back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Eni të vajtojmë Shqipërinë – nga Havzi Nela (fragment poeme)

Gazeta

 

Poeti Havzi Nela - 1962
Poeti Havzi Nela – 1962
Fjalët e fundit të Havzi Nelës para se të varej:
“I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj.
Të këqijat e mia i mora me veti.
Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë,
mos të merren nëpër kambë.
Kam nëntëqind e dhjetë lekë dhe kërkoj që këto
t’u jepen të afërmve të mi, nanës”
10 gusht 1988, ora 3:30 e mëngjesit
.

Eni të vajtojmë Shqipërinë

nga Havzi Nela (fragment poeme)

Eni ju o motra, eni ju o gra
Eni ju o vasha, që dini me qa
Eni ju reçjanka, vajtimtare n’za
Eni t’marrim vajin, sot hije na ka
Eni gjithë s’bashku, le ta shpallim zinë
Me gjamë e me kuje ta vajtojmë Shqipninë
Le ta qajmë me lot, ta qajmë pa pushu
Me afshin e zemrës, të rrëzojmë gur e dru
Le ta qajmë këtë nanë, le ta qajmë këtë bijë
Le ta qajmë kët nuse pa foshnje në gji
Le t’ia heqim vellon, stolisjet e kota
Le t’ia zbulojmë shtatin, ta shohë e gjithë bota
 
&
Nda e përçundue, larg prej shoqesh tjera
Shikoni si dergjet, si lëngon e mjera
Mundohet qyqarja, rron me shpirt ndër dhambë
Banditët e vendit e kan vu nën kambë
E mposhten, e shtruen, me hekur e zjarr
Neronët e kohës ia banë jetën varr
E veshën me gjemba, me tela e ferra
E kyçën nga brenda, s’e lanë as te dera
N’derë, as ne dritare, s’e lanë me pa fare
Ia kanë qepë sytë, për faqe t’zezë e marre
 
&
Lidhun me zinxhirë, shkoqun krahë e fletë
Në ditën plot diell, në lumë e terr ka mbetë
E thithën shushunjëzat, i ligu mizori
E thanë, e çnderuan, epshori e hori
 
&
A e dini shqiptarë, ç’ngreminë kemi rà
Hangrëm njeni-tjetrin, u mbytem vlla me vlla
Hangrëm njeni-tjetrin me kurthe e t’pabesë
Me thasë e intriga, shamata rri ndezë.
.
Rivarrimi i poetit Havzi Nela
Rivarrimi i poetit Havzi Nela
&
O Zot, ç’ka po heqim, çfarë na shohin sytë
S’na gëzohet mbramja, as kur zbardhen dritë
S’na tremb burgu, plumbi e as litari
Kur na shkel me kambë, na zhagmit zuzari
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë
Ngrehuni shqiptarë sot të gjithë në kambë
Nuk rrohet me zor, nuk lihet kjo nanë
A lulëzon dheu pa diell e pa hanë?
Jo jo, nuk durohen sarhoshët e marrë
Banditët e vendit t’i shporrim sa ma parë
Seline e përgjakun, ta bajmë rrafsh me tokë
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë
 
&
A jeton shqiponja e shëmbun përtokë
Thye krahë e pendë, lidhun kamb’e kokë?
A jeton kjo zonjë në llum e batak
Në lëngim e vaj, e mbytun në gjak?
 
&
Ku e keni trimninë, krenarinë e parë?
A jeni sot të denje të quhemi shqiptarë?
A do ta lemë veten, Shqipninë në kafaz
Në det plot stuhi me dallgë me u përplasë?
 
&
Shihni rreth e rrotull, shikoni pranë nesh
Shihni popujt tjerë me ç’gjuhë mirren vesh
Kanë shpallur miqësinë, vini vesh ksaj fjale
Kapen dore per dore, e po hyjnë n’një valle
Asht vallja e re, krejt ndryshe nga tjetra
Asht vallja hirplote që i shëron plag’t e vjetra
(Burrel, shkurt 1977)
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.