back to top
4.5 C
Tirana
E enjte, 19 Dhjetor, 2024

“E puthura” e Mihal Gramenos, një histori e trishtë dashurie – nga Bujar Meholli

Gazeta

Mihal Grameno (1871-1931)
Mihal Grameno (1871-1931)

“E puthura” e Mihal Gramenos, një histori e trishtë dashurie

nga Bujar Meholli

Letërsia shqiptare e Rilindjes, pjesë e së cilës është Mihal Grameno lindi dhe u zhvillua e pandarë nga lëvizja politiko-shoqërore e kulturore për çlirim të vendit nga zgjedha e huaj. E nisur nga mesi i shekullit XX, ajo do të arrijë deri te viti 1912, dhe do të quhet Rilindja Kombëtare.
Kryesisht nëpër veprat që u shkruajtën gjatë kësaj lëvizje, temat janë patriotike, me frymë popullore, duke bërë që vend të veçantë të ketë dashuria për atdheun dhe popullin, e kaluara historike dhe mëtimi drejt çlirimit kombëtar e shoqëror.
Kjo letërsi, kishte drejtim iluminist në fillim, e më vonë në të, do të shfaqen edhe vepra realiste, por që në thelb, do të mbetet letërsi romantike. Në këto vepra letrare, janë të shprehura idealet e larta kombëtare, malli dhe dashuria e zjarrtë për atdheun; po ashtu një vend të rëndësishëm zë e kaluara e lavdishme e popullit tonë, në të cilën vazhdimisht thirren rilindasit tanë, e poashtu edhe në ëndrrën e madhe për ta parë Shqipërinë të lirë dhe të pavarur. Jeronim De Rada, është padyshim figura më e shquar e kësaj periudhe, i pasuar nga Naim Frashëri, Ndre Mjedja, Andon Z. Çajupi, Gavril Dara i Riu, Mihal Grameno, e të tjerë…
Mihal Grameno, është njëri ndër emrat që ka dhënë shumë për Pavarësinë e Shqipërisë, qoftë me penë, qoftë me armë. Ai mbetet njëri nga rilindësit më të mëdhenj, përsa i përket ideve të tij, patriotizmit të madh dhe luftës që bëri për liri. I lindur më 13 janar të vitit 1871 në Korçë, Grameno, do të bëhet rilindas i paepur dhe i vendosur për lirinë e vendit të tij; ai qe pjesëmarrës në çetën e Çerçiz Topullit – ku do të kontribuojë edhe me shkrimet e tij; kjo çetë që në fillim ishte e vogël, do të rritet dhe do të bëhet krenari dhe flamur lirie i shqiptarizmës.
Krijimet e para të tij, do të zënë fill në fillim të shek. XX, ku do të shkruajë poezi patriotike, të cilat do të përhapen gjerësisht në popull. Ai bëhet i njohur si figurë letrare në vitin 1903 me poezinë atdhetare Vdekja, derisa vazhdon me pjesë teatrale dhe pastaj edhe me tregime.
Mihal Grameno ishte intelektual poliedrik; luftëtar-rilindas-shkrimtar-publicist ndër më të shquarit. Grameno është padyshim autor novator në letërsinë shqipe, sepse qe ndër të parët që nisi të shkruajë novelën e gjatë, që s’ishte lëvruar më parë.
Oxhaku konsiderohet si novela e parë e gjatë në letërsinë tonë, e shkruar mes viteve 1904-1905, pastaj Varri i pagëzimit (1909) dhe po e të njëjtit vit “E puthura”.
Kështu, Grameno do të bëhet përfaqësues i anës së vendosur demokratike të lëvizjes sonë kombëtare; në shkrimet e tij, ai do të godasë ashpër pushtuesin osman dhe armiqtë tjerë të çështjes kombëtare – klerin reaksionar grek, pseudo-atdhetarët, e feudalët të cilët do t’i tallë e do t’i quajë honxho-bonxho.
Nëpër shkrimet e tij, do ta hasim kudo simpatinë për vegjëlinë, pra për popullin, që sipas Gramenos ka rolin kryesor në fatin e kombit. Kemi besim te varfanjakët, dhe kjo opingë është shtylla dhe shpresa e kombit tonë, do të shkruante ai. Novelat e Gramenos, do t’i hapin rrugën romaneve të para shqipe; në të gjitha novelat e tij, do të trajtohet çështja e parabazisë shoqërore që është e destinuar të jetë burim fatkeqësish për shoqërinë.
E puthura është njëra ndër novelat më interesante në letërsinë tonë, e shtypur në shtypshkronjën Mbrodhësija të Kristo Luarasit më 1909, në Selanik. Autori e quan roman dramatik, dhe ia kushton mikut të tij, poetit të njohur Hilë Mosit. Kjo novelë përmban një histori dashurie, të ndarë në pesë kapituj, midis dy të rinjve që janë pjestarë të ndryshëm të klasave shoqërore; ngjarjet e kësaj novele zhvillohen në vitin 1815, dhe vendosen në Korçë; ato shquhen për shumë përshkrime të zakoneve vendore të asaj kohe. Novelën e përshkon gjuha e thjeshtë, me qëllim të autorit, që të depërtojë sa më lehtë tek lexuesi shqiptar.
Në fillim të kësaj novele, kemi të bëjmë me një dasmë të madhe. Risto Vanezi, marton të bijën Margën, që është edhe personazhi kryesor, rreth së cilës vërtitet e gjithë ngjarja. Marga martohej me Kolon e Zaros; ajo qe 21-vjeçe dhe nga rrethi konsiderohej e moshuar, pse vajzat zakonisht martoheshin që në moshën 16-vjeçe. Për këtë gratë tjera dhe rrethi e paragjykojnë – deri dhe e nxjerrin të sëmurë, e të paaftë.
Rrëfimi është krejt i thjeshtë, pa komplikime, dhe lehtë i kapshëm për lexuesin; spikat përshkrimi i personazheve me pak fjalë, që është mjeshtëri e Gramenos. Në vazhdim të novelës, kemi përshkrimin e Margës, si vashë aq e bukur saqë vetëm një artist i madh si Rafaeli – sipas autorit, do mund t’ia përshkruante bukurinë e saj.
Për shkak të asaj bukurie, shumë vetë ia zinin derën prindërve të saj, dhe e kërkonin kur ajo ish 16 vjeçe, por ata nuk donin ta martonin, derisa Kolo, që kish ëndrruar të jetë burri i saj si shumë djem, ndjehet i lumtur dhe me fat karshi shokëve pasi së fundmi ia del ta marrë Margën. Por, Marga, vuan thellë në brendësi të saj, dhe qesh e hiqet e lumtur vetëm sipërfaqësisht. Gjithçka ish përgatitur kur gratë vejnë ta marrin nusen, por atë e gjejnë të shtrirë, dhe të vdekur. Të lemeritur, askush s’kupton se ç’kish ngjarë. Në dasmën e madhe, që përshkruhet në pjesën e parë të novelës, na shfaqet një burrë të cilit s’i kushton askush vëmendje – meqë s’e njeh askush.
Në pjesën e dytë të novelës, autori na kthen në retrospektivë para shtatë vjetësh, për ta kuptuar shkakun e kësaj tragjedie; pse Marga s’mundi të martohej me Kolon, rrjedhimisht i mori jetën vetes, dhe pse burri i shfaqur në dasmën e saj, në fakt qe shkaktari kryesor.
Paraprakisht, Miti, ishte djaloshi që e kish dashur Margën. Atëherë si 18 vjeçar, ai dukej i bukur, dhe i pashëm. Marga i takonte shtresës së pasur; shtëpia e babait të saj Risto Vanezit ishte e bukur, e ndërtuar simbas modës së fundit të asaj kohe karshi shtëpisë së varfër, ku banonte Miti me të ëmën e tij.
Në të ri të tyre, ata takohen, dashurohen dhe i betohen njëri-tjetrit. Miti i vobektë, rrinte në shtëpi të saj aq shumë, saqë familja e saj e konsideronte si anëtar të tyre. Megjithëse e donte aq shumë, ai e ndjente veten si të padenjë për të, mirëpo zjarri i madh i dashurisë i kish prek zemrat e dy të rinjve, dhe mu këtu fillon thurja e konfliktit të novelës.
Në vazhdim, kemi të bëjmë me raportin nënë-djalë, kur ky i fundit vendos të mërgojë për të mirën e nënës së tij dhe të Margës, e cila vuan, sepse për një kohë nuk shihen. Ajo aludon se ai qenkëshka dashuruar me ndonjë tjetër. Është pikërisht standardi jetësor, që i ndanë këta dy të rinj, ngaqë Miti detyrohet të mos shihet me të, për shkak të planeve që bën për të mërguar në mënyrë që t’i bëhet asaj partner i denjë.
Në këtë pjesë kemi edhe dialogun e parë të gjatë në novelë, mes dy të rinjve, të cilët së bashku e kalojnë natën – duke shfaqur idetë dhe ëndrrat e tyre; Miti i tregon asaj se do ta lërë Korçën dhe arsyet pse do ta bënte këtë. Kështu ndahen të vrerosur, por të dashuruar thellësisht; dhe këtu kemi edhe puthjen e parë para ndarjes, puthjen që do të vendosë për fatin e tyre… Qëndrimi i tyre bashkë gjatë natës, përshkruhet qartë e thjeshtë, në këtë pasazh të bukur:
“Hënëza, që ishte dëshmitare edhe ndritte për mbi ta, mund t’i tregonte lotët e tyre që derdheshin çurkë si lumë edhe atë orë, kur të mahnitur u ndodhën të përqafuar! Buzët u përpoqën pa dashur dhe nuk guxonin të ndaheshin prej njëri-tjetrit, po të mos këndonte këndezi që tregonte se afroj ora për t’u ndarë. Kur u shkëputën të dy mbetën të turpëruar nga e puthura, e Marga krejt e skuqur ia shtrëngoj dorën të dashurit…”
Dhe, para ndarjes kemi këtë dialog emocional mes Margës dhe Mitit, të cilët i mbush plot jetë dashuria që kanë ndaj njëri-tjetrit:
“-Udhë të mbarë Miti im i dashur! Perëndinë paç ndihmë dhe mbrojtës nga të gjitha të ligat dhe ai për së shpejti të sjelltë prapë. Sa për këtë natë, do ta mbaj mend për sa të rroj, se është më e lumtura e jetës sime; andaj kurrë nuk do të pres të tjera buzë përveç buzëve tua!
-Edhe mua Margë, yll i dashur, dashuria jote ma forcon zemrën tani që të punoj pa reshtur, edhe vdekja do të jetë më e ëmbël për mua, se sa rrojtja pa ty; andaj betohem, që kurrë s’do ta harroj këtë natë, po shpresoj, që së shpejti do të të vij pranë.
U puthën për të fundit herë, e duke qarë me mallëngjim të madh u ndanë!”
Dy të rinjtë, janë të vetëdijshëm se në Shqipëri për martesat e tyre vendosin prindërit; këtu shfaqet kundërshtia e autorit ndaj këtij zakoni, duke anuar kah liria e vendimmarrjes tek të rinjtë – ai sulmon patriarkalizmin shqiptar, dhe kufizimet absurde që i lëndonin ndjenjat dhe i rrënonin ëndrrat e tyre.
Vështirësive të të rinjve, u shtohet edhe dallimi klasor përveç atij zakonor – pra, këtu kemi të bëjmë edhe me konfliktin e moçëm në mes të klasave – i pasur, i varfër. Autori dëshiron ta ngre lartë vajzën shqiptare përmes personazhit të Margës, e cila edhe pse e re, shfaqet e pjekur në mendime; ajo e kupton situatën në të cilën ndodheshin, dhe e miraton vajtjen e dashnorit të saj në mërgim, duke uruar dhe shpresuar të kthehej shpejt dhe të martoheshin.
Vajtja e Mitit në Rusi, do të përmbys gjithçka – ai me kalimin e kohës do t’i hyj një jete të re, krejt të shturur. Kështu do t’i harrojë për fare detyrat e tij ndaj nënës dhe të dashurës. Si lajmet e mira që përhapeshin kudo për të një herë e një kohë, poashtu do të përhapen edhe lajmet e këqija në gjithë Korçën se, Miti, kish devijuar, bënte jetë të trazuar, dhe merrej kudo shembull për të keq. Kur turpi dhe nderi i mungojnë njeriut – sipas Gramenos, ai është i destinuar të dështojë. Miti kish ndryshuar krejtësisht, tani kish fytyrë të lodhur, dhe bukuria djaloshare i qe venitur. Nëna i kish vdekur, teksa ai kthehet te vendi ku para shtatë vitesh ikte me njëmijë shpresa e ëndrra, e ish njeriu më i lumtur në botë – tani, shëmbëllente me një skelet të gjallë në mes të njerëzve, dhe s’njihej nga askush. Marga e dashuruar sinqerisht në të, e priste me vite, dhe shpresonte, derisa u sigurua se përnjëmend ai e kish harruar dhe vendosi të martohej.
Në ritakimin e tyre pas një kohe të gjatë, Miti i kërkon falje asaj me zemër të plasur, duke i uruar gjithë të mirat; por Marga, e cila e donte po njëlloj si në fillim – nuk pranon ta marrë emrin si gruaja e Kolos, andaj i merr jetën vetes, për shkak të asaj puthjeje të ëmbël, hidhësinë e së cilës e shijon mu në martesën e saj, pas sa e sa kohësh… Fundi i novelës “E puthura” pra, është tragjik; vdesin dy të rinjtë dhe varrosen afër njëri-tjetrit. Në këtë novelë, pasqyrohet me nota sentimentaliste jeta e vegjëlisë shqiptare si dhe brengat e tyre të përditshme, me të cilat ata përballeshin.
Novelat e Mihal Gramenos, në përgjithësi kanë natyrë sentimentale, që ta kujtojnë Antuan Fransua Prevonë. Në këto novela, autori bën përpjekje për të krijuar mjedise të besueshme shqiptare – derisa vendos që personazhet e tij të jenë nga klasat dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë së asaj kohe – edhe novela “E puthura” përmban në vete personazhe nga shtresa të ndryshme shoqërore. Simpatia e autorit siç thamë qëndron te populli, te njerëzit modestë; në këtë novelë nuk kemi ndonjë personazh negativ, përveçse sulmohet zakoni i vjetër shqiptar dhe sistemi politiko-social i asaj kohe, i cili dëmtonte të rinjtë – dhe ua vriste ëndrrat e tyre. Miti, është personifikim i djaloshit shqiptar të asaj kohe, i cili s’kishte mundësi të dilte dhe të shijonte jetën, andaj Mitit, që në rastin e parë që i vje të ndodhet në një vend të madh si Rusia, habitet, dhe jepet pas jetës dinamike, e cila e tërheq dhe i ngjallë interesim, duke ia përhumbur fare mendjen. Mihal Grameno, mbetet figurë tipike e kulturës së Rilindjes së vonë, me plot ndjenja romantike-kombëtare, e me një energji të jashtëzakonshme krijuese për ta ndryshuar fatin e popullit dhe për t’i mbrojtur të drejtat e tij; Grameno personifikon shkrimtarin-hero kombëtar, andaj gëzon simpati në të gjitha viset shqiptare. Me gjithë gjinitë letrare që trajtoi, Grameno, fitoi një vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe kryesisht si publicist dhe pamfletist, më pak si prozator. Por, proza e Mihal Gramenos ka një nivel të kënaqshëm artistik – asaj nuk i mungojnë përshkrimet dhe dialogjet e gjalla me përplot emocion. Ai mbetet njëri ndër zërat më të veçantë në letërsinë shqipe, me format e reja që solli dhe i kultivoi, me prodhimtarinë e tij të pasur në shumë zhanre, duke nisur nga poezia, novela, pamfleti, drama, e të tjera.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.