back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Edhe ti…? Inis Kazanxhi – Jorgo

Gazeta

Inis Kazanxhi Jorgo
Inis Kazanxhi Jorgo

Edhe ti…?

tregim nga Inis Kazanxhi – Jorgo

…desha të kuptoj se çfarë po ndodhte,
u përqëndrova e atje tej,
midis njerëzve dallova një trup të shtrirë për tokë.
Njerëzit që afroheshin pranë tij
sikur mbërtheheshin nga heshtja!
Mendova se nuk duhet ta shihja,
gjunjët m’u drodhën por edhe shpirti…
Në një lloj mënyre, edhe unë kisha shtagur
për pak çaste mbi vijat e bardha
edhe pse semafori im tashmë ishte me shenjën e kuqe… inis kazanxhi – jorgo
 
Ishte një nga ato pasdite të zakonshme të cilat përveçse të shtyjnë të shkosh në shtëpi, s’bëjnë dot asgjë tjetër. Ngarkesa e ditës më qëndronte mbi supe. Zbrita nga treni dhe nisa të ec në rrugën plot me njerëz indiferentë që, duket sikur veçse vrapojnë. Janë ato lloj rrugësh, ku nëse do të shohësh dikë duke ecur normalisht, mendon që ka diçka që nuk shkon. Në drejtimin ku ecja, vura re se njerëzit megjithëse nxitonin, diku pranë një ndërtese e ngadalësonin paksa hapin. E bënin këtë vetëm për një çast për të rifilluar monotoninë e vrapit të tyre.
Desha të kuptoj se çfarë po ndodhte, u përqëndrova e atje tej, midis njerëzve dallova një trup të shtrirë për tokë. Njerëzit që afroheshin pranë tij sikur mbërtheheshin nga heshtja! Mendova se nuk duhet ta shihja, gjunjët m’u drodhën por edhe shpirti… Në një lloj mënyre, edhe unë kisha shtagur për pak çaste mbi vijat e bardha edhe pse semafori im tashmë ishte me shenjën e kuqe.
Fatmirësisht, turma “vrapuese” më mori përpara dhe ashtu si vala të nxjerr në breg, u gjenda pranë trotuarit ku rrinte i shtrirë një djalosh rreth të 20-ve.
Rrotull tij rrinin grumbullnjerëz. Dikush e shihte me kërsheri, dikush me qortimin stamposur mbi fytyrën cinike e kritizere, dikush me dhimbje e dikush tjetër, indiferent pa asnjë emocion të lexueshëm. Shumica tyre, e shihin për pak çaste dhe më pas, kujtoheshin të vazhdonin vrapin e tyre të ftohtë! Për faktin që një palë vinin e të tjerët iknin, turma rrotull djalit as nuk zmadhohej e as zvogëlohej. Çfarë i mbante këta njerëz aty, çfarë të ishte e tëra kjo? Dhemshuri, dëshirë për të ndihmuar apo vetëm kuriozitet dhe indiferencë? Pak nga gjithçka, përftuar nga pikatorja e shpirtit të seicilit! Gjithsesi, ky rreth i vogël, nuk më lejonte të shihja më përtej.
Nga turma guxoi të afrohej një afrikan me një kapele tipike ku dominonin ngjyrat vishnje e jeshile … Për një çast u hutova pas atyre ngjyrave të gëzuara të cilat ishin kombinimi më i papërshtatshëm me djalin e shtrirë. Arrita të fiksoj në ato pak sekonda, atë punim duar-artë që indiferent i rrinte mbi krye. Afrikani s’u kuptua nëse u prek nga pamja e djaloshit por, u ul në gjunjë e kërkonte të kuptonte nëse ai merrte fryme… U përkul aq shumë pranë tij, sa flokët tërë dredhëza e plot kapse të vogla druri arritën pothuaj fytyrën e djaloshit që ende i mbante frikshëm sytë të mbyllur. Pasi e kqyri me kujdesin e një mjeku, edhe pse s’kishte asnjë lidhje me atë profesion, afrikani i hollë u ngrit e pa ndonjë shprehje në fytyrë, çau rrethin e njerëzve dhe u largua
Njerëzit vazhdonin ta shihin e të tundin kokat… dukej gjithçka e pafuqishme ndaj asaj situate. Mendova se çdo lloj “gjykimi” në këtë situate ishte jo human, tani kryesorja ishte që ky djalë të ndihmohej.
Ndërkohe para këmbëve të mia, heshturazi, dhe me një kompetencë për zili, u duk një meso-burrë, i veshur plot shije, i kujdesshem ndaj çdo hollësie të aparencës; prej tij shpërndahej aroma e një parfumi të shtrenjtë. Të jepte përshtypjen se sapo kishte lënë një sallon berberi. I hekurosur në perfeksion ai la në tokë çantën e tij prej lëkure dhe pati kujdes që tufën me lule të cilën e mbante në dorën tjetër, ta vendosi mbi çantë, duke i kqyrur paksa gjatë lulet se mos anoheshin e binin në trotuar. Mendova se si e shoqja, që mbase mund të kishte ditëlindjen atë ditë, kishte filluar të nervozohej nga vonesa e tij… Mendova po ashtu, se si ai do justifikohej kënaqshëm duke ja përmendur gjestin e tij human e se si kjo hije mërzitje mes tyre do tretej menjehëre… U shkunda nga tërë imagjianata ime e çastit duke e sharë veten pasi nuk ishte aspak momenti për të tilla meditime. Zyrtari ishte i përllogaritur jo vetëm në shijen e veshjes por në çdo veprim të tij… Kombinimi perfekt i ngjyrës së pantallonave me atë të vijave të këmishës ishte një provë e mëtejeshme për këtë… Pasi u përkul mbi djalin – duke mos harruar të përvishte paksa pantallonen që mos t’i bente me pluhur – u duk sikur e shkriu disi momentin e tensionuar ku grumbulli i njerëzve kishte mbajtur frymën. I kombinuari deri në mani, arriti të kuptojë që djali kishte puls dhe këte e tha me zë aq të ulët e i rezervuar a thua se po thoshte të kundërtën. U ndje që ai e kish përfunduar detyrën e tij… kur turma pasoi me një: “Uffffffffffff” kolektive e me lëvizje kokash. Zyrtari, morri me kujdes lulet, çantën, pa harruar të pyeste nëse ishte lajmëruar ndihma e shpejtë. Nuk pati aspak nevojë të kërkonte t’i hapej rruga. Njerëzit tashmë, ishin mënjanuar për t’i lënë atij vend të shkonte…
Fare pranë meje, vazhdonte të rrinte i shtrirë djaloshi. Një çantë shkolle, shumë e përdorur kishte rënë aty pranë tij. U mundova të dalloj ndonjë libër brenda saj, por gjithshka që pashë, ishte bishti i një çekici. Telefoni i tij gri, një markë që më shtyu pas në kohë, kishte rënë shkujdesur gjithashtu, jo kushdo e ka celularin plot shkëlqim.
.
Meshira - Mikelangelo Buonarroti (1497-1499)
Meshira – Mikelangelo Buonarroti (1497-1499)
Në këtë situatë të nderë kur të gjithë prisnin nga njëri tjetri, qetësinë e thyeu një grua e cila lajmëroi se kishte lajmëruar ndihmën e shpejtë. Ajo ishte personi më i zhurmshëm brenda asaj turme pa fjalë, që dukej sikur të vetmin shqetësim kishte “mosshqetësimin”. Me nje trup mesatar, e kolme por e shkathët si një adoleshente, me një telefon në dorë, gruaja hynte dhe dilte në rrethin qarkuar djalit. Megjithëse dukej e fortë, ja ndjeva zërin që i dridhej.
Çdo të ndodhte me këtë djalosh të vetmuar pa askënd të vetin pranë? Sërish u tremba se mund të ishte i pajetë, u drodha por u kujtova se burri kishte thënë se jetonte, dhe rinia e tij, s’ma la gjatë këtë impression drithërues… Megjithatë ashtu, gjysëm e ulur në gjunjë morra guximin tja prek dorën. Ja mora dorën e tij në duart e mia, dhe ndjeva sa të reja ishin ato duar, po ashtu sa të paburrërruara ende, dhe sa shpejt të munduara nga jeta. Ishin duar të parritura por, që kishin tentuar shumë që të rriteshin. Ato ishin plot kallo. Një lëmsh më ngushtoi fytin dhe mallëgjimi më mbërtheu të tërën! Vazhdova t’ja mbaja dorën mes duarve të mija, më dukej sikur lëndimi im do ta ndihmonte sado pak, e në këtë përjetim e sipër, ndjeva një lëvizje fare të lehtë të gishtave të tij. Dikush, pas meje, më foli paksa me ton, duke me kujtuar se s’duhej as ta prekja e as t’i flisja. Këtë rregull bazë të ndihmës së shpejtë edhe unë e dija, por, “gabimi” im i mrekullueshem sapo ishte kryer! Kuptova që djaloshi jetonte, e që mbase, pas pak ditësh mund të ishte si gjithe ne të tjerët.
Njerëzit filluan të rrallohen kur kuptuan që djali dha shenja jete. Ju drejtova gruas energjike për ta pyetur për ndihmën e shpejtë. Djali në këto çaste hapi sytë e tij të lodhur por edhe të hutuar. Ju afruam edhe më ne që kishim mbetur pranë tij: gruaja, unë, dhe disa pensionistë të cilët, s’bënin asgjë gjë tjetër përveçse e mëshironin pa aspak takt. I buzëqesha butë djaloshit,duke i lënë të kuptojë sa shumë na kishte merakosur. “Më dëgjon” i thashe: “A më kupton? Do të bëhesh fare mirë”- dhe ktheva kokën mënjanë pasi nuk doja të më shihte aq të prekur.
E kapërceva atë moment duke e ndihmuar të pinte pak ujë e ndërkohë vura re gruan e kolme, e cila ja mbante ballin dhe njëkohësisht i fshinte djersën. Gjithçka ishte përzier me misterin e asaj që kishte ndodhur. Gruaja afroi çantën e tij pranë e me butësinë e nje puple, ia vendosi telefonin gri heshurazi në xhepin e tij të xhaketes. Megjithëse kishte marre pozicionin e këshillueses, ndjehej se si emocioni ja kishte veshur zërin… Fliste një anglishte me aksent që më bëri të mendoj se ishte nga vendet e lindjes. “Ndaj qenkemi disi të ngjajshme” – mendova. Teksa nxorri nga çanta e saj, një kuletë të vjetër, pashë duart t’i dridheshin. Nxori pak kartmonedha, të gjitha ç’kishte dhe ja vendosi djalit në xhep. “Merri të blesh diçka kur të bëhesh mirë, dëgjove? Se mos i blen cigare!?” i foli ajo mes porosisë dhe buzëqeshjes. Djaloshi e falenderoi me një shikim mirënjohes përzier me pendesë.
Edhe pensionistët qenë larguar ngadalë nën indiferencën e moshës, kur sirena e ndihmës së shpejtë, filloi të dëgjohej më qartë.
Ndihma e shpejtë mbërriti dhe dy persona e vendosën djalin në një barelë. E paketuan brenda minutit, shpejt, saktë, ftohtë, përballë mallëngjimit dhe merakut tim e të gruas aty pranë.
S’do t’i harroj dot ata sy. Flisnin aq shumë sytë e atij djaloshi!
Aq sa doja që ta merrnin atë djalë sa më parë e t’i drejtoheshin spitalit, aq nuk po doja të ndahesha prej tij.
Ishte i rritur po edhe i parritur plotësisht! Ishte me pluhur, por sa mirënjohes ishin sytë e tij! Ishte në vendin e tij, po aq sa në një vend të huaj.
-A mund ti flas pak, shpejt e shpejt? – e pyeta infermierin me veshje jeshile. Fillimisht, ai hezitoi por sytë e mi lutës ma dhanë menjëherë lejen. U afrova tek barela, e cila sapo futej në makinë. Ja mora përsëri dorën, por këtë herë me më guxim, ndërkohë që doja ta përqafoja, e binda veten që të mos e bëja. I tregova ku e kishte çantën e tij të punës dhe çfarë kishte bërë gruaja për të, se lekët i kishte në xhepin e xhaketës. Me shumë sforcim arrita ta kapërcej atë moment mallëngjyes që më kish krijuar ndjesinë e të paturit të një lëmshi në grykë. “A je më mirë?” – e pyeta. Më pohoi me kokë. “Do të të lutem ta ndihmosh veten. Ti je i ri e i bukur. Jeta jote është duke të pritur, zemër!” – vazhdova, “A më premton?” “Po – më tha – të premtoj, si nënës time!” Jo të gjitha fjalët e tij thënë në gjuhën e huaj, ishin gramatikisht të sakta, por ndjeva se ai premtim qe i vërtetë dhe ma pushtoi shpirtin! Mbaj mend që iu drejtova në anglisht, por fjalën “Zemër” patjetër do t’ia kem thënë në shqip. Si për të ngrohur e përmbushur shpirtin tim të lënduar. “Ku e ke nënën” – arrita ta pyes. “Shumë larg” – më tha dhe tentoi që fytyën ta kthente menjanë. Ndërkohë inferimieri me xhentilesë më bëri shenjë se duhej të ndaheshim. Makina u nis dhe bashkë me djaloshin, mori edhe emocionin e atyre minutave – orë.
Kur makina u zhduk, atëher kuptova sa e lodhur isha. Ndërkohë që fillova të rregulloj xhaketën e zbërthyer e të mbledh shpejt flokët, u ktheva ta përshëndes gruan. Dëshpërimi na kish mbështjellë të dyjave e s’kishim fuqi as të flisnim. Na duhej të iknim në drejtime të kundërta dhe megjithëse nuk njiheshim u ndjemë tejet të afërta me njera tjetrën. Shpejt e shpejt përmendëm sa e dhimshme kishte qenë ajo skenë, por edhe sa mrekulli që atë djalë e dërguan në kohë në spital. Në fund, u përshëndetëm dhe seicila u nis në drejtimin e saj. Lodhja e kishte bërë të vetën dhe në momentin e fundit, e nxorri fjalën nga shpirti a pavetëdija që pakuptuar buron në gjuhën tënde. Duke dashur t’i uroj natën e mirë, unë kisha folur në shqip. Gruaja ktheu rrëmbimthi kokën dhe mes çudisë e afinitetit më pyeti:
-Edhe ti… shqiptare?!
Toronto, 11 korrik, 2017
Marrë nga Klarabudapost.com në serinë Albanian Courage Mothers
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.