluminist i madh, njiherësh leksikograf, historian, folklorist e etnograf, autor i veprave të randësishme: “Fjalori latinisht-shqip” dhe “Apologjia e Skënderbeut”. Po ashtu, njihet edhe si hartuesi i parë i nji fjalori të gjuhës shqipe. Frang Bardhi ishte nga Kallmeti i Zadrimës. Dhe Kallmeti i Zadrimës ndodhet në Veri të Shqipnisë.
Disa argumente të tjera:
-Rreth 70% e shqipfolësve janë gegë, ndërsa rreth 30% toskë. Pyetja asht: cili dialekt ka gjasa të zhvillohet e të begatohet ma shumë, dialekti që flitet nga 70%, apo dialekti që flitet nga 30% e popullsisë shqiptare? Pyetja asht retorike, sepse të gjithë e dimë përgjigjen.
-Shkrimtarë të shquem të shekullit XX e mjeshtra të dorës së parë, pa të cilët letërsia shqipe nuk mbahet në kambë me dinjitetin e duhun: Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta, Migjeni, Ernest Koliqi, Anton Pashku, Martin Camaj, Azem Shkreli, Zef Zorba, Beqir Musliu, Frederik Rreshpja, etj.
-Lëvruesit e parë të romanit: Pashko Vasa, Ndoc Nikaj, etj.
-Bashkëkohësia. Dihet se nji nga problemet e pandashme të letërsisë shqipe, ka qenë mungesa e kriterit të bashkëkohësisë, pra lëvrimi me vonesë i rrymave dhe i stileve letrare. Kemi pasë dhe kemi artistë të mirë, por me 50 apo 100 vjet vonesë, sa u takon kritereve të bashkëkohësisë. Gjithsesi, artistët bashkëkohorë të fjalës nuk na kanë mungue. Përmendim Mjedën, i cili vargëzonte në të njejtin nivel dhe regjistër me poetët e mëdhenj dekadentë italianë; Koliqin, pararendës i tregimit modern, i cili vijon të jetë ende bashkëkohor; Anton Pashkun, udhërrëfyes i prozës moderne në letërsinë shqiptare, etj.
-Studiues të shquem të gjuhës dhe letërsisë shqipe: Krist Maloki, Kolë Ashta, Justin Rrota, Selman Riza, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Engjëll Sedaj, Rexhep Ismajli, Sabri Hamiti, etj.
-Helenistë, latinistë e përkthyes të mëdhenj shqiptarë: Gjon Shllaku, Henrik Lacaj, Pashko Gjeçi, Mark Demaj, etj.
-Humanistë shqiptarë me jehonë europianë: Marin Barleti, Marin Beçikemi, Gjon Gazulli, Leonik Tomeu, Andrea Aleshi.
Këto pak argumente që dhashë, sepse për t’i përmbledhë të gjitha nuk do të më mjaftonte as nji vëllim i trashë, dëshmojnë për kontributin e jashtëzakonshëm të autorëve shqiptarë të Veriut, krijojnë pak a shumë portretin e së drejtës morale që ka gegnishtja për t’u rikthye si bazë e gjuhës zyrtare, për t’u rivlerësue e për të marrë vendin që i takon. Nevoja e përmbysjes së këtij standardi dhe e zëvendësimit të tij me nji tjetër standard, i cili të ketë 70 % gegnisht e 30 % toskërisht, nuk ka të bajë thjesht me ndonji tekë apo trill, po me diçka shumë ma të rëndësishme: tue mënjanue gegnishten në nji mënyrë kaq poshtëruese, janë mënjanue nga leximi Eposi i Kreshnikëve, trashëgimia folklorike e Veriut, Visaret e Kombit, Fishta me veprën e tij epike, Mjeda, Koliqi, Migjeni, Camaj. Qysh tashti, shumica dërrmuese e nxanësve shqiptarë të trevave të Jugut nuk janë në gjendje t’i lexojnë autorët e traditës gege. Mbas pak, këta autorë nuk do të jenë në gjendje t’i lexojnë ma as nxënësit e trevave të Veriut!
Nxënësit e shkollave tona shqiptare mësojnë anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, por nuk mësojnë gjuhën e folun nga 70% e shqiptarëve, pra nuk mësojnë gegnisht, që domethënë shqip!
Në mbyllje, më duhet të shtoj edhe diçka tjetër. Para se ta nisja këtë shkrim, disa miq më thanë se shumë njerëz do të mund ta trajtojnë këtë qëndrim si përçarës. Përgjigja ime ishte dhe mbetet: përçarja asht krye tashma qysh në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972! Ajo që synojmë tashti asht vetëm bashkimi.
.
Marre nga faqja Gegnishtja, 5 Prill 2021
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.