back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Edhe pak dritë mbi Hysen Shoshorin nga Kastriot Dervishi e Jozef Radi

Gazeta

Studiuesi Kastriot Dervishi
Studiuesi Kastriot Dervishi

Edhe pak dritë mbi dosjen Hysen Shoshori

nga Kastriot Dervishi

Në vijim të informacionit
mbi dënimin e të ndjerit Hysen Shoshori,
diçka rreth zbulimit,
arrestimit dhe dënimit të tij.

Hysen Shoshori nuk ka qenë i denoncuar, por i arrestuar në kushtet e flagrancës. Asnjëherë ndaj tij nuk u vu dyshimi më i vogël se shpërndante trakte. Kjo sepse ai vepronte pothuajse vetëm dhe traktet i ndante personalisht pa ua dhënë të tjerëve.
Ai hodhi trakte me përmbajtje antikomunistë nga 4 qershori 1967 deri ditën që u arrestua më 29 gusht 1974. Veprimtaria e Shoshorit zgjati 7 vjet. Traktet nisën pikërisht ditën e zgjedhjeve për këshillave popullore. Ai punonte saraç në uzinën e artilerisë. Revolta e tij nis fill pasi pushteti komunist i shtetëzoi një kopsht të vogël, me të cilin ai ushqehej. Ajo ishte protesta e heshtur e një njeriu që denonconte diktaturën komuniste, jetën e keqe dhe vuajtjen e popullit shqiptar. Si përgjigje ndaj këtij shtetëzimi, ai nis të shkruajë me mjete amatore traktet e t’i shpërndajë vetëm afër lagjes ku banonte.Traktet ishin shkruar me penë të thyer duke përdorur disa lloj letrash. Pas gati 3 vjetësh kërkimesh të pafrytshme, më 10 janar 1970 organet përkatëse të punëve të brendshme, kanë çelur dosjen e kërkimit nr. 33, të titulluar “Kafka”.

Hysen Shoshori
Hysen Shoshori

U vu ky emër dhe u quajt problem agjenturialo-operativ sepse traktet e Shoshorit ishin pothuaj të gjitha me dy kafka në të cilat ai ironizonte Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun. Në ndjekjen e mundshme të tij, Sigurimi dështoi tërësisht. Asnjëherë nuk mundi ta identifikojë apo të dyshonte rreth tij. Plot 97 persona u dyshuan si shpërndarës të mundshëm traktesh. Ndonjëri edhe mund të arrestohej kot së koti siç e kishin zakon këta të Sigurimit, të cilët e kishin të vështirë të bëheshin njerëz inteligjentë. E si për inat disa vite më vonë Sigurimi i arrestoi dhe i dënoi të vëllanë Hysen Shoshorit.
Po si u zbulua? Hedhja e madhe e trakteve në rrugën “Qemal Stafa” e në zonën rreth saj, bëri që kjo rrugë të kontrollohej më shumë nga forcat e policisë. Pavarësisht se çështjen e ndiqte Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit, arrestimi i Shoshorit nuk u bë nga ata, as nga ndonjë denoncim, por nga Policia. Ky arrestim ishte i rastësishëm dhe jo i planifikuar. Ai u pikas rastësisht nga një polic dhe nga një vullnetar i AGBV-së (Anëtar i Grupit të Bashkuar Vullnetar, strukturë ndihmëse e policisë e përbërë kryesisht nga pensionistë ose punonjës të përkushtuar). Më tej vazhdon hetimi dhe dënimi i tij.
Në procesin e Shoshorit kanë dalë 18 dëshmitarë. Dy të parët ishin punonjësi i AGBV-së dhe polici që e arrestoi. Të tjerët ishin kalimtarë që kishin lexuar traktet qoftë edhe ish policë, si dhe punëtorë të uzinës ku punonte Shoshori. Drejtpërdrejt me çështjen e tij kishin lidhje vetëm dy personat që e arrestuan dhe një shoku i tij që akuzohej për moskallëzim krimi.

Trakte te Hysen Shoshorit
Trakte te Hysen Shoshorit

Polici Dushan H. për këtë ngjarje dëshmon: “Më datën 29 gusht, duke qenë me shërbim me anëtarin e Grupit të Bashkëpunimit Vullnetar, të quajturin Mustafa P., në vendin e quajtur rrugica e ambulancës qendrore…, aty rreth orës 21.15, pashë një person civil të cilin nuk e njihja. Ai persona nuk na shikonte ne, ndërsa ne i shikonim veprimet e tij. Ai duke ecur në rrugicë kthente kokën sa andej këndej dhe kur u afrua afër nesh që ishte një kthesë, unë pashë se një dorë e mbante në xhepin e pantallonave. Si mori kthesën duke ecur, pashë që nxori dorën nga xhepi e vuri te goja dhe e lagu me pështymë dhe me të shpejtë e futi përsëri në xhep. Mua këto veprime të tij më lanë të dyshoja dhe e shikova me vëmendje të madhe. Ai porsa futi dorën në xhep, nxori prej andej një letër të bardhë dhe e hodhi në tokë duke vazhduar ecjen normale. Unë menjëherë shkova dhe pashë se çfarë ishte kjo letër që ishte e shkruar me dorë e me përmbajtje armiqësore. Letrën e futa në xhep, i jap sinjalin anëtarit të AGBV-së, Mustafa P. dhe menjëherë vihem në ndjekje të personit që hodhi letrën. Mustafait i them të më sillte biçikletën… I hipa biçikletës dhe disa e pashë rreth 100 metra në anë të djathtë të rrugës “Qemal Stafa”. Me qëllim që ta kapja e mos krijoja konfuzion, i afrohem, duke i takuar rrotën e biçikletës. Lë biçikletën dhe e kap atë duke përdorur sambon duke i thënë pse më pengove rrugën. Këtë ia thashë me qëllim që të mos dyshonte derisa unë ta mposhtja. Në këtë kohë erdhi edhe Mustafa P., e kapi dhe ai. Me makinë e shoqëruam në Drejtorinë e Punëve të Brendshme. E kontrolluam e në xhepin e pantallonave i gjetëm disa letra të shkruara me germa të mëdha me përmbajtje armiqësore”.
Personi i AGBV-së, Mustafa P., thotë: “Më datën 29 gusht 1974, unë si anëtar i Grupit të Bashkimit Vullnetar, u ngarkova nga Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë me shërbim bashkë me policin Dushan H. në rrugën “Qemal Stafa”, pranë ambulancës qendrore. Aty nga ora 21.15 duke qenë në vrojtim pamë një person që vinte nga prapa ambulancës për të dalë në rrugën “Qemal Stafa”. Ai person, në cepin e ambulancës hodhi një letër dhe iku. Ne e morëm letrën, e pamë. Ajo kishte përmbajtje armiqësore. Atëherë vepruam në drejtim të atij personi dhe e kapëm disa metra më lart në rrugën “Qemal Stafa”. E kontrolluam. Në xhep kishte disa fletushka të tjera me përmbajtje armiqësore. Menjëherë e shoqëruam në Drejtorinë e Punëve të Brendshme. Në drejtori mësova se personi quhej Hysen Shoshori”.
Në përfundim Hysen Sheshori u dënua me vdekje, por dënimi iu kthye me 25 vjet heqje lirie. Vuajti nëpër kampe dhe së fundi në kampin nr. 305 në Përparim të Sarandës. Doli prej burgut me ardhjen demokracisë me një mal me vuajtje mbi shpinë, duke mos merituar asnjëherë keqpërdorjen që iu bë emrit të tij.
Ngjitas janë dy trakte të shpërndara dikur nga Hysen Shoshori

(marre nga Muri i FB i Kastriot Dervishit, 4 dhjetor 2015)

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Requiem i vonë ndjese për Hysen Shoshorin

nga Jozef Radi

Emri i Hysen Shoshorit, ka qarkulluar shpesh në shtypin dhe mediat shqiptare, jo për të vlerësuar veprimin apo qëndrimin e tij, jo për nderuar apo respektuar rrebelimin e nji njeriu ndaj diktaturës, por si shantazh politik ndaj politikës së të zellshmëve…
Vepra dhe vuajtja e Hysen Shoshorit, qëndrimi dhe heshtja e tij, kokfortësia dhe pakënaqësia e tij ndaj nji pushteti të dhunshëm e diktatorial, kapërcejnë gjithë përmasat e asaj çka është shkruar dhe është thënë për të ndjerin Hysen Shoshori…
Hysen Shoshori meriton edhe ashtu si “lupo solitario” nji monument që as mund ta mendojnë, e aq më pak ta ngrenë, ata që e dënuan, ata që spekulluan, ata që e mbytën me heshtje veprën e tij që i kushtoj pjesën më të madhe të jetës…
Po përpara se të kaloj te interpretimi i dy trakteve të tij, të cilët rastësisht i gjeta dhe i pashë me vëmendje të muri i Fb i Kastriot Dervishit, dëshiroj të merrem pak me statistikat e kësaj ngjarje.
Hysen Shoshori në harkun e shtatë viteve dhe tri muajve, pra në ditë 2640, ka shpërndarë rreth 2000, pra afërsisht nji trakt çdo ditë, duke e futur në krizë krejt Sigurimin e Shtetit, i cili mbajti nën mbikqyrje krejt Kryeqytetin dhe nën vëzhgim dhe hetim rreth 97 persona të ndryshëm disa prej të cilëve edhe u dënuan.
Edhe pse është shkruar se zemërimi i hedhjes së trakteve, ka lindur si rezultat i nji kopështi të sekuestruar personit në fjalë, kjo s’mund të jetë aspak e vërtetë, sepse sado vlerë të kishte pasur ai kopësht, zemërimi për nji kopësht, apo për domatet e kastravecat nuk zgjat 7 vite e përtej, dhe të paguhet me pjesën më të madhe të jetës. Pra, 2000 traktet e Hysen Shoshorit nuk janë as çështje kopështi, as zëmërimi ndaj pronës meskine! E dyta Hysen Shoshori përmes trakteve, tregoi shpirtin individual të shqiptarit, dhe faktin tjetër se shoqëria shqiptare kishte humbur aq shumë besim te vetvetja, se nuk mund t’i besohej askujt… Ashtu i vetëm fillikat ai ngriti nji frymë të pabesueshme rebelimi, ku nga nji anë kishte në konstanten e mendimit dhe veprimit antikomunist, po njiherit ai nuk cënonte askënd me aktet dhe veprimet e veta veç vetes… Pra, ai qe nisur fillikat drejt vetflijimit të vdekjes i bindur se përfaqësonte shpirtin revoltës dh të pakënaqësisë së mijra e mijra shqiptarëve… E kjo do të ishte e mjaftë që mijra teneqet që shpërndahet herë mbas here në kët vend, të mos kenë vlerën e guximit të kësaj veprë të këtij individi të vetmuar…
Hysen Shoshori, nuk ka pasur dëshmitarë… sepse nuk mund të kishte nji njeri që vepron vetëm! Veç atyre dy sigurimsave vullnetarë që e pikasën nji ditë fundvere duke i dhënë fund nji misteri, po edhe nji goditje mitit se Sigurimi i Shtetit i dinte të gjitha… 18 dëshmitarët e tij të paraqitur në gjyq, nuk ishin tjetër veç opinionistë të përzgjedhur nga Partia për të dëshmuar asgjë më shumë se sa zellin e karrierës së tyre…
Natyrisht që “Dënimi me Vdekje” e priste Hysen Shoshorin, por ai i shpëtoi këtij ndëshkimi ekstrem, jo pse nuk mund të pritej të ndodhte, por sepse ashtu i vetëm, ai nuk përzjeu askënd në kët ngjarje. Dhe ky është edhe akti pse Ai meriton nji vlerësim të paprecedentë. Sepse si “lupo solitario”, nuk mori askënd në qafë, siç kishte ndodhur ne mjaft raste të kësaj natyre, por pranoi mbi vete të gjitha llojet e dhunës, qoftë edhe faktin se vdekja mund të ishte më e pakta që Ai meritonte…
Hysen Shoshori falë Zotit shpëtoi… edhe pse në të gjallë të tij askush nuk e gjeti si figurë që meritonte gjithçka që mund t’i jepet nji njeriu të guximshëm dhe vlerave të nji heroi…

Hysen Shoshori - Trakti i Pare
Hysen Shoshori – Trakti i Pare

Po le të kthehemi te analiza e dy prej trakteve të tij.
Ajo që të bje menjëherë në sy është se ato janë shkruar me germa të mëdha shtypi, çka dëshmon e para siguri dhe e dyta besim. Njeri nga traktet është i shoqëruar me dy figura të vdekjes të cilësuara me emra të përcaktuar si: MEMET SHEHU dhe ENVER HOXHA... pra traktet kanë nji teh të qartë, duke u shprehur se ata: “DO TJEN RREZIKU I POPULLIT”, apo teksti i përcaktuar me mjaft largpamësi: “NESE DON ME E DIJT SE SA E DON POPULL KET PARTI LE LIROI KUFIJTE JO MO SHUM SE 24 OR.” apo teksti përmbyllës i njërit nga traktet “PER DASHURIN QE KENA PER PARTIN DHE PE ENVERIN ‘KERKOJM ARM’”
Kurse trakti tjetër është vetëm tekst i pafigurë, por me nji mesazh të qartë lirie, dhe me vendosjen e gishtit te nji plagë e madhe e shqërisë shqiptare siç ishte spiunimi! Ja teksti i tij: “TE AI SHTET QE KA KRYENGRITJE, ATY KA LIRI FJALE, LIRI VEPRIMI, LIRI KUFIJSH, KURSE POLITIKA E KESAJ QEVERIJE SHTJEN ARMIQESIN NdëRMJET NJONIT DHE TJETRIT, TUE I BO SPIUNA, QE ASHT NE DOBIN E VET.” NE EMER TE POPULLIT.
Traktet janë të shkruara në dialektin e Tiranës, kanë fare pak gabime ortografike, kanë koncepte të qarta si politike edhe sociale, sepse shprehin rrebelim dhe frymë lirie, dhe se rrënimi shpirtëror i shoqërisë po vjen përmes rekrutimit dhe i shërben vetëm Partisë, po që njiherit po dëmton strukturat e saj mbrojtëse nga e keqja! Te trakti i dytë ai përcakton se cilat janë figurat e së keqes dhe se vetëm rrëzimi i tyre do të jetë shpëtimi i këtij populli. Për këtë ai bën thirrje për vetëm 24 orë hapje kufijsh, për të parë se sa e madhe është dashuria e popullit, që përdhunshëm i brohoriste Partisë…

Hysen Shoshori - Trakti i Dyte
Hysen Shoshori – Trakti i Dyte

Sot mund të kuptohet se sa të drejtë ka pasur ky njeri largpamëse dhe sa të vërteta kanë traktet e tij brenda thjeshtësisë së tij si individ. Ato janë koherente edhe sot, dhe tregon se sa pak e kemi respektuar kët njeri që për nga vlera, nga guximi, dhe nga sakrifica i ka shokët e rrallë, e që për nga heshtja dhe shpërfillja stoike, meriton nji monument në shpirtin e gjithë atyre që e vuajtën atë kohë tragjike, kët kohë të dhimbshme dhe gjitha kohrat e mbrapshta…
Nderim dhe mirnjohje të thellë veprës së Hysen Shoshorit, sepse njerëzit e teneqeve, kurrë s’do mund të mbrrijnë te kurajo të nderojnë veprën dhe guximin e Tij, të madhështuar edhe me heshtje…
6 dhjetor 2015

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Në lidhjen me Hysen Shoshorin, e kam thënë në një koment kohë më parë në fb që Hyseni meriton jo monument, por Big Obelisk, për atë që ka bërë në atë kohë dhe duhet të jetë “Nderi Kombit”. Si ështe e vërteta!? Simbas një ish të burgosuri që e ka njohur në burg të ndjerin Shoshori. “Eshtë e vërtetë që familje e tij ishte pa probleme për Partinë në atë kohë. I ati kishte një shtëpi në Tiranë dhe mjaftushëm vend mbrapa saj për të bërë një shtëpi tjetër në të ardhmen, mbasi qenë o 3 o 4 vëllezër, dhe i ati e kishte shpirtin e qetë për djemtë në të ardhmen (martesë,etj). Kur lagja, o komiteti qytetit me një vendim të asaj kohe ja mori këtë copë truall mbrapa shtëpi, për të bërë shkollë a diçka tjetër babaj i Shoshorit u hidhërua shumë dhe nuk shkoj shumë dhe vdiq. Në varrim, Hyseni u betua në heshtje për t’ja marrë hakun babajt ashtu si thotë edhe shkrimi. Në hetuesi e kanë çmontuar, vetëm e vetëm që të pranojë se ishte grup armiqësor, bile nga torturat shpatulla nuk i dallohej nga kurrizi. Po ai nuk pranoj, sepse vërtet kishte qenë vetëm. Mbajti shumë qëndrim të mirë në burg, dhe vdiq në mjerim në Tiranë, para disa viteve. I paharruar qoftë kujtimi i tij dhe trimëria e këtij Shqiptari.
    Këta janë heronjtë e vërtetë.
    (një shënim nga Luan Merdani, 6 dhjetor 2015)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.