back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Elegji për Naim Frashërin – poemë nga Et’hem Haxhiademi

Gazeta

Et'hem Haxhiademi (1902-1965) - Tragjiku i Madh (pikture)
Et’hem Haxhiademi (1902-1965) – Tragjiku i Madh (pikture)

Në kërkim të Tragjikut të Madh

Et’hem Haxhiademi

nga Jozef Radi

***
Qofsh i mallkue, i poshtun, ti përjetë,
Prej nesh edhe prej zotit të vërtetë.
Zemra e jote kurr most paft gëzime,
N’mjerimin tand ne gjetshim ngushullime.
Ti qi na dhe për pleqëni kët tmerr,
Të bift n’vend t’grunit n’arën tande ferr.
Jo vetëm ti, por dhe fëmijët tuej
Mënin e madhe paçin të gjithkuej,
Paçin bashk’ me urrejtjen e njerzís,
Mallkimet e Krijuesit të Gjithsís.
Et’hem Haxhiademi

Emnin e Et’hem Haxhiademit, veshi im e ka ndije mjaft herët, diku nndej kah fillimi i viteve ’70, ku krahas përmendjes nënza të tim eti, ishin edhe do rreshta të mshueme me të zezë ndër librat e letërsisë së regjimit, si “autor tragjedish të lashta e klasikexhiante po edhe i “Nymfave të Shkumbinit” “që laheshim midis varfërisë së populli” së popullit shqiptar!!! Ndërkohë ata rreshta fjalësh me të zezë, (prej atyne që kishte përkrahë) e kishin ndëshkue Tragjikun e Madh me vdekje – mandej kthye në burg të randë, dhe jo vetëm kaq, po s’e kishin dashtë me e lanë as me dalë prej burgu gjallë, mbasi edhe mbas pak kohe mbushte dënimin, bile edhe ma zi jo vetëm e vdiqën 63 vjeç, po ia tretën edhe eshtnat, mos me lanë ma asnji gjurmë të këtij Tragjiku të Madh, duke mbetë si nji i pavarr i përjetshëm, e duke u shndërrue at vetë në tragjedinë e Tetë, at ma e madhen: vetë Jetën e tij, nën thundrat dhe dhambët e kanibalve të kuq…
Mandej, ishte nji violinë e dytë që ata rreshta me të zezë të mshueme, m’i shpjegonte ndrysh’, e me fort urti… pse e vërteta e Haxhiademit mund të mshehet, mund të heshtet, mund të vjedhet edhe mund të dësshirohet me u zhdukë, po ama me vdekë: Jo!Kurrë…!! Vepra e tij letrare edhe ashtu e heshtun asht në kambë: si nji model i përsosun jo vetëm i klasikes shqiptare po edhe si nji dëshmi e bashkjetesës së harmonishme të gegnishtes me tosknishten… Ajo ishte dhe asht e shkrueme e zeza mbi të bardhë… (gja që mund të ketë sjellë edhe at barbarizëm të padenjë ndaj kësaj figure fisnike të letërsisë shqipe, po edhe ndaj nji vepre nga ma të randsishmet) e cila dikur ka me e mbrritë se s’ban dritën e diellit dhe vlerësimin e mendjeve të ekuilibrueme…
Këto dy kundërshti bashkjetuese, mbi figurën e heshtun të Haxhiademit kanë heshtë gjatë në mue, vazhdojnë edhe sot, derisa para do kohe në nji bisedë me studiesin Anton Çefa,  ai më solli nji shënim biografik mbi Tragjikun e Madh elbasanas Et’hem Haxhiademi…
Kjo më shërbeu me iu nisë edhe njiherë kërkimit ma në thellsi e ma në hollësi të jetës dhe veprës së tij… tashma në rrjet… Pak, shumë pak gjeta… pothuej asgja… E megjithatë, e paraqita së pari studimin e Çefës pa ndonji foto të Haxhiademit, duke e vazhdue gërmimin derisa gjeta nji shkrim të Maksengen Bungos: nji autobiografi të vetë Haxhiademit drejtue Lasgush Poradecit…
Pra u gjet diçka, ama foto: asnji…!
S’kaloj shumë kohë dhe befas nji mbiemën Haxhiademi, m’u shfaq si kërkesë miqsie në fb…
E miratova menjiherë, dhe kqyra mos gjeja diçka për Tragjikun e Madh Shqiptar! Dhe vërtet gjeta diçka: së pari msova se ishte fjala për mbesën e Haxhiademit, Hortensia, lexova nji poemë për Naim Frashërin, dhe ndjeva shumë kënaqsi… po edhe mjaft shënime të saj mbi Tragjikun e Madh. I shkrova menjiherë dhe i shpreha dëshirë jo vetëm me dijtë ma shumë rreth jetës dhe veprës së Haxhiademit, po nëse do të ishte e mundun të kontribuonte që krejt vepra e Haxhiademit të gjente ma shumë hapsinë komunikimi me lexuesit…
Ja kështu, kisha gjetë pak Haxhiadem, të mbetun prej nji masakre 70 vjeçare, po njiherit edhe shumë dashni e përkushtim në shënimet e nji mbese që s’e kishte njoftë kurrë gjyshin e saj të Madh, të mbetun sot e kësaj dite pa varr…
Si Tragjik i Madh, Et’hem Haxhiademi s’kishte ikë pa e lanë nji mallkim hyjnor si në tragjeditë e Antikitetit ndaj së Keqes: nji Namë dhjetë vargjesh, të nji bukurie të rrallë e të nji thellsie klasike, nji dhimbje e dalë nga ashku e shpirti të këtij filozofi që s’kish dashtë kurrë që vendi vet, të pësonte nji tragjedi si ato që ai kish shkrue… po s’kish qenë e thanë edhe ai vetë ishte ba pjesë e atij mallkimi padrejtësisht!!!
Bekue qofshin këto vargje tuat, O Tragjik i Madh i Shqipes!
16 maj 2015

Tre Tragjedianet Greke - Eskili - Sofokliu - Euripidi
Tre Tragjedianet Greke – Eskili – Sofokliu – Euripidi

***
“Elegji për Naim Frashërin”
është një poemë e shkëputur nga vëllimi “Lyra”,
i vetmi që gjyshi shkroi me poezi. Të tjerat janë tragjeditë në vargje,
me tw cilat ai njihet më shumë.
Ato kanë strofë dhe sintaksë më komplekse.
Zgjodha këtë, mbasi nuk është elegji e mirëfilltë.
Është thirrje për shqiptarët, për krenari e bashkim, thirrje për Trimëri!
siç u kish kënduar dikur Naimi i Madh…
Plus, që kjo poemë shumë aktuale sot, më shumë se kurrë.
Po kështu janë dhe tragjeditë, me ide të thurura aq bukur me vargun,
të cilat mund t’u shërbenin Shqiptarëve aq shumë edhe sot,
ndoshta më shumë se qindra libra të pasaktë historie.
Ishte e vështirë ta kopjoja këtë…
Kur i këndonte Naimit të madh…
ai e dinte që po i këndonte edhe Vetes…
I Miri im pa Varr…

(Nga shënimet e Hortensia Haxhiademi – Pëllumbi)

Poeti Naim Frashëri
Poeti Naim Frashëri

Elegji per Naim Frashërin

poemë nga Et’hem Haxhiademi

vëllimi “Lyra”, Tiranë, 1939

O kangëtar hyjnor, a po qetsohe
Në pellgun e vorrezve të shkretueme
Prej kohës së harrueme,
Qi pasqyrohen n’ujin e Bosforit?
Përpjet nuk ke si çohe
Prej vendit ku ke mbetun,
Se zemra t’u ka tretun
Atdheun të shohish qi aq shumë e deshe
Edhé me bukuri të mdha e veshe!

Të shohish plangun tand me breza t’raja,
Qi s’rrijn’ barijt me dhen mâ ndër kullota,
Se ka ndryshue krejt bota,
Qysh atëhere qi prej nesh u ndave.
Ah, sot me pun’të mdhaja
Fshatarët duen të merren
Dhe tokat po u djerren,
E ferrat lulëzojn’ mbi to e bari,
Kur qaf’e tyne xixillon nga ari!

Po kur kjo tok’ me ajk’ të kangve t’ueja
U ngjom për deri lulet sá i çeli,
Në vendin e anmikut qi luftove!
Të tretesh n’balta t’hueja
E lark prej nesh të jeshë
Dhe as nji vorr t’mos keshë,
Qi aq dëshir t’a shohish t’lir ti pate,
Kur sot n’kurris të saj ngrihen pallate!

Ngre syt nji her’ të paktën për me pamun
Sa madhështore duket Labërija
E ku shkrepi lirija.
Gërmenji me Çerçizin n’bronx u ngjallën!
Por mendjen s’e ka ndamun
Njeri për ty të sjelli,
Lirisht ku shkëlqen dielli,
E n’vorr gjarpinjt t’rrëshqasin ty kulâr,
Qi me të Febit lyr’ vdiqe shqiptar!

E kta dy apostujt e t’uej të ngjallun,
Me ven’ të vargut tand mâ parë u dejën,
Çerçizi me Gërmenjin,
Për deri sâ n’altar t’atdheut u hudhën,
Ma par’ ti u ke kallun
Ndër zemra zjarr lirije,
Me kangët prej magjije,
Dhe kur t’shëkojn atà për rreth Shqipnis,
T’harrohesh ti ndër brigjet e Asis?

Kur përgjithmon’ ja mbylle syt ksaj bote,
Mbi vorrin tand e bani ben’ shqiptari,
Qi sà të shkoj’ barbari,
Të sjellin n’gji t’atdheut shtue me dafinë,
Por s’tingllon lyr’ e jetës
Mâ ambël n’vesh t’ktij fisi,
Qi kohja e rastisi
T’gëzohet rreth mesallës qi i shtrove
Edhe me langun e liris e kove!

Prandaj prà rrëshqanorët po përdridhen
Nëpërmjet barishtrash, hej! qi t’kan’ rrethumun
E ferra ngatarrumun
Të ngjitet n’vend të Laurit n’gur të vorrit!
Nuk ke dashnor’ të mblidhen
E të nderojn’ si duhet,
Se n’vend të kangve t’ueja na dej ari,
Në këtë gjendje sot ka ardh’ shqiptari.

Ah, pluhnin tand në zemrën e ktij vendi
Na duhesh qi ta rujshim si thesar,
Se ti i re mâ par’
Trumpetës dhe nga gjumi t’gjithë i shkunde,
Mallngjyshëm na përmendi
Fatozat lyr’ e jote,
Qi mrekulli ksaj bote
I lan’ pas vetes sâ të t’jer’ s’do t’ketë,
Prandaj ti je nji tempull i vërtetë.

E tempull deri tash po s’pate qenë
O kangëtor i vlershëm, duhet t’jeshë
Për gjindjen t’on’ pa peshë,
Qi nuk të çmon mundimin qi i fale,
E ngrite nalt atdhenë
Me përgëdheljet t’ueja,
Sà zani n’vende t’hueja
I shkoi qi ende rron në faqe t’dheut,
Burrnija dhe nder’ i Skënderbeut.

E qysh të dergjesh ti prà n’ato vise,
Qi edhè fishkujt shqip nuk fērshëllejnë
Edhè për Ty nuk vlejnë
Të amblat val’ të detit kur përplasen?
Ti gjuhën na stolise,
Por mâ nuk na ndëgjon,
Dhe kur të sillesh n’templlin e gatitun,
Ahere shijen ke me ja soditun.

Por ah, ç’far’ templli? Un nuk shoh të zihet
As emni shumë i vlershëm mâ me gojë,
Se, kur nuk ka nevojë,
Nuk trakullin i vorfni mâ në deret,
Se ka kërkue lëmoshë,
Kur nuk ka qen’ shëndoshë,
Prandaj dhe mundimin kot e derdhe.

O ju shqiptar’, qi u ndimuet nga fati,
Nuk e kujtoni emnin e Naimit
E t’prekun prej mallngjimit,
Ti bani nderin qi për të përshtatet?
Rreqethi pak nga shtati
Dhe mir’ duhet t’mendoni
E Kalkën t’uej t’kujtoni ,
Se nuk thërritet lavdërim i shtetit,
Kur kilikanza bin’ në vorr t’poetit.

Kujtoni prà se nashti koha erdhi,
Të qasni priftin pran’ qi ju bekoi,
Dikûr dhe ju pastroi
Nga t’gjith mëkatet qi me shekuj patët,
Fuqin e vet e derdhi
Për derisa qe gjallë,
Se pati tepër mallë
T’ju shohi n’qiellin e lumnis t’bashkumun
Edhe në votrën e liris t’rrethumun.

Nëpër mbretni t’Neptunit do t’kalojmë,
Për deri sà ta sjellim me nderime,
Qi asht mbas mendjes s’ime
Shpërblim i pakët sa të mos harrohet!
Ejani pra të shkojmë
E t’mos vonojm’ mâ gjatë,
Se asht për na mëkatë,
E t’marrim çka prej trupit tij ka mbetun,
Të shkulim edhè tokën ku asht tretun.

Të shkulim, po, dhe tokën qi thërrmoi
Organet e kangtarit të liris,
Që grusht i dha robins,
Kur Turku ecte nëpër pllajet t’ona,
Rrezikun s’e peshoi
Për brezin t’on’ qi rrojmë
Dhe për flori lakmojmë,
Prandaj për na i shenjtë asht dhe dheu,
Qi ra në gjum’ të vdekjes Naim beu.

Hej, turp i ardht’ mbar’ kombit, turp pa masë,
Kur s’të kujton shërbimet o kangtàr,
Qi dhe si luftëtàr
Mâ fort kunora e liris t’dhurohet!
Po ar nji s’don t’pikasë
Nga koha e kalueme,
Se gjindja e hutueme
Asht tyke korrun farën qi ti mbolle
Dhe ka harrue qi qe ma par n’kasolle.

Por ç’shembëll do të marrë djalëria
Kur s’adhurohet lyra dhe shpata?
Në kohët ma të gjata,
Nuk do derdhen fli n’altar t’atdheut!
Ty nuk të çmue fuqia
E t’jer nuk do guxojnë
Shtëpin e vete t’shkretojnë,
Por veç me fli qëndrojnë tokat e lira,
Prandaj në vend t’zymylit do t’binj’ fira.

As do t’guxoj njeri harpën ta preki,
Qi vetë Orfeu nji herë e tingëlloi
Dhe lisat i gëzoi,
Sà të levizin vendit nëpër prozhme,
Edhé Erinat theki
Ay me kang të veta,
Sà rishtas ju kthye jeta
Të shoqes, qi qe zhdukun e qe mbyll’
N’mbretni t’errsinës, ku s’vështrohet yll.

E kur Orfeu me kang’ skëterrën zbuti,
Sà Euridicen prap e pruni n’jetë,
Për ty nuk paskan mbetë
As njerës qi me vargun tand t’mallngjehen?
Mâ par’ se ti kush luti
Gëzueshëm për me ardhë
Te na kjo ditë e bardhë,
Sà zog’ i shqipes t’endet nëpër pllaja
Të vendit t’on lirisht me kraha t’mdhaja?

Dhe ju qi dini vlerën e t’harruemit,
Aviti pran’ të gjithë e të mendojmë,
Se s’duhet të vonojmë
Në themelim t’faltores s’on’ të kombit,
Përkundi mâ prej gjumit,
Gabimin me qindisun
Dhe prap me e stolisun,
Se si ç’do kombi qi i erdh profeti,
Nj’ashtu për gjindjen t’on’ do t’jet’ poeti.
19 maj, 1934

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.