back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

E drejta shoqërore kundrejt padrejtësisë shtetërore, rrjedhimisht e drejta e adoleshentëve për të protestuar dhe e drejta e korrigjimit të institucioneve me anë të flakës – nga Kastriot Myftaraj

Gazeta

Protestat e Rinisë - Dhjetor 2020
Protestat e Rinisë – Dhjetor 2020

E drejta shoqërore kundrejt padrejtësisë shtetërore,

rrjedhimisht e drejta e adoleshentëve për të protestuar

dhe e drejta e korrigjimit të institucioneve me anë të flakës

nga Kastriot Myftaraj

Nëse dalin në rrugë dhe protestojnë, qoftë edhe dhunshëm, dy adoleshentë,
dhjetë, hajde po themi tridhjetë, mund të ndodhë që faji të jetë në anën e tyre.
Por kur dalin e protestojnë me qindra, apo mijëra, padyshim, që fajin e ka qeveria.
Se nuk mund të bësh fajtor një numër kaq të madh të rinjsh, t’i rrahësh e burgosësh,
apo t’u vendosësh psikologë, siç tha feçka e asaj gruas në qeveri!
Kjo që po ndodh tregon vetëm, që sistemi është kalbëzuar e qelbur,
– më tha dje një ekspert, që i di mirë këto punë.
Një e keqe shumë më e madhe po pret pas dere! Zoti e bëftë mirë!

Ramiz Gjini (shkrimtar)

Protestat e Dhjetorit 2020
Protestat e Dhjetorit 2020
Në vendet me popuj të lirë, është shoqëria që ndërton shtetin, i cili është në shërbim të shoqërisë. Ajo që quhet shoqëri civile shërben si ndërmjetëse dhe komunikuese mes shtetit dhe shoqërisë. Në vendet ku populli është i shtypur, qofshin diktatura të hapura, qofshin diktatura të maskuara me ligje që në letër shprehin liritë dhe të drejtat e njeriut, demokracinë dhe drejtësinë, është shteti që përpiqet ta përshtasë dhe kontrollojë shoqërinë sipas interesave të grupit sundues. Në këto të fundit, në vend të shoqërisë civile ekziston burokracia e shoqërisë civile, në shërbim të shtetit. Në vendet e para personi quhet qytetar, ndërsa në vendet e dyta quhet shtetas.
Në vendet e lira, ligjet e shtetit janë në interes të shoqërisë dhe nuk tjetërsohen nga zyrtarët e veshur me pushtet ligjzbatues: qeveritarët, administrata, Policia, Prokuroria, Gjykatat. Ky quhet shtet i së drejtës. Në këto vende qytetarët i respektojnë ligjet, se janë të vetëdijshëm që kjo gjë është në interes të tyre. Në vendet ku shteti është diktaturë e një grupi, e maskuar me ligje që në letër shprehin liritë dhe të drejtat e njeriut, demokracinë dhe drejtësinë, ligjet në letër bëhen në interes të shoqërisë. Ndonëse ndodh që të bëhen edhe ligje në interes oligarkëve-klientë të pushtetit. Në këto vende ligjet tjetërsohen gjatë zbatimit nga zyrtarët e veshur me pushtet ligjzbatues.
Në vendet e lira, liritë dhe të drejtat e njeriut janë të pandara, si ato politike dhe të ndërgjegjes, ashtu dhe ato ekonomike. Kjo gjë në letër është sanksionuar dhe në nenin 13 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku thuhet se: “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme (vini re: cilësimi i parë është ‘të pandashme’) dhe qëndrojnë në themel të gjithë rendit juridik.”
Kreu i pestë i Kushtetutës sonë përmban objektivat sociale të shtetit dhe ndër ta, sipas nenit 59 janë: synimi i shtetit për punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë, plotësimi i nevojave të shtetasve për strehim, standardi më i lartë shëndetësor dhe fizik i mundshëm, arsimimi dhe kualifikimi, sipas aftësive, i fëmijëve dhe të rinjve si dhe personave të pazënë në punë, [të sigurojë shteti] një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Të gjitha këto së bashku quhen drejtësi shoqërore, që sipas nenit 3 të Kushtetutës përbën një element të bazës së shtetit. Në anglisht quhet “redistribution of ëealth”. (rishpërndarje e pasurisë) E thënë me fjalë të tjera, shteti ka detyrim që të zbutë, të ngushtojë dallimin mes të pasurve dhe të varfërve.
Të gjitha këto janë të shkruara në kushtetutat e vendeve realisht të lira dhe demokratike, si dhe në kushtetutat e vendeve realisht jo të lira dhe jodemokratike të llojit ku regjimi maskohet me ligje që në letër shprehin liritë dhe të drejtat e njeriut, demokracinë dhe drejtësinë. Ndryshimi është se në vendet e para këto detyrime shteti i zbaton seriozisht, me aq sa ka mundësi, ndërsa në vendet e dyta shteti nuk i zbaton këto detyrime për shkak se pushtetarët i vjedhin të ardhurat publike, pasurinë e popullit, me anë të korrupsionit si dhe duke kënaqur lakminë e grupit sundues politiko-ekonomik të pushtetarëve dhe oligarkëve pranë tyre. Në vendet e dyta nuk ka rishpërndarje të pasurisë por përqëndrim të saj te një pakicë dhe, për pasojë, thellim të polarizimit shoqëror mes të pasurve dhe të varfërve. Një vend i tillë është Shqipëria e sotme.
Në vendet e para e drejta shtetërore për të ushtruar forcë, për zbatimin e ligjeve legjitimohet nga përkujdesja e shtetit për zbatimin e drejtave shoqërore, të llojit të atyre të sanksionuara edhe në Kushtetutën e Shqipërisë dhe të përmendura më lart. Domethënë nga realizimi prej shtetit i parimit të drejtësisë shoqërore, i cili është sanksionuar edhe në Kushtetutën tonë. Në vendet e dyta legjitimohet e drejta shoqërore e popullit për të reaguar ndaj padrejtësisë shtetërorë të kryer nga shteti që nuk e zbaton detyrimin për t’u përpjekur në përmbushjen e objektivave shoqërore kushtetuese që sigurojnë përafrimin e barazisë shoqërore.
Në vendet e llojit të parë, shteti dhe shoqëria janë në harmoni mes tyre, ashtu janë dhe e drejta shtetërore me të drejtën shoqërore. Në vendet e llojit të dytë, ku bën pjesë edhe Shqipëria shteti dhe shoqëria janë në përplasje të dhunshme mes tyre, pasi shteti kërkon të shtypë me dhunë reagimin e pjesës më të madhe të shoqërisë ndaj padrejtësisë shtetërore në dëm të barazisë shoqërore.
Në vendet më të zhvilluara, ku shteti i zbaton seriozisht objektivat shoqërorë, që i ka detyrim kushtetues, nuk ka arsye që të protestojnë adoleshentët, pasi ata përfitojnë nga përpjekja e shtetit për të siguruar barazinë shoqërore. Ndonëse kemi parë se edhe në këto vende adoleshentët u ngritën në protesta për një çështje të ndjeshme, atë të ndryshimeve klimatike dhe këtë e bënë të frymëzuar nga një adoleshente që u bë personalitet botëror, suedezja Greta Thunberg.
Në vendet ku shteti nuk kujdeset për të përmbushur objektivat shoqërore, adoleshentët rebelohen ndaj shtetit, duke iu bashkuar me shumicë protestave popullore të shkaktuara nga pabarazia shoqërore e prejardhur nga padrejtësia shtetërore. Rastet më të skajshme janë ato në shumë vende të Amerikës Latine, Afrikës dhe të Azisë, ku adoleshentët kanë mbushur me shumicë rradhët e ushtrive kryengritëse në luftërat civile.
Në Shqipërinë e sotme adoleshentët janë viktima të moskujdesjes të plotë të shtetit në përmbushjen e objektivave shoqërore të sipërpërmendura që shteti i ka detyrim kushtetues. Shumica e tyre nuk marrin dot ushqimin cilësor minimal, për shkak të varfërisë së familjeve të tyre, e thënë shkurt shumë prej tyre nuk kanë bukë të hanë. Shumica e tyre shkojnë në shkolla pa ngrohje dhe të mbingarkuara me nxënës. Shumë prej tyre detyrohen të punojnë si shitës shëtitës cigaresh për të ndihmuar familjet. Shumë prej tyre punojnë nëpër fasoneritë për të ndihmuar nënat e tyre që të arrijnë normat e larta të punës së paguar minimalisht. E ardhmja e tyre është që të bëhen kamerierë (me pagë minimale), shitës (femrat), kriminelë, prostituta ose të emigrojnë jashtë vendit. Në Shqipërinë me më pak se tre milionë banorë sot ka 100 mijë kamerierë dhe shitës. Prindërit e tyre më së shumti mund të gjejnë punë si roje private ose në fasoneri, (nënat) gjithashtu me paga minimale. Në punë shteti është pakica shoqërore e privilegjuar sipas përkatësisë partiake.
Këtu është arsyeja kryesore që adoleshentët shqiptarë u rebeluan ndaj shtetit duke protestuar. Nuk është rastësi që pikërisht në Shqipëri ndodhën protestat e adoleshentëve. Protestat e adoleshentëve në Shqipëri janë një dukuri që ka të bëjë me rrjedhimet e përplasjes mes së drejtës shoqërore dhe padrejtësisë shtetërore, përplasje e shkaktuar nga mospërfillja tërësore e shtetit për kryerjen e detyrimeve të tij ndaj shoqërisë, domethënë popullit që e përbën atë. Adoleshentët e përjetojnë këtë në familjet e tyre, prandaj janë ngritur në protesta.
.
Protestat e Dhjetorit 2020
Protestat e Dhjetorit 2020
Ata që thonë se është e kundërligjshme që adoleshentët të marrin pjesë në protesta si dhe të miratohen dhe të mbështeten protestat e tyre nga më të rriturit duhet të kenë parasysh se shkelja e parë e ligjit nis me moskujdesjen e plotë të shtetit për përmbushjen e objektivave shoqërore kushtetues. Protestat e adoleshentëve janë pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj. Shteti duke iu kërkuar prindërve të ndalojnë fëmijët e tyre adoleshentë që të protestojnë kërkon ta shpjerë konfliktin në familjet shqiptare mes prindërve dhe familjeve të tyre. Është shteti që i bëri adoleshentët të marrin një rol shoqëror që është i parakohshëm për moshën e tyre. Ata kanë të drejtë të protestojnë sepse kanë të drejtë të hanë, dhe të kenë një mirëqenie të caktuar brenda mundësive që i ka vendi ynë, mundësi që janë kufizuar nga korrupsioni dhe shfrytëzimi i popullit prej oligarkëve. Nëse i denigrojmë këta adoleshentë, siç bën Edi Rama, nesër do të krijojmë prej tyre një forcë destruktive shoqërore. Prandaj, meqënëse protestat e adoleshentëve ndodhën, duke përbërë një tregues të skajshëm të qeverisjes së keqe, ato duhen trajtuar seriozisht. Ne të rriturit i zhgënjyem adoleshentët duke mos mundur ta ndryshojmë qeverisjen e keqe me votë, duke lejuar shitblerjen e votës, kështu që në këtë hapësirë boshe të presionit të shtetit ndaj shoqërisë, sipas ligjit natyror që boshësinë e forcës e mbush diçka tjetër.
Edi Rama ka thënë në janar 1997 se “…institucionet korrigjohen me anë të flakës…” Tani ky parim po përdoret ndaj qeverisë së tij. Nëse këtë po e bëjnë adoleshentët ky është tregues se sa larg ka shkuar gabueshmëria e institucioneve. Historia ka treguar se në raste të tilla zgjidhjet më të thjeshta janë ato më të gabuarat. Është e thjeshtë që të kërkohet të zgjidhet ky problem me forcë të ashtuquajtur ligjore nga Policia, Prokuroria, Gjykata. Por në rastin e Shqipërisë forcës së shtetit i mungon legjitimiteti bazë për shkak të mospërfilljes së shtetit për përmbushjen e detyrimit të tij kushtetues për realizimin e objektivave shoqërore. Prandaj janë të pavlefshme fjalët e bazuara në ligjet e ushtrimit të forcës nga shteti kundër atyre që mirëkuptojnë dhe mbështesin protestat e adoleshentëve dhe iu thonë prindërve të tyre që t’i mbështesin, sepse fëmijët e tyre kanë marrë një rol shoqëror që është normal në një vend si yni ku ka qeverisje anormale. Oficerë policie, prokurorë, gjykatës që i kanë punësuar gratë e tyre në vende pune të mirëpaguara shtetërore, në kompani private me paga të mëdha, në banka, kompani telefonike, biznese të mëdha, apo që kanë biznese familjare fitimprurëse të privilegjuar nga shteti, morën përsipër shtypjen me dhunë të protestave të adoleshentëve të uritur dhe të varfër. Ta dijnë mirë të gjithë, nga i pari te i fundit, se do të vijë dita që paguajnë një çmim shumë të rëndë për këtë gjë, sipas parimit të redistribution of ëealth.
Një qeveri sadopak e përgjegjshme në këto rrethana të protestës së adoleshentëve do të gjente mënyrën të dialogonte me adoleshentët që kanë protestuar, pasi ata përbëjnë një forcë më të madhe sesa duket në pamje të parë. Ata përfaqësojnë veç pakicën aktive të pjesës më të madhe të njerëzve të moshës së tyre, që vuajnë padrejtësinë shoqërore të shkaktuar nga shteti i kapur nga të korruptuarit dhe oligarkët. Gjithashtu, qeveria sadopak e përgjegjshme do të niste të merrte masa për zbutjen e varfërisë në vend, duke luftuar korrupsionin dhe shfrytëzimin ekonomik të popullit nga oligarkët. Por Qeveria “Rama” po tregon se nuk ka as minimumin e përgjegjshmërisë dhe në vitin e tetë të qeverisjes ka ende shpjegimin “Fajin e ka Saliu!”, të kohës kur ishte në opozitë. Edi Rama, kur ishte në opozitë ishte opozitar ndaj Sali Berishës. Sot që Edi Rama është në pushtet, është opozitar ndaj popullit. Prandaj në Shqipëri ngrihen deri edhe adoleshentët në protesta.
Papërgjegjshmëria e Qeverisë rritet nga mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë amerikano-europianë për Edi Ramën që të sundojë vendin me një regjim policor-ushtarak, në emër të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë që shoqëria shqiptare të trajtohet si një enë e mbyllur hermetikisht ku vlimi i ujit prodhon avull që rrit trysninë mbi valvulat e shkarkimit, të mbyllura. Dikur valvulat do të shpërthejnë, nuk ka dyshim për këtë. Vetëm atëherë zgjohet burokracia e zyrave të politikës së jashtme në Amerikë dhe Europë.
Ambasadat e vendeve partnere, ato amerikane dhe europiane, veç mbështetjes për regjimin në fuqi të llojit të juntës policoro-ushtarake, ushtrojne trysni ndaj opozitës shqiptare që ajo të shërbejë si një tjetër valvulë shtrënguese e kazanit. Por, do të vijë shpërthimi i pashmangshëm, sipas rregullave të natyrës që vlejnë për analogji edhe për shoqëritë njerëzore.
Një vend në të cilin të gjitha institucionet ushtruese të forcës ligjzbatuese merren me adoleshentët e varfër, ka një problem të madh shoqëror dhe institucional. Një vend në të cilin profesorët e paguar nga paratë publike, analistët e mediave të paguara nga shteti dalin dhe flasin publikisht kundër adoleshentëve të varfër protestues, ka një problem të madh të moralit shoqëror.
Një vend ku ata që thonë të vërtetën politiko-shoqërore, të bazuar në fakte, mbi ngjarjet ballafaqohen me Drejtorinë e Antiterrorit të Policisë së Shtetit, është një vend ku sundon një juntë policoro-ushtarake.
Një vend në të cilin detyrohet të ndërhyjë ambasada e superfuqisë së botës për të shpëtuar qeverinë e rrezikuar të rrëzohet nga protestat e adoleshentëve ka një problem të madh shoqëror dhe institucional.
.
 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.