Ekspertja e hetuesisë
nga Kastriot Dervishi
Nëse Kuvendi i “cigareve” do ta kishte seriozisht kërkesën për Diana Çulin, do mjaftohej të shihte librat e Bedri Blloshmit e dhjetëra dokumentarë që janë bërë për procesin e poetëve. Por jo, ata i mbrojnë si sytë e ballit hetuesit, prokurorët, gjyqtarët, ekspertët e proceseve politike, si dhe oficerët e Sigurimit, sepse këta janë kocka dhe gjaku i tyre. Por ama formalisht kur janë vetë të bërë pis, bëjnë kërkesa sikur po u intereson “pastërtia” e të ngjashmëve të tyre. Se cilët janë ata, mjafton t’i shohim kiminë dhe sigurisht të mos harrojmë faktin se gjithnjë kanë qenë kundër ligjeve të lustracionit. Por të jemi të qartë. E keqja në komunizëm nuk lidhej vetëm me Sigurimin e Shtetit. Është njëra anë e së keqes. Harrohet ndër të tjera hetuesia, e cila pas vitit 1974 nuk ishte më pjesë e Drejtorisë së Parë të Sigurimit. Konkretisht, Diana Çuli nuk ka qenë bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit, por eksperte e marrë nga Drejtorisë së Hetuesisë në MPB. Nuk ka nevojë të shtohen epitete të panevojshme, por të thuhet vetëm e vërteta siç është ajo. Veprimtaria e saj nuk ka pasur karakter agjenturialo-operativ. Është veprimtari botërisht e njohur. Sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës Popullore të Shqipërisë, miratuar nga Kuvendi Popullor me ligjin nr.1650, datë 30.03.1953 burime të provave në një proces penal ishin: thëniet e dëshmitarëve, thëniet e të pandehurve, mendimet e ekspertëve, provat materiale dhe dokumentet. Sipas “Platformës së punës operative e organeve të punëve të brendshme” organet e hetuesisë kishin për detyrë të demaskonin “në mënyrë të shpejtë, të gjithanshme dhe deri në fund armiqtë e popullit të çdo kategorie”.
Sipas urdhrit nr. 837, datë 16.2.1974, “Detyrat funksionale të Drejtorisë së Hetuesisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, Drejtoria e Hetuesisë në punën dhe veprimtarinë e saj, udhëhiqej “nga vija e direktivat e partisë, nga ligjet e shtetit dhe nga Platforma e organeve të punëve të brendshme”.
.
Në rastin konkret, më 28.09.1976 hetuesi Selim Caka, vendosi të caktojë Diana Çulin si eksperte letrare për krijimtarinë e Genc Lekës. Çuli është rënduese këtë rast për të provuar akuzën e agjitacionit e propagandës sipas nenit 73 të Kodit Penal (miratuar me dekretin nr. 2868, datë 16.03.1959). Kjo vepër dënohej 3-10 vjet, por kur kishte “shkaktuar pasoja veçanërisht të rënda”, dënohej nga 10 vjet e deri me vdekje.
Për veprimtarinë e Diana Çulit (ose rasteve të ngjashme), nëse ka interes, një autoritet shtetëror ose joshtetëror nuk duhet t’i drejtohet AIDDSH-së, por vetëm Drejtorisë së Arkivit të MB-së (për konsultim të dosjes hetimore-gjyqësore nr.10859) gjykatës përkatëse (nëse është administruar edhe hetimi atje dhe dosja nuk është dorëzuar ende në arkiv), si dhe Drejtorisë së Arkivit të Sistemit të MD-së. Në të gjitha rastet, vërtetohet njësia me origjinalin dhe nuk merret vendim kolegjial sepse e vërteta nuk zgjidhet me vota. Një simbolikë e ka kjo punë ama, vullnetin politik. Kuvendi i djeshëm votonte Agron Tufën, djalin e një të burgosuri politik, ndërsa Kuvendi i sotëm i “cigareve” do votojë Diana Çulin.
.
14 Mars 2020