back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

E vërteta ime, mbi Izet Bebeziqin… dhe diçka më shumë – nga Fatmira Allmuça

Gazeta

Izet Bebeziqi dhe Fatmira Allmuça
Izet Bebeziqi dhe Fatmira Allmuça

E vërteta ime, mbi Izet Bebeziqin… dhe diçka më shumë

nga Fatmira Allmuça

Replikë me z. Sait Saiti mbi shkrimin e tij “Podgoriçaj dhe boshnjakë”

Edhe pse një pjesë të “debatit” nëse mund ta quajmë të tillë, e konsumuan ndër dy shkrimet e paraqitura në portalin radiaandradi.com, po e vazhdoj aty fundi aty ku shkruani: Të Vërtetën e din Zoti dhe “i zoti”. “I zoti” në këtë rast është vetë Izet Bebeziqi si burim në vetë të parë i prejardhjes, më shumë se edhe vetë z. Hamdi Bushati. 
Ajo çfarë dihet me siguri të plotë është se familja Bebeziqi ka ardhur në Shkodër nga Podgorica në kohën kur këtë qytet e mori Mali i Zi. Hyseni, (baba i Izetit) dhe Zenel Bebeziqi erdhën në Shkodër, vëllai tjetër Et’hemi emigroi drejt Turqisë. Ishte pikërisht, pasuria që sollën me vete, përveç të tjerash, që e mundësoi familjen të ndërtonte një rrjet tregtie edhe në Shkodër dhe të integroheshin me shpejtësi të madhe në jetën e këtij qyteti të rëndësishëm e ndër më të zhvilluarit e kohës, jo vetëm në Shqipëri. 
Kësisoj, që ky emërtim në Wikipedia për këtë familje si “boshnjake” na erdhi pak i beftë dhe solli edhe reagimin, pasi Podgorica as ka qenë e as është Bosnje. 
Për ta qartësuar lidhjen time farefisnore, po ju tregoj që nëna ime është mbesë e Zenel Bebeziqit, që është edhe vëlla i Hysen Bebeziqit, babait të Izetit. Duke qenë familja e madhe ata kanë jetuar bashkërisht, dhe fëmijët nuk dalloheshin, bile janë konsideruar si vëllezër e motra brenda familjes. Përveç kësaj, fati i keq e desh që im atë, të ndante qelinë e burgut me Izetin për mëse 3 vite. Nga viti 1949-1952 (Izeti ishte në burg, prej vitit 1946-1953). Pra, përveç lidhjeve të gjakut, ishin dhe lidhjet miqësore, miqësi ditësh të vështira, ato që na lidhën edhe më shumë me Izetin. 
Meqë keni dëshmuar interes për jetën e Izetit, gjë e cila më shtyn edhe t’ju vlerësoj, besoj e dini që ka jetuar në Shkodër nga dita e daljes nga burgu e deri ditën që mbylli sytë. Prej moshës 15 vjeçare, kam shkuar rregullisht në shtëpinë e Izetit në Shkodër, e deri në vitin 1982, kur ai u largua nga kjo jetë. 
Ruaj si objekte të rralla letërkëmbimet me të në vite. Dhë kjo është edhe arsyeja që e kam ndjerë detyrë, të them pak fjalë për të, në mënyrë që të shkundej disi pluhuri i harresës për Izet Bebeziqin. 
Pas botimit të librit të Hamdi Bushatit, sidomos te “Shkodra dhe Motet” pemë gjenealogjike familjesh shkodranë e vitit 1999, konstatuam se Zenel Bebeziqit i kishin shënuar vetëm një djalë. Në fakt kishte tre. Meqenëse të tre janë larguar nga jeta (dy fare të rinj) nuk i kushtuam rëndësi t’i shtonim, por kjo nuk e zhbën faktin që kishte tre djem. E them këtë për të treguar se nuk kam tendencë në shkrimin tim… (shih: Xheladin Bebeziqi, Melushe Bebeziqi, Ylli Bebeziqi, shkrime për të cilët gjinden lehtësisht në internet).

Izet Bebeziqi në rini me veshje popullore
Izet Bebeziqi në rini me veshje popullore

Te “Shkodra dhe Motet” vëllimi i dytë i monografisë së Hamdi Bushatit, botue më 1999, që ju e keni si referencë citimi, në faqen 82 (paragrafi i fundit) dhe faqen 83, Hamdi Bushati e jep qartësisht origjinën e Izet Bebeziqit. Në këtë paragraf shprehimisht thuhet: “Izet Bebeziqi- Rrjedh nga një familje e njohur që kishte emigruar nga Podgorica që në vitet ’70 të shekullit të 19-të dhe që ishte lidhur me jetën shoqërore të Shkodrës përmes krushqisë me familje të mëdha të qytetit…”
Siç besoj se mundet edhe ta dini, nëna e Izet Bebeziqit ishte Bushatllije.
Në kreun e VI-të: Familjet shkodrane me prejardhje të huaj, të librit “Shkodra dhe Motet” vëllimi i dytë i monografisë së Hamdi Bushatit, botue më 1999, në faqen 309 nën titullin 42. Emigrantët podgoricanë, thuhet:
3.Podgoricajt të ardhur nga Mali i Zi: Emigrantët Podgoricanë u dyndën drejt Shkodrës në 4 periudha: 1)Gjatë sundimit të Bushatlinjve, 2)Mbas Kongresit te Berlinit, 3)Gjatë Luftës së I Botërore, 4)Gjatë Luftës së II Botërore”. 
Është e vërtetë e po aty shkruhet:
Podgoricajt janë sllavë musliman nga Podgorica, Shpuza, Nikshiqi o në përgjithësi nga Mali i Zi. Familjet podgoricane ma të hershme, sidomos ato të dyndjes së parë, e ndjejnë veten shqiptarë dhe mjaft prej tyre kanë bërë shqiptarizimin e emrave duke hjekur mbrapashtesen sllave “iq“. Familja më e hershme dhe më e përmendura në këtë studim asht familja Alivoda (Alivodoviq), prej nga rrjedh sot familja Podgorica, familja Bajri e cila dikur quhej Muxhiq, familja Mandia (=Mandiq), familja Osmani (=Osmanagiq), familja Haveri (=Haveriq), familja Uruci (=Uruceviq), familja Bebeziq, familja Sykaj (=Sykniq), Juka (=Jukniq), Llukaqi (=Llukaqeviq), Halluni (=Hallunoviq), familja Striniq. Familja Boshnjaku nga Bosnja etj.
Pra, e vetmja familje nga Bosnja është kjo e fundit: familja Boshnjaku.
4)Të ardhur nga tokat shqiptare: Ulqini, Tuzi, Kraja: Ka pasë emigracion shqiptarësh në Shkodër edhe nga tokat shqiptare në Mal të Zi si: Ulqini, Tuzi, Kraja. Duhet të them se emigracioni i podgoriçajve, i ulqinakëve, etj, i ka dhënë shkas ndryshimit të disa zakoneve tradicionale shkodrane.”

Izet Bebeziqi (1905-1982)
Izet Bebeziqi (1905-1982)

Nëse do marim paragrafë të shkëputura nga Hamdi Bushati, vetëm sa do vërtitemi pa kuptim dhe nuk i shërbejnë argumetit tonë. P.sh. ajo që ju z. Saiti citoni: “…po nga Bushati për podgoriçajt asht se gati pushtuen zanatin e kasapllëkut (si struganët prodhimin e bukës, e dibranët e qeserit ndërtimtarinë). Bushati i shkruan këto sa i përket emigracionit të tretë të podgoricanëve që ndodhi në vitin 1918, mbas braktisjes së Podgoricës nga austriakët që i kishin zaptuar që prej vitit 1916 (shih faqe 311, paragrafi V) dhe meqenëse Bebeziqt janë shpërngulur që në vitin 1870, nuk lidhet me ta. 
Më poshtë Ju z. Saiti shkruani: “Sa i përket emërtimit që u asht dhanë, kuptohet që podgoriçaj asht një term përgjithësues, që si duket mundet me ardhë ngaqë Podgorica ishte qendër kazaje (njësi administrative osmane) dhe/ose ngaqë Podgorica perceptohej si pragu i botës sllave prej shkodranëve që i vunë vulën si emërtim”.
Podgorica në rastin e shqyrtuar nuk është term, por fakt, në kontekstin specifik ku Bushati i përmend Bebeziqët si “familje e borgjezisë së madhe të Podgoricës të instaluara nga të parat në Shkodër” (f. 312).
Dhe së fundi, ju z. Saiti shkruani: “Ama familja dihet se kanë ardhë prej Podgorice, llogariten nga Hamdi Bushati si sllavë muslimanë, por një detaj tjetër që mundet me ndjellë kureshtje asht që vetë Izeti edhe u martue me zonjën Bedrije Shpuza në Durrës. Një familje me këtë mbiemër në Shkodër e ka mbiemrin parak Mećikukić, kushedi nëse bahet fjalë për të njëjtën familje apo së paku të njëjtën prejardhje…”
Ndjesë, por ky fakt apo detaj siç e quani ju, nuk përbën argument. Vetë Izeti më ka thënë që rrethanat dhe njohja me Bedrien ka qenë mëse e rastësishme. Bedria ishte e motra e Asim Shpuzës, të cilin Izeti e kishte takuar në Bari (ishte konsull në Bari), në udhëtimet e tij në Kalabri, në vendbanimet arbëreshe. Pra, nuk ishte fare krushqi e paramenduar. Por edhe sikur të ishte, nuk përbën argument që lidhet me origjinën e tij. 
Megjithatë, në dijeninë time janë dy rrema të familjes Shpuza dhe që nuk lidhen me njëri-tjetrin.

Disa nga letrat qe z. Bebeziqi i ka shkruar Znj. Fatmira Allmuça
Disa nga letrat qe z. Bebeziqi i ka shkruar Znj. Fatmira Allmuça

I nderuar z. Saiti, 
ky “debati” mes nesh është paksa shterp, si debati për Migjenin: a ka qenë apo jo sllav!? Ka shkruar vetëm shqip, ka dhënë mësim vetëm shqip, asnjë komb sllav nuk e njeh për të vetin… po ec e gjeje se nga i ka ardhë stërgjyshi!!! 
Pastërtia etnike e një familjeje që vjen në Shkodër në fund të shekullit të XIX nga një zonë e përzier sllavo-shqiptare ka rëndësinë e vet sot, po jo për kohën kur identifikimi bëhej sipas kulturës e gjuhës mbizotëruese të vendit. Prandaj dhe mbaresat e mbiemrave nuk janë prova përfundimtare për të gjetur origjinën etnike. Po ashtu, para krijimit të institucioneve njësuese të shteteve kombëtare, nëpër qytete ka qenë normale të përdoren me tepër se një gjuhë në jetën e përditshme. Në këto kushte, origjina mund të kërkohet vetëm te kujtesa dhe tradita familjare e ruajtur në dekada.
Po e mbyll me fjalët e tua: “Secili nga të rahmetlijtë e ka dijtë të vërtetën e vet ashtu si ua kanë thanë dhe tashma e kanë marrë me vedi. Por përmbi tanë, tekembramja, të Vërtetën e din vetëm Zoti”.
Po të ishte gjallë Izeti, do të thoshte, ashtu siç më shprehej mua: unë jam ni’ shqiptar në çdo qelizë temen. Kam luftu për Kombin shqiptar me ç’ka kam mujt, me trunin tem, me pasuninë teme, me dijet e mija dhe me zemrën teme!
Gjej rast t’Ju falenderoj nga zemra për punën që keni bërë lidhur me vlerat e Izet Bebeziqit, paqartësitë e vogla dhe keqkuptimet mes njerëzve vullnetmirë riparohen krejt lehtësisht, dhe ajo çka mbetet është respekti ndaj atyre që ne duhet të bëjmë më shumë… bile kjo do të më shërbejë si shtysë për të shkruar edhe unë të vërtetën time mbi figurën e nderuar të Izet Bebeziqit!

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.