back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Emblemi Legjendar nga Lazër Radi (nantor1937)

Gazeta

Lazër Radi 1940
Lazër Radi 1940

Emblemi Legjendar nga Lazër Radi (nantor1937)

“Rreth Flamurit” 25 vjetori i Pavarsisë

Ah, sikur Flamuri të mund t’fliste, do t’na tregonte legjendën e vet të madhe!
Por, lexues i dashur, vëreje… vëreje mirë e mendo atëherë, në ngjyrat e tij do të lexosh fitoret e përpjekjet titanike të shqiptarëve për liri të Atdheut.
Vëreje mirë Flamurin – Flamuri i flet zemrës.
“Rreth Flamurit”, rreth atij emblemi hyjnor asht zhvillue nji legjendë madhështore, – nji histori e shkrueme me gjak herojsh. Kambanat rrahin me hov të madh. Rrahin porsi zemra djaloshare. Këta tinguj hareje përhapen me nji ambëlsi të pashoqe deri ndër horizonte ma të thella të Atdheut.
Sa të lumtura rrahin zemrat e reja, sa ndjesina bujare mbulojnë mendjet e tyne të njoma. Mburren me analet e shkëlqyeshme të historisë sonë të madhe, t’asaj historije që shkon deri diku krah për krah me atë të helenit e të latinit.
“Rreth Flamurit”, çeta e vogël por kreshnike e Kastriotit marshoi drejt fitoreve fatlume, drejt atyne fitoreve që shpëtuen tanë Europën prej kambës pushtuese t’aziatikut… Por, shpejt u shue drita, se Ati ma i madh i kombit, heroi i legjendave të pavdekshme, u rrëzue përdhe e dora që ndër njizetepesë fitore e mbajti nalt Flamurin… fort nalt me nji krenari të pashembullt u shue.
Shkuen vjet e bashkë me to edhe gjenerata.

Paraqitja e Shqipnisë në Turqi
Paraqitja e Shqipnisë në Turqi

Shekuj errësine randuen mbi supat e shqiptarve. Ah jo, nuk ishte e thanun që Atdheu i ynë të mbetej n’robni të përjetshme. Shpirtnat e kombit nisen me e zgjue… me u nxe, me u shndrrue në zjarr. Po në nji zjarr të madh i cili ose të nxenë ose të djeg… Por, zjarri i madh i pionierëve të lirisë kombtare pat forcën me nxe, me i ngrohë me flakë patriotizme shqiptarët e vuejtun e të shtypun. Dhe ata u zgjuen dhe shprehën forcën e msheftë që u vlonte në gji. Dhe kombi u ringjall…
Me kangën “Rreth Flamurit” në gojë, me atë kangë të zjarrtë që shprehte dëshirat e zemrave të tyne të djeguna për nji “Shqipni të lirë etnike, shkruen në qiell kushtrimin, e shkruen me zjarr të pashuem: Urra. Luftoni për liri t’Atdheut, luftoni: Shqipnia asht e shqiptarve”.
Shkëndiat e këtij kushtrimi u futën ndër zemrat e të gjithë shqiptarve. Drita e kushtrimit ndriti mendjet e tyne… Eh, ç’lëvizje e madhe. Kurrnji vështirsi a pengesë nuk mund t’ua prente hovin, sepse ata ecin përpara të udhëhequr prej nji ideali të naltë… Ata kërkojshin “Liri a vdekje”.
“Rreth Flamurit” gjaku i shqiptarve të mëdhenj u derdh e nga ky gjak lindi Kanga e Madhe, Epopeja e Kombit. Luftuen me pendë e pushkë shqiptarët e pastër. Përpjekja e tyre u shpërblye: Atdheu u ba i lirë.
“Rreth Flamurit”, Kreshniku i Vlorës, Ismail Qemali, me zanin e tij të kjartë e të fuqishëm lajmëroi popullin shqiptar dhe gjithë botën se Atdheu i Kastriotit rilindi: Shqipnia u lirue… Sot, “Rreth Flamurit” Skënderat e rinj nga kryeqyteti i Shqipnisë së Re, po i tregojnë gjithë botës forcën e Kombit tonë.
Entuziazmi që shprehet në fytyrat tona asht rrjedhë e gëzimit që ndjejmë për ma të madhen ditë tonën.
“Rreth Flamurit” – falangat e reja: sintezë e forcës dhe e dashunisë marshojnë drejt përparimit. Tue pasë Emblemin legjendar në krye, armata e kombit të rilindur, gjithmonë besnike dhe e gatëshme për Atdhe, do të marshojë përpara.
“Rreth Flamurit”, me mendje e zemër të kulluet të ecim përpara… Gjithmonë përpara… Le të kemi për ideale përpjekjet e Pionierve të Rilindjes sonë Kombëtare. Jo ma “Tregtarë flamujsh” por me ide të kristalta e “Rreth Flamurit” të jemi t’bashkuem.
Atdheu do të shkoj përpara…
Tiranë, nëntor 1937
(Shtypi, nëntor 1937)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.