back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ekrem Vlora – nga Ernest Koliqi

Gazeta

Eqerem Bej Vlora (1885-1964)
Eqerem Bej Vlora (1885-1964)

EKREM VLORA

nga Ernest Koliqi

Kah fundi i Marsit ndrroi jetë në Vienë Ekrem Vlora, një zotni njimendët që nderonte gjakun shqiptar me veti të rralla njerzore (humaines) dhe më të prumit e njerzishëm (poli, curtois). Mënyrnat e lëmueta qi e dallojshin nuk ishin vetëm trajtë e sypërfaqëshme, por edhe shfaqe të një fisnikije së shpirtit, fryt i një mirërritjeje (education) bujare. Në nji mot kur fjala cënuse dhe qindrimi i vrazhtë, arsye e pa arsye, janë ba zakon i rëndomtë, sjelljet e Tija të zgjedhuna shumkujt iu dukshin anakronike. I lindun mes miradinavet e i rritun si thuhet në ”diba”, Ai nuk përbuzte kurrkend e nuk e ndante njerzin në fisnik e në harbut, por sillej me të gjithë ambël e urtisht. Buza e Tij nuk njifte vnerin e shprehjeve fyese, jargun e mënis; biseda rridhte e kthjellët në ligjirimin e Vlorës, i cili kur buron i kulluet, asht plot undyrë arbnore. E ky poliglot qi flitte e shkruente mjeshtrisht disa gjuhë të hueja, pëlqente pastrin në shqipe dhe përpiqej të rrjeshtonte mendimet e veta në mënyrën ma të thjeshtë pa përzimje trajtash të hueja sidomos në shkrime. Për kët aristokrat të vaditun të rrnojë i lirë nga nxitjet e nevojës, shumëkush dyshonte se në vullnet e në zotsi të Tij, mund të mungonte forca me kapërcye zorime të paprituna të jetesës. Por gaboheshin: i qëlluem trathmend (tout a coup sudainement) nga fatkeqsia, e i flakruem pa mjete rrojtjeje mbi udhat e nji mërgimi të ngurtë, Ekerem beu nuk u ligështue, por me nji farë ngathëtije të dukshme qi mfshefte nji zotnim të çuditshëm të ndjesive të përmbrendëshme, e ishte stoicizëm për t’u admirue, përballoj çdo vishtirsi dhe ju përvesh me zell rinuer punës për t’fitue kafshatën e bukës së përditshme. Kurr nuk i shpërthei ke buza fjala dëshpëruese. Iu shtrue kushteve të randa qi nji fat mizuer ia caktoi asaj pale Shqiptarësh, e cila nuk desh t’a shtrijë qafën nën zgjedhë të tyranis së kuqe. Punoi pa ankim, mund me nji far gaztorie si me pasë gjetë në mùnd të paparapam nji rangë argëtuese, nji ndryshim majahosh prej jetës hapè-plote (të bollekshme) e ngise qi ish mësue të bante mà përpara. Nji kurreshtë e nzitte me njoftë valvitjet dhe zhvillimet e situatës së re, në të cilën e kishin shkapetë dallgat e nji rreziku të pa menduem. Ai do t’ia kishte pranue me përulje të qetë shplakën dërrmuse të fatit, po mos t’ia shporonte zemrën si hanxhar kujtimi i bashkëshortes dhe i së bijës mbet n’atdhe, të cilat pak shpresë ushqente se mund t’i shifte për së gjalli. Ky mendim e shkallmoi natë e ditë si grathore (cilice, haire) tue ia bre gjallnin e mishit dhe të shpirtit; shkurt tue ia shkurtu jetën qi e kalueme me rregull e pa tronditje kishte të gjitha qyshqet m’u zgjatue edhe mà.
Sa përvojë të çmushme pat grumbullue gjatë jetës së dendun me ngjarje të gjithnduerta. Përvojë e dobishme për veten e Tij, për rrethin vet  shoqënuer, e për mbarë kombin, sepse Ai i shoshitte ngjarjet me vemendje dhe nxierte fryt  prej tyne.

Eqrem Bej Vlora - Kujtime 1885-1925
Eqrem Bej Vlora – Kujtime 1885-1925

E qe në vijat e veta kryesore jeta e Tij.
Lindi në Vlonë në 1 dhjetuer 1885 nga Syrja bej Vlora e Hihri hanëm Toptani. Njoftimet e para të dijes i muer në shtëpinë atnore nga nji tubë mësimdhansish vetanakë (prives) qi e pregatitën në turqishte, arabishte, persishte dhe në frëngishte, gjermanishte, anglishte, italisht e greqisht. Mà vonë ia hyni edhe studimit të shqipes. Provimet për t’u pranue në shkollë të mesme i dha në Basel (Basilea e Svicrës). Klasat e nalta të gjymnazit i ndoq shkëlqimisht n’Akademinë perandorake e mbretnore “Theresianum” të Vienës në shoqni me pinjojt e aristokracisë ma të naltë austro-hungare. U specializue në çashtje ballkanike gjithnjì në Vienë n’universitet. Rreth viteve 1905-6, fitoi doktoratën në Fakultetin ligjuer të Stambollit edhe u pranue në Ministrinë e Punve te Jashtme otomane si attache. Me 1907, u dërgue si sekretar Ambashate në Petroburg. Qysh në kohën e studimevet të Tija n’Austri kish nisun të mirrej me çashtjen e pamvarsis s’atdheut, kështu mezi ç’priti, kur erdh koha me u kthye në Shqipni. Populli i Vlonës e zgjodhi deputet porsa agoi e deshiruemja liri shqiptare.
Më 1913 e shofim Senator në Vlonë e Nënkryetar të Senatit. Ne periudhën e pështjellueshme, plot shkëndija patriotike e hov atdhedashunije qi merr emën nga Wied-i mbret i ynë kalorsiak i dashun,  por i pafat, Ekrem Vlora veproi si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të shtetit shqiptar porsa të lindun. Gjatë luftës së parë botnore Italianët e internuen si austrofil (1916-1919). Me 1922, e gjejmë Kryetar Bashkije në Vlonë, me 1923, Deputet, me 1925, Senator e mandej Përfaqsues i Shqipnisë në Londër (1927) e n’Athinë (1930). Me 1933, kthen në Tiranë i ngarkuem me ofiqin e naltë të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëvet të Jashtme. Më 1937, prap përfaqson Vlonën në Parlament shqiptar. Me 1942, emnohet Ministër i Tokavet të Lirume. Në të gjitha zyret në të cilat u përshkue, Ai spikati për matuni fjale e veprimi, për urti nisjativash frymzue, nga nji përgatitje serijoze kulturore, për ndeshmëni e mirsjellje.
Në takimet me Të, zhdavaritej bindja e ngutshme e të huejve mbi pazotsinë e Shqiptarve me ushtrue detyrat shtetnore me kritere moderne. Në përgatitjen e Tij ditunore bashkohej njoftja e rrallë e vendit me njoftje të çashjeve mà të ndërlikueme të politikës ndërkombtare. Shto mënyrën elegante të Paraqitjes së çashjeve nëpër nji zotnim të jashzakonshëm, si e thamë ma sipër të gjuhve të mëdha botnore e mund të kuptojsh përshtypjen qi Ai shkaktonte ndër të huej.

Shkrimi i Koliqit te "Shejzat"
Shkrimi i Koliqit te “Shejzat”

Në hulumtimet historike, për të cilat kishte prirje, zotnimi i gjuhve lindore e prendimore i shërbente me depërtue pa vishtirsi nëpër krahasime të dokumentave, në themel të ngjarjeve. Botoi në gjuhë gjermanisht dy vepra qi gjetën miratim ndër qarqe ditunore të hueja: Aus Berat und vom Tomor (Sarajevo-Daniel A. Kajon -1911) e Die Wahrheit uber da Vorgehen der Jungturken in Albanien (Vien-Leipzig: Fromme-1911). Në këto vjetët e fundit i ngarkuem nga z.Dr. Bernath, Drejtuer i Institutit “Sudost” të Munchenit shkruente kujtimet e veta.
Ishte kah i epte fund kësaj vepre plym me shënime tërhjekëse mbi zakonet, mbi ngjarjet e mbi mendësinë shqiptare. Vëllimin e parë e kish dorzue; vdekja nuk e lejoi të kryej pjesën e fundit të vëllimit të dytë.
Lavroi me shije edhe shkrimin shqip në syzime e n’artikuj të ndryshëm tue rrahë çashtje të gjalla qi na përkasin. Shkrime e Tija në shtylla të kësaj të përkohëshme lexuesat tonë i njofin. Shkruesi i këtyne rradhvet përfitoi shumë nga biseda e këtij Zotnije rranxë-ari dëng me dije, përvojë e mendesqueti, sidomos në skjarim të disa situatave të kalesës qi askush nuk ka cekë me shkrim. Pesë muej para se Mordja e pashpirt të na e rrëmbente, më tregoi disa rrethana në lidhje me Shpalljen e Pamvarsisë shqiptare në Vlonë. Si dihet Flamuri i Skëndërbeut valoi në erë të lirisë mbas pesë shekujsh errësije nga nji balkue i shtëpisë së Vlorejve. Lajmet qi Ai më dha mbi flamurin e përdorun n’at rasë, besoj se asht mirë të njifen.
Ekrem beu në 1901, ishte pjekë në Vienë me Aladro Kastrijotin, Don Juan de Aladro Kastrioti, kur e takova për të parën herë ishte nji burrë gjashtëdhetvjeçar, me nji shtat mesatar, i hollë, elegant, mustaqet ngjyrë-hini “à la mode gauloise”: i sjellshëm, i dashur, zotni me gjithë kuptimin e fjalës. Ishja tepër i ri për të biseduar me të çështje politike.
Mbajsha letërshkëmbim me Aladro-n ç’prej vitit 1900, letërshkëmbim i nisur nëpërmjet nji paraqitjeje me shkrim të Faik Konitzës, i cili aso kohe botonte Albania-n në Bruxelles. Por letrat si të mijat ashtu dhe t’Aldrado-s erdhën duke u rralluar deri sa u këputën krejt. E takova rishtazi mbas dhjetë vjetve në Paris. Më priti në banesë të vet (banonte në një “hotel-particulier” vërtè “charmant”. Aty pata rastin t’admironja biblotekën e tij shumë të pasur me libra albanollogjije. Në mënyrë të veçantë më habiti një kolekcjon jashtëzakonisht i begatshëm fytyrimesh riprodhue nga vizatime thadrue në rem (estampes) mbi viset dhe mbi banorët e Shqipnisë. N’asnji vend të botës nuk kam parë një përmbledhje aq të pasur!” Eqrem beu flitte mbi këto gjana me njoftje të plotë sepse ishte nji andaq (marakli)  madh kolekcionesh, librash, armësh, veprash artistike, etj…
Por të vijmë ke dhurata qi Ekrem beu pat nga Aladro-ja.

Eqerem Bej Vlora dhe Hana Kelcyra
Eqerem Bej Vlora dhe Hana Kelcyra

Nji mbramje gjithnji më 1910, Pretendenti i Thronit të Skanderbeut e ftoi Ekrem beun në nji darkë ku u gjetën pranë mase 30 veta t’aristokracisë ndërkombtare. Darka ishte shtrue n’pallatin e nji kushrinës s’Aladros, nji dukeshë franceze. Kah fundi i darkës nji sherbtuer i veshun me shejnake (en livree) solli nji kuti t’kuqe stolisë me shytin (ecusson blason) e artë të Don Aladro-s dhe e mbajti përpara këtij me të dyja duert. Aladroja u ngrejt në kambë me sheje të nji thekunije (emotion) të madhe në fytyrë, çoi kapakun e kutisë dhe nxori prej saj nji  flamur  shqiptar të kuq me shkabë të zesë krah-hapun. Foli fjalë të zjarrta dhe njiheri të prekëshme me nji tingull trishtimi me za si me ia pasë ndi zemra se nuk do t’arrinte me e pa at flamur tue value i lirisht mbi tokë shqiptare. Pohoi para të ftuemvet besimin e vet mbi ardhmëni fatbardhë  të dheut të Kastrijotit dhe parafoli
 pamvarsinë tue theksue se shpejt do t’ishte punë e kryeme. Në fund at flamur ia dorzoi Ekrem beut tue i thanë: “Unë jam plak e drue se nuk do ta shof ditën e lume të lirisë shqiptare; ju jeni i ri, mirrnje siellnje n’atdhe: premtoftë Perendija qi shpejt të shtjellohet në qiella të lira të Shqipnisë.”

Hana Kelcyra dhe Eqerem Bej Vlora
Hana Kelcyra dhe Eqerem Bej Vlora

At flamur Ekrem Vlora e mori gjithkund me vete, në Stamboll e në Shqipni. Kur Ismajl Qemal Vlora, më 28 Nanduer 1912, u pregatit të shpalli pamvarsinë, kërkoi nji flamur shqiptar e nuk e gjeti. Si mund u zhvillonte ceremonija e shpalljes së pamvarsisë pa nji flamur? Atëherë Murat Toptanit, qi ishte n’ato ditë mysafir në shtëpi të Vlorejve, i ra ndër mend se e kishte pa nji flamur kuq-e-zi në dhomën e Ekrem beut. I kallzoi Ismajl Kemalit. Ia lypën Ekrem beut e ai flamur i Aladro Kastrijotit u valvit si symbol lirie mbas pesëqind vjetve në Vlonë, ditën e 28 Nandorit 1912. Tue ia dorzue Ekrem beut at dhuratë Aladroja kishte parapà afrimin e Ditës së pamvarsisë shqiptare dhe njiherit parandie se ai vetë nuk do t’ishte ma gjallë n’at rasë të gazmueshme. Ekrem Vlora qe pjestar i familjes së “Shejzavet” ç’prej numravet të parë të së përkohëshmes. E kishim këshilltar t’urtë, bashkëpuntuer të kujdesshëm, trimnues në t’imta krize. Pak orë para se me u nda nga kjo jetë (si na e tregon e mbesa, zojusha Hana Klissura) ishte vu në tryezë shkrimi për t’i dhanë fund nji artikulli të Tij mbi Jeronim De Radën. Ky shkrim i paplotsuem do të botohet në Numrin e Veçantë të Shejzavet, qi asht në përgatije e sipër me rasën e përvjetorit të lindjes së Poetit arbresh. Do të na mbetet si testamenti shpirtnuer i Tij.

Shtepia e Restauruar e Eqerem Bej Vlores - 2016
Shtepia e Restauruar e Eqerem Bej Vlores – 2016

Zhdukja e këtij Burri me cilsina të shqueme na ka tronditë e prekë thellësisht. Familja e Shejzavet asht në zi për humbje të këtij Pjestari të saj zemër-madh. Kundra ligjvet të hekurta të natyrës qi caktojnë se njeriu qi lindet në kët botë ka edhe për të dekë heret a vonë, na s’kemi shka me ba. Prandej s’na jet tjetër veçse me ia ruejtë kujtimin dhe me ia ndjekë mësimin e lartë moral qi na la trashigim.
Ai qe shembull ndër Shqiptarë për dritë mëndjeje dhe për të prumt e Tij fisnik. Kët veti ia fali Perendija, por Ai e holloi sidomos në gji të qytetit ku sot i pushojnë eshtnat. E n’at Vjenë, mjeshtresh njerzie e sjelljesh të hajthta (delicates) mbylli syt – n’at Vjenë qi me plot të drejtë mund e njehin Ekrem ben si bir në shpirt, sepse ky Zotni i njimendët, me vepra kulturore dhe me të prum të zgjedhun, ia nderoj qytetninë prej saj të thithun…
(Marrë nga “Shejzat”)
Falenderoj Bep Çobën për mundsimin e paraqitjes së këtij shkrimi te Koliqit… përplot dashni dhe vlersim ndaj figurës së Eqerem Bej Vlorës, në prag të ardhjes së eshtnave të tij në atdhe…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.