back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Elona Caslli, luftëtarja që na bën të ndihemi në faj, qëndrestarja e paepur e betejave të dinjitetshme… – Portret i Paautorizuar nga Albert Vataj

Gazeta

Elona Caslli
Elona Caslli

Elona Caslli, luftëtarja që na bën të ndihemi në faj, 

qëndrestarja e paepur e betejave të dinjitetshme…

Portret i Paautorizuar nga Albert Vataj

Elona Caslli është një nga ne të gjithë, por ajo që e dallon është shpirti, i kësaj vajze prej zjarri. Kam marrë pjesë në shumë beteja dinjiteti, por nuk kam parë një luftëtare si atë. E paepur dhe e vendosur deri në caqet e të pamundurës. Nuk e kam parë asnjëherë të ndalojë, të sprapset, përkundër çdo çmimi dhe pengese. Ajo gjithnjë është në zjarrin e betejës së një idealisteje, roli i së cilës është i pamundur të gjendet në përngjasim. Në zërin e saj dëgjohet vullneti i dhjetëra e qindra njerëzve, që ndihen të shpërdoruar, të denigruar, të lënë pas dore, të dhunuar, të fyer, të vrarë shprese, të flakur tej.
Çdo ditë ajo është aty, aty ku jemi ne të gjithë, në Facebook. Pena e saj është majëpmprehtë si dhe mendja. Ka qenë kjo vajzë në krye të luftës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, çdo orë, çdo ditë, çdo natë, aty. Edhe pse kjo ngrehinë e qëndresës u shemb, ajo qëndroi në këmbë, duke mos u sprapsur prej të drejtës së saj, pa kërkuar asgjë në këmbim, duke shpërfillur çdo joshje dhe kërcënim.
Ajo nuk ka asnjë përkatësi politike, edhe pse ajo shpesh është gjendur në anën e opozitës. Është pro politikës së djathtë, aq sa është edhe kundër çdo pakti komprometues.
Kjo vajzë, thjesht na bën fajtorë, na tregon me gisht, sepse arsyeja se gjithçka që shkon përdreq në këtë vend, është për shkakun e secilit nga ne. Të gjithë jemi dorëzuar, kemi dezertuar, kemi dështuar. Vetëm ajo, vetëm ajo vazhdon të luftojë, e vetme dhe e vendosur. Edhe pse është po kaq e bindur se do të humbasë, sa edhe ne, ne që hoqëm dorë nga idealet dhe ëndrrat tona po kaq paturpësisht sa ç’kemi pranuar të bindemi këtij fati të keq. Ajo nuk iku, nuk ishte aq e përulur të pajtohej pandershmërisë që zgjodhëm shumë nga ne për të pranuar e pajtuar asgjënë asgjësuese të të dinjitetshmes, ajo zgjodhi të ndeshej.
Elona Caslli
Elona Caslli
Nuk mund të ketë një vendosmëri më e pathyeshme se e saja. Përpiqet çdo ditë, pa ndaluar përkundër asnjë pengimi. Nuk di të heshtë edhe kur askush nuk flet për diçka që për të është kambanë alarmi. Nuk fshihet pas “ç’më duhet mua”, por hidhet në arenë dhe lufton me dinjitet. Me fjalë e mendime, me ide dhe vizion, kurajë dhe vendosmëri, ajo lufton.
Unë, sikurse edhe shumë nga ju, mund të mos jemi gjithnjë dakord për çfarë ajo shkruan, për çfarë për të është yshtje në zjarr, dhe ky është faji im, faji juaj, faji i të gjithëve, krejt ne që kemi preferuar të kundrojmë realitetin si spektatorë dhe të pajtohemi me atë që na bën të ndihemi në faj.
Kjo vajzë nuk po bën luftën e saj, edhe pse në çdo betejë ajo është në vijën e parë. Kjo është lufta e drejtë e atyre që besojnë ende tek vlerat, tek virtytet, tek aspiratat që e përfaqësojnë qytetarin e lirë në një shoqëri demokratike, atë identitet që kërkon të ngjizë të tashmen dhe të ardhmen në këtë vend, duke mos ia lejuar vetes t’ia mbathë, për ta lënë këtë truall të begatuar nga natyra, në mëshirën e “tokës së djegur”.
Integriteti i saj intelektual është e një kualiteti të admirueshëm. Stili dhe zhdërvjelltësia e tekstshkrimit, thellësia e lërimit të idesë, përshkueshmëria e një pamshmërie të kthjellët të shkasit, piruetat e ironisë dhe pamëshirshmëria korrekte e sarkazmës, bëjnë që kjo penë-parmendë të dallojë prej çdo zejtari tjetër të lëvrimit të shkrimit shqip.
Shpesh materialet e saja që trajtojnë problematikën dhe shqetësimin aktual, përshkohen nga një paanshmëri trajtimi dhe përgjegjësi konsiderimi të çdo shtjellimi. Ajo është syçelë dhe vëzhguese, vigjilente e çdo dallgëzimi që godet anijen e drobitur të kësaj Shqipërie që rend hekakeqe në kërkim të brigjeve.
Gjithnjë është e gatshme dhe e përgatitur për t’u hedhur në veprim, pa marrë parasysh pasojat dhe pa e vrarë mendjen nëse do të ketë prej atyre që e vlerësojnë dhe janë një njëmendje me të. Ajo thjeshtë është e lindur për të luftuar dhe për t’u sakrifikuar për idealet që beson.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.