back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

E thërret gjaku – (Tregime Uberi) – nga Mustafa Xhepa

Gazeta

Muç Xhepa
Muç Xhepa

E thërret gjaku – (Tregime Uberi)

nga Mustafa Xhepa

Më përlote Muç Xhepa!
Po a e di ti, sa të donte Ai ty?!!! E të vlerësonte.
Unë, prej tij të njoh… Prej bisedave rreth tryezës n’ato pak fundjava.
Të fala babës e Idës. Ju përqaf!
Hortensia
 
Është dita e njëzetenjëtë. Mbyllur. “Stay-at-home order”. Njoftimi i tretë i Uberit: “Pranoni kërkesën e udhëtarit Harold. Ai është duke pritur te spitali ‘MedStar Washington’”. Një dorë qiellore më ngre nga vendi. Jam duke lexuar jetën e Olimpias, mbretëreshës me flokë të kuqërremë, si temperamenti i saj i zjarrtë. Gjak shqiptari. Nisem duke u lutur që të mos sjellë me vete “Virusin Kinez”, kur të kthehem. Kam prindërit të moshuar. Babai me humor thotë se po ngjit katin e dhjetë. E la pas nëntëdhjetën. Pranë hyrjes së urgjencës heshtje varri. Ora dhjetë e natës. Haroldi ulet në sediljen prapa. Nuk përshëndetemi me fjalë. Pikëzat e pështymës janë të frikshme, përhapin virusin thonë. Udhëtojmë në heshtje. “Physician Assistant, Harold”, shkruhet në bluzën e bardhë. Ndeshemi me sy në pasqyrë. I ka të lagura. Tund kokën. Gjë e rëndë i ka ndodhur. Hap kroskotin dhe nxjerr maskën n-95. Më bën shenjë ta vendos, ndërsa vetë s’ka. Ul xhamin dhe kthen fytyrën në drejtimin e dritares.
-Të më falësh, na kanë mbaruar, uleni edhe ju xhamin. Të bëjë korrent. – Erë e ftohtë fillon të futet me vrull.
-Punoni në…?
-Jo këtu. Në spitalin “Holy Cross”.- Heshtje. Avenyja “Georgia” është kthyer në rrugë fantazmë. Reklamat kanë ditë që janë shuar. Këmbë njeriu nuk shihet.
-Duhet të keni kujdes për veten. I zë të tërë. Unë humba të dashurën sot.- Lejon lotët t’i shkasin.
-Më vjen shumë keq!
-Vrasës i fshehtë. Të rrëmben dashurinë, jetën… gjithçka.
“Armik i padukshëm e quan edhe presidenti Trump”, them me vete.
“Na kanë rrëmbyer historinë… dashurinë, të tëra…”! Turfullon Bardhyl Narazani. Jemi duke pirë kafe në verandën e hotel Skampës. Sapo është kthyer nga Selaniku. I ftuar. Një e huaj, e bukur, ra në dashuri marrëzisht me të. Aristokrate, e pasur…
.
Qyteti i Elbasanit
Qyteti i Elbasanit
Vjeshtë. Mbrëmje. Në derën e zyrës së hotel Skampës u shfaq Irene Papas – flokët e zeza, valë-valë, i kishte mbledhur prapa. Ato dallonin fort në fytyrën e saj të bardhë si dëbora. Vetullat harkore, sikur t’i kishte vizatuar me thëngjillguri piktori i madh amerikan “John Singer Sargent”, ngjiteshin lart syve të zinj, të shkruar, ndërsa hunda ilirike, me majë në fund, qëndronte në harmoni me buzët e plota, të trëndafilta.
“…jam shqiptare… Peloponezi është përplot me shqiptarë”, tha aktoria e madhe Irene Papas. U tronditën rrëmbyesit. S’kishin lënë skenë të botës pa u mburrur me bukurinë e saj. I kishin ngjitur dhe emrin e lashtë që ia kanë atribuar vetes. I gënjeshtërt. Por, mbretëresha magjepsëse guxoi, e tha. E thërriste gjaku.
Esheref Zagoriçani, Kryetari i Shoqatës së të Dënuarve dhe Persekutuarve Politikë, Dega Elbasan dhe Emin Haxhiademi, Kryetari i Bashkisë, Elbasan, vështruan nga unë. Pritën që t’i njihja me të huajën. I goditur prej nimfës që futej si në shtëpinë e saj, nuk po dija ç’të bëja.
-Ju prezantoj me Eudorën. – Na u drejtua Ndriçim Allai, Kryetari i Komintetit Ekzekutiv, Elbasan, i cili e shoqëronte.
-Ka ardhur të shohë metalurgjinë. Të investojë.
Ajo zgjati dorën. E shtrëngova butë… gishta të hollë, të gjatë, me thonj të manikyrtë në gjyrë manushaqe… të parfumosura… “O Perëndi, ç’dhuratë na solle”? – Them nën zë. “Eudora! ‘Dhuratë e mirë’ – edhe kuptimi i emrit të saj”!
-Mirësevini! – Afrova karrigem. U ul plot elegancë. Çimi në anën tjetër të tryezës.
Zyra kundërmonte erë duhani. Tavllat ishin me hi. Thirra kamerieren. I pastroi shpejt dhe mori porositë. Zonja kërkoi çaj kamomili, ne të tjerët kafe.
-Eudora ka jetuar në Londër, – Çimi u drejtua nga unë. – Do t’na bësh përkthyesin. Nisi të flasë për qytetit, ndryshimet, mundësitë për zhvillim… Ajo dëgjonte me vëmendje. Herë-herë buzëqeshte. Në një moment kërkoi të dinte rreth jetës së Esherefit dhe Eminit. Esherefi në fillim nguroi, por ajo këmbënguli. Ashtu si i zënë ngushtë Esherefi i tha se s’kishte ç’të tregonte; jetën e kishte kaluar në burg e internim. Që nga 45-sa.
-Ja më shikoni! I vetëm. Pa familje.
-Mund t’ju pyes përse kaq gjatë? – Rrudhi vetullat.
-Klasë e përmbysur.
-Ashtu! Tani duan të bëhen vetë… si ju… dikur. – Sytë e zinj, të shkruar, më vështruan ngulazi.
-Dhe na thërrasin… ne klasën armike që t’i pasurojmë. – Shtoi me ironi.
Shaminë e bardhë, të mëndafshtë, e vendosi pranë syve. Ajo u njom. Çimi ndërhyri të ndërronte bisedë. Gjendjen e rëndë.
-Më falni! Prekem lehtë, vitet po bëjnë të tyren. Dyzetvjetorin e festova dje në Tiranë. Me miqtë në ambasadë. Sot, erdha këtu, Elbasan. Më priste… – vështroi nga Çimi.
-Ju lutem! Zoti Kryetar i Bashkisë, dua të di edhe për ju… nga jeta juaj!- Tha me zë të dridhur.
Sikur të parandjente diçka të rëndë. Afroi karrigen pranë tij. Emini uli kokën. Heshtje.
-Ju lutem! – Ngulmoi.
Emini ndezi cigaren tjetër, pa shuar atë që kishte në dorë.
-E kam të vështirë. Nga ta filloj.- Fliste me vete.
-Mirë atëherë, po ju tregoj një episod. – Nxori tymin e cigares. Ai i mbuloi fytyrën që ende ruante gjurmët e babait. Dramaturgut të madh, Et’hem Haxhiademit. Klasicisti i letërsisë shqipe.
-Vazhdon të më djegë. Plagë… nuk mbyllet, kurrë. Më ndjek… përvëlon. Edhe në gjumë.
Dora që mbante cigaren filloi t’i dridhej.
-E morën babanë. E mbyllën pas hekurave. Duart që kishin shkruar libra… drama, tragjedi… ia shtrënguan me pranga, – zëri iu përlot.
-U shua në burg. E vranë kur e kishte mbushur dënimin. E prisnim të dilte. Të gëzonim. – Uli kokën. Edhe unë që e përktheva, m’u mblodh një lëmsh në grykë. Më mori frymën.
-Morën edhe nënën. Mbetëm vetëm. Ishim të mitur, pa njeri… më falni! – E kapën emocione të forta. Nxori shaminë. Fshiu lotët.
-Motra e madhe, fëmijë edhe ajo, na mori me vete. Vajtëm te shtëpia e një njeriu me pozitë. Ish nxënës i babait. Të lejonte nënën të kthehej në shtëpi. – Përpiqej të mbante lotët.
-Trokitëm në portë. Doli. Ai vetë, pushtetari.
-Ç’kërkoni? Kthehuni! Do ju dërgojmë në shtëpinë e fëmijëve. Të rriteni si revolucionarë. Jo si armiq.
Eudora u shkund nga vendi. Sytë iu zmadhuan. U tmerrua.
-Na përzuri… Do ta shkruaj. Të tërën. – Koka iu këput në krahëror.
Eudora fshiu lotët.
-Sa kam dashur të kem fëmijë! – U ngrit nga vendi. Edhe Çimi.
-Më falni! Më falni!
U afrua pranë Eminit. E përqafoi. E gjatë. Elegante. E një bote tjetër. E shtrëngoi sikur ta kishte babanë e saj dhe iku ashtu siç erdhi, plot nur, magji. Nimfë.
-Sot do të martoheshim. – Haroldi kthen kokën, shihemi në pasqyrë. Sytë i ka të enjtur. Duhet të këtë qarë shumë.
-E priste me padurim. Kishim gjashtë muaj që bënim plane. Ëndërronim.- E vështroj me keqardhje. Dua ta pyes për emrin.
-Dy gëzime bëheshin bashkë. Edhe Diploma. E rrëmbeu… vrasësi.
-Universitetin?
-Dhjetë vjet në universitetin, “GW School of Medicine and Health Sciences”. – Psherëtin.
“Edhe atje, kur mendon se jeta rrjedh si në vaj, – them me vete, – gjendet virusi kinez që të rrëmben gjithçka. Djalli”.
-Përse duhej të krijonin një virus që shuan jetën e çdo gjëje të gjallë? – Flet me mua, por duket sikur pyet veten.
-Edhe kafshët? – Pyes i tronditur.
-Edhe kafshët. Është e provuar. – E thotë ashtu i zhytur në dhimbjen e vet.
Sot paradite në shtëpi trokitën dy të rinj. Ofruan ndihmë. Ishin me maska në fytyrë. Pjesa e sipërme kauçuk i tejdukshëm.
-Keni kafshë shtëpiake? – U thashë jo. Mendova se po kërkonin të përfitonin nga situata.
-I grumbullojmë për t’i mbrojtur. Sa të kalojë virusi. Ua sjellim prapë.
-Faleminderit për mundin! – U larguan plot mirësjellje. Dhe ja tani, Haroldi thotë që edhe kafshët.
Esherefi dhe Emini kishin pak që ishin larguar, kur Çimi më mori në telefon.
-Eudora do qëndrojë në hotel sonte. Përgatit dhomën e gjermanëve. Pas një ore jemi aty.
Dhoma e gjermanëve ishte hyrja në katin e dytë. Ndryshe nga të tjerat. E përshtatur për të huaj. Një çift gjerman kishte qëndruar gjatë. Po ndihmonin të përfundonte Metalurgjia e Zezë. Kinezët e kishin lënë përgjysmë. Dhuratën helmatisëse. Kishin ikur.
-Ah, se mos harroj! Nëse kërkon të dalë për një xhiro, gjeje kohën dhe nxirre!
-Çimi! Jam i zënë, por po lajmëroj “bishën” ta argëtojë. – Në anën tjetër të telefonit u dëgjua e qeshura e Çimit.
-Je i madh! Nuk ka zgjidhje më ideale. Lajmëroje “bishën”!
Ashtu e thërrisnim mes nesh Bardhyl Narazanin. Ai qeshte. Djali i farmacistit, Kiço Shqaut, ia ngjiti me përkëdheli, Flori. Kiço mik i familjes sime, fqinj i hershëm me gjyshin, më kërkoi t’i ndihmoja djalin e vogël në anglisht. Florit filloi t’i pëlqente gjuha angleze dhe mësimi u kthye rregullisht dy herë në javë. Bardhyli banonte një kat poshtë Kiços. Në njërën nga vizitat, që ishin jo të rralla, i mërzitur Bardhyli shpërtheu me indinjatë: “Sikur ‘bisha’ ta kishte ngrënë edhe këtë palaçon, Ramizin”, fjalën e kishte për Ramiz Alinë, “s’do të kishte bërë keq”. Ramiz Alia i dukej krejt i paaftë dhe shumë i lig. Flori i vogël nuk e kuptoi për kë bëhej fjala; emërtimi “bisha” i tingëlloi si diçka e mirë, për një njeri të fortë, trim. Dhe, sa herë Bardhyli vinte për vizitë, Flori thërriste “erdhi bisha”. Bardhyli shkulej së qeshuri.
-Alo! – Bardhyli e kapi me vonesë. Dëgjoheshin zëra të tjerë në dhomë. Flisnin me zë të lartë. Ishin ndezur gjakrat.
-Duku nga “Turizmi” sonte, Irene Papas është duke të pritur! – U shkul së qeshuri.
-Kam Kiçon, të bën të fala!
-Bëji edhe ti të fala nga unë! Bardhyl, vish rrobat më të mira që ke! Nuk bëj shaka.
Bardhyli iu bashkua lëvizjes së viteve nëntëdhjetë që në fillimet e saj. Shkroi një artikull të gjatë në gazetën lokale, ku mbështeste ndryshimet që po vinin. Gjatë zgjedhjeve ’91-’92, mori pjesë aktive. Në anën progresiste. Pas ndryshimeve politike punoi në Komitetin Ekzekutiv, Sektorin e Bujqësisë. Shefi i atij departamenti.
Muzg. Xhiroja e mbrëmjes kishte filluar. Ndryshe. E rralluar. Një pjesë e madhe e rinisë ishin larguar. Eksodi Biblik. Eudora kishte dy orë që pushonte. Kur u kthye me Çimin, i premtova me të qeshur se do ta prezantoja me një artist të Hollivudid që jetonte në Elbasan.
-Me padurim! Dua të shoh edhe anën tjetër të jetës këtu. Dashurinë! – Tha e shpenguar. Nuk ishim mësuar ashtu.
“Bisha” hyri në hollin e hotelit. Flokët e prera shkurt, moda e viteve pesëdhjetë. Të krehura prapa. Me onde. Veshur mbante kostum gri, të blerë rishtazi. Çimi i kishte thënë me të qeshur se pantallonat i kishte pak të shkurtëra.
-Ashtu duhet të jenë, – i ishte pergjigjur, – të tregojnë çorapet, si xhaketa me jakat e këmishës.
Dyl Sula punonjësi i sportelit i telefonoi Eudorës. Ajo u shfaq te shkallët spirale të katit të dytë. Nimfë. Veshur me të bardha. Flokët i kishte lëshuar mbi supe. Të dredhura. Pardesyja mbi gjunjë i tregonte këmbët e drejta, zbukuruar me këpucë me takë të lartë, të bardha edhe ato.
“Bishës” i shkëlqyen sytë. Hapi duart. Ta priste. Ajo nxitoi. Nëpër shkallë. Kërceu.
-Grigori Pek! – Iu hodh në krahë.
Përshkojmë qendrën e qytezës, “Silver Spring”. Pak drita qëndrojnë ndezur. Të mendosh që një muaj më parë ishte imitim i vogël i “Times Square” në Nju-Jork. Kthejmë në të djathtë të avenyse “Georgia” dhe futemi në bulevardin “Belvedere”. Ndalojmë pranë një shtëpie dykatëshe, e ngritur mbi bulevard, me kopësht rrethuar me parmakë druri të bardhë. Drita e zbehtë e neonit në trotuar, e verdhë, pajetë, ndriçon shkallët që ngjiten deri te porta prej hekuri në hyrje. Haroldi bën me dorë të ndaloj.
-Ju faleminderit! Ruhuni!
-Edhe ju! Ngushëllime!
-Do ishte duke pritur… më hidhej në krahë. E rrëmbeu…
Ngjit shkallët, koka i këputet, këmbët i lëvizin ngadalë. Qëndroj. Humbet në shtëpinë e lënë pajetë.
Në tryezë bashkohet me ne Skënder Leka. Punon në hotel Skampa. Kur mora drejtimin e hotelit, Çimi erdhi vetë e më prezantoi me personelin; unë mora Skënderin si nëndrejtor. Jemi miq të vjetër. Nuk donte të punonte këtu. I sillte ndërmend kohën, kur turizmi ishte vend hetuesie, terrori e torture. Skënderi kaloi vite në Gulagun Spaç, pastaj edhe në internim. Porosit raki për të tre. Është e diel. Ditë pushimi. Pranverë. Veranda është e mbushur me të rinj. Fllad i freskët vjen nga pishat në anën tjetër të rrugës dhe ke ëndje të qëndrosh në verandë.
-Përse thua na i kanë rrëmbyer të gjitha? Ti e shijove qëndrimin në Selanik. Në hotel me emër të madh të vuri zonja. S’po futem te pjesa intime.
-Të tregoj ç’më ndodhi.
-Jepi “Xhaiç”! – Kur do që t’i drejtohet ndokujt me përzemërsi, Skënderi përdor emrin e një futbollisti të dëgjuar të kohës, “Xhaiç”. Rakia është e mirë, e dashur. Ndez bisedën.
-Më kishte rezervuar vend në hotelin “Makedonia Palace”, nga më të dëgjuarit atje. Buzë detit Egje, avenyja “Megalou Alexandrou”. Dielli po perëndonte kur arrita. Gjiri i Selanikut digjej në flakë. Deti dukej sikur të ishte lëng prej ari. Pa dallgë. Dorëtari me doreza të bardha përshëndeti në anglisht. Pyeti për emrin dhe më mori çantën.
-Zotëri ju prisnim! Më ndiqni ju lutem!
-E kupton ç’na kanë bërë? – Ndërhyn Skënderi – Kur dola për herë të parë jashtë shtetit vajta në Maqedoni. Sapo kalova kufirin sytë m’u mbushën me lot. Në anën tonë bari ishte tharë, pemët sikur t’i kishte rënë bomba atomike, ndërsa në anën tjetër, “Shuleve”, kështu i quanim dikur ne nga Pogradeci ata; bari mbulonte tokën si qilim. Pyje të tillë ekzistonin vetëm në përralla. – Skënderit i dridhet zëri.
-Morëm ashensorin. Në katin e tretë ndaloi: “Ju përpara zotëri”!
-Bëri me dorë të dal jashtë. Holli ishte prej mermeri shumëngjyrësh. Në ballë i tëri prej xhami, me pamje nga deti. Ndaluem te dera e suitës, buzëqeshi: “Zonja ju pret brenda”. Trokiti.
-Hyni! – Bardhyli kthen një gllënjkë.
-Xhaiç tani të ecësh në frenato! I duam të tëra! – Qesh Skënderi.
-Eudora e mbledhur me peshqir dushi më hidhet në qafë.
-Kujtova se të kanë ndaluar në kufi.
-Jam me pluhurin e rrugës…
-Grigori Pek më rrëmbe para se të shuhem. – Kthen një gllënjkë tjetër.
Bardhyli ka trup muskuloz, të gjatë, është marrë me disa sporte, më tepër me boks. Dimrin e shkon me këmishë dhe rrallëherë vesh xhaketë. Portreti i tij të sjell pranë Ilirët. “Ja si vazhdon geni”, them me vete. “Mbreti Bardhyl në ditët tona”.
-Darkën do ta hamë në ballkon.- Ishin në vaskë.
-Po të le të çlodhesh. Është banjo e dytë për mua dhe nuk më bën mirë për lëkurën. – Doli si një nimfë nga deti. Pizhamet ngjyrë qielli m’i kishte vendosur mbi krevat. Vetë kishte veshur robdëshambër të trëndafiltë, mëndafshi.
.
Uliksi dhe Penelope - Bekim Fehmiu dhe Irene Papas
Uliksi dhe Penelope – Bekim Fehmiu dhe Irene Papas
-Ti tregon dhe mua më duket sikur po shoh përseri filmin “Uliksi”. Producenti Dino De Laurentis thoshte se kishte vënë re që Irene Papas dhe Bekim Fehmiu flisnin me njëri-tjetrin në një gjuhë që askush rreth tyre nuk e kuptonte. Gjuha ishte shqip.
-Darkën do ta hamë në ballkon. – Ma tha shqip.
-Je shqiptare! – Thirra. Më vuri gishtin mbi buzë.
-Greke! – Dhe bëri shenjë se na dëgjojnë.
-Prandaj të thashë se na i kanë rrëmbyer të gjitha…

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Kurrë s’do ta harroj atë dorën që i ndizte ato cigare të menduara njana pas tjetrës… Sikur e shoh; në çdo çast e lëvizje ka përshkruar, unë jam e vetmja që e shoh krejt si ti… Sytë e tim Eti❤️… Ato të athershmet, dikur… E të Mijat, që gjithnji më treguan rrëfenja.
    I ka vënë nji titull përsihatjes së vet, në kët kohë epidemie – kur jeta asht rrëgjuë në t’tanë botën, që rrënqeth! Për sot kur kujtimet po ikin pa dhele ke koka, për dje, kur mbetën pa rritë.
    Përjetë në sy të vockla…
    Rrallë varej me dhimbje koka e tim Eti, ai qe i prerë; Ose i ngjyroste sytë me andrra:)…x
    Por ky, ka qene nji nga ato lloj takimesh.
    Sa mirë që e ka pasë nji gjë të bukur ky tregim. Nji nymfë si era. Sa mirë. Më vjen mirë.
    Ju falemnderit Muçi & Jozef.
    Për tryezën …
    Ndejta edhe unë 5 minuta e nji jetë me tim Atë që e kam mall.

  2. Një pështjellë kohërash ky tregim; tani që jeta është bërë edhe më e shtrenjtë, edhe më e brishtë…për të gjithë ne. Sesi kalon shkronjësi udhë më udhë e kohë më kohë; e shkon breg më breg… me nji brengë…
    Kurrë nuk do e harroj unë këtë tregim.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.