back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Elona Culiq… dhe Libri i saj Fitues… nga Leon Lekaj

Gazeta

Libri i Elona Culiq
Libri i Elona Culiq

Elona Culiq… dhe Libri i saj Fitues

Dy fjalë n’Patitullni… 

nga Leon Lekaj

I falem
gjithçkasë dhe të gjithëve
që kanë zgjue poezi n’mue
atëherë kur… gjithmonë kur…
elona culiq

Ky libër dygjuhësh, i autores Elona Çuliq, me përkthim të poetit Gjergj Kola asht kunorëzimi i një evenimenti cilësor artistik, që u zhvillue nëpërmjet rrjetit social Facebook, me iniciativën e Gjergj Kolës (menaxher-botues) dhe me sponsor Shtëpinë botuese “Bilingual Verlag”.
Me një emën modest, i cili ban që radhët e poetëve cilësor të shtrëngohen me i hapë një vend asaj, Çuliq, në frymëmarrjen e vet poetike kërkon një diafragmë të re. Iniciativa krijuese e saj, nën presionin mjerisht të paskrupull të një shoqnie, e cila çdo ditë e ma shumë kërkon ta zhysë shpirtin e lirë në llumin e materies nëpërmjet një indiference të paskaj, kërkon me dëshmue, se shpirti i saj ka grumbullue aq shumë forca, saqë asht e gatshme me notue në drejtim të kundërt me rrymën. Dhe e ban këtë nën një tis të butë, poshtë së cilës poetja fsheh surprizat e saj. Nëse dikush ka me u përpjekë me zbulue qoftë edhe pak atë tis të hijshëm, ka me mbërritë me kuptue se nuk ekziston një destinacion i vetëm, por sintaksa e një fjalie shpesh herë të zgjedhun me kujdes, të orienton në pikëmbërritje të shumta, të cilat jo rrallë varen dhe zgjidhen prej shijes së lexuesit.
Në një botë të padenjë, ku njeriu nuk e ka fort të lehtë të plotësojë veten, tek Çuliq, dashunia shfaqet si një ngushëllim i vakët, e ndoshta i vetëm.

"Me te bardhe, me te bardha - veshur-o..."
“Me te bardha, me te bardha – veshur-o…”

Kisha dashtë më shkrue
Për zanin që ushton brenda rrënojave
Tu’i ngreh si mure gjethesh
Ku i plotë e krejt i bzashëm
Randon shiu i mbramshëm.

Ka një univers sferik në këto vargje, mbi të cilin mund të udhëtosh i pa shqetësuem prej vijave të bardha. Për fat, aty mungojnë ato fjalë, të cilat aq shpesh në letërsinë e sotshme e banalizojnë atë ndjenjë hyjnore. Kjo asht edhe arsyeja që tek vargu i Elonës, nuk mundesh me hy lehtë, pa zotnue ma parë çelësat që bajnë të mujtun hapjen e ngrehinës së saj poetike. Ajo shkon drejt finales së poezisë me tone të qeta, pa britma, zbret me një dekreshendo të butë, e cila e fton lexuesin të jetë pjesë e saj. Çuliq ta dhuron me shumë dashamirësi atmosferën e andrrës së vet, por ta mban të fshehtë vetë andrrën, duke e ba lexuesin, që në atë sfond të mrekullueshëm, prodhim i atij mjedisi fjalësh të ngjyrosuna bukur, të sajojë një të vetën.
Shpesh herë produkti i një lufte të brendshme për distilimin e fjalës deri në kondensim e çon autoren drejt kufijve të heshtjes. Dhe thotë:

Heshtja asht nji shenjt
i kudozbritun
që na kun veten
si një përgjigje e msueme përmendësh.

Asht një pohim i prekshëm, ku bashkimi i nocioneve të çon drejt një thanie aluzive, ku koncepti romantik i të menduemit asht braktisë pa pikë mëshire, për t’ia lanë ma mbrapa vendin nji eksperience të re. Kjo asht edhe mënyra që Çuliq ka zgjedhë që të bajë “shenjtin heshtje” të flasë.
Në një varg të lirë, të çliruem prej traditës së konsumueme e tashma të lodhshme, dhe me mënyrën e saj të të menduemit dhe të shkruemit në gegnisht mendoj se Elona Çuliq asht premtuese e një gjenerate të re të letrave shqipe, që ka me ditë me e shkruejtë ndryshe poezinë bashkëkohore.

Për jurinë
Leon Lekaj

I am nature...
I am nature…

A e ke ndî? poezi nga Elona Culiq

A e ke ndî
si kërcasin pemët në furtunë?
Si fjala jote n’buzët e mia
a fryma jote e ngrohtë,
kur ndeshet me bardhinë e supit tim.

Po netët a i ke ndî,
si troshiten në grushtet e djersta
e puthin gjurmët e hijeve,
për me u çmall me at’ pak ti.

A e mban mend si kacavjerreshe mbas meje,
si lavjerrës n´përjetësinë e vet,
e nji nga nji më përsërisje
lutjet, që Kishës sonë të mallit
ia këndoja çdo t’premte t’shenjtë

Jena n’zgrip t’kohës!

Çdo ditë e lajmë amanet n’rrâz’ t’pemëve
e mbramjeve t’unshme për dritë
zhgrehim mallin e qiejve.

A e ke ndî
si kërcasin pemët në furtunë?
Ashtu sikur unë para syve tuej!

Foto: Lauren Bekteshi
Mozaiku: Franc Paci
Kopertina: Jetmir Troshani, Gjergj Kolgjokaj
Redaktoi: Selma Meti
Perktheu në gjermanisht: Gjergj Jozef Kola

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.