back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

E vërteta i ka gjitha ngjyrat bashkë… – nga Fatmir Keqi

Gazeta

Fatmir Keqi
Fatmir Keqi

E vërteta i ka gjitha ngjyrat bashkë…

nga Fatmir Keqi

Nji foto e Savrës së vitit 1958,
dhe një refleksion i shpejtë mbi katër librat e parë
të Veprës së Plotë të Lazër Radit.
.
Kjo foto është e vitit 1958. Shkolla fillore Savër, dhe unë në klasë të parë.
Me vështërsi e dalloj veten dhe pak mbaj mend nga të tjerët, vetëm se mësuesit e mi të klasës së parë, Ali Xhekën dhe Sadije Jukën i mbaj mend mirë.
.
Savër 1958, Shkolla Fillore dhe Mësuesi Legjendë i kësaj shkolle Ali Xheka
Savër 1958, Shkolla Fillore dhe Mësuesi Legjendë i kësaj shkolle Ali Xheka
E paraqes këtë foto të vitit 1958 të Shkollës Fillore Savër (katër klasët), mbasi këto ditë mbarova së lexuari “Triologjinë e jetës” së Lazër Radit, të cilin e mbaj mend vetëm si një figurë të respektuar, në ato vite të fëminisë sime në kampin e internimit në Savër. Gjithashtu e rilexova edhe librin tjetër të tij: “Ministri i hekurt – Mirash Ivanaj” dhe mendova të hedh ca shënime për këta libra që s’janë gja tjetër veçse e vërteta e thjeshtë e një jete plot sakrifica e lodhje, mundime e mendime, vepra dhe vuejtje që shumë nga shqiptarët i kanë kalue. Por a ka shije e vërteta, a asht ajo e bukur dhe e mirë apo vetëm e shëmtuar e dhimbshme dhe e papranueshme. Unë mendoj që e vërteta i ka të gjitha ngjyrat bashkë; të mirat e të këqiat që ne nuk duam t’i pranojmë e t’i besojmë, sepse e vërteta asht kaq e thjeshtë dhe e pashoqe, por jo vetëm me armiq e kundërshtarë. Thjeshtsia e ban të vërtetën të jetë madhështore dhe e pamposhtur, e ban të mbretnojë sot e mot mbi gënjeshtën, mashtrimin dhe zbukurimin!
E lexova dy herë me endje “Ministri i hekurt” dhe nuk më besoj që ka shkrue kaq pak për një kollos të shqiptarizmës. Unë kam dëgjuar edhe ma parë fjalë e vepra të Mirash Ivanajt prandaj një vepër e tillë më tërhoqi pa masë. Autori ka dhanë mjaft detaje, veprime e pësime të këtij personaliteti të kulturës e jetës politike shqiptare, të panjohur deri tani, për ta sjellë atë e për ta ngjitur në piedestalin që i takon, e që për mua këtu qëndron madhështia e së vërtetës!
Kur e mbarova librin, vërtet nuk isha i kënaqun, sepse doja të dija edhe ma shumë për këtë personalitet ndriçues… dhe shpresoj që dikush tjetër, ndoshta i biri i Lazër Radit, apo edhe mbesa e vetë Mirash Ivanajt do e plotësojnë me një biografi ma të gjatë…
.
Lazër Radi - "Trilogjia e Jetës"
Lazër Radi – “Trilogjia e Jetës”
Sa i përket “Triologjisë së Jetës”: Prizreni, Shkodra dhe Roma, asht e gjitha ajo e vërteta e thjeshtë ku jo vetëm unë po një pjesë e mirë e shqiptarëve shohin veten e tyre. Për mua pjesa e parë: “Prizreni” asht pjesa ma e bukur jo vetëm se autori e ka përshkrue me at mallëngjimin e dashurinë fëminore, por asht pasqyrë e një jete reale e të dhimbshme të shqiptarëve t’asaj kohe të vështirë. E unë nuk besoj që të këtë prizrenas të lindun, të rritun e që kalue tanë jetën e vet atje, të këtë shkrue diçka ma bukur e ma të qartë për Prizrenin (qofsha i gabue, pse ndoshta nuk kam lexue shumë)!
Sa për dy pjesët e tjera “Shkodra” dhe “Roma”, ato janë realisht autobiografi e autorit, të mbushuna me ngjarje dhe personazhe që ne i kemi dijtë apo i kemi njohur paksa, por krejt ndryshe nga këtu.
Në të dy librat ka ngjarje e personazhe që kanë luejtë nji rol të randsishëm në historinë e Shqipnisë dhe autori na i sjell aq thjeshtë e realisht pavarsisht se ç’kanë pësue apo janë tjetërsue ata ma vonë. Në të dy pjesët ka edhe sekuenca sentimentale, intime e dashurore që fillimisht mund të thuesh se përse i ka shkrue edhe këto por kur i përfundon atë pjesë nuk je i kënaqun, e don të dijsh ma shumë…
Për të katër këta libra duhet kohë ma e gjatë dhe nji vëzhgim ma i hollësishëm, por unë i hodha këto shënime si për festa dhe pushime!
Marrë nga muri i fb i Fatmir Keqit, 28 dhjetor 2018
Shënim: Në këtë foto edhe pse e herëshme munda të dalloj disa të njohur si Tefta Çapa, Xhemshit Avdia, Agim Jaobashi, Hydai Odobashi, Tefik Odobashi, Liri Bello, Ali Halili… j. r.
Tefta Capo (Mersini) që është në foto ka njohur edhe Lida Lame, Fjorentina Herri, Zihni Asllani, Genc Juka, Rezarta Juka, Roza Grizha, Vitore Pjetri, Shani Gjuta…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.