back to top
1.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

E mallkueme me qenë e bukur… Cikël poetik nga Manjola Brahaj

Gazeta

Manjola Brahaj
Manjola Brahaj
Ky cikël poetik i Manjola Brahajt, asht i shkëputun prej dy librave ma të fundit të saj,
“Na nuk jena t’ktuhit!” dhe “Çka nuk tregohet nuk ka ekzistue”,
me nji hapsinë tre vitesh midis tyne.
Nji shpirt hera herë delikat e hera herë gulshesh të forta shpirtnore,
nji botë femnore e ngjyrosun sa me guximin e malit aq edhe delikatesën e lëndinës,
nji vuejtje e prekshme në humbjen e nji dashnie të madhe,
po edhe nji ngushëllim aq i bukur me natyrë…
Brahaj ta ban të bukur leximin poetik, edhe ndejtjen në shoqninë e vargjeve të saj.
Ajo të mbush me frymën e atyne vendeve prej kah poezia
asht tejet e lehtë me u gjetë e me u përthithë,
mandej përpiqet me ia dhanë frymën e saj qytetit, edhe kur ai asht i ftoftë për shpirtin e saj.
E atherë ajo të shfaqet ndër do vargje ambigue dhe ti e ke të vështirë me përzgjedhë
se ku nis shitimi i Zanës e ku mbaron klithma e Ajkunës…
Edhe pse me distancë prej tre vitesh mes tyne këta dy libra,
(poezitë ndoshta kanë edhe ma tepër distancë mes tyne),
në kët cikël të vyeshëm të Brahajt nuk vërehet ndonji distancë në frymë mes librave,
ndjehet veç që poezia vjen ma e rafinueme, ma e latueme
me nji ndjeshmëni gjithnji e ma të thellë, me dëshmue se tashma ajo e ka gjetë hullinë
për kah i duhet me ecë, me mbrritë ma të mirën e vedit po edhe tonën si lexues…
Gegnishtja e Brahajt, asht e ambël dhe nuk e lodh lexuesin e parrahun në vesh me të,
përkundrazi ka mjaft ambëlsi, edhe kur vuen lehtë prej mosnjitratshmënie në trajtim…
e megjithatë zani i saj vjen si nji klithmë,
që edhe në trajtat ma epike msheh nji ambëlsi joshse,
njashtu si kshtajat që derisa plasin e t’shëndrisin u duhet gjithherë ai zhgualli gjambor…
jozef radi, dhjetor 2017
.

Manjola Brahaj - Libri "Çka nuk tregohet nuk ka ekzistue..." (2017)
Manjola Brahaj – Libri “Çka nuk tregohet nuk ka ekzistue…” (2017)

E mallkueme me qenë e bukur…

Cikël poetik nga Manjola Brahaj

Anima

As bardh, as zi nata që e ngulfatun shtrihet mes nesh.
As ujë, as dhé toka ku ne ecim shpindë për shpindë.
Veç nji puthje e vjedhun me krejt botën bjen ndesh
e trupat tanë tash veç vetun me ndejtë dinë.
 
As poshtë, as nalt nuk dihet ku jem’ në ç’kohë!
Në ç’qiej shkojnë lutjet e ankthit tonë t’egër,
pa dashtë e pa ditë si kurrë mos me u pasë njohë,
shkruejmë fatin tonë letrash me sy t’verbër.
 
Mbledhim erën me duer t’mpime dimnash t’shkyem.
Pijmë kaltrinë e qiellnave t’pambrrimë.
Kujtojmë dikur nji frut me t’cilin parajsën e fyem
dhe e duem dhénë bashkë me pemët që na mbijnë.
 
As zjerm, as ngricë skuta ku bujtin shpirtnat.
Veç Frymë e Dritë ajri që pijnë sytë.
Kthejmë ku kem’ qenë e i duem t’ikunat,
qiellnash t’pakapshëm njisoj si Perënditë.
 
Provojmë gjakun n’ashtin e dheut,
e ndiejmë kangën që rana këndon për ne.
Puthemi buzë më buzë jetojmë tehut,
pa u rrxue, gjymtyrësh tue u pre.
 
I jepemi ujit me dashni bishash,
me kryeneçësi prej burgut s’domë me dalë.
Krejt e tashmja na rrëshet gishtash,
pa mujtë me folë as me falë.
 
Me nji kujtesë kohësh t’shkapetun copë,
biem kryekëput si me qenë termekë.
N’kupa religjionesh t’rrëzueme për tokë,
pa ditë ku jem’ t’gjallë as ku kem’ me vdekë!
.
Brahaj "ishte nji kohë hijesh e mbytun n' langje trishtrimesh t'papërmbajtuna..."
Brahaj “ishte nji kohë hijesh e mbytun n’ langje trishtrimesh t’papërmbajtuna…”

Largsitë

I ftoftë e pa trajtë
ai që duem ne,
aq ikshëm ndërron udhët,
veç për me ardhë nji ditë.
Prekja s’ka erë,
mbetet nji ankth i mbyllun n’vete;
çmendë për veten,
dashtë vetveten,
mbytë për veten;
pa hak, as cak,
pa dritë, as britë,
pa ujë, as kujë.
Prekja nuk asht ma e kërrkuj’
 
I largët asht nji shi që na njom eshtnat.
I largët asht nji diell që na djeg shpirtanat.
E largët asht nji tokë që e kemi n’mish.
Sa fryma me frymën
n’thithje.
Sa zani me zanin
n’thirrje.
Sa ngjyra me ngjyrën
n’shkrimje.
Sa unë n’ty
me krejt zjermin e marrëzisë.
Sa ti n’mue
më krejt ankthin e dashnisë.
Sa t’dy bashkë
me krejt peshën e kohnave pa njeni – tjetrin.
Sa zgjatja e tejme e horizonteve,
që përmbysen n’sytë tanë
për me mbetë t’huej.
.

Metamorphosis

Fjalët e mia janë çue lugat e po bërtasin n’kupë t’qiellit,
se ti Zeus i tmerrshëm nuk po m’merr n’gotën tande me m’pi.
 
Buzët e mia po njelmen err e terr mbi lkurën e detit tand,
se ti Karont idhnak nuk po m’merr n’barkën e trupit për hartë.
 
Duert e mia po ndizen n’zjarre hanash t’reja prej reve n’dhé,
se ti Orfe egoist nuk po m’merr n’tingullin tand si notë.
 
Trupi im po rrmyhet, po shkrihet prej fundit te maja,
se ti Keops i çmendun nuk po m’merr n’vorrin tand si kockë.
 
Zemra ime asht ba copë e po shitohet fati im tejpërtej
se si dashninë tande Adam, nuk po gjej.
Shkëputë nga libri “Na nuk jena t’ktuhit”
 

Manjola Brahaj - Libri "Na nuk jena t'ktuhit!"
Manjola Brahaj – Libri “Na nuk jena t’ktuhit!”

Nuk t’pashë ma

Kushtue babit
 
Për herë t’fundit,
kur kambën vuna në ashtin e diellit,
nuk të pashë ma.
 
Tash kaloj para do syve që mrizojnë hijeve, territ,
me lugetën të tredhun trush.
Nëpër do rrugë t’çaraveshuna buzësh,
t’shkyeme prej kush e di çfarë kambësh.
 
Iki prej dheut e gurit që m’blatoi.
Ti nuk je ma
e heshtja tjerr pejtë e saj fytit tim.
 
Vêna m’ban nji vend,
në qoshin e sirtarëve t’mykun.
Rrëzohna mbi do shkrime.
Përzihen faqeve lotët e mi e të hanës.
 
Nuk të pashë,
vetëm do imazhe t’cofta prej letre,
që më shkundën pluhnin.
 
Tash asht vonë, terri ka ra,
po shprazh grushta t’plasaritun dimni,
gota t’thyeme akulli,
sy t’shprishun véri
mbi mue.
 
Për herë të fundit,
kur dorën vuna në buzën e hanës,
nuk të pashë ma,
pashë vetëm do thίja që shtohen tash sa vjet
në kryet e nanës.
.

Brahaj "...ku kem’ ndjekë xixëllonja andrrash t'njoma,"
Brahaj “…ku kem’ ndjekë xixëllonja andrrash t’njoma,”

Shpia

Nanë, jam nisë me ardhë te ti,
me ardhë te shpia;
ku lindi e hodhi shtat fëminia,
ku janë mbledhë përqafimet e para me botën,
ku janë gjakosë duer e lkurë, n’vrapime e lojna,
n’dhé e gurë,
ku kem’ qa e vallzue n’shi lotësh gëzimi,
ku kem’ andrrue me u rritë me u ba si ti,
ku i jem’ dorëzue jetës pa ditë çka asht dështimi
ku kem’ zanë fluturat bashkë me stinët n’dorë,
ku kem’ mbledhë lule buzëgazesh n’borë,
ku kem’ ndjekë xixëllonja andrrash t’njoma,
ku çdo prekje e dashnisë tande ka qenë e jona,
ku ka mbi në ne pafajnia,
due me ardhë te ti,
se ku asht nana, asht shpia.
 
Duem me ardhë prej fundit t’andrrës
shpirti botës ankthin i rrëfeu,
ndaj e duem kthimin n’shpi të gjithë si Odiseu.
Se shpia asht;
ku je ti,
ku asht dashnia,
ku flejnë palimpseste t’ngjeshuna me zanin e babës,
ku bota i ngjan pak andrrës e pak përrallës,
ku pemët mbillen n’sytë tanë,
t’etun për me pa,
ku gjumi asht i mbrojtun prej ankthesh,
ku lojnat luhen ditën e natën pa prâ,
ku buka shijon si ushqim zotash,
ku zgjohen kujtimet e na japin dritë,
shpia asht ku flejnë perënditë.
.

N’lum

Në lum, je burimi i akullt brisk,
i ushqyem me lang bore
dhe kurmi yt poresh nxjerr avullin e jetës,
për me u ba pikë
e me pikue,
e me pikue,
prajshëm.
 
Në lum, bahesh vala e përplasun
mbas gurit,
mbas shkambit,
mbas lisit,
me fuqinë e puthjes len gjurmën tande n’to
për me u ba ujë
e me rrjedhë,
e me rrjedhë,
kandshëm.
 
Në lum, bahesh guralec i zhvendosun,
me pikën,
me ujin,
me rrjedhën,
me fuqinë e të trijave bashkë,
për me u ba përplasje, zhvendosje, shtrat,
e me ecë,
e me ecë,
pandalshëm.
 
Në lum, bahesh lumi që rrjedh n’ty
e ti rrjedh n’të
deri n’pafundësi,
përgjithnji,
për me u ba dallgë
e me u përplasë,
e me u përplasë,
randshëm.
.
Brahaj - "Prej synit kam me t’ikë/ e n’fat me t’u ngulë..."
Brahaj – “Prej synit kam me t’ikë/ e n’fat me t’u ngulë…”

Jam Femën

Bijë e Zotit dhe gjanave që dita,
shtrigë pushtuese e ditëve tua.
Jam Lilita.
 
E etun për me pa e me ditë
pse ngat teje erdha.
Jam Eva
 
E mallkueme për me qenë e bukur,
e kët’ bukuri vet mos me e shiju.
Jam Helena,
për t’cilën ke luftu.
 
T’mallkoj farën e veten e vras,
veç për me qenë puthja te buza.
Shkatërroj andrrën tande se jam Medea.
T’ngrij e t’baj kallkan se jam Meduza.
 
I jap kuptim pritjes,
kaloj përjetësinë.
Jam Penelopa,
i vetmi vorr ku ti ke shpinë.
 
Çohem mbasi jam ba statujë kripe,
di me ecë për tehut t’dhimbjes.
Jam femen i jepem veç vetëtimës.
 
Krejt zjarmitë e rruzullit i ndez,
e di me vdekë veç për nji shikim.
Jam ajo që ke me dashtë me dëshpërim.
Shpirt e kurm mbulue me andrra
e Vërteta e jetës tande.
Jam Kasandra.
 
Jam femën,
për mu u përulen edhe perënditë.
Jam ajo që ka me t’dashtë
e kurrë s’ka me t’përkitë.
 
Jam krijesë e pambërrime duersh t’akullta.
Kam krejt ernat e parajsta n’gojë.
Kam krejt tundimet toksore n’kurm,
m’ke nji natë t’jetës tande t’shkurtë
e m’sheh me drojë,
për me m’lypë mendej me ngulm.
Jam sirenë e fundit t’gjakut.
Prej synit kam me t’ikë
e n’fat me t’u ngulë,
me t’ardhë hakut.
 
Jam femën.
N’ditën tande jam drita,
n’shpinë tande jam zjermi,
n’shtratin e shpirtin tand dashnia,
n’natën tande vetmia,
n’trishtimin tand arsyeja,
n’luftën tande kauza,
n’artin tand muza,
n’stinën tande jam ngjyra,
n’ty e n’krejt jetën tande,
Pasqyra.
 
Shkëputë nga “Çka nuk tregohet nuk ka ekzistue”
Manjola Brahaj - pastel Adriatik Baliaj
Manjola Brahaj – pastel Adriatik Baliaj

Jetshkrim i Manjola Brahaj

Manjola Brahaj, ka lindë në Tropojë më 1986. Ka krye studimet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, për Gjuhë shqipe dhe Letërsi.
Ka marrë gradën Doktor i shkencave në letërsi më 2017.
Ky angazhim ka ba që aktiviteti i saj shkencor si studiuese e letërsisë të shtrihet sa mbrenda edhe jashtë Shqipërisë me pjesëmarrje në konferenca të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.
Ka botue krijimet e saj në revista të ndryshme si mbrenda dhe jashtë vendit, ku mund të përmendim: “Jeta e Re”, “Mehr Licht”, “Obelisk”, “Poeteka”, “Illz”, “Urat” në Tiranë, në revistën “Kuvendi” në Miçigan, “Bitacora” në Meksikë, “Orizzonti” në Itali, në përmbledhjen Lyrik aus Albanien në revistën “Orte – Schweizer Literaturzeitschrift” në Zvicër, në antologjinë “Las femmes (se) racontent experiences dans les PECO” në Rumani, në Heamus plus Nr. 1, 2017, po në Rumani.
Asht autore e librit me poezi “Vajtimi i Kalipsosë”, me të cilin fitoi çmimin kombëtar “Migjeni”, në konkursin për “Çmimet Kombëtare të Letërsisë” të vitit 2010.
Në dhjetor 2012, vlerësohet me çmimin e parë në konkursin mbarëshqipëtar organizue nga “Klubi Zahiri” me poezinë “Anima”, si poezia ma e mirë e publikueme në internet.
Po në vitin 2012, vlerësohet më çmimin “Rrahman Dedaj”, organizue nga shoqata Prokult në Podujevë, me poezinë “Largsitë”.
Në 2013, boton nji cikël me poezi në “Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës”, realizue nga Klubi letrar “Gjon Kazazi” dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe artistëve, Tropojë.
Në qershor të 2014, ka botue librin e saj të dytë me poezi “Na nuk jena t’ktuhit”.
Në korrik 2015, asht vlerësue në konkursin “Tra un fiore colto e l’altro donato” dhe botue në revistën “Orizzonti” poezia “Metamorpohosis”.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.