Emërimi i imzot Pjetër Budit
ipeshkëv i dioqezës së Sapës e Sardës
me 20 korrik të vitit 1621
Duke shfletuar kalendarin historik, përkujtojmë se si sot më 20 korrik të vitit 1621 dom Pjetër Budi emërohet ipeshkëv i dioqezës së lashtë shqiptare të Sapës e Sardës. Imzot Pjetër Budi u lind në Gur të Bardhë të zonës jugore të Matit, në vitin 1566. Formimin e tij meshtarak dhe studimet filozofike e teologjike i bëri në Kolegjin Ilirik të Loretos, dhe në moshën 21 vjeçare u shugurua meshtar dhe menjëherë u dërgua të shërbente me mision në Maqedoni e Kosovë që aso kohe ishin nën juridiksionin kishtar të kryedioqezës së Antivarit, (Bari i sotëm në Mal të Zi), ku ndjeji për 12 vjet.
Gjatë qëndrimit dhe misionit të tij meshtarak në Kosovë, dom Pjetër Budi hyri në kontakt me françeskanët e Bosnjës, një marrëdhënie kjo që i shërbeu në vitet e mëvonshme e në përpjekjet e tij politike për të krijuar mbështetje e ndihma për rezistencën shqiptare kundër pushtimit të Perandorisë Osmane. Në vitin 1599, dom Pjetër Budi qe emëruar Vikar i Përgjithshëm i Kishës katolike të Serbisë, detyrë e rol të cilin e mbajti për 17 vjet.
Si përfaqësues i Kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, imzot Budi veproi pa dyshim në një situatë politike e shoqërore teje të vështirë e me tensione të mëdha, aq më tepër kur e konsiderojmë angazhimin e tij shpirtëror, pra, ungjillëzues por edhe atë kombëtar e politik për kauzën shqiptare, sepse ipeshkvi katolike imzot Pjetër Budi synonte pikërisht lirimin e popullit të vet shqiptar nga pushtimi e trysnia turke. Për këtë ai pati kontakte me figura të mëdha të rezistencës siç ishte kroati Franjo Brtuçevic e kryengritësit shqiptarë.
Në vitin 1615, dom Pjetër Budi shkon në Romë ku ndenji deri më 1618, për t’i botuar veprat e tij në gjuhën shqipe. Nga marsi i vitit 1618 e deri në shtator të vitit 1619, imzot Budi shkoi në shtegtim në Santiago të Kompostelës në Spanjë. Pasi u kthye në Romë në vjeshtë të vitit 1619, u angazhua të informonte Papën e Vatikanin, pra Kurien Romake mbi gjendjen e mjerueshme të të krishterëve e të popullit në përgjithësi në Shqipëri e në vise tjera të Ballkanit nën pushtimin turk. Prandaj kërkoi ndihma materiale e financiare për të mbështetur rezistencën që synonte çlirimin nga zgjedha turke.
Më 20 korrik të vitit 1621, dom Pjetër Budi u emërua ipeshkëv i dioqezës së Sapës e Sardës dhe një vit më vonë e nisi misionin e tij ipeshkvnor në Shqipëri, ku kryesisht zhvilloi aktivitete të natyrës atdhetare e politike. Në dhjetor të vitit 1622, duke kaluar lumin Drin, humbi jetën. Vdekja e tij tragjike mbetet një enigmë.
Po kujtojmë veprat e tij. Vepra e parë e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Budit qe “Doktrina e Kërshtenë” që është përkthim i katekizmit të Shën Roberto Bellarminit, botuar në Romë më 1618. Nga aspekti letrar, më shumë se katekizmit, janë me interes 53 faqet e poemave fetare, që përbëjnë shembullin e parë të poezisë në dialektit Gegë. Disa prej poemave janë përkthim nga latinishtja ose italishtja mirëpo një pjesë e mirë janë origjinale.
Disa botime tjera të Imzot Budit qenë: Rituali Romak, një përmbledhje me ritin e Meshës, të sakramenteve të ndryshme, të lutjeve e komenteve të pjesëve biblike në gjuhën shqipe.
Pastaj kemi edhe një përmbledhje prej 16 faqesh mbi shpjegimin e Ritit të Meshës. Po vepra më e njohur e imzot Pjetër Budit është “Pasqyra e të Rrëfyemit”, përkthim e adaptim i veprës “Speculum Confessionis” e Emerio de Bonis. Imzot Pjetër Budi është poeti i parë shqiptar që shkroi vargje, afër 3.300 rreshta vargjesh fetare në kuartinë me rimë të alternuar.
Tituj të veprave:
1.Doktrina e Krishtenë – (Dottrina Cristina) e vitit 1618. Vepër e përkthyerë.
Rituali roman – 1621
2.Pasqyra e të rrëfyemit – (Speculum Confessionis) 1621
Kush thotë Meshë këtë kafshë i dhet me shelbuom.
Për ndimë të gjithë kërshtenimit Arbënit
Të kërshtenë, o ju, qi ini
Nd’Arbanë të pagëzuom
Qi fenë mirë e dini
Se u ashtë për të shëlbuom
Këtë letërë e përzini
Qi juve kam dërguom,
Gja kafshë n co të xini
Këtë jetë tue shkuom.
N’dorë e merri, e këndoni,
Ju qi dini me kënduom,
Vini veshët e ndëgjoni
Ju qi dini me ndëgjuom,
Këto fjalë i ligjëroni
Si kankë tue kënduom,
E me za t’i vjershoni
Fort t’amblë e të ngushëlluom.
Vetëhenë ta qërtoni
Lotë tue i lëshuom,
Atë jetë ta kujtoni
Ndë shpirt tu’ lulëzuom.
N cë mirashit mos mëngoni,
N cë keq tue u larguom
Tënëzotë e ta lëvdoni,
Mirë tue veprëruom.
Qi motnë të mos e shkoni
Ndë mkat pçtjellë e ngatëruom,
Po jetenë ta kujtoni,
Qi u ashtë për të shëlbuom.
Asgja mos lakëmoni
Mbë dhet me zotënuom,
Po qielltë dëshëroni
Qi u janë përmetuom.
Marrë nga http://sq.radiovaticana.va