back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

E qeshura e Poetike e Panit Plak nga Kozeta Zylo

Gazeta

Pano Taçi (13 tetor 1928-13 qershor 2012)
Pano Taçi (13 tetor 1928-13 qershor 2012)

E qeshura e Poetike e Panit Plak nga Kozeta Zyko

Në përkujtim të poetit Pano Taçi!

E ndjej nga larg, nëntë male kaptuar me oqeanin në mes, që kafe “Europa” do të heshti gjatë nga mungesa e së qeshurës tënde të shkujdesur… Kishje të qeshur poeti! Sa larg janë të tjerët nga e qeshura tënde, Poet! Edhe pse brenda kishje mijëra dhimbje, përsëri në çdo ind të tyre çelnin sythe mirësie. Për gjysmë shekulli ta kishin kyçur fjalën brenda në kafaz, brenda kangjellave të zeza, por sytë e t’u kuvendonin me bilbilin që ulej me këngë vaji mbi një degëz qershize përreth.
Poeti ja kthente me grykë nën zë dhe përcillte hallet e dertet qysh i ri mbi kitaren e tij poetike.
E hodhi pushkën në krah për Lirinë, pa iu dridhur qerpiku përballë fashizmit. Ai u rrit me ninullën e gjyshit që iku larg, larg si shumë të tjerë që iknin… dhe që vazhdojnë të ikin papushim… Gjyshi plot kulturë i la në ninëzën e syrit dashurinë e përmallshme dhe u bashkua me Nolin në Boston, të cilët sot janë pranë e pranë në varrezë, gjer në përjetësi.
Sa herë shkoja në Tiranë do ta takoja poetin lirik së bashku me botuesin e mirënjohur z.Spiro Dede të cilët ishin miq prej kohësh, dhe Panoja sa vinte nxirrte nga xhepat copa letra të zhubravitura dhe fillonte të lexonte, në fakt nuk lexonte ai interpretonte si një aktor i lindur poezi të shkruara mjeshtërisht nga mendja e tij.

Behar Gjoka – Kozeta Zylo – Pano Taçi

Poezitë e tij si këngë prekëse dhe të ëmbla hidheshin si dallgë ndër ne dhe bëheshin ura miqësie ku kuvendonim pambarim. Ishin më së shumti poezi për ne të ikurit që shkonin me një kafe të ëmbël poetike, me një poet që thinjat mbi krye i dukeshin si vargje të kaltra!
Ndërsa gishtat tanë si lexues digjeshin nga shfletimi i fletëve të zjarrta të librave që na dhuronte me aq mirësi. Kurse metaforat pushtonin hapësirën e trurit me brengat dhe fatin e një poeti që ja nxirosën jetën, por vështrimi i tij diellor zbardhte muzgun e qullosur në gri.
Ti ike, ike poet, largësia s’më la të vendosja një lulëkuqe mbi Pegasin tënd, (motorrin e vjetër që e mbajte gjer në fund të jetës). Ti fluturoje si erë hipur mbi të dhe thinjat të dukeshin si degë ulliri nëpër re të bardha. Le ta çojnë në Muze Pegasin tënd, se të marrët, grykësit e Atdheut si fantazma të shekujve s’të dhanë qoftë dhe një copë strehë, ku të kthehej si një pelegrinazh për lexuesit e shumtë që të respektonin dhe të donin çiltërsisht.
Drama tënde nuk ka fund, ajo kullon dhimbje. Të ndan nga biri i vetëm çmendurisht, ndaj ndoshta, ndoshta ike me një curilë loti të ngrirë kallkan në faqe, që kthehet në qefin të bardhe për brengën. Liria tënde e kaltër lindi nga dhimbjet, si bijëza e Hënës nazike, që asnjë nyje litari s’të mbyti dot… në mbrëmjet shurdhane…
Por ti poet je kudo, je pas zërit të vargut lirik, erotik, dashurisë njerëzore si edhe për romët të sjellë në poezinë: O Zot më bëj kurbat

Romi bën hapa ta marrë/ T’i puthë gjinjtë pas një gëmushe/
Ata gjinj për ç‘kanë nektar/ E nishani i asaj gushe/
Oh, o Zot, më bëj kurbat/ si gaxho nuk jam qibar/
them se do të jem me fat/ kur romen për shpirt ta marr…

Duke lexuar këto vargje menjëherë të vjen ndërmend Frederiko Garcia Lorka, një nga poetët më të mëdhenj të Spanjës në shekullin e XX-të, i cili ciganet i quante mjellma të zeshkëta që notonin në liqen… dhe më tej:

“Ç’janë puthjet e përflakura ti s’e di
Puthjet e përziera me heshtje të thellë nate
Dhe me zhurmën e turbullt të ujit që rri…”

Ciganja - Pikture
Ciganja – Pikture

Ndaj ai pohon se një vend që s’ka cigane s’ka liri! Edhe në poezinë “Eja mike” autori shkruan:

Sa herë vjen çapkëni prill/ çapkëne më bëhet shpresa/
brezin nga mesi ia zgjidh/ malit, t’ia bëj rrëkeza/
Bredhi si qiri argjendi/ na rri nën tyl të mjergullës/
prill çapkëni, lisin çmendi/ kur gjirin ia puth pjergullës/.

Poeti s’u pajtua kurrë me të keqen, ai luftoi gjer në fund me vargun e tij aq tronditës si në poezinë “Ik e jak”:

Ju them: me ç’di, unë kam vdekur/ Po që të vij te ju kam frikë/
Se do më tallni për ç’jam përpjekur/ Që të gjallin, Lëkurëdjallin/ S’e bëra mik.

Poeti ndihet pas melodise së ujit të burimeve, dashurisë së gjyshit aq atdhetar i ndjeri Zoto Taçi, ish bashkëpunëtor i Nolit, që tani janë duke u përqafuar në krahët e bardhë të njeri-tjetrit si shpirtra të moçëm me etje 70 vjetësh pa u parë…
Dhe papritur duke ardhur në imagjinatën time më kujtohen vargjet në poezinë “Tu mirë mbeç, mëma ime”, me motiv arbëresh botuar në librin “Metafora e Diellit” nga poeti i shquar i Kombit, Agim Shehu. Dhe ja disa nga ato:

“Plugu i drujtë i varkës/ çante me pikëllimë/
të kaltrën fushë të detit/ këngët e refugjatëve/
mbi ujë hapte puhija/. Pëlhura mbi katarte/
fryhej nga kujet, zhurmat/ të bardha si flamurë/
shpalosur nëpër erë/ Kështu të parët tanë/
nga brigjet e Himarës/ për nën kurorë të ullinjve/
me një dafinë malli/ qafuar nëpër xhepe/
mërguan përtej detit.

Duke e lexuar këtë poezi zgjohet malli i fjetur në sa e sa breza këtej dhe matanë detit…
Me siguri kur mbylle sytë përgjithmonë në spital, vetëtimthi mbi ballin tënd fisnik si me magji do jetë shkruajtur “LIRIA”, si lule bozhur Kosove, që ta preknin dhe ndjenin njerëzit në përcjelljen me nderime për në atë botë, se në botën e gjallë të vdekurit të kishin lidhur fizikisht me zinxhirë pranë arkëmotit të tyre, por jo shpirtin tënd, ngase ai fitoi pavdekesinë, përjetësisht.
15 qershor, 2012
Staten Island, New York
Botuar në gazetën “ILLYRIA”
Titulli nga radiandradi.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.