back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Edvin Shvarc: “Në hijen e një babai të njohur”

Gazeta

Robert Shvarc (1932-2003)
Robert Shvarc (1932-2003)

Edvin Shvarc:

“Në hijen e një babai të njohur”

intervistoi Gilmana Bushati

Flet Edvin Shvarc, djali i përkthyesit të madh, Robert Shvarc.
Ai tregon sesi ishte të jetoje me një artist që në lindje e deri në vdekje,
se cilat ishin mësimet më të mira dhe defektet e tij.
Edvini është përkthyes,
që nuk zgjodhi të përkthente nga e njëjta gjuhë që përkthente i ati, nga gjermanishtja,
por preferon të sjellë në shqip kryeveprat e letërsisë anglo-saksone,
tregon se si e shihte ai figurën e babait.
Sot, sigurisht, që personazhet dhe heronjtë pozitivë
po na serviren nga ekranet e shumta dhe kompjuterin që kemi në shtëpi,
mbase edhe këtyre duhet t’i vihet në dyshim “pozitiviteti”,
por dikur, jo shumë kohë më parë, por pak vite më parë,
njerëzit kanë pasur në mendje heroin e tyre pozitiv.
Për Edvinin ishte Roberti, me të mirat dhe të metat e tij,
që gjithçka i tregon në këtë intervistë për “Summer Pages”.
Ndërsa Roberti ishte përkthyes profesionist,
paradite punonte për të mbajtur familjen dhe pasdite punonte për kënaqësinë e vet.
Edvini nuk është se ndryshon shumë,
paradite ai punon si drejtor i informimit publik dhe i Marrëdhënieve me Jashtë në Presidencë,
ndërsa pasdite përkthen nga anglishtja.

Si mund ta përshkruani figurën e babait tuaj? Figura e tij më është skalitur në kujtesë dhe e tillë do të mbesë gjithmonë, siç e kam pikturuar dikur me lapsa kinezë me bojëra: një burrë zeshkan e shtatshkurtër, gjithmonë i veshur shik (veshje dhe pamje, për të cilat është kujdesur ime ëmë me shumë përkushtim e me shije të hollë), me kostum dhe kollare të pandashme, me një pardesy ngjyrë ulliri të errët, me kapelen e zezë republikë ngahera majë kokës dhe me cigaren që s’i shqitej nga buzët ironike, megjithëse për një periudhë kohe pinte duhan edhe me llullë. Një njeri i mistershëm nga jashtë e fjalëpak, për ata që nuk e njihnin, me një koracë mbrojtëse të padepërtueshme, por tepër i butë e i ndjeshëm nga brenda, sidomos ndaj padrejtësive të çfarëdolloji, me parime të forta e të palëkundura, që mbante gjithmonë fjalën e dhënë edhe pse shpeshherë mund t’i duhej të sakrifikonte diçka apo shumëçka nga rehatia e vet. Një njeri që e kuptonte vetë i pari kur e kishte gabim, por që rrallëherë bënte prapakthehu. Një baba i rreptë, por gjithsesi një prind krenar për të birin, i kujdesshëm deri në kulm për familjen, për mirëqenien e saj si dhe për mënyrën se si do t’i rritej trashëgimtari i vetëm, por mund të them që nuk dinte të përkëdhelte, megjithëse im atë ka mbajtur ditar për njëfarë kohe kur kam lindur unë.
Kujtimet e para nga fëmijëria. Kush jua ka vënë emrin dhe a ka ndonjë kuptim? Ata që më njohin mirë, shpesh ma vënë në dukje se unë vuaj nga një kujtesë paksa të çuditshme, një kujtesë përzgjedhëse deri në kufijtë e të pazakonshmes. Gjyshin tim, i cili jetonte në Shkodër dhe mbante marrëdhënie nga larg me të birin e madh nëpërmjet një letërkëmbimi që shkruhej rreptësisht në gjermanisht, e kam takuar veç një herë, kur erdhi në Tiranë të shihte e të njihte nipin. E mbaj mend kështu si në tym, por nga ai kam trashëguar jo vetëm tiparet fiziologjike e finotipike, por edhe dashurinë për kafshët në përgjithësi dhe kuajt në veçanti.
Ndërsa kujtimet e para të tim ati, kanë të bëjnë me shëtitjet me biçikletë, teksa unë rrija urtë në një kosh metalik të montuar pranë timonit, harlisjet në parkun e lojërave te rruga e “Elbasanit”, ku qejfi im ishte që të bëja xhiro me pajtonin e tërhequr pa përtim nga gomarica e lezetshme dhe e paharrueshme, Liza, pushimet me pikatore në plazhin e Durrësit, (sidomos zënia rrallëherë e një dhome në hotel “Adriatik”) dhe librat, librat e panumërt. Natyrisht që dikur do të më duhej ta pyesja edhe për emrin tim, se nga i kishte ardhur ideja dhe historia që pasoi ishte shumë e veçantë: “Dikur në vitet ’60-të, kur punonte në degën e Turizmit, në Sarandë kishte shpëtuar një turist anglez nga mbytja. Dhe meqë ai e kishte pasur emrin “Edwin” që në anglo-saksonishten e vjetër nënkuptonte “shok i mirë, zemërgjerë”, i ra ndërmend t’ia vinte pikërisht atë emër të birit të tij të vetëm. Nuk më takon mua të gjykoj nëse e kam përmbushur pritshmërinë e kuptimit të emrit apo jo, por u takon atyre miqve e shokëve, të cilët i japin vlera e ma pasurojnë jetën time përditë.
Më kujtohet që aty nga viti 1977, kur na dhanë më në fund një apartament në saje të kërkesës së babait tim dhe këmbënguljes së nënës sime, me tim atë pajtuam një taksi te Banka dhe shkuam në rrugën e “Kavajës”, tek familja Balla, për të marrë librat e tij, që jo vetëm peshonin shumë, por shumica ishte e shtypur në gjermanishten e vjetër me germa gotike. Mes atyre librave, disa prej të cilëve do t’i shfletoja me ëndje më vonë, më tërhiqnin aventurat e shkruara nga Karl Mai, i cili jo vetëm kishte përshkruar me detaje jetën e indianëve lëkurëkuq të Amerikës, por kishte portretizuar edhe shqiptarët pa vënë kurrë këmbën në viset tona.
Gjithashtu më kujtohet se si kur ecnim rrugëve, ai, duke më mbajtur përdore, përshëndeste aq shumë njerëz, saqë mua më kishte mbirë në kokë ideja e gabuar se im atë duhej të njihte të paktën gjysmën e banorëve të Tiranës, të cilët në atë kohë kapnin një shifër rreth dyqind mijë vetë! Në rrugë dhe kudo çapitej i përhumbur thellë në mendimet e hallet e veta, por rrezatonte fisnikëri dhe qetësi, paçka se përbrenda edhe mund të vlonte e shpeshherë shpërthente me një nervozizëm që i fashitej shpejt.

Robert Shvarc Qytetar Nderi i Shkodrës Edvin Shvarc nderohet nga Kryetari i K. B. Sh. - Bardhyl Lohja
Robert Shvarc Qytetar Nderi i Shkodrës
Edvin Shvarc nderohet nga Kryetari i K. B. Sh. – Bardhyl Lohja

Si ka qenë jeta me të? Tërheqëse, e pasur me ngjarje mbresëlënëse, prej të cilave kishe gjithmonë se çfarë të mësoje apo të përmirësoje, por njëkohësisht edhe e ndërlikuar. Kishte diçka të veçantë tek ai si njeri: sytë e zi plot shkëlqim, që po të dije t’ia lexoje, mund të të shërbenin si një burim i pashtershëm të dhënash, emocionesh, reagimesh impulsive, dashurie dhe ndjenje të pashprehur dot me fjalë apo me gjeste, sidomos kur qeshte apo kur ishte në humor. Sytë e tij në formë bajameje, të trashëguara nga e ëma elbasanllije, ishin me të vërtetë pasqyra e shpirtit të qashtër të tim eti. Më tepër, tim atë si njeri, unë e kam njohur nga marrëdhëniet dhe rrëfimet e të tjerëve, miqve, të afërmve, kolegëve, bashkëkohësve (duke pasur parasysh këtu që edhe një të tretën e jetës sime e kalova larg tij, në mërgim) si dhe nga librat që kishte zgjedhur të përkthente apo poezitë që shkruante herë pas here. Kohët e fundit u botuan dy libra me poezi “Vargje të pluhurosura” nga Robert Shvarci dhe “Strehë nga stuhia” nga Bob Dylan.
Duke i lexuar me kujdes, pikas shumë ngjashmëri, jo vetëm në temat që kanë trajtuar, të cilat turbullojnë dhe ngjallin reagim tek çdo njeri sadopak i ndjeshëm e me shpirt artisti, por edhe tek përdorimi i figurave letrare dhe përfytyrimet e njëjta. Ndoshta ngaqë kishin emrin e përbashkët Robert, apo ndoshta edhe nga që ndanin prejardhjen deri diku të njëjtë hebreje me origjinë të largët nga Galicia e vjetër e fundshekullit XIX.
Nuk më ka folur për fëmijërinë e tij, për ulje-ngritjet në jetë, të cilën e ka pasur shumë të tallazitur, duke e veshur marrëdhënien baba-bir me një tis të dendur misterioz. Gjithçka e kam mësuar vetë duke pyetur sa andej-këtej, duke lexuar e shfletuar që i vogël gjëra që ndoshta nuk i përshtateshin moshës sime. Romanin e Remarkut “Harku i Triumfit” që kishte dekada që nuk lejohej të botohej, por që kalonte e shfletohej dorë më dorë nëpër Tiranë, e kam lexuar në fillimin e viteve ’80-të, brenda një nate, kur të dy prindërit e mi gjendeshin në Shkodër për të varrosur gjyshen. Ndërsa, romanet e tjera kam pasur rastin t’i lexoj me nge duke zbuluar faqe pas faqe ngjasime rastësore me tim atë dhe tipin e tij të veçantë. Për të kishte kuptim miqësia e vërtetë dhe e sinqertë, shumë e ngjashme me atë të “Tre shokëve”, sakrifica pa interes, dashuria dhe ndjenjat e pastra njerëzore si ato të Ravikut me Xhoanën tek “Harku” apo një lloj “kameraderie” e pazgjidhshme dhe e përjetshme si tek “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”.
Tek ai mund të gjeje të njëjtin pasion për artin dhe etje për të arritur përsosmërinë si tek Goja i portretizuar nga Fojtvangeri në romanin “Rruga e mundimshme drejt njohjes” apo shpërthim revolte ndaj padrejtësive si tek “Kryengritja e të varurve” të Travenit. Mund të dalloje lehtësisht dhe qartazi edhe shpirtin lirik e romantik që i vlonte përbrenda apo prejardhjen e pagabueshme nga Evropa Qendrore të përshkruar aq mjeshtërisht nga Cvajgu. Nga ana tjetër, përçonte natyrshëm edhe ndikimet letrare dhe përkujdesjen për gjuhën shqipe që i kishte përvetësuar nga: Noli, Fishta, Mjeda, Migjeni, Kuteli apo nga mjeshtrat e hershëm të shqipërimit.
Të mirat dhe të këqijat e tij? Njeri tepër i ndjeshëm e i papërkulshëm, me sensin e vet solomonik të drejtësisë, jo të hakmarrjes biblike-hebraike “sy për sy e dhëmb për dhëmb”. Njëfarë “heroi pozitiv” i kohërave të perënduara, besnik deri në vdekje i idealeve të brezit të tij dhe parimeve të forta e patjetërsueshme morale dhe etike. Nga ana tjetër, shumë njerëzor e i brishtë dhe si çdo vdekatar i zakonshëm, me të mirat dhe të këqijat e veta, veset dhe huqet, për të cilat duhet të ishe shumë i kujdesshëm dhe nganjëherë duhej të mbyllje të dy veshët e të dy sytë për të mos ia vënë re. Megjithëse, duke qenë të dy me karakter të fortë dhe këmbëngulës, kemi pasur edhe ne përplasjet e mosmarrëveshjet tona ndër vite, por pa qeder e pa pasoja. Fati i tij i madh ka qenë martesa me nënën time, një grua e mençur dhe plot durim, një artiste më vete, e cila ka meritën e vet të padiskutueshme në suksesin profesional dhe njerëzor të Robert Shvarcit. Gjithashtu, Zoti e bekoi edhe me miq e shokë të mirë, besnikë e fisnikë, të cilët ai vetë diti t’i përzgjidhte me një sy të mprehtë e zemër të gjerë.
Ngjashmëritë dhe dallimet mes jush? Nuk di ç’të them, gjithsecili ka veçoritë e veta, edhe kur janë babë e bir. Po më duket vetja sikur jam në divanin e psiko-analistit, ndoshta sepse Frojdin ka shumë gjasa ta kemi pasur kushëri të largët… Përveç ngjashmërive fiziologjike, ndiqnim të dy të njëjtën metodë pune në përkthim: tekstin e përkthenim njëherë me dorë, pastaj e shtypnim (ai dikur në makinë shkrimi, unë tashmë në kompjuter) dhe e redaktonim duke e korrigjuar disa herë para se të shihte dritën e botimit. Mund të them që të dy ndanim të njëjtin ves të keq të duhanpirjes, të idealizmit të dalë jashtë mode. Gjithashtu të dy e nxirrnim bukën e gojës duke punuar si përkthyes profesionistë ditën për shtetin shqiptar, ndërsa pasdite apo natën u kushtoheshim përkthimeve letrare.
Sa për dallimet ka plot, duke filluar që nga gjuhët që zgjodhëm për profesion (ai gjermanishten, unë anglishten), e deri tek këndvështrimet e ndryshme për jetën dhe botën që na rrethon. Për shembull, duke qenë njeri i vetënxënë, im atë nuk e ndiente veten të aftë t’i mësonte ndokujt gjermanishten, as mua, sepse i mungonin aftësitë pedagogjike, por gjithsesi jam i sigurt se ka ndihmuar çdokënd që kishte nevojë ta përvetësonte e ta përmirësonte atë gjuhë. Ndërsa me pjesëmarrjen time në vitet 1990-91 në lëvizjen studentore shqiptare, ai nuk u pajtua kurrë plotësisht, paçka se përbrenda ndihej krenar për të birin dhe shokët e tij.
Përfytyroni që kur në muajt dhjetor e shkurt të 1990-’91 u shkulën njerëzit nga e gjithë Tirana, për të mos thënë nga mbarë Shqipëria për të ardhur në qytetin Studenti, ndërsa im atë mund të ketë qenë i vetmi që nuk shkeli atje, me përjashtim të mbrëmjes së 20 shkurtit, pasi ishte rrëzuar monumenti i diktatorit Hoxha. Ose ndryshimi tjetër: unë dikur kam qenë mjaft i dhënë pas sportit, ndërsa im atë, sa herë kishte ndeshje të rëndësishme futbolli në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, shëtiste i vetëm në bulevard dhe kur takonte ndonjë të njohur që habitej se si nuk po e shikonte ndeshjen, i përgjigjej me një ndjenjë të lehtë melankolie “Në këto dy orë, më duket sikur këtë Tiranë bosh fare, e kam vetëm për vete, si dikur…”
29 Qershor 2011 – Gazeta Shqiptare
marre nga http://www.peshkupauje.com

Remark - Tre Shoket - Perktheu Robert Shvarc
Remark – Tre Shoket – Perktheu Robert Shvarc

Përkthime të Robert Shvarc

 

Erih Maria Remark
Tre shokë
Harku i Triumfit
Asgjë e re nga fronti i Perëndimit
Shkëndija e jetës
Obelisku i zi

Lion Fojtvanger
Çifutja e Toledos
Fransisko Goja

Bruno Apic
Lakuriq në mes të ujqërve

Leon Uris
Eksodi

Bertolt Brehtit (drama)
Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj
Kënga e një nëne gjermane
Ditët e Komunës
Arturo Ui
Pushkët e nënës Karrar
Opera për tre grosh
Baali

Hajnrih Hajne
Gjermania, përrallë dimri

Gëte dhe Shileri
Poezi dhe balada

Përkthime në gjermanisht të veprave të shkrimtarëve:
Rexhep Qosja, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Ismail Kadare

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.