E katërta herë, në qytetin Virgjilit…
Poeti Gëzim Hajdari,
rrëfen për të gjitha ndalesat e tij
në Festivaletteratura të Mantovës
Festivaletteratura i Mantovës është Festivali ndërkombëtar i Letërsie, më i rëndësishëm në Itali, dhe një ndër më të rëndësishmit në Europë e në botë. Siç dihet, ky manifestim kulturor zhvillohet çdo vit, nga viti 1997, në qytetin ku ka lindur poeti i madh latin, Virgjili. Ky manifestim, tejet i ngjeshur me takime, recitime, promovime dhe spektakle, zgjat 5 ditë. Gjatë ditëve të këtij festivali shiten mbi njëqind mijë bileta për të marrë pjesë në takime me poetë e shkrimtarë nga e gjithë bota. Ndërsa numri i të rinjve që punojnë gratis për realizimin e kësaj ngjarje kulturore, është mbi njëmijë.
Festivali vetëfinancohet.
Unë kam patur nderin të ftohem katër herv në këtë ngjarje të madhe të botës letrare dhe më gjerë.
Pjesëmarrja ime e parë në këtë festë të letërsisë mbarëbotërore ka qenë ajo e vitit 2003, edicioni i VII, nga 6 – 10 shtator. Plot gjashtë vjet pas fitimit të çmimit “Montale”, çmimi më i rëndësishëm për poezinë në Itali.
Ky çmim jepet për vëllimet më të mirë poetikë të vitit. Pra, këtë çmim s’e kam fituar si poet ezilant apo migrant, por thjesht si poet me vëllimin tim dy gjuhësh, “Trup i Pranishëm”/ Corpo presente.
Një sqarim për lexuesin shqiptar: në Itali ekzistojnë dy çmime që i referohen figurës së Nobelit italian, çmimi “Montale, i cili organizohet nga Centro Internazionale Eugenio Montale, me qendër në Romë. Si dhe çmimi “Librex Montale”, i cili administrohet nga e njejta shoqate kulturore, me qendër në Milano, themeluar nga ish llogaritari i poetit të Nobelit.
Detyrohem ta theksoj këtë fakt, sepse në të kaluarën, në disa site surrogatë shqiptarë, disa ish shkrimtarucë stanesh të ish realizmit socialist, e kanë vënë në dyshim fitimin nga ana ime të çmimit “Eugenio Montale”. Pra, për të verifikuar këtë fakt, mjafton të lexosh dy antologjinë poetike botuar me këtë rast: 7 Poeti del Premio Montale, Roma 1997. faq, 31. Editore “All’insegna del pesce d’oro” di Vanni Scheiwiller, Milano 1998. Scheiwiller është botuesi historik i Montales. Si dhe antologjia “Vent’anni di poesia – Antologia dei poeti premiati 1982 – 2002”. faq. 87. Pasigli Editore, Firenze, 2002.
Por le të kthehemi te Festivali i Mantovës.
Në edicionin e 2003, jam prezantuar nga poeti i jashtëzakonshëm italian, Luigi Manzi, i cili foli gjerë e gjatë mbi rrugëtimin e krijimtarisë sime.
Takimi u bë në oborrin magjik të Shtëpisë Beata Osanna In Limine, ora 11, 15. Pas ndërhyrjes së poetit Manzi, unë kam lexuar poezi te zgjedhura, në fund u përgjigja pyetjeve të pranishmëve që kishin mbushur sheshin.
Në këtë rast u paraqita për lexuesit me vëllimet dygjuhësh, si “Hije qeni”/Ombra di cane, “Barihidhët”/Erbamara, “Antologjia e shiut”/ Antologia della pioggia, “Gurë kundërerës”/Sassi controvento, “Trup i pranishëm” e “Vragë”/Stigmate, botuar nga Besa. Takimi u zhvillua në prani të shumë qytetarëëve, lexuesve, gazetarëve dhe studiuesve të poezisë sime. Të pranishëm ishin dhe shumë miq e dashamirës të ardhur nga qytete të ndryshme të Italisë.
Isha poeti i parë shqiptar që ftohesha në këtë festival.
Prania ime në Mantova s’ishte rastësi, disa vite më parë kisha qenë i ftuar në pallatin Dukal, të po këtij qyteti, për një konferencë. Pa përmendur pjesëmarrjen në shumë takime të rëndësishme ndërkombëtarë në Itali e jashtë saj.
***
Pjesëmarrja ime e dytë në Mantova i përketë vitit 2006, në edicionin e X të Festivaletteratura.
Në këtë takim jam prezantuar nga Ugo Fracassa, profesor në Universitetin Roma 3, si dhe studiues i veprës sime.
Takimi u bë në datën 8 shtator, ora 10.00 në oborrin e mrekullueshëm të Kishës San Barnaba. Në këtë edicion u paraqita me vëllimet dygjuhësh, “Gjëmba të zinj”/Spine nere, “Dhimbje hëne”/Maldiluna, libri reportazh me udhëtime në Afrikën ekuatoriale “Muzungu – diario in nero”, botuar nga Besa, libër reportazh me udhëtime në Jugun e Azisë, “San Pedro Cutud – viaggio negli inferi del tropico” dhe “Poema e ezilit”/Poema dell’esilio, botuar nga Fara Editore. Sigurisht në Panairin e Librit të Festivalit ishin në shitje gjithë librat e mi.
Pas ndërhyrjes së profesor Ugo Fracassa, unë lexova poezi të zgjedhura, në fund iu përgjigja pyetjeve të pranishmëve që kishin mbushur sheshin.
Ia vlen të theksoj se në këtë edicion unë i kisha propozuar Komitetit Organizues dy shkrimtarë nga Shqipëria, Fatos Lubonjën dhe Besnik Mustafajn. Fatmirësisht proprozimi im u pranua… dhe me ftesë të zonjës Carla Nicolini, anëtare e komitetit organizues dhe njëkohësisht bashkëshorte e Presidentit të Festivalit, Luca Nicolini, u ftuan zyrtarisht të dy shkrimtarët shqiptarë për të marrë pjesë në këtë tubim letrar. Madje poetin dhe shkrimtarin Besnik Mustafajn e kam prezantuar së bashku me poetin dhe përkthyesin Jozef Radi.
Takimi ynë u zhvillua të dielën 10 shtator, ora 10.00 pranë Chiesa Santa Maria della Vittoria.
Në mbyllje të edizioni të X-të, në mbrëmjen e fundit, u festua dhjetë vjetori i Festivalit. Për të festuar këtë ngjarje kaq të madhe kulturore mbarëbotërore, aktorja e famshme italiane, Lella Costa, shoqëruar nga muzika e artistit të madh, Paolo Fresu, recitoi poezi të poetëve të njohur botëror, të cilët kishin qenë mysafirë në harkun e dhjetë viteve në Mantova. Poezitë u përzgjodhen nga vete aktorja Costa. Spetakli u mbajt në sheshin Castello, 9 shtator, ora 21.
Tekstin tim aktorja italiane e kishte përzgjedhur nga vëllimi “Dhimbjehëne”.
***
Pjesëmarrja ime e tretë në Mantova i përketë vitit 2009.
Në këtë edicion unë u ftova sëbashku me poetin nga Uganda, Timothy Wangusa. Takimi titullohej: “Due poeti e l’Africa”. Moderator i takimit ishte Andrea Gazzoni, Prezantimi u bë në Palazzo Ducale – Atrio degli Arcieri, ora, 10. Gazzoni, profesor në University of Pennsylvenia, si dhe studiues i veprës sime, analizoi në mënyrë esenciale vëllimet e mi dygjuhëshe, si “Peligorga”/ Peligorga, botuar nga Besa, “Poesie scelte 1990 – 2007”, botuar nga Edizioni Controluce, 2008, “Poema e ezilit”/ Poema dell’esilio, II° edizione, e zgjeruar, botuar nga Fara Editore, 2007
***
Pjesëmarrja në Festivalin e Mantovës e këtij viti, ku unë do të jem mysafir prej 9 gjer në 13 shtator, është e katërta herë.
Në këtë edicion unë do të kem dy takime, takimi i parë do të jetë me datë 11 shtator, ora 18.00, në mjediset e brendshme mesjetare të Kishës San Barnaba, ndërtuar në shek XII-të. Mbi veprën time do të flasë poetja dhe studiuesja italiane Elia Malagò.
Pra, takimi im i dytë do të jetë me datë 13 shtator, edhe dita e fundit e Festivalit. Në këtë takim do të jem sëbashku me shkrimtaren e njohur franceze Maylis De Kerangal. Moderator i takimit do të jetë linguisti i njohur italian, Giuseppe Antonelli, profesor në Universitetin e Kasinos (Cassino). Tema e këtij takimi është “Vocabolario Europeo”. Secili nga ne shkrimtarët ka sjellë një fjalë në këtë takim ku do të diskutohet dhe dialogohet me pjesëmarrësit mbi rolin dhe rëndësinë e këtyre fjalëve në jetën dhe krijimtarinë letrare të secilit prej nesh. E jo vetëm kaq, fjalët që ne kemi sjellë do të analizohen edhe përtej sferës individuale, duke i parë edhe në dimensionin dhe vlerën kolektive. Unë kam sjellë fjalën “besa”, ndërsa shkrimtarja franceze ka sjellë fjalën “étranger”, i huaj. Takimi do të zhvillohet në Chiesa Santa Maria della Vittoria, ora 15,00. Hyrja do të jetë gratis.
Me pak fjalë, ky është takimi im i dytë në Festivaletteratura Mantova 2015.
Në këto takimi unë i prezantohem lexuesit me librat dygjuhësh: drama epike në dy akte, Nur. “Herezia dhe besa”/ Nur. Eresia e besa, Edizioni Ensemble, 2012, vëllimet “Grykë e lumit tënd”/ Delta del tuo fiume, Edizioni Ensemble, 2015, “Këngët e nizamit”/ I canti dei nizam, Besa Editrice, 2012, “Rroftë kënga e gjelit në fshatin komunist”/ Evviva il canto del gallo nel villaggio comunista, Besa Editrice, 2013, sidhe vepra e zgjedhur “Poesie scelte 1990 – 2015”, Edizioni Controluce, 2015
Vepra të autorit: Gëzim Hajdari:
Gjatë pesë ditëve të festivalit, lexuesit mund të gjejnë në shitje, në panairin e librit, këto vepra:
*Erbamara, Cosmo Iannone Editore, 2013
*Corpo presente, Besa Editrice, 2011
*Stigmate, Besa Editrice, 2007
*Spine Nere, Besa Editrice, 2004
*Maldiluna, Besa Editrice, 2005
*Poema dell’esilio. II edizione ampliata. Fara Editore, 2007
*Peligòrga, Besa Editrice, 2007
*Poesie scelte 1990 – 2015, Edizioni Controluce, 2015
*Nur. Eresia e besa, Edizioni Ensemble, 2012
*Delta del tuo fiume, Edizioni Ensemble, 2015
*Muzungu – Diario in nero, Besa Editrice, 2006
*I canti dei nizam, Besa Editrice, 2012
*Evviva il canto del gallo nel villaggio comunista. Besa Editrice, 2013
Monografi mbi veprën e Gëzim Hajdarit
*Poesia dell’esilio. Saggi su Gëzim Hajdari, a cura di Andrea Gazzoni. Cosmo Iannone Editore, 2010
*La besa violata. Eresia e vivificazione nell’opera di Gëzim Hajdari – di Alessandra Mattei. Edizioni Ensemble, 2014
*In balia delle dimore ignote. La poesia di Gëzim Hajdari – di Sara Di Gianvito. Besa Editrice, 2015.