back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Elita shkodrane në Institutet e Albanologjisë – nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Prof. Kolec Topalli
Prof. Kolec Topalli (1938-2018)

Elita shkodrane në Institutet e Albanologjisë

nga Thanas L. Gjika

(Kujtime e meditime mbi akademik Kolec Topalli)

Qyteti dhe krahina e Shkodrës, gjatë historisë i kanë dhënë botës shqiptare shumë luftëtarë trima edhe burra të mençur. Mjafton të kujtojmë qëndresën e shkodranëve ndaj hordhive osmane për mbrojtjen e qytetit gjatë rrethimeve të viteve 1478-1479, humanistët shqiptarë në Itali gjatë shekujve XVI-XVII, punën intelektuale e shpirtërore të klerit katolik për qëndresën ndaj shtypjes dhe presionit asimilues osman, taborrin e rilindësve tanë me Zef Jubanin, Pashko Vasën, At’ Gjergj Fishtën, Dom Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin, etj, rezistencën e qytetarëve shkodranë ndaj ushtrisë malazeze gjatë rrethimit të viteve 1912-1913, pasrilindasit Ernest Koliqi, Migjeni, etj.
Politika totalitare e shtetit të Diktaturës së Proletariatit shkaktoi arrestimin, burgosjen dhe internimin e dhjetra klerikëve, intelektualëve të shquar shkodranë dhe arratisjen e detyryruar të disa shkodranëve të rinj. Arshi Pipa, Martin Camaj, Sami Repishti, etj, pas shkollimit të mëtejshëm jashtë shtetit, shkruan vepra letrare e shkencore që bëjnë pjesë në veprat më të mira të letërsisë desidente shqiptare dhe të shkencave albanologjike. Popullsia katolike e këtij qyteti dhe e kësaj krahine ndonëse u përndoq më egërsisht se pjesa tjetër e popullit tonë, i dha Shqipërisë një elitë intelektuale që u shqua në shumë fusha të artit, letërsisë, shkencës dhe kulturës sonë. Këta intelektualë punonin nën zgjedhën e rëndë komuniste me përkushtim të madh. Ata e sfidonin këtë zgjedhë duke punuar për Shqipërinë dhe jo për partinë. Kjo sfidë i ndihmonte ata të përjetonin lirinë shpirtërore, që na mungonte ne të tjerëve, të cilët ngazëlleheshim nga “sukseset e partisë” dhe i serviloseshim asaj për përfitime.
Thanas L. Gjika
 Thanas L. Gjika

* * *

Ndarja nga jeta e Profesor Kolec Topallit, anëtar i Akademisë së Shkencave të RSH, më nxiti disa kujtime dhe meditime për të dhe kolegë të tij e të mij, punonjës shkencorë të shquar të instituteve të Tiranës që më vonë formuan Akademinë e Shkencave.
Në vitet 1962-1966, isha student në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të UT. Fakulteti përdorte dy katet e para të asaj godine dhe sallën e madhe në mes të katit të tretë, kurse në dy anët e katit të tretë ishin zyrat e Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë dhe të Institutit të Folklorit. Gjatë pushimeve midis orëve mësimore në oborrin e fakultetit rastiste të shikonim duke ecur ngadalë për të vajtur tek kafja aty pranë Prof. Eqrem Çabejn, të shoqëruar prej treshes shkodrane: Pashko Geci, Anton Krajni dhe Filip Fishta, intelektualë të shkolluar në Austri, Gjermani, ose Itali. Ashtu si Profesor Çabej edhe ata shquheshin për njohjen e thellë të disa gjuhëve të huaja, por në Institutin e Historis dhe të Gjuhësisë ata punonin si forca teknike për vjeljen e fjalëve të gjuhës shqipe në gazeta dhe libra të ndryshëm.
Më 1970, unë u transferova nga Radio Tirana në Institutin e Historis dhe të Gjuhësisë. Gjatë punës në këtë institut njoha dhe simpatizova disa shkodranë, midis të cilëve historianët e shqaur Injac Zamputi e Zija Shkodra, përkthyesin Kol Luka; leksikologët Ferdinand Leka e Palok Daka, etnologun Rrok Zojzi dhe bashkëpunëtorin e jashtëm Kolec Topalli. Të gjithë këta punonjës shkencorë dalloheshin midis nesh për një qendrim jo entusiazt, madje indiferent, ndaj politikës së partisë. Ata punonin me këmbëngulje si individë. Për çudinë time nuk shoqëroheshin me njëri-tjetrin edhe pse kishin shumë tipare karakteri të përbashkëta dhe ishin bij të të njëjtit qytet, të kryeqytetit të lashtë, Shkodër Loces, për të cilën kishin pse të mburreshin, por nuk i ranë gjoksit kurrë, si bënim e si bëjmë ne korçarët.
Midis intelektualëve shkodranë dhe atyre korçarë, sidomos pjesës së krishterë, ka afërsi përsa i përket dashurisë për atdheun, për punën, respektit ndaj bashkëshortes, etj. Por midis tyre, si më ka thënë një herë Ilia Ballauri, përkthyesi i ditëve tona i veprave homerike “Iliada” dhe “Odisea”, ka dhe dallime: Ne korçarët jemi dalluar dhe për pastërti brenda e jashtë shtëpisë deri te fshirja e rrugëve, shtrimi i dhomave me qilima, mbulimi i krevateve me velenxe, përdorimi i kortinave dhe perdeve nëpër dritareve të bëra prej grave korçare, për serenatat me kitarë, për ndjekjen e lluksit edhe në veshje, kurse shkodranët vlerësonin më shumë artin dhe letrat. Ata sakrifikuan shumë më tepër për besimin e krishter. Ata i përkthyen që herët Homerin, Virgjilin, Danten, Petrarkën, Gëten, etj, hartuan fjalorë dygjuhësh, etj. Mbi të gjitha: mbi ta rra shpata e diktaturës më egërsisht se mbi ne…”
.
Injac Zamputti në vitet e fundit
Injac Zamputti në vitet e fundit

Injac Zamputi (1910-1998) Ishte një nga bijtë e elitës katolike shkodrane. Ai kishte kryer studimet e larta para L2B për politikë në Itali. Kishte shkruar disa vepra letrare dhe njihte mirë latinishten, italishten mesjetare, italishten moderne dhe frëngjishten. Për formimin që kishte e kishin marrë në institut, sepse ai mund të përkthente dhe interpretonte dokumente të ndryshme për kohën e Antikitetit dhe të Mesjetës. Punoi me përkushtim si paleograf dhe përkthyes dokumentesh dhe si studiues i disa problemeve të historisë sonë mesjetare. Historianët e rinj më thoshin se prej tij kishin mësuar shumë. Ai kishte drejtuar kursin e gjuhës italiane për disa kuadro, u kishte mësuar mënyrën e nxjerrjes së skedave shkencore gjatë leximit të teksteve të ndryshme dokumentare, jo në një kopje, por në tre dhe të krijonin skedarin e tyre personal ku t’i vendosnin, njerën në ndarjen sipas autorit, tjetrën në ndarjen sipas kohës (datës) së cilës i përkiste ngjarja e dokumentit dhe të tretën në ndarjen sipas problemit që trajtohej. Mirëpo edhe pse kreu shumë punë të lavdërueshme dhe shërbeu si mentor dhe konsulent për disa kuadro, titulli Profesor nuk iu dha kurrë derisa doli në pension. Pas shkërmoqjes së diktaturës, iu kushtua dhe studimeve letrare për të vlerësuar poetin kombëtar At’ Gjergj Fishta, ku i mprehu shpatat me sukses edhe me Ismail Kadarenë.

 
Zija Shkodra (1925-2002). Ishte nga familjet myslimane të Shkodrës, kishte qenë partizan, studimet e larta i nisi në Zagreb dhe i përfundoi në Bukuresht, por nuk shikohej me sy të mirë nga drejtoria dhe organizata e partisë.
PKSh-ja/ PPSH-ja, në qytetin e Shkodrës ndoqi një politikë përçarëse midis anëtarëve të komunitetit katolik dhe atyre të komunitetit mysliman. Ajo përkrahte hapur myslimanët që përbënin shtresën mesatare dhe nënvlerësoi e luftoi elitën katolike. Për katolikët jepeshin shumë pak punë zyrtare dhe bursa studimi, kurse për myslimanët jepeshin me shumicë, madje shumë prej këtyre dërgoheshin jashtë shtetit, si Qemal Mandia, Hamit Beqja, Hamit Boriçi, Jup Kastrati, etj, që u emëruan më vonë në detyra të rëndësishme në Tiranë.
Zija Shkodra nuk bëri pjesë në këtë tabor. Ai, duke qenë trim dhe intelektual, e urrente servilizmin dhe i shprehte mendimet e tij hapur pa drojtje. Vepronte si ia thoshte koka e vet, gjë që kishte shkaktuar disa herë zemërimin e drejtorit dhe të sekretarit të partisë. Ai u martua me një vajzë nga familja patriotike Toptani, por që partia e kishte luftuar dhe e luftonte si familje feudale aristokratike.
Në vitin 1966, Enver Hoxha, duke zbatuar mësimet e Revolucionit Kulturor Kinez, gjoja se donte të nxiste mendimin e lirë, tha se kushdo mund të shprehte kritikat e veta hapur e pa frikë me anë të “fletë-rrufeve”. Studiuesit Zija Shkodra, Dhimitër Pilika, Ligor Mile e disa të tjerë, duke mos e kuptuar djallëzinë e diktatorit, shkruan dhe varën në institut një “fletë-rrufe”, ku shprehën mendimet e tyre kritike ndaj disa sjelljeve e mendimeve jo të denja të drejtorit dhe të disa kuadrove. Mirëpo organizata bazë e partisë, në vend që të fillonte të analizonte këto kritika, propozoi që kritikuesit të qarkulloheshin jashtë Tiranës sepse nuk e njihnin jetën e popullit, se nuk vlerësonin arritjet e shkencës së re shqiptare dhe se kishin ndikime nga bota borgjeze. Kështu Dhimitër Pilika u dërgua në një fshat të Lushnjës për shumë e shumë vjet, kurse Ligor Milja në Korçë dhe Zijai në Lezhë ku punuan shtatë vjet si mësues. Për shkak të formimit dhe kontributit të tyre si historianë, këta të dytët i rikthyen në institut, kurse Dhimitër Pilikën e lanë për ta shkatërruar në humbëtirën e Myzeqsë.
Studimet e Zija Shkodrës për esnafët shqiptarë dhe zhvillimin ekonomik të qyteteve shqiptare gjatë shek. XVIII-XIX-të ishin me vlera të spikatura për mbarë shkencat balkanologjike, por as këtij studiuesi nuk iu dha ndonjë titull shkencor derisa doli në pension.
Pas formimit të Partisë Demokratike, pensionisti Zija Shkodra u bë një ndër anëtarët e parë të saj dhe nxitësit kryesorë të hartimit të Promemorjes së 100 intelektualëve në mbështetje të PD-së. Mirëpo në vitin 1994, kur pa se kjo parti nuk po u jepte përkrahjen e duhur intelektualëve dhe nuk po punonte me përkushtim për t’ua kthyer pronat pronarëve të vërtetë, u largua prej saj, duke i thënë në mbledhje z. Kalakula, kryetarit të PD-së për Tiranën: “Unë nuk e ndjej veten se jam brenda partisë sime demokratike, prandaj po largohem që sot.” Me fjalët “nuk e ndjej veten se jam brenda partisë sime demokratike”, ai donte të thoshte se PD-ja nuk ishte partia demokratike e vërtetë, që ai dëshironte…
 
Kolë Luka (1916-1993), ishte një burrë trupmadh i shëndetshëm, bir i borgjezisë së pasur shkodrane. Kishte kryer studimet në Zvicrën frankofone. E kishin marrë në institut si përkthyes për të përgatitur materialet e ndryshme shkencore për revistën “Studi Albanica”. Punonte gjithnjë me makinë shkrimi duke mbajtur cigare në gojë. Në fytyrën e tij shihej një farë mërzie. Punonte në një zyrë më vete dhe nuk përzihej me njeri, punonte gjithë ditën pa pushim dhe nuk delte as për kafe. Të gjithë ne punonjësit shkencorë i ishim borxhlli Kolës sepse ai na kishte përkthyer artikuj të ndryshëm në frëngjisht, pra na kishte ndihmuar të bëheshim të njohur midis albanologëve të botës. Edhe bashkëpunëtorë të jashtëm si Kolec Topalli e kishin këtë ndjenjë respekti për të. Përveç punës si përkthyes ai hartoi dhe studime shkencore mbi ciklin e kreshnikëve, etj.
Tani vonë mësova se Kolë Luka kishte vëlla Gjovalin Lukën, një bashkëpunëtor shpirtkeq të Sigurimit. Kështu që jetën e mënjanuar prej asketi të Kolës, unë e shpjegoj me turpin që ai ndjente prej vëllait të vet. Kjo sjellje e tij tregonte se ai përjetonte një vuajtje shpirtërore për rrugën e gabuar që kishte marrë i vëllai. Një reagim të tillë ndaj së keqes brenda familjes, e shpjegoj me faktin se ai ishte një burrë i ndershëm dhe i moralshëm. Ndershmëri shembullore dhe urtësi të përulur manifestonte edhe vajza e tij, Liza, të cilën e njoha gjatë viteve që punoi si forcë ndihmëse në Institutin e Historisë…
 
Ferdinand Leka (1930- ) Pasi kreu shkollën e mesme, gjimnazin e Shkodrës, punoi disa vjet në shtëpinë e kulturës në Kukës, pastaj ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT për gjuhë-letërsi ruse. Duke qenë se zotëronte mirë përveç rusishtes dhe italishten e frëngjishten, u mor në institut për të punuar në sektorin e terminologjisë. Gjatë viteve të punës në këtë institut, jashtë orarit, mësoi si autodidakt anglishten. Krahas punës për hartimin e shumë fjalorëve terminologjikë të fushave të ndryshme, ai, në bashkëpunim me elitarin tjetër shkodran, Zef Simonin, hartoi veprën madhore “Fjalor Italisht – Shqip” me 50.000 fjalë. Vetëm në vitin 1986 këtij studiuesi mezi iu dha titulli Docent (Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor).
Ferdinandi drejtonte kursin e gjuhës frënge. Kur dëgjoi se unë kisha mësuar frëngjisht dhe rusisht në shkollën e mesme dhe se doja të filloja italishten e pastaj dhe greqishten, sa për t’i shfrytëzuar për interesat e punës, më tha: “Mos u shpërnda e mos mëso disa gjuhë për gjysëm, po thellohu e mëso mirë njërën prej tyre, sepse po të dish mirë njërën mund të përfitosh shumë më tepër sesa po të dish disa gjuhë për gjysëm.” Kjo porosi e tij më ka mbetur peng, sepse e lashë pa e realizuar.
Si leksikolog i mirëformuar, Prof. A. Kostallari e aktivizoi si bashkautor në grupin e punës për hartimin e 4.000 fjalëve në veprën “Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe” me 41.000 fjalë, vepër që u botua më 1980.
Të shumtë janë dhe referatet dhe artikujt studimorë me karakter teorik dhe analitik të këtij studiuesi. Mirëpo, në vitin 1991, drejtoria e nxori në pension, kur Ferdinandi ishte në kulmin e energjive dhe në maksimumin e mundësive për të hartuar studime e fjalorë të rinj. Në vitet e pas 1992-shit ai hartoi veprën e re “Fjalor Shqip-Italisht” me 40.000 fjalë, që pati disa ribotime. Redaktoi e përgatiti për botim veprë “Fjalor Arbërisht-Shqip” të lënë dorëshkrim prej studiuesit shkodran Kol Kamsi. Vend të veçantë zenë dhe përkthimet e tij të një vargu veprash letrare prej autorësh të rëndësishëm si A. Manzoni, F. Petrarka, S. Cvajg, Erazmi i Roterdamit, etj. Ferdinandi ishte dhe trim, mbante gjithnjë qëndrim burrnor ndaj shokëve të punës.
 
Palok Daka (1925-1988). Studiues që u shqua per ecurinë si autodidakt. Para se të vinte në Tiranë, ky djalosh me trupbëshëm kishte punuar si punëtor krahu në Ndërmarjen Zooteknike, ku hapte kanale bashkë me Sami Repishtin. Mbas hapjes së Institutit të Shkencave në Tiranë më 1949, Paloka duke ditur makinën e shkrimit dhe italishten, shkoi atje dhe kërkoi punë si sekretar e skedues. Gjatë viteve të para në këtë institut ai ndoqi me korrespondencë studimet në Institutin 2-vjeçar për Gjuhë Shqipe Histori, të cilat i plotësoi më vonë po me korrespondencë duke përfunduar degën 4-vjeçare Gjuhë-Shqipe Letërsi të Fakultetit Histori Filologji. Nga sekretar e pastaj punonjës teknik që vilte fjalë të gjuhës shqipe prej shtypit, ai arriti me punën e tij këmbëngulëse të bëhej një punonjës shkencor shembullor. Nga koleg pune i treshes së vjetër shkodrane P. Geci, A. Krajni e F. Fishta, Paloka u bë koleg pune i punonjësve shkencorë si Jani Thomai, Miço Samara, etj. Ai zotëronte dhe shfrytëzonte për interesa të punës shkencore italishten, gjermanishten dhe frëngjishten, të cilat i kishte mësuar në rrugë autodidakte. Ndryshe nga ne të tjerët që shkruanim gjithçka me dorë, Paloka shkruante drejtpërdrejt në makinë shkrimi, gjë që ia shtonte rendimentin e punës.
Krahas punës shkencore si leksikolog për grumbullimin e fjalëve të shqipes dhe formulimin e sejcilës fjalë si bashkautor i “Fjalorit të të Gjuhës së Sotme Shqipe”, ai kreu dhe shumë punë të tjera shkencore jashtë planit të punës. Po përmend grumbullimin dhe hartimin e bibliografisë së studimeve për gjuhën shqipe, fjalorin me emra shqiptarë për t’i vënë fre përdorimit të emrave me origjinë të huaj arabo-turke, greke dhe italiane; grumbullimin dhe hartimin e një fjalori të pseudonimeve të përdorur në gazetarinë dhe letërsinë shqiptare në vitet 1848-1944, krijimin e kartotekës me emra vendesh (toponime) të Shqipërisë, etj. Paloka, gjatë punës si grumbullues i fjalës shqipe, e mblodhi atë duke shkuar pothuaj në gjithë fshatrat e Shqipërisë. Mirëpo kur u krijuan mundësitë që këtë fjalë të shkonte e ta mblidhte edhe në Kosovë, mezi e dërguan një herë të vetme, pasi dërguan gjithë punonjësit e rinj atij sektori.
E paharrueshme do të mbetet thënia e Palok Dakës “Unë punoj për Shqipërinë dhe jo për partinë dhe as për socializmin”, të cilën ma tha në intimitet gjatë një pushimi kur po pinim kafen e ditës. Kjo shprehje e Palokës tregonte se ai e kishte të qartë që atëhere, se partia dhe socializmi, ishin të përkohshëm, kurse Shqipëria ishte e përjetshme. Në atë kohë, ne të tjerëve propaganda e partisë na i kishte mbushur mendjen se të tria ishin të përjetshme.
Këtij shkodrani që punonte sa për tre a katër kolegë, që u bë autoriteti më i rëndësishëm në plan botëror i bibliografisë për shkencat gjuhësore, nuk iu dha asnjë titull ose gradë shkencore, madje dhe kur u sëmur, nuk u dërgua për kurim jashtë shtetit edhe pse vdekja e tij e parakohëshme do të dëmtonte, ashtu si e dëmtoi, punën shkencore të institutit, sepse shumë vepra të tij mbetën të papërfunduara dhe të pabotuara. Emri i tij nuk figuron në asnjërin nga dy botimet e FESH-it (“Fjalor Enciklopedik Shqiptar” i viteve 1985 dhe 2008).
.
Rrok Zojzi (1910-1995)
Rrok Zojzi (1910-1995)
Rrok Zojzi (1910-1995) U lind në Shkodër, ku kreu dhe shkollën e mesme. Njihte mirë gjermanishten dhe italishten. Para L2B filloi punën si mësues fshati. Ndjekës i traditave shkencore etnologjike të albanologut austriak, baronit Franc Nopça dhe të At’ Shtjefën Gjeçovit. Grumbullues dhe studiues i shquar i dukurive etnografike të popullit tonë. Gjatë viteve 1942-1944 shërbeu si mësues në pjesën e Kosovës që iu bashkua Shqipërisë. Në vitin 1947, me krijimin e Institutit të Shkencave, u emërua aty si punonjës shkencor. Nuk ka fshat të Shqipërisë ku nuk ka shkelur këmba e këtij studiuesi. Zojzi u shqua si ideator dhe nismëtar në fushën e etnografisë për krijimin e Muzeut Kombëtar Etnografik, realizues i disa ekspozitave etnografike brenda dhe jashtë shtetit, bashkërealizues i Muzeut Kombëtar të Armëve dhe i shumë muzeumeve etnografike nëpër rrethe. Ishte njohësi më i mirë i kostumeve popullore të Shqipërisë, sidomos i atyre të Shqipërisë Veriore. Rroku botoi shumë materiale dhe studime të mirëfilltë për traditat tona të lundrimit, për fiset e Shqipërisë Veriore, themeloi dhe kreu detyrën e kryeredaktorit të parë të përmbledhjes “Etnografia Shqiptare”, etj. Doli në pension me titullin Docent (Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor), ndonëse titullin Profesor e kishte merituar prej shumë vitesh.
Midis veprimeve të mira që kreu Qeveria Demokratike gjatë legjislaturës së parë (1992-1996) ishte dhe rishikimi i gradave dhe titujve shkencorë në vitin 1994. Rishikim që solli dhënia e titullit Profesor studiusve pensionistë si Injac Zamputi, Zija Shkodra, Rrok Zojzi, Ferdinand Leka, Dhimitër Pilika, Ligor Mile, etj. Kam bindjen se këtë hap qeveria e bëri me nxitjen e Kolec Topallit, i cili në ato vite shërbente si Sekretar i Përgjithshëm i Presidentit Berisha.
 
Kolec Topalli (1938-2018) Ishte i treti i djemve të intelektualit të njohur shkodran, Nush Topalli. Familja e tij përjetoi disa vjet internim dhe burgim pas ardhjes së PKSH në pushtet. Shkollën e lartë për Gjuhë Shqipe Letërsi e kreu me korrespondencë. Punoi shumë vjet si mësues i gjuhës shqipe në shkolla 8-vjeçare në rrethet Kukës, Gramsh, Krujë. Gjatë gjithë kohës iu kushtua studimeve për gjuhën shqipe, sidomos studimeve në fushën e historisë së saj. Nuk pati rast të dëgjonte asnjë leksion drejtpërdrejt nga goja e Profesor Çabejt dhe Profesor Demirajt, as pati rast të punonte me ta si koleg, por me përkushtimin dhe aftësitë e tij u bë nxënësi më i denjë i këtyre profesorëve të madhërishëm.
.
Prof. Dr. Kolec Topalli (1938-2018)
Prof. Dr. Kolec Topalli (1938-2018)

Njohja me djaloshin Kolec Topalli

Në vitin 1973, gjatë pushimeve verore, në plazhin e Durrësit, shoku im Stavër Sharrxhiu, më prezantoi me një djalosh që punonte si mësues në fshatrat e Gramshit. Me të e kishte njohur Aleko Ballauri një shok korçar i Stavrit, që punonte dhe ai mësues në fshatrat e Gramshit dhe kishte jetuar disa vjet në një dhomë në qytetin e Gramshit.
Ishim me rroba banje në korridorin e katit të dytë te Hotel Kruja. “Ky është Kolec Topalli, më tha shoku im, duket më i ri se ne, edhe pse është disa vjet më i madh dhe jeton në kushte më të vështira se ne.”
Koleci kishte një pamje që të bënte për vete. Fytyrë ovale të lëmuar, kokën e kishte pa flokë, sytë e mëdhenj plot dritë, buzët shumë proporcionale dhe të mëdha, trupin e rregullt, elegant, por jo të dobët. Nuk i dukeshin muskujt askund. Dukej që ishte bir i një familjeje të pasur, të ushqyer mirë në disa breza. Nuk kisha parë djalë më të pashëm se ky shkodran. Më hyri në zemër, por ai nuk dha ndonjë shenjë se donte të afrohej me ne dhe kështu, pasi këmbyem disa fjali, u ndamë.
Koleci kishte një fytyrë që nuk harrohej. Pas disa vjetësh e takova në një sesion shkencor në Fushë Krujë. Iu afrova dhe biseduam disa minuta bashkë. Më tha se ishte martuar dhe punonte mësues i gjuhës shqipe në fshatin Nikël, në mos gaboj. Ishte rregulluar me strehim në një shtëpi private në Tiranë dhe vente e vinte në fshat brenda ditës. Pasditeve dhe të dielave shkonte në Bibliotekën Kombëtare për të marrë libra e revista që i duheshin dhe vijonte studimet e veta në shtëpi, jo në sallën e Bibliotekës Kombëtare dhe as në bibliotekën e institutit tonë.
Në atë sesion u njoha me shefin e seksionit të arsimit të Rrethit të Krujës, ishte vëlla i Faik Lamajt. Faiku jetonte në një pallat me mua dhe punonte si historian në Institutin e Historisë. Pas sesionit iu afrova z. Lamaj dhe pasi i tregova lidhjet e mia me Faikun, iu luta që të shikonte ndonjë mundësi që Kolecit, si bashkëpunëtor i jashtëm i institutit tonë, t’ia mblidhte orët e mësimit në pesë ditë, në mënyrë që t’ia linin të shtunën pushim, për të punuar si studiues. Këtë sugjerim-kërkesë ia bëra jo thjesht në emrin tim, por dhe si mendim të drejtorisë, edhe pse unë nuk kisha asnjë pushtet në institut. Zoti Lamaj nuk e vuri ujin në zjarr fare. Ndoshta kishte frikë të shtronte një kërkesë të tillë tek eprorët e tij.
Të nesërmen, në institut, në kohën që bënim një pushim për të pirë kafe, ftova Ferdinand Lekën. I fola për Kolecin, për përkushtimin e tij ndaj studimeve gjuhësore dhe e pyeta: “Pse nuk e kërkon instituti këtë njeri të formuar e të pasionuar, po merr punonjës të rinj që sapo kanë mbaruar fakultetin?”
“Për Kolecin mos u intereso se nuk e merr Instituti” – m’u përgjigj Ferdinandi, pa më dhënë asnjë sqarim.
Të nesërmen i bëra të njëjtën pyetje dhe shefit të sektorit tim, të cilit i shkonte fjala tek drejtori. Mirëpo ky ma preu shkurt: “Kolec Topallit i është dhënë e drejta të punojë si mësues dhe të shkruajë e botojë artikuj shkencore në revistën tonë “Studime Filologjike”, por po të vijë koha e tij, ti dhe unë nuk do punojmë më as si studiues në institut e as si mësues fshati…”
Pa e zgjatur, e mbylla me një: “Ashtu? Mua më duket shumë paqësor.”
Pas disa ditësh, Paloka më sqaroi se Koleci ishte nga një familje e dënuar dhe kishte vëlla Hilën, shkodran i arratisur në Gjermaninë Federale…
 

Njohja me familjen Topalli

Aty nga viti 1986, me shokun tim Romeo Durolli, që bashkëpunonte si fotoreporter në gazetën Bashkimi, organizuam një vajtje në Shkodër. Pasi mbarova takimin tim me disa bashkëpunëtorë të jashtëm të institutit, shkuam me Romeon te Ndërmarrja Artistike për të realizuar një fotoreportazh nga prodhimet e atjeshme. Po na shoqëronte një sekretar partie i ndërmarrjes. Gjatë vizitës nëpër ambjente të ndryshme Romeoja mbante shënime për rezultatet që i komunikonte sekretari i partisë. Ndalëm tek reparti i xunkthit, ku përgatiteshin ndënjëse karrikesh për eksport. Ishte koha e mbarimit të pushimit të drekës. Na kaluan pranë dy vajza shumë të bukura, që na tërhoqën vëmendjen. Ato na hodhën një vështrim mospërfillës kalimthi dhe vijuan ecjen drejt vendit të punës. Ato nuk shikonin poshtë ku shkelnin, por në një farë lartësie, sikur donin të thoshin: “Bukuria jonë nuk është për aparatin tuaj.” Krenaria e tyre na e shtoi kureshtjen dhe më shumë.
Romeoja, duke menduar se e gjeti objektin e duhur, tha: “ Një foto e këtyre dy bukurosheve në proces pune, e nderon ndërmarrjen dhe Shkodrën.” Mirëpo sekretari, sqaroi me zë të ulët: “Janë kunatat Topalli. Ajo e gjata është Meri, vaza e Gjenarin Topallit, kurse ajo tjetra, Jozefina Çoba, është e fejuara e vëllait të saj. Janë blozë nga biografia.”
Bëmë nja dy foto me të tjera punonjëse dhe ikëm për Tiranë duke komentuar rrugës atë vështrimin kryelartë dhe mospërfillës të kunatave Topalli. Në raste të tjera punonjëset dhe punonjësit na shikonin me një farë respekti dhe me një si lutje në sy për t’i fotografuar e botuar në gazetë, kurse këto, as deshën t’ia dinin, madje na panë me një farë përçmimi…
Atë vit, ose një vit më vonë, Meri Topalli u martua në Tiranë me djalin e vogël të etnografit Rrok Zojzi, me Tefën (Shtjefnin, emër që i qe vënë për respekt të At’ Shtjefën Gjeçovit). Kësaj familjeje të re iu dha strehim në pallatin ku banoja unë. U bëmë komshinj, por Meri dhe Tefa nuk afroheshin me asnjë nga komshinjtë.
Në vitin 1990, kur u pa se diktatura e kishte jetën të shkurtër, u morën masa që të organizoheshin mbrojtje të gradës “Doktor i Shkencave” prej disa personave që ishin penguar, kurse disa të tjerëve t’u jepej titulli “Profesor”. Në këtë fushatë Kolec Topalli mbrojti në institutin tonë doktoratën, kurse historianit Kristo Frashëri dhe mjekut Sali Berisha u dha titulli Profesor.
Në vitin 1992-1993, Tef Zojzi dhe Meri me djalin e tyre, Rrokun, emigruan në Itali dhe në apartamentin e tyre erdhën për të banuar prindërit e Merit, zoti Gjenarin dhe zonja Gita (Margarita). Këta u afruan shpejt me Julian, time shoqe e pastaj dhe me mua. Gjenarini, ishte vëllai i madh i Kolecit, por këtë nuk e pashë asnjëherë të vinte për vizitë tek vëllai. Ishte emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Presidentit Sali Berisha dhe mesa dukej nuk kishte kohë për vizita.
Gjenarini ishte një nga burrat më të urtë që kam njohur. Kishte qenë disa vjet në burgun e Shkodrës bashkë me Sami Repishtin, ku i kishin bërë tortura çnjerëzore. Më vonë e kishin dërguar në internim disa vjet bashkë me të shoqen, ndoshta para se të shtoheshin me fëmijë. Nevoja e kishte bërë Gjenarinin specialist për gjithçka. Çfarë i shihte syri, ia bënte dora. Vetë suvatoi pjesët e dëmtuara të mureve, vetë e leu apartamentin, vetë rregullonte çezmat kur prisheshin, skaldabanjën prej llamarine, etj. Gjatë vizitave në atë apartament u njohëm me motrën e Gitës, Luçianën dhe me kompozitorin Gjon Simoni, bashkëshorti i saj dhe me fëmijët e tyre; si dhe me këngëtaren Marie Kraja dhe vajzën e saj Ignis, kushërirë të Gitës, etj.
 

Vizita te zyra e sekretarit të Presidentit të Republikës

Në vitin 1992, një shqiptar i Maqedonisë, emigrant në Zvicër, ku punonte si shofer transporti në qytezën Zermat, pikë turistike malore për skiatorë, erdhi në Tiranë bashkë me studiuesin Salajdin Mehmeti, të cilin e kisha njohur gjatë shoqërimit kur kishte ardhur si studiues për kërkime shkencore. Ata më propozuan që të bëhesha përfaqësues i një firme të vogël transporti pasagjerësh që donte ta krijonte zoti Halit Maliqi, emigranti nga Zvicra. Unë pranova, duke menduar që të ndihmoja rrogën duke e kryer këtë punë jashtë orarit të punës shkencore. Haliti dërgoi tre mikrobuzë 12-vendesh të mirë, por të përdorur. Unë gjeta tre shoferë dhe duhej të gjeja e të blija një truall për të krijuar një parking ku të pushonin makinat dhe ku mund te ndërtohej një zyrë e një servis makinash. Shoferët filluan nga puna sipas një kontrate që nuk e zbatonin si duhej. Gjatë vitit 1993, fillova të bridhja zyrave për të siguruar truallin, por kjo ishte një punë tepër e vështirë. Pagova një mik arkitekt për të realizuar projektin e parkingut dhe të servisit te një tokë pa trashëgimtar te rruga e Elbasanit, karshi Fakultetit Histori Filologji. Mirëpo, z. Dragush Butka, sekretari i rajonit ku banoja unë dhe ku ndodhej trualli, ishte një komunist e bir komunisti që ishte shpallur demokrat brenda natës, dhe më vërtiste pa mbaruar punë. Atëhere mendova t’i shkoja Kolec Topallit, sekretarit të përgjithshëm të Presidentit të Republikës.
Koleci më priti mirë, por pasi dëgjoi problemin, më tha: “Puna e pronave të tokave është shumë e ngatërruar. Kemi aq shumë kërkesa sa nuk mund të realizojmë as një të qindën. Unë vetë nuk po mund të marr as disa nga pronat që na u konfiskuan më 1945. Vatikani po kërkon një vend për të ndërtuar një katedrale të Shën Palit dhe nuk po ia gjejmë dot. Mendoj se për ty është më mirë të vijosh t’i parkosh makinat nëpër parkinget private që janë krijuar nëpër oborre shtëpish, sepse marrja e tokës prej teje më duket e parealizueshme.”
E kuptova se ishte e pamundur realizimi i kërkesës së z. Halit. Shoferët më mërzisnin sepse donin të pasuroheshin brenda disa muajve dhe vidhnin pa skrupull. Dalngadalë hoqa dorë nga kjo punë e dytë dhe aplikova lotarinë amerikane të cilën e fitova më 1995, dhe u shpërngula me gjithë familje një vit më vonë, sepse me të ardhurat që kisha dhe me apartamentin prej një dhomë e një kuzhinë nuk mund të jetonim dot tre breza: nëna gati 90-vjeçe, unë me Julian rreth të 50-tave dhe djali e vajza 12 e 17-vjeçarë.
.
Vepra e botuar e Kolec Topallit
Vepra e botuar e Kolec Topallit

Takimi i fundit me Kolec Topallin

Gjatë viteve 1992-1996 (para se të largohesha për në SHBA), kur koha e Kolec Topallit kishte ardhur, mua dhe atij kolegut tim që kishte frikë se kjo kohë do të na largonte nga instituti dhe nuk do të na jepej punë as si mësues fshati, nuk na gjeti gjë. Vijuam të punonim në të njëjtin departament të institutit, madje mua më zgjodhën dhe anëtar të Këshillit Shkencor.
Gjatë këtyre viteve u takuam disa herë me Kolecin në Tiranë në mbledhje të ndryshme të Institutit dhe një herë në Shkodër gjatë një sesioni shkencor me temë “Shkodra në Shekuj”. Bisedat zhvilloheshin për aspekte të punës shkencore.
Pas ardhjes sime në SHBA, e takova nja dy herë gjatë vizitave që bëra në Tiranë dhe i dhuruam njëri-tjetrit librat tanë të rinj që kishim botuar. Pastaj këmbyem disa e-maile. Në prill 2016, kur ia dërgova me e-mail kujtimet e mia për Profesor Çabejn, më uroi: “Thanas, i lexova me një frymë. Ti ke çfarë të tregosh dhe di si t’i tregosh. Të falenderoj dhe të uroj nga zemra! Kolec.”
Në gusht të atij viti, pasi kisha botuar librin “Mosdënimi i krimit është krim i ri” OMSCA-1, (450 f.) e njoftova në telefon për vizitën që do të bëja në Tiranë e Prishtinë për ta shpërndarë librin e ri. Lamë takim më datë 21 gusht ora 10:00 AM, tek kafe Postiqja. Po ashtu lashë takim me telefon edhe me zotin Zef Simoni, vëllain e Gjon Simonit, për t’i dhuruar dhe atij një kopje për respektin e madh që kisha për të si përkthyes i “Pinokut”, “Gjeniut” dhe i shumë kryeveprave të tjera të letërsisë botërore. Lajmërova edhe koleget e institutit, Profesoreshat Klara Kodra dhe Floresha Dado dhe historianin Pëllumb Xhufi me bashkëshorten e tij Anila Omari. Këtyre ua lashë takimin në ora 9:00 me qëllim që kur të vinin elitarët Topalli e Simoni, t’i prezantoja e t’iu thosha se këta intelektualë kishin qenë etalon i qytetarit shqiptar gjatë diktaturës dhe se duheshin krijuar e forcuar lidhjet me ta larg politizimit. Por prej tyre erdhi vetëm Profesoresha Klara, kurse Akademikja Floresha Dado dhe Prof. Xhufi me bashkëshorten nuk erdhën, ndonëse më kishin premtuar në e-maile se do të vinin.
Klara dhe ime shoqe, Julia, ishin shoqe të hershme si poete. Orën e parë të takimit e konsumuan më shumë ato të dyja. Në ora 10:00 erdhën bashkë Zefi me Kolecin. Zefi ishte zvogëluar pak, kurse Koleci nuk e kishte atë shkëlqimin e dikurshëm të lëkurës së tij. Takimi kaloi shumë shpejt, na u duk një orë e gjysëm si çerek ore. Ata ngjanin midis tyre. Zefi ishte nip i Doktor Filip Shirokës dhe fis i afërt i Ernest Koliqit dhe i Kardinalit Koliqi.
Si Zefi dhe Koleci kishin përjetuar nga afër përndjekjen e diktaturës komuniste ndër familjarët e tyre, si dhe përbuzjen e njerëzve të pushtetit. Këta dy intelektualë kishin qenë idhujt e mij në vitet e diktaturës. Tek ata shikoja dritë intelektuale dhe forcë morale, sepse ata e mbanin të gjallë në shpirt kujtimin e së keqes që i kishte bërë regjimi komunist shoqërisë shqiptare, sidomos asaj shkodrane dhe kjo kujtesë i ndihmonte të ishin vigjilentë, reagues, qëndrestarë. Me qëndrimin e tyre larg veseve, me punën e tyre thellësisht të përkushtuar, me vrasjen brenda tyre të dëshirës egoiste për të rënë në sy, ata ishin kthyer në model të qytetarit të vërtetë shqiptar.
Sa më shumë i nënvlerësonte pushteti, aq më shumë puna e tyre gojëkyçur merrte natyrën e angazhimit dhe të rezistencës ndaj atij pushteti. Mirëpo ne, bijtë e punëtorëve dhe fshatarëve të varfër, që na kishte ndihmuar shteti diktatorial për t’u shkolluar, brenda ose jashtë shtetit, dhe na kishte emëruar nëpër punë të mira në sferat e propagandës, artit, shkencës, ishim shumë larg këtyre modeleve të qytetarisë. Ne entuziazmoheshim dhe përshëndesnim “sukseset e partisë shtet” dhe u serviloseshim pa pikë turpi. I serviloseshim atij pushteti, që kishte bërë aq shumë krime, prej të cilave ne dinim vërtet pak, por ishin të mjaftueshme për të mbajtur një qëndrim kritik, ose të paktën një qëndrim disi neutral. Më të mjerë midis nesh ishin ata që nuk i rezistuan tundimit për pushtet dhe pranuan të merrnin poste, sepse pushteti i korruptonte, i tjetërsonte dita ditës, duke i degjeneruar në servilë të paturpshëm të diktatorit dhe të partisë, pra i kthente në antiqytetarë, në të kundërt me Zef Simonin, Kolec Topallin dhe grupin elitar shkodran. Fatkeqësisht të tillë njerëz nuk e kanë kuptuar ende se puna që ata kryen dhe djersa që ata derdhën gjatë viteve të sistemit diktatorial ishte punë e djersë e derdhur për partinë dhe diktatorin, dhe se shumica e punës dhe e djersës së tyre ishte e dëmshme dhe nuk mund të vlerësohet pas kapitullimit të atij sistemi.
Biseda vijonte me zë të ulët. Ime shoqe më tha nën zë: “Këta duken si engjëj.” Unë nënqesha. Me ata sytë e tyre ku dukej pafajësia, me të folurën me zë të ulët, ata vërtet dukeshin si engjëj. Të tillë rol kishin luajtur dhe me jetën e tyre. Ndjehesha i lumtur që i pata njohur dhe isha përpjekur t’u ngjaja sadopak.
Folëm për punët e reja. Koleci kishte botuar një varg veprash të reja në fushën e historisë së gjuhës shqipe dhe dy veprat madhore “Fonetika Historike e Shqipes” dhe “Gramatika Historike e Shqipes”. Tha se po përfundonte veprën tjerër madhore “Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe”.
“Jam 77 vjeç, tha, – dhe shtoi, – besoj se fjalori do të jetë vepra ime e fundit.”
“Ti je i ri, – i a preu fjalën Zefi, – ç’duhet të them unë që jam 86 vjeç?”
Ndoshta Koleci e parandjente sëmundjen…
Para se të ndaheshim ua dhurova librin me dedikim duke shprehur dëshirën që të takoheshim edhe vitin tjetër, por kjo dëshirë nuk u realizua. Unë nuk shkova dot në Tiranë, as vjet e as sivjet…
Tani para disa ditësh mora vesh se Koleci ishte ndarë nga jeta dhe për çudinë e intelektualëve të ndershëm, ky punëtor i madh dhe i suksesshëm, ishte sulmuar e sharë në faqet e internetit para vdekjes pikërisht për kryepunën e tij “Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe”.
Shtypi shkroi shumë pak dhe thatë për vdekjen e shkencëtarit të shquar. Vetëm intelektuali i mirënjohur Ardian Vehbiu e vlerësoi si duhej dhe kritikoi sharlatanët e internetit, të cilët nuk janë tjetërkush veçse disa nga ata që punuan dikur me mish e shpirt për nënën parti dhe diktatorin, nga ata që e ndjejnë veten fajtorë për ç’kanë bërë atëhere kur Koleci jetonte e punonte nën trysninë e diktaturës, nga ata që edhe pas 25 vjet mbas kapitullit të sistemit diktatorial nuk duan të kërkojnë të falur për gabimet dhe krimet e tyre…
I përjetshëm qoftë kujtimi i studiuesit të talentuar Kolec Topalli, nxënësit më të denjë të Profesorëve Eqrem Çabej dhe Shaban Demiraj!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.