back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Elsie …Eposi i Fishtës m’tërheq më shumë se eposi i Njegoshit…

Gazeta

Albanologu Robert Elsie
Albanologu Robert Elsie

‘Lahuta e Malcis’ e Fishtës

më tërheqse se eposi sllav i Njegoshit…

Robert Elsie intervistuar prej Jozef Radi – gusht 2004

Jeni nder të paktit studuies që merreni sistematikisht me letërsinë shqipe, sigurisht ndër më të rejat e Ballkanit. Si i vlersoni rrethanat historike në të cilat u lind ajo dhe cilat ishin pasojat e cungimit të shtetit shqiptar? Në një farë mënyre mund të them se letërsia shqiptare është një pasqyrë e popullit shqiptar. Zhvillimi i saj e pasqyron zhvillimin e historisë së shqiptarëve. Zor të gjesh një komb tjetër europian, i cili e ka patur kaq të vështirë të zhvillohet, bile të mbijetojë; kjo vlen edhe për letërsinë shqiptare. Për këtë letërsi e kam përdorur shpesh analogjinë e bimës së brishtë në tokën e vështirë shkëmbore. Në disa raste kjo bimë e vogël ka mundur të lulëzojë, por shpeshherë lulet e saj u prishën nga rrjedha e turbullt e historisë shqiptare, bile disa herë bima u shkul me forcë nga shkëmbi, u çrrënjos, u shkatërrua krejt. Letërsia e hershme katolike u zhduk me pushtimin osman. Letërsia myslimane u zhduk kur Shqipëria pa se vendi i saj ishte në Europë, kur rilindasit iu kthyen Perëndimit. Letërsia e traditës së mirëfilltë shqiptare dhe mendimi i lirë u shkatërruan me marrjen e pushtetit nga partizanët e pashkolluar mbas ’44-ës. Dhe në fund, letërsia socialiste, në të dy variantet të saj, enveriste dhe titoiste, u zhduk me rënien e komunizmit pas një jete tepër të gjatë. Rrethanat historike, dmth, rrethanat politike, ekonomike, arsimore dhe gjeografike në trojet shqiptare, gjithmonë kanë qenë kaq të ndërlikuara dhe të vështira sa të habisin si se njëfarë tradite letrare ka mundur të mbijetonte. Edhe prapë kjo letërsi egziston dhe tani ajo ka çfarë t’i tregojë botës: disa lule të bukura të cilat ndriçuan dhe ndriçojnë nën diellin e asaj toke shkëmbore.
Prej kohësh merreni me përkthimin e “Lahutës së Malcis” së Gjergj Fishtës. Si i keni kapërcyer barrierat teknike, pasurinë gjuhësore e leksikore të gegnishtes, rrjedhën e ngjarjeve dhe kohës së kësaj kryevepre, të cilën nuk kanë qenë të paktë ata që e kanë ditur përmendsh prej fillimit në fund? Përkthimi im anglisht i “Lahutës së Malcís” ka qenë një mundim kolosal, siç mund ta merrni me mend. Vepra është po kaq e gjatë se Iliada e Homerit dhe përkthimi i saj zgjati më shumë se tre vjet. Më duhej shumë përqëndrim dhe shumë përkushtim për ta kryer deri në fund. Në fillim puna ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe projektin e braktisa disa herë, duke menduar se nuk e bëja dot. Gjuha shkodrane e Fishtës dhe leksiku tepër i zhvilluar më munduan, por me kalimin e kohës dhe me kalimin e vargjeve të shumta, arrita ta zotëroj gjuhën e autorit dhe ta përshtas botëkuptimin e tij në gjuhën angleze. Jam i bindur se versioni anglisht doli mirë. E rilexova tekstin e përkthimit para disa javëve dhe – për habinë time – isha shumë i kënaqur me të. Them se ka dalë një vepër me cilësi të lartë letrare, e cila do ta nderojë autorin.
Si e vlerësoni kët vepër, e cila për më shumë se gjysëm shekulli u la në heshtje? Cila mund të jetë sot vlera e kumtit të saj jashtë trojeve shqiptare? Duhet ta pranoj se kisha shumë dyshime në fillim. Përqëndrimi i Fishtës mbi beteja të pafundme dhe prirja e tij morbide për gjakun dhe për koka të prera më mërzitën. Shqipëria, mos kishte ndonjë vlerë të lartë njerzore përveç trimërisë bajate luftarake? Por me kalimin e kohës fillova t’i shijoja vlerat pozitive të Lahutës. Ka refleksione të thella, ka humor dhe, në përgjithesi ka madhështi. Natyrisht duhet të kuptosh situatën e malsorëve shqiptarë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Unë e njoh kulturën shqiptare dhe i njoh pak a shumë edhe veçoritë e kulturës së Veriut, kështu që s’e kisha të vështirë ta kuptoja se për ku më drejtonte autori. Por nuk kam idenë fare se si epopeja shqiptare do të pranohet nga publiku botëror. Pohoj se, me gjithë kritikat që mund t’i bëhen autorit për disa mangësi tipike të poezisë epike, “Lahuta e Malcís” si epikë dhe si vepër letrare qëndron; ndërsa si vepër përfaqësuese e kulturës shqiptare ajo vlen të botohet. Më pas do të shohim se si reagon bota. Them gjithashtu, pa dashur të shfaq ndonjë paragjykim etnik (besoj), se “Lahuta e Malcís” më tërheq personalisht shumë më tepër se “Lulevargu i Malcís” (Gorski Vijenac) i Njegoshit, epos i Malit të Zi dhe Serbisë, i cili më duket i zymtë dhe konfuz.

Lahuta e Malcis - anglisht
Lahuta e Malcis – anglisht

Si e vlersoni faktin se shumë prej të rinjve shqiptarë që jetojnë në perëndim, tashmë kanë nisur të botojnë veprat e tyre në gjuhët e vendeve ku ata jetojnë? Kjo është një dukuri e kuptueshme. Një autor shqiptar, ta zëmë në Itali, dëshiron natyrisht që veprat e tij të lexohen nga bota. Nëse boton shqip, ai duhet të ballafaqohet me një treg shumë të vogël dhe do ta ketë të vështirë të shesë më shumë se njëqind kopje të librit. Tregu italian, në krahasim, është shumë i madh, nëse ai arrin ta depërtojë. Kjo dukuri ndoshta përbën një humbje për letërsinë shqiptare, por mund të jetë një arritje personale për autorin. Prapseprapi ka një problem. Për të shkruar një vepër letrare duhet të dish gjuhën në mënyrë të përsosur. Shumë të rrallë janë shkrimtarët të cilët shkruajnë dhe botojnë me sukses në një gjuhë që nuk e kanë mësuar nga nëna dhe nga babai. Është gati e pamundur. Kjo vlen në mënyrë të veçantë për poezinë, por vlen gjithashtu për prozën letrare. Rezultati mund të jetë që një autor i talentuar shqiptar të përfundojë italisht si shkrimtar i rangut të tretë. Është detyrë e çdo autori të vendosë për veten: të jetë autor i mirë shqip me një publik të kufizuar apo autor i dobët në italisht me një tirazh më të madh dhe me një pseudofamë të përkohshme në gazetat e Shqipërisë. Uroj që ai të ketë sukses edhe në shqip edhe në gjuhë të huaj, por është një rrugë e vështirë. Zgjidhja optimale do të ishte që autori të shkruajë shqip dhe, pas botimit në shqip, veprat e tij të përktheheshin nga një specialist. Por hajde të gjeshë një përkthyes italian i cili të përkthejë nga shqipja. Janë me gishta – pa folur për përkthimet angleze, gjermane, spanjolle…
Sa keni mundsi t’i ndiqni veprat e brezit të viteve ‘90, të cilët gjithnji e më dukshëm janë në qendër të asaj çka krijohet, diskutohet dhe debatohet shpesh edhe ashpër në qarqet letrare? Nuk them se e njoh mirë letërsinë e pesëmbëdhjetë viteve të fundit, megjithëse kjo është periudha me interesante e letërsisë shqiptare. Përpiqem të gjej libra dhe të lexoj sa më shumë, por më duhet shumë kohë për t’i analizuar. Duhet edhe kohë që publiku shqiptar – dhe jo unë – të vendosë për vlerat dhe për cilësinë afatgjatë e autorëve bashkëkohorë.
Habitem shpeshherë për ashpërsinë e debatit në qarqet letrare, në fakt jo vetëm në qarqet letrare, por edhe për ashpërsinë e shkëmbimit të mendimit në shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Është e vështirë të krijosh diçka me vlerë në trojet shqiptare sepse menjëherë duhet t’i nënshtrohesh kritikash shumë të egra, shpesh të padenja dhe panjerzishme, si dhe sharjeve pa fund. Një kritikë letrare e matur dhe objektive gati nuk egziston në botën shqiptare. Kjo mënyrë e shkëmbimit përbën një problem të madh për shoqërinë shqiptare në përgjithësi; një shoqëri, e cila ndonjëherë me duket thellësisht intolerante, ziliqare, dashakeqe dhe shkatërruese. Prandaj i admiroj autorët e paktë, të cilët, në rrethanat e tilla, arrijnë të botojnë diçka me vlerë, diçka që përpiqet të afirmojë këtë shoqëri dhe ta çojë përpara atë.

Prof. Elsie ne vendet e Eposit
Prof. Elsie ne vendet e Eposit

Njohjen me gjuhën dhe letrat shqipe e ke filluar nga Kosova. Sigurisht mjaft prej emrave të njohur atje janë miqtë tuaj. Në pak rreshta, cili është opinioni juaj për letërsinë e shkruar atje? Kam miq edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, pa dallim. I dua dhe i urrej të dy vendet njësoj. Lidhur me pyetjen, nuk besoj se mund të jap një mendim të përgjithësuar për letërsinë e Kosovës apo për letërsinë shqiptare në tërësi. Si kudo tjetër, ka autorë të mirë dhe autorë të dobët, apo më saktë, ka vepra të mira dhe vepra të dobta. Por siç thashë përpara, letërsia pasqyron popullin dhe prandaj eshtë e kuptueshme që letërsia e Kosovës të pasqyrojë në mënyrë të theksuar popullin e Kosovës.
A mundet kultura dhe letërsia t’i sheshojë hendeqet midis dy mënyrave të të menduarit dhe të të shkruarit andej dhe këndej kufirit. Natyrisht që po! Nëse letërsia tjetër lexohet, nëse lexuesi tregohet i hapur ndaj ndryshmërisë së kulturës tjetër. Ndoshta duhen sheshuar disa hendeqe dhe keqkuptime të kota midis katundarit të Tepelenës dhe fshatarit të Vushtrrisë, por le të mbeten variante kulturore, edhe të identitetit. Kjo mënyrë tjetër e të menduarit dhe të shkruarit përbën një pasuri për botën shqiptare. Shumëllojshmëria është një vlerë pozitive në kulturën shqiptare dhe duhet të vlersohet si e tillë, përndryshe, shqiptari nuk merr frymë mbrenda dhomës së tij të vogël dhe të mbyllur.
Jeni ndër të parët që keni shkruar rreth veprave të sirtarëve dhe autorëve të shmangur e të shtypur nga regjimi. Përmes njohjeve tuaja si do t’i vlerësonit kët rrjedhë paralele me letërsinë zyrtare, e cila me mjaft vështërsi po arrin të botohet… Nuk ka dyshim se me ardhjen në pushtet të komunistëve në Shqipëri më 1944, figurat më të talentuara të kombit filluan të persekutoheshin, dhe të zhdukeshin. Lufta e klasave, e cila në vendet e tjera të Lindjes zgjati pesë vjet (kryesisht deri në vdekjen e Stalinit), në Shqipëri zgjati në mënyrë të pamëshirshme deri në fund të diktaturës. Shumë intelektualë të ngritur, mbase shumica, përfunduan në burgje dhe në internime, apo u lanë në heshtje. Por prapë, me gjithë respektin që duhet të kemi për këta njerëz, nuk mund të rishkruajmë historinë e letërsisë shqiptare për të zhdukur tërë romanet e realizmit socialist me heronjtë-partizanë dhe tërë poezinë partiake me “frymën e lartë marksiste” dhe për ta zëvendësuar me dorëshkrime të pabotuara dhe me autorë deri vonë të panjohur. Bazat e një historie letrare janë gjithmonë librat në qarkullim, botime egzistuese. Letërsia shqiptare e realizmit socialist ishte dhe është një realitet, në një masë të madhe, sigurisht një realitet i hidhur, por mbetet një pjesë përbërëse e kësaj letërsie dhe nuk mund të mohohet egzistenca e saj. Me siguri ka shume rrëfime personale nga figura të respektueshme që duhen të botohen si dokumente historikë për të hedhur dritë më shumë mbi atë kohë tragjike, por duhet të them se kam edhe përshtypje se lexuesi i sotëm shqiptar nuk ka shumë qejf më për “letërsinë e burgut.” Ai ka parë botën, ka lexuar letërsinë bashkëkohore botërore dhe ka interesa të tjera letrare. Koha kalon dhe shqiptarët shikojnë më shumë drejt së ardhmes dhe jo drejt së kaluarës. Mund të jetë edhe kjo, arsyeja e vështirësisë së botimit.

Dorshkrimi i "Lahutes..."
Dorshkrimi i “Lahutes…”

Në Shqipëri po flitet shumë për hapjen e dosjeve të shkrimtarëve. Kët temë e shkuli nga heshtja e gjate dhe nga ndërdyshja e opinioneve shkrimtari Ismail Kadare. Si e gjykoni ju jo vetëm si studiues i letërsisë shqipe, por edhe nga eksperienca gjermane kët çeshtje mjaft të mprehtë për moralin e shkrimtarit dhe të shoqërisë? Hapja e dosjeve mund të krijojë një problem të madh për shoqërinë shqiptare sepse ajo rrezikon të shkatërrojë strukturën (e mbetur) e shoqërisë shqiptare dhe të përhapë një armiqësi, një urrejtje të përgjithësuar në Shqipëri. Nga ana tjetër, shumë njerëz kërkojnë, me shumë të drejtë, të dinë se kush i kishte spiunuar dhe denoncuar. Në një vend si Shqipëria, hapja e dosjeve mund të shkaktojë më shumë dëm se sa të krijojë avantazhe. Pas një diktature kaq të egër, në një vend kaq të vogël supozoj se, në një mënyrë apo në një tjetër, tërë popullata e Shqipërisë së asaj kohe ishte e implikuar, dashje-padashje. Por mendoj, se janë vetë shqiptarë të cilët duhet të vendosin për këtë problem madhor dhe jo unë.
Ndoshta duhet shikuar këtu proçedurën e adoptuar në Gjermani për dosjet e Shtazit (Stasi), pra për dosjet marramendëse e Sigurimit të Shtetit të Gjermanisë Lindore komuniste. Dosjet e ish-Ministrisë së Brendshme së RDGj-së nuk u hapën përgjithësisht, por çdo qytetar ka të drejtën të shkojë në godinën e Shtazit në Berlin lindor dhe të shikojë dosjen e vetë (jo të tjerat) dhe të mësojë, nëse dëshiron, se kush e kishte spiunuar apo denoncuar (qoftë miku i ngushtë, qoftë gruaja e vet, qoftë djali, qoftë nëna…). E dhimbshme do të jetë për të gjithë, por edhe dyshimi i përjetshëm të brengos.
Ndërsa përgatitesha për të biseduar me ju, i hodha një sy shënimeve të dikurshme, sidomos takimet e shumta gjatë vitit ‘91. Si e gjykoni rrjedhën e ngjarjeve në Shqipëri mbas këtyre pesëmbëdhjetë viteve demokraci? Shqiptarët janë të lirë për fat, por do të kisha shpresuar për një tranzicion më të butë, më të bukur. Pesëmbëdhjetë vitet e fundit kanë qenë, edhe ato, jashtëzakonisht të vështira për shqiptarët, pa folur për goditjen e rëndë e vitit 1997 dhe për luftën e vitit 1999. Ka patur shumë shkatërrime, të paimagjinueshme për vendet e tjera, dhe shpeshherë më vjen për të qarë kur shoh gjendjen e popullit shqiptar dhe mundimin pafund të individit për të mbijetuar në një shoqëri të egër. Po prapë mbetem optimist. Gjendja e sotme ështe më mirë se kurrë më përpara, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, dhe do të bëhet akoma më mirë kur të mbretërojë në Ballkan harmonia, dhe kur Shqipëria dhe Kosova të inkuadrohen, bashkë me vendet fqinje, në Europën e bashkuar. Jam i bindur se bota shqiptare, të paktën, do të mbetet interesante.
Në mbyllje, çfarë pritet së shpejti t’i jepni lexuesve të huaj nga letërsia dhe kultura shqipe? Sivjet kam mbaruar dy punime kryesore: së pari përkthimin e “Lahutës së Malcís”, dhe së dyti një Fjalor Historik për Kosovën, (Historical Dictionary of Kosova) i cili do të botohet në Amerikë në fund të vitit 2004. Fjalori është një botim paralel pas Fjalorit Historik për Shqipërinë (Historical Dictionary of Albania), të cilin e botova në ShBA me 700 zëra në fillim të vitit 2004. Fjalori i ri për Kosovën do të ketë 379 zëra me 346 faqe të botuara dhe do t’i japë botës shumë informacion më të saktë për historinë e Kosovës dhe për figurat e saj, të së kaluarës dhe së tashmes. Shpresoj me këtë botim të ri se do të mund ta informoj më mirë botën për atë shtet i cili (akoma) s’është shtet. Vitin tjetër kam ndërmend të botoj anglisht një histori të shkurtër të letërsisë shqiptare dhe disa përkthime letrare nga shqipja. Informacione për botimet e mia mund të gjeni në faqen time të internetit www.elsie.de  ku janë në dispozicion gati tërë artikuj dhe botime të mia për shkarkim dhe përdorim të lirë. Përveç kësaj, përkthime të mia anglisht të shumë autorëve shqiptarë gjinden në faqen time të dytë: www.albanianliterature.com
Intervistoi: Jozef Radi (Ars gusht 2004)
(Titulli i radiandradi.com)

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.