Ende jeton plumbi që pushkatoi
Vilson Blloshmin e Genc Lekën…
nga Flamur Hoxha
Kur shihja plumbin që ka përshkruar Vilson Blloshmin e Genc Lekën, pra një nga plumbat e pushkatimit të tyre, 45 vjet më parë, të cilin e mbante në dorë Bedri Blloshmi, vëllai i përkushtuar i Vilsonit, për të zbardhur të vërtetën e Vilsonit e Gencit, (i dënuar edhe ai vetë me pushkatim në të njëjtin gjyq) ndjeva një trishtim të thellë.
E pashë atë plumb në ekspozitën kushtuar dy poetëve martirë, në 45 vjetorin e pushkatimit te tyre.
E pra ende jeton plumbi që pushkatoi Vilsonin e Gencin, ende jeton ai plumb që i pushkatoi ata dhe na vrau të gjithëve ne, lirinë.
Ende ai plumb vret të ardhmen tonë, sigurinë tonë!
Ky plumb, së bashku me disa foto edhe dokumente të ndryshme u paraqitën në ekspozitën e organizuar në mjediset e Institutit te studimit te krimeve të komunizmit, ku mora pjesë i edhe unë i ftuar si vizitor.
Jam përpjekur ta mbështes sa kam mundur veprimtarinë e Klubit të Poezisë, për njohjen e Vilsonit dhe Gencit. Kam mbështetur botimin e disa librave të tyre, po edhe disa aktivitete shkrimtarësh në nderim të dy poetëve martirë që ka organizuar herë mbas here “Klubi i Poezisë”. Dhe nuk mund të mungoja kurrsesi në çeljen e kësaj ekspozite të veçantë në të 45 përvjetor të pushkatimit të dy poetëve librazhdas të kapur me pranga dorë për dore…
13 korrik 2022