back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Elegjia Vllazërore… nga Arshi Pipa

Gazeta

Prof. Arshi Pipa (1920-1997)
Prof. Arshi Pipa (1920-1997)

Elegjia Vllazërore…

nga Arshi Pipa

“Si asht e mundun zotnij,
që një trup gjykues,
i cili për kryetar ka një ish- “teneqexhi” – (qe fjala për Koçi Xoxen)
e për prokuror një ish – “kafexhi” – (Bedri Spahiu)
të mundet sot me gjykue elitën e kulturës shqiptare?”
Myzafer Pipa para Gjyqit

Ma thonte zemra e ngrata
se jeta t’kishte lanë,
edhe pse miqt e shokët
nuk dojshin me ma thanë.
Dersa mbi krye mandata,
kur s’e pritsha më ra,
dhe mora vesh çka në andërr
prej kohe m’ishte gja.

E pau epileptiku
qi s’njifte mue as ty.
Po kapërcejshim lumin
kur befas ura u thye…
Un rashë… m’u turr vërtiku…
humba! Uluroi një za…
Ti u hodhe, m’kape, m’qite…
por vetë nuk dole ma!

Ti vuajte, ti rreziqe
durove simbas stinës
nga ishulli i Ventottenes
ndër telat e Prishtinës.
E pse përbuze vdiqe
terrorin bolshevik,
gjithmonë armik i shtypjes
e bir i atdheut besnik.

Sot qi nga dita e mortit
Ka rrjedhë ma se nji mot,
tue ta nderue kujtimin,
o vlla, nuk derdhi lot.

Pse për vdekjen e t’fortit
i fortë duhet me u bamë.
As i përmendi fajtorët:
nuk kam ma çka me i namë.
Kur ndofta nga mizori
po përgatitet ura.

Për mue kët herë e kanga
e mbramë âsht kjo qi thurra,
me gjakun tand dëshmori
vulosi sot nji bè:
përbuzi komunizmin
e truhem për atdhè.

Myzafer Pipa (1914-1946)
Myzafer Pipa (1914-1946)

Shënim i poetit: Kjo elegji u shkruajt në Nanduer 1948, pak para se të nxirresha në gjyq për herën e dytë. Ky gjyq, u ba në Prokurori të Durrësit me dyer të mbylluna dhe zgjati gjithsej 15 minuta. Vendimi i gjyqit u dha brenda në burgun e Durrësit.
Im vëlla Myzafer Pipa, avokat, qe arrestue në Shtatuer 1946 dhe mbasi u torturue deri në vdekje, u nxuerr dhe u vra me nji batare automatiku në Degën e Sigurimit të Shkodrës, kinse kishte dashtë t’ikte. Vrasjen e tij, të cilën ma kishin mbajtë mshehtë, e mora vesh vetëm gjatë proçesit të dytë në Prokurorinë e Durrësit.
Andrrën e pau nji i burgosun, kosovari Azis Sula, në kohën e vrasjes. Im vëlla pat qenë burgosë nga autoritetet fashiste italiane n’ishullin Ventottene afër Gaetas, më 1940 dhe më vonë internue në kampin nazist të Prishtinës më 1944.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.