back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

E keqja nganjëherë fiton – nga Frank Shkreli

Gazeta

Juri Kim dhe nje grup ambasadoresh me 29 nentor
Juri Kim dhe nje grup ambasadoresh me 29 nentor

E keqja nganjëherë fiton

nga Frank Shkreli*

Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

“E keqja triumfon kur njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë”.
“Gara nuk është ndërmjet nesh dhe atyre,
por ndërmjet të mirës dhe të keqes,
e nëse ata që do duhej të luftonin të keqen,
i përvetësojnë rrugët e së keqes, atëherë fiton e keqja”.
Thomas Xheferson

Frank Shkreli - Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Frank Shkreli – Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Ja edhe sivjet, për herë të dytë, (There she goes again), Juri Kim e ambasadës amerikane në Tiranë uron “Ditën e Çlirimit të Shqipërisë” me data 1944-2022. I bie 78-vjet Shqipëri e “çliruar”, e lirë, sipas saj, përfshirë periudhën prej pothuaj 50-vjetësh nën regjimin e diktatorit komunist, Enver Hoxha.

Të lumtë, zonja Kim po e tregon lëkurën e vërtetë se kush je!

Juri Kim dhe nje grup ambasadoresh me 29 nentor
Juri Kim dhe nje grup ambasadoresh me 29 nentor

Dua ta bëjë të qartë prej fillimit se nuk kam ndër mend të kapem me Yuri Kim dhe interpretimin e saj të historisë së Shqipërisë, as me “diplomatët”, majtisto-liberalo-bolshevikë evropianë që e shoqëruan atë sot në Varrezat e Kombit në Tiranë. Dëshiroj të theksoj edhe njëherë ashtu siç kam reaguar edhe vitin që kaloi, me këtë rast, ndaj deklaratës së saj dhe misionit të saj diplomatik në Tiranë për të paraqitur regjimin barbar komunist të Enver Hoxhës, në një dritë më të pranueshme se si e njeh historia.

“Shpërthen” Frank Shkreli: Zonja Kim, prej sot nuk je më ambasadorja ime! Gazeta Telegraf – “Më duhet të sqaroj që në fillim se këtu nuk bëhet fjalë për ata që luftuan për katër vjet dhe që vdiqën në luftë për çlirimin e atdheut nga nazizmi e fashizmi, por për “çlirimin”, siç e quan përfaqësuesja Kim, që solli në pushtet një regjim komunist gjakatar, me në krye qoftëlargun, Enver Hoxhën; Regjim i cili, përveç mijëra kundërshtarëve të tij ideologjikë, përfshirë familje të tëra, gra e fëmijë e pleq – zhduku pa mëshirë edhe bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë, për pothuaj një gjysëm shekulli. Ky “Çlirim”, në të vërtetë e ktheu Shqipërinë, për pothuaj 50-vjet, në një skenë krimi. E gjithë Shqipëria ishte një burg telash me gjemba. Respekt për të rënët e luftës! Ata luftuan për lirinë e atdheut, por jo për robërimin e shqiptarëve nga komunizmi ndërkombëtar sllavo-aziatik”, për pothuaj 50 vjet.
“Ja edhe sivjet, për herë të dytë, (There she goes again), Juri Kim e ambasadës amerikane në Tiranë uron “Ditën e Çlirimit të Shqipërisë” me data 1944-2022. I bie 78-vjet Shqipëri e “çliruar”, e lirë, sipas saj, përfshirë periudhën prej pothuaj 50-vjetësh nën regjimin e diktatorit komunist”
Më thenë të drejtën unë kisha menduar se deklarata e Yuri Kim vitin që kaloi, në këtë datë, mund të kishte qenë një gafë diplomatike nga ana e saj dhe se nuk do e përsëriste më, “përfaqsuesja e vlerave amerikane”, në Shqipëri. Edhe mund t’i falej, se edhe diplomatët gabojnë. Gabojnë rëndë, madje, si në këtë rast. Por kjo nuk ka të ndalur. Sivjet siç mund të shikohet nga fotot më poshtë – Zonja Kim, përveç urimit në facebook, ajo i prin një delegacioni “diplomatësh” të huaj të pa identifikuar për ata që nuk i njohin, tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Ja deklarata e Yuri Kim:

Shenimi i Ambasades Amerikane me 29 nentor 2022
Shenimi i Ambasades Amerikane ne FB, me 29 nentor 2022

“US Embassy”
| 1944-2022 | Shqipëria feston 78-vjetorin e çlirimit nga pushtimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky rast shërben si kujtesë për sakrificat e popullit shqiptar dhe si një mundësi për të kremtuar një moment të lavdishëm të historisë shqiptare. Gëzuar Festën e Çlirimit, Shqipëri!

| 1944-2022 | Albania celebrates 78 years of liberation from the Nazi oçupation during World War II. This ocasion is a reminder of the sacrifices of the Albanian people and an opportunity to celebrate a glorious moment in Albanian history. Happy Liberation, Albania!

Deklarata e botuar në facebukun e Ambasadës amerikane në Tiranë.

Juri Kim dhe nje grup ambasadoresh me 29 nentor
Juri Kim dhe nje grup ambasadoresh me 29 nentor

Me folë të drejtën edhe vajtja e këtyre “diplomatëve” tek Varrezat “Nëna Shqipëri”, me Juri Kim në krye të paradës – përballë e krah për krah me nostalgjikët e Enver Hoxhës aty pranë – nuk do më shqetësonte aq shumë sikur “diplomatët e çlirimit” të Shqipërisë, ta kishin balancuar atë vizitë duke shpjeguar për publikun – të paktën me një deklaratë të shkurtër se: pas vitit 1944, Shqipëria e “çliruar” dhe nën regjimin komunist për pothuaj një gjysëm shekulli, nuk kishte as liri as demokraci, as të drejta të njeriut, por ishte kthyer për pothuaj 50-vjet në një mjedis krimesh të papara në Evropë dhe në botë. Dhe të thonin, mos tjetër, se ne po nderojmë dëshmorët e çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashizmi dhe jo regjimin e Enver Hoxhës, që erdhi më pas dhe që robëroi Shqipërinë.
Kjo histori duket se nuk u intereson diplomatëve të “vlerave perëndimore” në Tiranë. Megjithëse Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Biden dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, uruan Shqipërinë dhe shqiptarët për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë – ashtu siç kanë bërë udhëheqësit më të lartë amerikanë për pothuaj një shekull tani pa iu referuar “çlirimit”. Po, Ambasada Amerikane, për të dytin vit, uron atë që ajo quan “çlirim” i Shqipërisë 1944-2022. Në emër të kujt e bën kjo, këtë deklaratë, unë nuk e di!
Fatkeqësisht, në Shqipëri po triumfon e keqja, e mbështetur nga përfaqësuesit e vendeve perëndimore, të cilët do duhej të denonconin krimet e komunizmit barbar në Shqipëri dhe të mos e cilësonin vendosjen e komunizmit në atë vend si një “çlirim”, sepse i tillë nuk ishte për shqiptarët – sidoqë ta cilësojnë sot diplomatët, përfshirë dhe Juri Kim.
“E keqja triumfon kur njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë”. “Gara nuk është ndërmjet nesh dhe atyre, por ndërmjet të mirës dhe të keqes, e nëse ata që do duhej të luftonin të keqen, i përvetësojnë rrugët e së keqes, atëherë fiton e keqja.”
“Me sjelljet tuaja, vizita dhe deklarata në këtë ditë të “çlirimit” sipas jush, doni a s’doni, ju po mbështetni historinë dhe krimet e një tiranie çnjerzore, sllavo-komunisto-aziatike 50-vjeçare, që iu imponua një populli të vogël – Kombit shqiptar, dikur krenar!”
Ambasada amerikane në Tiranë përfaqëson vendin më të dashur që kemi për zemër ne shqiptarët kudo që jemi, sidomos ne shqiptaro-amerikanët – vendin e bekuar tonin – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kemi gjetur lirinë, demokracinë, paqën dhe të drejtat tona të mohuara nga regjimi “çlirimtar” që ju glorifikoni në këtë ditë. Asnjë interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara as i Evropës Perëndimore, sado i rëndësishëm të jetë përkohësisht, nuk justifikon glorifikimin e një regjimi barbar anti-njerëzor dhe mbështetësit e tij, një ish-regjimi ndër më të egrit në botë.
Edhe njëherë, turp për ju!
Ju jeni diplomatë perëndimorë, gjoja përfaqësues dhe mbrojtës të vlerave perëndimore dhe jo të anti-vlerave shtypëse të një regjimi të vdekur: Mbrojtës të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, pa dallim dhe përjetësisht, të paktën me sa dijmë deri më sot. Na njoftoni, ju lutemi, nëse bota perëndimore ka vendosur të heqi dorë nga këto vlera, përfshirë Shqipërinë.
Ju po përkujtoni dhe nderoni qoftë edhe përfaqësisht, një tirani që për 50-vjet iu imponua shqiptarëve me dhunë e gënjeshtra. Kjo tirani vazhdon të sillet rrugëve të Tiranës me mbështetjen tuaj! Diçka diktohet në ajër!
Ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, shqiptarët kurrë nuk kanë dashur të jenë të ndarë nga bota perëndimore, as nuk pranuan kurrë vullnetarisht komunizmin. A e dijnë diplomatët perëndimorë në Tiranë, se Shqipëria menjëherë pas atij që ata quajnë “çlirim” (1944-2022) në krahasim me vendet e tjera evropiane ka patur numrin më të madh të martirëve të tre feve të shqiptarëve: sidomos në radhët e Kishës Katolike, – por edhe më shumë martirë të demokracisë së vërtetë perëndimore – asaj demokracie – sidomos asaj amerikane, që ju do duhej të glorifikonit dhe të përhapnit ndër shqiptarë, në vend të historiografisë komuniste. I kini kujtuar ndonjëherë këta martirë e dëshmorë anti-komunistë, që dhanë jetën në mbështetje të demokracisë së vërtetë perëndimore në Shqipëri!?

Dyzet Martirët e Kishës
Dyzet Martirët e Kishës

“A e dinë diplomatët perëndimorë në Tiranë se Shqipëria menjëherë pas atij që ata quajnë “çlirim” (1944-2022) në krahasim me vendet e tjera evropiane ka patur numrin më të madh të martirëve të tre feve të shqiptarëve, sidomos në radhët e Kishës Katolike – por edhe më shumë martirë të demokracisë së vërtetë perëndimore, që ju do duhej të glorifikonit dhe të përhapnit ndër shqiptarë, në vend që të historiografisë komuniste. I kini kujtuar ndonjëherë këta martirë e dëshmorë anti-komunistë?!”
Me këto sjellje tuaja: pa ndjenja balance e bashkimi për shqiptarët nga ana e juaj – ju vazhdoni të turbulloni mendjen dhe ndërgjegjen e këtij populli shumë të vuajtur nga një regjim barbar, që ju e cilësoni si “çlirimtar”. Fatkeqësisht, jeni bërë palë me interpretimin e njëanshëm të pseudo-historianëve shqiptarë, të gënjeshtrave dhe të dhunës, për një histori të tmerrshme masakrash nga viti 1944 e deri në prill të vitit 1991, që as vet shqiptarët ende nuk e kanë zgjidhur midis vetes. Ju po i mëshoni një teze që shumica e shqiptarëve nuk e pranojnë.
Jeni bërë palë e së keqes. Fatkeqësisht, e keqja po fiton në Shqipëri edhe me mbështetjen ose të paktën me heshtjen e diplomatëve perëndimorë, sot dhe 30-vjet më parë, që nga fillimi i të ashtuquajturit tranzicion “demokratik”, që nuk ndodhi kurrë. Kjo shpjegon edhe aktualitetin politik të Shqipërisë “pjesërisht të lirë”, si anëtare e NATO-s. Merreni me mend!
Fatkeqësisht, e keqja nganjëherë fiton, qoftë edhe përkohësisht, sidomos kur mbështetet nga të fortit! Kjo po ndodh edhe në Shqipëri sot. Por, unë besoj se e mira ringjallet dhe përtërihet mbi të keqen, me kohë. Besoj në thënien latine: “Victi, Vincimus!” Edhe të mundur (nga e keqja) tani për tani, atë e kemi mundur… edhe pa ndihmën e ambasadorëve!

22 Martiret e 26 Shkurtit 1951 - Osman Kaceli
22 Martiret e 26 Shkurtit 1951 – Osman Kaceli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.