back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Eklipsi i vargut poetik në dy krijuese shkodrane, Arjola Zadrima dhe Desantila Qerimaj – nga Leon Lekaj

Gazeta

Autoret Arjola Zadrima & Desantila Qerimaj
Autoret Arjola Zadrima & Desantila Qerimaj

Eklipsi i vargut poetik në dy krijuese shkodrane,

Arjola Zadrima dhe Desantila Qerimaj

nga Leon Lekaj

Ka gati tridhjetë vite, që letërsia shqipe po kërkon me etje përfaqësuesit e saj ma të denjë. Midis nji kaosi okult dhe gadi të padepërtueshëm, midis një përzgjedhjeje abuzive e të fryeme me tema, të cilat tashma e kanë lodhë lexuesin shqiptar në të dyja anët e kufinit, kërkimi i nji letërsie të ndershme e të mirfilltë, ku fjala e vendosun siç duhet dhe ku duhet të përbajë me të vërtetë art, mbetet nji angazhim jo i lehtë i lexuesit të mirfilltë.
Jo rrallë herë posta nga atdheu, apo nga vise ma të largëta të globit, flet me gjuhën e librit. Kësaj here ishte nji zâ i ri, nji krijuese e re, e cila troket plot elegancë në portën e poetëve, për ti befasue ata me vargjet e saj modeste.
Bahet fjalë për Desantila Qerimaj dhe vllimin e saj të parë poetik “Arie të krisuna”, i cili mbërriti në adresën time me autografin e autores.
Kur dora kërkoi me e vendosë atë në bibliotekën e vogël, këtu në Athinë, pa dashtë dhe ndoshta pa e ditë se pse, libri i saj zuni vend afër librit të një tjetër poeteje shkodrane, Arjola Zadrima, e cila pak kohë ma parë ma pat dhurue vllimin “Carpe diem”. Ky qe nji gjest i rastësishëm, por rreshtat që po shkruej për këto dy poete të nji prej qendrave ma të randësishme të kulturës sonë kombtare, janë nji vetdije e plotë. Ato janë shprehje e nji shtyse të brendëshme, e cila grafikisht më krijoi nji paralele kur mbarova së lexuemi të dy vëllimet e tyne poetike.
Për Desantilën këto rreshta që pata shkrue vitin që shkoi, janë botue në kapakun e vllimit të saj “Arie të krisuna”: “Desantila i drejtohet me guxim nji përvoje ekzistenciale dhe poezia që ajo na vë përpara braktis në mnyrë flagrante konceptin romantik. Vargu i saj, si tingull i zvarritun violonçeli, që kambëngul të japë idenë e dhimbjes me pak masa, të thrret në nji kombinim elegant fjalësh, e të detyron të hysh brenda tij, si një njeri që ndeshet me universin e nji bote të panjoftun. Nji botë vargjesh, ku muzikaliteti asht nji prej tipareve kryesore. Midis nji vokacioni kondensues dhe thanieve aluzive, çdo fjalë e saj vishet me ngjyra, e mandej shndërrohet në nji tingull kumbues, në realitetit misterioz që ajo kërkon me ndërtue, tue i dhanë jetë shumë temave që shqetësojnë raportin unë-botë”.
Kurse për Ariolën pata formulue këtë përcaktim të shkurtë: “Hyn në universin poetik të Ariola Zadrimës dhe të befason deti i pafund i dashunisë, det, ku jo rrallë herë cunamet e ndjenjave të autores, nuk kursejnë të fshijnë nga harta e tij ishuj tabush. Ndjen se si në atë botë vargjesh, vullkane shkaktue prej metaforave të freskëta, që burojnë prej thellësive të shpirtit të autores, formojnë të tjerë ishuj, të gjelbër, plot shpresë, ishuj ku zani prej gruaje e prej nane i poetes endet me mesazhin; vetëm dashunia mundet me ba ma të bukur ktë botë”.
Ariola Zadrima - Libri "A ban me m'lshue pak rruge?"
Ariola Zadrima – Libri “A ban me m’lshue pak rruge?”
“Ka ditë që dashnija s’përfill
si me thanë të Hanën
mu në qendër të jetës tande…”
dhe vazhdon
“Në shpellën ku mblidhet shpirti
ndjej grahmat tue murmurit
“Ke me m’vdekë në mes t’krahnorit”
tue e kuptue se njerëzit jetojnë e vdesin
ditë-ditë.”
P(rej vllimit: “A ban me m’lshue pak rrug” A. Zadrima)
 
Vargje, tek të cilat asgja nuk të kujton poezitë që enden shpesh nëpër vllime poetike, me parathanie të fryeme edhe prej emnave “të mëdhenj”. Poetja Zadrima çon nalt gishtin tregues, “kërcënon” me vdekje n’mes t’krahnorit dashuninë e vet. I kujton se sa i shkurtë asht çasti, i cili na afron me ditën fatale të mos egzistencës sonë. Ditë-ditë, një fjalë e përsëritun dy herë, e cila ngjason me zhurmën onomatopeike pikë-pikë e të duket sikur prej qiriut të mbetun, ato japin madhnishëm idenë e fundit që afrohet.
Kurse Desantila thotë:
 
Desantila Qerimaj - Arie t'krisuna
Desantila Qerimaj – Arie t’krisuna
“…Akullin e frikës kam lshue
n’zjarrmi të zemrës tande”.
(Nga poezia “Muzg” – D. Qerimaj)
.
E në nji tjetër poezi të titullueme “Arenë e brendshme”
 
“…Poezi a çkado që koha asht
Dritë a çkado që koha t’jetë
mali i saj fryhet
e orë mbas ore tinzisht,
ka me na pëndjekë”.
 
Në poezinë “Muzg” kemi madhështinë e dy vargjeve me përmasa aisbergu. Këtë nuk ta kujton vetëm akulli, të cilin autorja ia shfaq lexuesit në mënyrë të hijshme, por asht zjarrmia e zemrës, vendi ku pjesa e padukshme zhytet. Se në ç’raporte asht ai aisberg poetik dhe a mjafton zjarrmia e asaj zemre, që ta shkrijë atë akull frike, këtë Desantila, ashtu si shumë zgjidhje të tjera, e len në dorë të lexuesit.
Tek vargu “orë mbas ore”, i cili krejt lehtësisht mund të ishte orë-orë, kemi prapë një fjalë që rreh me të njëjtin ritëm, siç godet fjala pikë-pikë tue dhanë edhe në ktë rast idenë e nji onomatopoizmi. Koha që përndjek asht ajo që afron tik-takun e një fundi të pashmangshëm të qenies njerëzore.
Ndonëse në karaktere jo fort të përputhshme, po t’i lexosh këto dy poete me nji vëmendje të konsiderueshme, krijimtaritë e tyne afrohen tue na dhanë pika të përbashkëta të cilat mbulojnë me tunikën e tyne krijuese nji pjesë të shqetësimit ekzitencial. Të dyja kanë një gegnishte të admirueshme, të xhveshun prej harlisjeve të tepërta dhe arkaizmave të pa nevojshme. Të dyja guxojnë. Edhe pse guximi i Desantilës duket sikur vjen ma i matun, e ma i qetë, ajo prapëseprap guxon. Guxon dhe prej atij akti plazmohen vargje të zashme:
 
…Kam me t’përqafue njisoj si ty, si terrin.
Thue se kurrë s’ma ke pa
Damarin e kahershëm blu të trishtimit.”
(Nga poezia “Zani i mbramjes asht i ftoftë”)
 
Autorja ven përballë “atë” dhe terrin. Këtu lumtunia përnjehsohet dhe ngjyra asht e përzieme me drojën veshtullore të saj. Ajo e paralajmëron përqafjen e saj në doza të qarta ngurrimi. Damari i kahershëm blu i trishtimit asht i gatshëm m’u derdhë në gypin e ngushtë të lumtunisë.
 
Ti vetëm më lexo atë që s’them
kur ti kem dhanë za.
Damarët janë ça
e ka rrjedhë mungesa jote.
(A. Zadrima poezia “Testament” nga vëllimi “Carpe diem”.)
 
Shih me sa art artikulohet heshtja në këto vargje. Ajo nuk përmendet askund, asht inekzistente, asht fjalë e mshehun ndër labirinthe kuptimesh dhe konotacionesh. Ajo kumton thekshëm mosdeklamimin, kërkon që dashunija e saj ti lexojë atë çka ka të shkrueme brenda qenies, ndryshe tre vargjet e fundit do të jenë ndëshkues të pamëshirshëm, do ta shpallin “non grata”… “atë”.
Nuk asht fjala damar ajo që eklipsohet prej dy poeteve tek këto dy qasje. As frika e humbjes. Të dyja duket sikur rreken me dhanë mesazhin se në nji dashuni vrundujt e të pathanave formojnë përrenjtë e ekzistencës sonë. Ato nuk derdhen për asnji çast jashtë qenies, por dy dyja ngulmojnë që pigmenti i dashunisë së tyne t’i ngjyrosë ata, deri në atë masë sa të lejojë tejdukshmërinë e tyne. Ndryshe… i pret “ndëshkimi” i poeteve.
Të dyja gra të linduna në nji prej kryeqendrave të artit, të dyja nana, të dyja arshivojnë poezinë e tyne brenda lirisë së vargut, ato i bashkon edhe nji element tjetër i spikatun; cilivilizimi. Tue xhveshë krejtësisht çibanin e autocensurës, ato çfaqen nudo në ndjenja, tue ruejtë të virgjën vetëm masën e heshtjes. Në atë kthinë ruhen gjanat e shenjta të tyne dhe lexuesi mundet me hy aty vetëm nëpërmjet imagjinatës, të cilën autoret nuk kursehen që t’ia induktojnë me vargjet e tyne. Kësaj here unë nuk do të ndalem tek ato fenomene, të cilat mund të bahen pengesë drejt perfeksionimit të vargut të tyne, por po mjaftohem me thanë se Arjola Zadrima dhe Desantila Qerimaj, janë dy emna poetesh, krijimtaria e të cilave kërkon vëmendje.
.
Athinë, 17 mars 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.