back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Edgar Allan Poe Korbi – Poemë (Perktheu Jozef Radi)

Gazeta

Edgar Allan Poe Raven - Korbi
Edgar Allan Poe – Raven – Korbi

Edgar Allan Poe

Korbi – Poemë

Përktheu Jozef Radi

Nji herë, n’nji mesnatë krejt i lodhun e i rraskapitun
mendueshëm po shfletoja do libra dijesh t’lashta
koka n’përgjumje m’qe zhytë – e përpjetë dot s’e mbaja,
befas brofa, pse nji krismë krrau u ndje n’portën time:
“Ndoshta ndoj shtegtar rrughumbun – mërmërita – der’s i ka ra,
Veç kaq mendova e tjetër asgja!”

Oh, si sot m’kujtohet, dhjetor i dëshpruem ishte, shndrisnin
e kalamendeshin gacat e oxhakut mekeshin tuj qendisë shtrojën,
i trishtë ndihesha, e m’kot prisja n’agim ndoj shenjë shprese
trete ndër libra isha, m’e harrue Lenorën time t’humbun
njat dritë hyjnore të virgjën që engjujt e thirrshin Lenorë
po sot njat emën ma ajo s’e ka!

Nji fëshfërimë perdesh t’randa prej kadifeje t’purpurt,
m’shkaktoi drithma e n’nji tmerr i panjoftun më shtyu,
i tronditun u përpoqa m’ia ndalë ankthin zemrës seme,
e n’mërmërimë fola: “Mos asht njaj shtegtari që derës i ka ra,
o mos ndonji rrughumbun asht mbetë njaty mbas dere!”
Kaq mendova, e tjetër kurrgjà!”

Njat’herë i dhashë hov shpirtit e i shprisha njato dyshime,
nji hap para bana edhe thirra: “Zotni a zojë n’kjofsh,
njimijë herë ndjesë t’lypi – pse fort t’trazuem shpirtin e kam,
i përgjumun isha edhe pse ju njaq lehtë i ratë portës seme
zhytë ndër mendime t’thella e i pasigurt… derën e kam hapë:
Veç terri ishte, e tjetër asgjà.

Edgar Allan Poe (1809-1849)
Edgar Allan Poe (1809-1849)

Ja ngula sytë territ n’dyshime brejtse, e shtang qëndrova
i zymtë, tretë n’andrra që asnji vdekatar s’i ka andrrue
po nata s’jepte shenjë – as heshtja s’u thye, mbet njashtu e plotë,
veç nji fjalë, nji emën i vetëm u ndigjue n’murmurimë: “Lenorë!”
Isha un vetë që thirra pa e kuptue, e jehona m’u gjegj: “Lenoooorë!”
Veç kjo ishte, e tjetër asgja…

U lshova n’dhomën teme i ndërdyshtë e me zemër
të tronditun… kur prap nji trokitje m’shkundi edhe ma e fort
“Oh, vërtet, – mendova – diçka n’dritare don m’u fut mbrendë
e përmes grilash misterin po rreket me e shfaqë.
E lashë shpirtin n’fashë, e binda vedin: Ndoj fanitje e kotë,
do t’jetë… Veç era luen e tjetër asgjà!

U hap vrik dritarja, e mbrendë – nji e rrahme e fortë flatrash
nji korb hijerandë e madhështor – si n’kohnat e dikurshme
asnji shenjë nderimi s’bani – as begenisi kënd, veç u soll
si t’ishte ndoj zotni o zojë e randë e shkoj te dera
e mbi nji bust Minerve u ndal, mbi derë t’odës seme,
gjet paqe njaty, e ma… asgja.

Tue e kqyrë njat shpend t’zi që me pompë qindronte
u mundova me i buzëqeshë n’mendime të trishta
“T’rrafshtë e ke njat kreshtë t’zezë, – i thashë – po s’je frikacak,
as ogurzi, as i zymtë: O korb i kahershëm, ardhë kah bote e territ;
m’thuej me ç’emën t’kan pagzue n’mbretninë e t’zezës Natë?
Dhe korbi u gjegj – “Kurrë ma!”

Edgar Allan Poe
Edgar Allan Poe

Kje mrekulli me e ndie njat shpend të ngathët kur lshonte
ndoj fjalë o krrokje t’këputun e krejt pa lidhje n’përgjigje,
ia pranova at shfaqje – mjaft mos t’më rrinte majedere
s’doja m’e pa njat zog ndalë njaty n’dhomë teme
njat shpend a kafshë mbi statujë, te hymja e odës seme
e me njat emën: “Kurrë ma!”

Po njaj Korb, vetmitar ndalë mbi bust, tjetër fjalë s’e tha,
veç nji t’vetme, a thue se shpirti i tij ngecë kje n’at fjalë
e tjetër s’e lshoj – asnji pendë s’e shkundi – me i’ frymë thashë
“Shumë prej miqve t’kanë hikë  –  nesër edhe ti ke me shkue me tjerë
njashtu si krejt shpresat tona nji ditë shkojnë e tresin!”
Dhe ai shpend ma ktheu: “Kurrë ma!”

I habitun n’at përgjigje të beftë që e kish thye heshtjen
“Pa dyshim – vazhdova – ai po lyp me m’thanë gjithçka di
shty prej ndoj padroni o Fatkeqsia e ka ndrydhë njaq fort
e njaq tepër, sa n’kangë i ka mbetë veç njaj refren
a hymn, që ajo shpresë e trishtë t’mos jetë veç nji pikëllimë e vetme
“Kurrë, kurrë ma!”

E ndërsa korbi m’shtrëngoj m’i buzqesh mendimeve t’trishta,
e shtyva kolltukun te porta para bustit, e njatij shpendi,
njashtu i fundosë n’kadife m’u desht me i ndrrue mendimet,
tue pyet vedin ç’ka dreqin asht ky shpend kohnash t’shkueme
ky shpend i zi e fodull, grykës e ogurzi, kërcnues kohnash t’largta
që tue krrokatë po m’thotë: “Kurrë ma!”

Edgar Allan Poe - Korbi
Edgar Allan Poe – Korbi

Njashtu zhytë n’hamendje iu drejtova njatij shpendi
sytë e tij krenarë n’gjoks më përcëllonin – përballë i rrija,
për të o ndoj tjetër tue paramendue, me kryet mbështetë
mbi kadife t’jastekut, ku llampa e fiksonte njat sy drite,
mbi pëlhurën vjollcë ku llampa e ndriçonte njat sy drite
që ai s’do ta prekte kurrë ma…

M’u duk se ajri u randue, u profumos me temjan t’padukshëm
prej engjëjsh t’çoroditun e n’tingllim hapash sikur ledhatonte shiltet
“Ah, o mjeran – thirri – po t’le Zotin mes këtyne engjujve, Zotin po t’ofroj
si ngushllim – ngushllim e melhem n’kujtim të Lenorës tande
Kapërdije, oh kapërdije kët melhem t’ambël e harroje t’mjerën Lenorë!”
Dhe korbi u gjegj: “Kurrë ma!”

O Profet, o përbindësh i së keqes – profet i përjetë shpend a djall çka je!
Edhe n’kjoftë se e keqja t’ka prù, o stuhia t’ka përplasë këtyne brigjesh
dobësue t’ka po jo zbutë, mbi kët tokë shkretane e t’mallkueme
mbi kët shpi t’shetitun prej Tmerrit – ma thuej tash po t’lutem
a ka ndonji melhem në kët Gilead. Ma thuej, ma thuej t’lutem
Dhe korbi iu gjegj “Kurrë ma!”

O Profet, o përbindësh i së keqes – o profet i përjetë shpend a djall çka je,
pash njat qiell që mbi ne përulet, pash njat t’madhin Zot
që s’bashku adhurojmë – përzema kët shpirt t’shtypun
pse a mundet Edeni t’përqafi ksi vajze që engjujt e quejnë Lenorë
a mundet t’përqafi ksi vajze rrezlluese që engjejt e thirrin Lenorë?!
Dhe korbi u gjegj “Jo! Kurrë ma!”

Edgar Allan Poe - Nevermore
Edgar Allan Poe – Nevermore

“Kjo asht fjala jote si shenjë lamtumire – shpend a djall çka je – ulërita
e n’kambë u çova  – Kthehu te stuhitë e tua n’terrin e brigjeve t’natës
asnji pendë t’zez tanden mos ma len pse s’asht veç mashtrim
mos guxo t’ma prekësh vetminë e ma hiq njat pamje prej der’s teme
zhduke njat sqep prej zemrës, zhduke njat surrat prej portës seme
edhe korbi iu gjegj – “Jo! Kurrë!”

Dhe kurrë s’u shkul prej njaty e njaty asht ende sot njaj Korb
ende aty heshtet mbi trupin e zbehtë n’terr të dhomës seme
edhe ata sy që aq shumë u ngjasojnë nji djalli që andrron
edhe drita e llambës shpërndahet e derdh mbi dysheme hijen
edhe shpirti im prej njasaj hije shprishet e dridhet mbi dysheme pa prà
e m’u çue, m’u çue…  Kurrë s’ka!

(Përktheu Jozef Radi, tetor 2015)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.