back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Enver – Gazhel! – nga Vedat Kokona

Gazeta

Vedat Kokona (1913-1998)
Vedat Kokona (1913-1998)

Enver – Gazhel!

nga Vedat Kokona

Si i dhane lekë ‘Jorgos’ ta shante Enverin ‘o gazhel’, 
Vedat Kokona zbulon në kujtimet e tij fatin e hidhur të ‘porositësit’ 
dhe si e pësoi ai në komunizëm: 
E ngacmoja Hoxhën në shkollë, e dija që nuk shkëlqente në…
 
Në Liceun e Korçës ishte nxënës dhe Enver Hoxha, i cili kishte ardhur po atë vit që unë shkova në Korçë, me një grup nxënësish të Liceut francez të Gjirokastrës për të vazhduar studimet në Liceun francez të Korçës, pasi ai i Gjirokastrës ishte mbyllur.
Këtë emër s’ka shqiptar që të mos e ketë dëgjuar, sidomos ata që e kanë edhe sot faqen e ndezur nga ajo flakërimë që u ka dhënë sa u kanë lëshuar sytë xixa. Enveri ishte pesë klasë më lart se unë, i datëlindjes 1908 dhe kishte si bashkënxënës vëllanë tim Nedimin, Sabiha Kasimatin, që e tallte shpesh, Enver Sazanin, Hamit Kokalarin, Selahudin Kokonin, Asllan Muhedinin, Selami Xhaxhiun, Kiço Karajanin, Rozhe Perenë, djalin e drejtorit francez dhe të tjerë që s’më kujtohen tani.
Enver Hoxha me Nedimin e ca të tjerë ishin nxënës të Babi Lonit. Unë rrija shumë me ta dhe si më i vogël që isha, doja të mësoja prej tyre. Kush është ai njeri me mend që s’do të mësojë? I isha qepur sidomos Enverit, që e kisha kushëri nga nëna. E ngacmoja shpesh me pyetje të pareshtura rreth shkrimtarëve francezë, aq shumë se më kishte vënë emrin “rrokan” dhe shpeshherë më thoshte: “me rrokanise!” 
Ditën e provimit të bakaloreatit, sidomos të pjesës së parë që ishte më i vështiri, në dyert e sallave ku zhvillohej provimi kishte shumë nxënës, sepse edhe neve do të na vinte radha pas pak vjetëve të kalonin duke na u dredhur leqet para asaj tryeze të hetuesve dhe të prokurorit që do të bënte pretencën tonë. Unë e prisja me padurim si do të përgjigjej vëllai im në provimin e lëndëve të ndryshme dhe do ta ndiqja në çdo klasë që hynte ai për të dhënë provimin.
⁠Pasi hyri në sallën e provimit të anglishtes, mori tezën nga tryeza dhe u ul në bankë për t’u përgatitur. Hyra edhe unë dhe zura vend në një bankë nga fundi për të dëgjuar. Në karrigen përpara Babi Lonit, drejtorit francez dhe përfaqësuesit të Ministrisë së Arsimit ishte ulur Enver Hoxha. U gëzova që e kishte radhën Enveri, me qëllim që ta ngacmoja më vonë, sepse e dija që në anglisht nuk shkëlqente ashtu si shkëlqeu më vonë në marksizëm, dhe ngatërronte përherë fjalët me shqiptim të përafërt.
Babi Lonit i pëlqenin shumë fjalë të kësaj natyre dhe zbavitej pa ligësinë më të vogël me gabimet e nxënësve, të cilat e bënin atë të qeshte me gjithë zemër. Babi Loni, pasi i kishte bërë disa pyetje Enverit, të cilat me sa dukej s’kishin pasur përgjigje, deshi t’i bënte edhe një pyetje për ta ndihmuar: Hoë do you call in English the animal most cllosely resembling man? (Si quhet në anglisht kafsha që i ngjan më shumë njeriut?)
Enveri, që s’e kuptoi pyetjen, i tha:
⁠-Please repeat. (Te lutem përsërite) Babi Loni iu përgjigj: Ëhat is the name of the animal that is more or less like you? (Si quhet kafsha që është pak a shumë si ju)
Dhe Enveri, kësaj here i sigurt se e kishte kuptuar pyetjen dhe do të dilte mirë në provim, tha duke shpënë dorën te balli:
-Donkey! (Gomari) Ata që e dinin anglishten u shkulën gazit se xhevahir të tillë zor se do të dëgjonin tjetër herë. Bashkë me ta qeshte edhe Enveri.
***
⁠Bashkë me nxënësit të ardhur nga Gjirokastra ishte dhe Skënder Harxhi, djali i doktor Hajrulla Harxhi, mjek i dëgjuar i asaj kohe, gjirokastrit, por që banonte në Tiranë. Ai më kishte bërë përshtypje se kishte shkruar një ditë në gazetën “Besa”, që dilte në Tiranë, një artikull me titullin interesant “Shkëlqesa e saj domatja”, ku u thurte lavdi cilësive ushqimore të domates. Skënderi ishte shumë i çiltër me mua, m’i tregonte letrat e thukëta që dërgonte i ati. Një ditë më tha se i ati kishte dërguar edhe një dollar mbi shumën e të hollave të shpenzimeve të zakonshme që ta kishte djali për të shkuar në bordel, për ta përdorur kapotën dhe për të mos praktikuar masturbimin, siç bënin shumë të rinj, në kohën tonë kur femrat s’ishin sheshit si tani.
U habita shumë që babai i tij ishte kaq i përparuar. Im atë, siç më dukej mua dhe që ishte me të vërtetë shumë përparimtar në krahasim me shokët e tij, që i kishte përherë sytë të kthyer nga Perëndimi, më fliste hapur për shumë gjëra që prindërit e tjerë as që guxonin t’i zinin në gojë, por ja që paskësh baballarë edhe më përparimtarë se im atë. Kështu i ati i Skënderit më ngjalli respekt. U zotova se kur të bëhesha edhe unë baba, do të sillesha me djalin ashtu siç sillej Hajrullahu me Skënderin, por fati s’më dha djalë, që ta rrisja ashtu si doja unë. Sidoqoftë, ata që kanë i këshilloj të ndjekin shembullin e doktor Harxhit.
***
Më pëlqente, siç ju thashë më lartë, të rrija me Enver Hoxhën, por edhe me Hamit Kokalarin, që më dukej dhe që në fakt ishte më i mësuari dhe më i zoti se gjithë të tjerët. Por, Hamiti ishte pak i mbyllur, jo shakaxhi si Enveri dhe unë, me mendjen e atëhershme. Ndryshe nga ai, me Enverin argëtohesha. Hamiti ishte më i miri në të gjitha lëndët dhe i binte bukur mandolinës. Si bashkënxënës kishte Kiço Karajanin, Nedim dhe Selaudin Kokonën, Sabiha Kasimatin, të vetmen vajzë në Liceun e Korçës, Enver Sazanin, Enver Hoxhën, Nazmi Shehun. Është e natyrshme që secili nga këta kishte natyrën e vet: pak baballëk dhe shakaxhi ishte Aqifi, më i gjallë dhe më i hedhuri Enver Sazani, më i rezervuar dhe “serioz” Hamiti, më elegant Nedimi, më hokatar dhe qerrata Enveri tjetër, që i ngacmonte të gjithë dhe që e ngacmonin të gjithë se u punonte rrengje. Shokët i kishin vënë nofkën “Gazhel”, fjalë që kishte pak a shumë ngjyrimin e cilësorit të veshgjatit.
Në Korçë sillej shpesh rrugëve një i “sëmurë” me fytyrë paralitiku, me ballin me gunga, shpesh me gjak dhe me një gojë të neveritshme nga ku kullonin jargë përmes dhëmbëve të verdhë dhe të dalë si çaponj. E quanin Jorgo. Të gjorit Jorgo po t’i jepje një lek dhe ta porosisje të thoshte “Hasani apo Vasili është gomar”, Jorgoja shkonte te bulevardi dhe përsëriste me zë të lartë këto fjalë, derisa një tjetër t’i jepte një lek dhe ta ngarkonte me një porosi tjetër. Kush s’kishte shpirt i thoshte Jorgos ta përplaste kokën pas murit dhe ai e përplaste sa i bëhej balli me gunga dhe tërë gjak. Një ditë, se kush e kishte porositur të thoshte “Enver gazhel” dhe ai e shpuri në vend porosinë. Me sa duket, këtë rreng ia kishte kurdisur Enver Sazani, i cili u vra më vonë, në kohën kur Enver Hoxhën, populli i droguar dhe i varfër e ngrinte përpjetë, duke thirrur: “Parti Enver!” A nuk ishte kjo një nga ato rrengjet e çuditshme të fatit?
Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Sterjo Spasse, Nexhat Hakiu (1944)
Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Sterjo Spasse, Nexhat Hakiu (1944)

***

Ditën që nxënësit do të merrnin vesh përfundimin e provimeve të pjesës së parë të bakaloreatit, provimet e vitit më të vështirë të liceut, kandidatët që s’kishin guxim të shihnin me sytë e tyre listën me emrat e atyre që kishin fituar provimin, listë që varej te xhami i portës së brendshme të liceut, ngarkonin një nga nxënësit më të vegjël ta shihnin këtë listë dhe të shkonin me vrap për të lajmëruar kandidatin që rrinte e priste zemërdredhur në kodrinën e Shën Thanasit. Kjo ishte bërë traditë në Liceun e Korçës. Thuhej se promotori i kësaj tradite ishte Xhelal Rusi.
Si ndjekës i parimeve të filozofëve francezë që studioheshin në lice prej nga frymëzoheshin nxënësit, kishte qenë edhe organizatori i një greve që kishin bërë nxënësit sipas shembullit të punëtorëve të Francës liberale. Meqë unë isha më i vogli, më ngarkuan t’ua komunikoja lajmin e mirë Nedimit dhe Enverit (Hoxhës) që prisnin te kafeja e bilbilave. Nedimi ishte i sigurt për rezultatin e mirë, por për të mos e lënë vetëm Enverin, i cili ishte i pasigurt, e kishte shoqëruar atë. Kur pashë emrin e Enverit në listën e atyre që pranoheshin në provimet me gojë, (pasi e kishin kaluar atë me shkrim) shkova me vrap dhe lajmërova Enverin, i cili më përqafoi shumë i gëzuar.
***
⁠Në Tiranën e viteve ‘30 me afërsisht 30.000 banorë dhe jo me rreth 500.000 sa sot, kur shkonin a nuk shkonin katër karroca dhe ndonjë veturë në sheshin e Bashkisë, kur dilnin vetëm dy gazeta të përditshme dhe një revistë në javë, kishte një librari, i zoti i së cilës ishte Mit’hat Frashëri, alias Lumo Skëndo, bir i Abdylit dhe nip i Samiut dhe i Naimit. Kur mendoj se sot, në Tiranën e gjysmë milion e ca banorëve, të mijëra veturave në sheshin “Skënderbej, ku botohen me dhjetëra gazeta e revista në ditë, madje edhe porno dhe se nuk ka një librari si ajo e Lumo Skëndos më shumë se gjysmë shekulli më parë, më hipën valë hidhërimi që s’di se ç’emër t’i vë. Ishte një librari e bukur, vendit të së cilës s’i ka mbetur as gjurma më e vogël, jo vetëm e asaj të parës të viteve ’33, por edhe e asaj që ishte në Rrugën Mbretërore, pranë “Bela Venecias” që më vonë u quajt Rruga e Barrikadave, së cilës i ka humbur vula. Sipas traditës së vendit tonë, çdo gjë e bukur prehet dhe vendin e saj e zë e shëmtuara. Para disa vjetësh kisha dëgjuar emrin e Lumo Skëndos, titullin e librit “Hi dhe shpuzë”, të botuar në fillim të shekullit tonë, por edhe nga babai i cili e kishte mik dhe ishte pajtuar me revistën “Dituria” që botohej në Tiranë në vitet ‘30.
⁠Nuk e kisha parë kurrë në kafenetë “Bela Venecia” dhe “Kursal” të kryeqytetit, siç shihja qeveritarët dhe intelektualët e asaj kohe. Lumo Skëndon mund ta gjeje vetëm në librarinë e kryeqytetit. Iu luta babit të më çonte një ditë tek ai dhe ai më çoi. E gjetëm të ulur përpara një tryeze të gjatë katërkëndëshe. Ajo që më ra në sy që në fillim ishte jaka e ngrirë, e kollarisur, me dy cepa të ngritura siç e mbanin ata të shekullit XIX, kapaku i kollarisur i mëngës së këmishës që dilte nga xhaketa e kostumit krem shantung, që binte menjëherë në sy nga pastërtia dhe pastaj ajo fytyrë që s’ishte si fytyrat e tjera. Është e vërtetë se “s’ka fytyra të njëjta”, ashtu siç nuk ka edhe shenja gishtërinjsh të njëjta, por në përgjithësi, të gjitha fytyrat e njerëzve duken njësoj në vështrim të parë, të shpëlara, pa kolorit. Një fytyrë ndryshe nga të tjerat është ajo që godet menjëherë vështrimin si një rreze dielli. Ajo që më bëri përshtypje në fytyrën e thatë ishte shkëlqimi i syve.
Thashë se ky njeri ishte ndryshe nga ata që kisha njohur deri atëherë, me përjashtim, sigurisht të babit tim. Ah, sikur u gëzua, apo kështu m’u duk mua, kur mësoi se studioja në Liceun e Korçës. Që atë ditë, sa herë që isha në Tiranë gjatë kohës së pushimeve të verës, do të shkoj shpesh në librarinë e tij. Një ditë, iu luta t’i bëja një vizitë në shtëpi, sepse kisha dëgjuar që kishte një bibliotekë shumë të pasur. Më ftoi me gjithë zemër. Më duket sikur e kam para syve edhe sot e kësaj dite, pas gjashtëdhjetë vjeteve. Ishte një nga ato shtëpitë e vjetra tiranase, me dy kate, me oborr të madh, në rrugën e “Tenis Klubit”. Kati i parë ku qëndruam kishte një sallon të madh, muret e të cilit ishin mbuluar me libra. U ulëm në dy karrige të vjetra përpara një tryeze të vogël, vezake, ku ishin vendosur një filxhan kafeje me një pjatë dhe një cigarishte. E dija që s’e pinte duhanin dhe ajo cigarishtja më tërhoqi vëmendjen. Po shikon cigarishten?
Po! – i thashë me një zë pak të druajtur. Ju s’e pini duhanin? Kjo cigarishte dhe ky filxhan kafeje janë të Naimit. M’u duk sikur isha në ëndërr. Kisha përpara meje cigarishten dhe filxhanin e kafesë të Naimit dhe nipin e Naimit, Mit’hat Frashërin! A kishte gjë më të bukur? Më bëri çaj, solli edhe kutinë e vogël me peta sheqeri.
-Sa peta?
-Tre
-Jo, bir, çaji pihet me pak sheqer. Një petë e ke mjaft. A kundërshtohej Lumo Skëndo?
Kisha dëgjuar se ashtu e pinin dhe anglezët. Jo me një petë, po edhe pa sheqer fare e pija me ëndje atë çaj nga dora e tij.
Pas përfundimit të studimeve në Paris, u ktheva në atdhe më 1938. U nisa për në Korçë mëngjesin e 14 prillit. Shkova, këtë radhë si “profesor” në atë lice, ku katër vjet më parë isha “student”. Meqë isha nisur herët në mëngjes, në Korçë arrita rreth orës pesë pasdreke, lashë valixhen në shtëpinë e dajës, Vehipit dhe para se të shkoja të zija me qira dhomën ku kisha banuar dikur në Korçë, vajta në kafenë “Mazhestik”, që ishte gjithashtu edhe kinemaja më e madhe e qytetit pranë kishës së vllehëve. Koha ishte e ngrohtë, tavolinat i kishin nxjerrë jashtë. Atje takova disa shokë të vjetër të liceut, Fejzi Dobin, Fejzi Dikën dhe Enver Hoxhën, Serafimin, profesorin tonë të Shkencave të Natyrës, të cilit i pëlqente të rrinte me Gaqo Gogon.
Në altoparlantin e vendosur në një shtyllë përballë, kumbon te zëri i bukur i Rina Ketit, një këngëtareje që e qante këngën aq të ëmbël “Jattendrai, le jour et la nuit…”.
Enveri më pyeti se ku do të banoja. I thashë, atje ku kisha banuar kur isha student. Më tha se po të doja, mund të vendoste një shtrat në dhomën e tij, në shtëpinë e Poliksenit, përballë liceut, gjë që ishte në dobi të të dyve, mbasi mund ta ndanim qiranë përgjysmë. Propozimi i tij m’u duk i arsyeshëm dhe pranova pa ngurruar. Mora valixhen nga shtëpia e dajës dhe u vendosa në dhomën e Enverit. Shtrati i këtij ishte pranë derës, kurse i imi te këndi, përballë. Dhoma kishte dy dritare, kundruall ishte shtëpia e familjes Lako. Vajza e kësaj shtëpie, siç mësova më vonë, ishte nxënëse në lice.
Kjo ishte hera e dytë që flinim së bashku në një dhomë, herën e parë në Paris, afro dy vjet më parë, kur e kisha strehuar dy net me radhë meqë ishte ngushtë ekonomikisht. Më pyeti se me ç’guxim kisha marrë përsipër një detyrë të tillë, të zëvendësoja De Kurvilin në kursin e letërsisë franceze në klasën e lartë të liceut kur vetë Selman Riza nuk do ta pranonte një gjë të tillë. I thashë se isha i vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj barre, por si ish-nxënës i De Kurvilit dhe jo i keq në frëngjisht, me pune do të mundohesha ta kryeja disi këtë detyrë të vështirë. Kuvendi i asaj nate mori fund me kaq dhe ramë e fjetëm.
Në mëngjes, kur u zgjova e pashë Enverin që qëndronte në këmbë përpara dritares duke u shkuar pëllëmben flokëve. U ngrita pak dhe me bërrylin e djathtë të mbështetur te jastëku, pashë nga dritarja ime në drejtim të vështrimit të tij. Në ballkonin e shtëpisë përballë stolisur me saksi lulesh kishte dalë një vajzë e re, me fytyrë të qeshur që i ndrinte në rrezet e diellit të mëngjesit. “Është e kolme, më tha. Është nxënësja ime”.
Vedat Kokona “Nga fëmijëria deri në majat e lavdisë”
Vedat Kokona 1913-1998
Vedat Kokona 1913-1998

***

Vedat Kokona lindi më 8 gusht 1913, në Izmir, të Turqisë, nga një familje intelektuale shqiptare. I ati, Elmazi, ishte avokat. Më 1920, kthehet në Tiranë, ku kreu shkollën fillore. Me 1935, përfundoi Liceun e Korçës, pastaj ndoqi studimet e larta në Paris për drejtësi. Që kur ishte nxënës, ra në sy prirja e tij për mësimin e gjuhëve të huaja. Gjuhën frënge e përvetësoi mjaft mirë. Pas përfundimit të shkollës, u emërua në gjykatën e Krujës, ku nuk shkoi të merrte detyrën. Më vonë, emërohet mësues i Gjuhës Shqipe në Liceun e Korçës. Aty, Kokona, u dallua si një mësues i zoti dhe intelektual neutral. Në fillim të viteve ’40 e emëruan në gjimnazin e Tiranës.
Me pushtimin fashist, kur Kokona punonte si mësues, do t’i kërkohej që të spiunonte nxënësit dhe të merrej me punë, që nuk mund t’i pranonte karakteri i tij. Kështu, kjo ishte dhe arsyeja që dha dorëheqjen nga profesioni i mësuesit. Pas luftës shërbeu si mësues në gjimnazin “Qemal Stafa”. Më 1949, emërohet redaktor dhe përkthyes në Shtëpinë Botuese “Naim Frasheri”. Për një kohë të gjatë punoi si pedagog në Universitetin e Tiranës. Ai shërbeu si mësimdhënës në katedrën e gjuhës frënge, gjersa doli në pension. Vedat Kokona mban tituj, urdhra dhe dekorata të shumta. Ai është doktor “Honoris Causa” i Universitetit të Tiranës, “Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe të Letërsisë”, “Oficeri i Palmave Akademike Franceze”. Vedat Kokona ja kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të punës rrezatimit të gjuhës frënge. Ai ishte një nga leksikologët më të mirë të kësaj gjuhe. Nga mendja dhe dora e tij dolën mjaft fjalorë shqip-frëngjisht dhe anasjelltas. Fjalorin e parë e botoi në vitin 1932. Fjalori i fundit është me 40-mijë fjalë. Ai është autori më i rëndësishëm në fushën e leksikologjisë dhe leksikografisë. Kokona është një nga përkthyesit më të njohur të vendit tonë. Qysh në moshë të re dha kontribut të ndjeshëm në lëmin e përkthimeve në poezi dhe në prozë.
Nga ai janë shqipëruar vepra të tilla si “Ana Karenina” e Leon Tolstoit, “Fundërinat” e Maksim Gorkit, “Saga e Forsajtëve” e Xhon Gollsuorthit, “David Koperfild” të Dikensit, “Udha e Volokolamskut” e Aleksandër Bekut, “Stuhi në Gang” e Rabindranat Tagores etj. Kokona ka sjellë në shqip rreth 15 mijë vargje nga poezia botërore. Ai ishte një nga përkthyesit kryesorë nga frëngjishtja, italishtja, anglishtja dhe rusishtja. Me urdhër të nomenklaturave partiake përktheu shumë raporte të kongreseve të partisë, rinisë, të Bashkimeve Profesionale e të gruas që nga Kongresi i Parë e deri tek i shtati. Gjithash tu, ka botuar 30-40 vëllime të përkthyera me urdhër nga lart, nga nomenklatura komuniste. Kjo punë e mundimshme dhe e lodhshme ishte rraskapitëse për një krijues që mund t’i shfrytëzonte forcat e tij në frontin e letërsisë.
Epilogu i së bijës Mirvjen Kokona
Këtu ndërpritet ky dorëshkrimi nisur në verën e vitit 1996 në atmosferën e magjishme të fshatit Piqeras Në vitin 1997, i quajturi “Vit i mbrapshtë”, sigurisht që mundëm të shkonim sërish në atë vend i cili e kishte frymëzuar që të vendoste të shkruante kujtimet e tij. Në 14 tetor 1998, Vedat Kokona iku përgjithmonë nga kjo jetë. Një nga dëshirat e kohëve të fundit ishte që të mund të kishte ende dhe pesë vjet jetë për të realizuar jo vetëm këtë jetëshkrim, por edhe disa punë të tjera që mbetën si për të gjithë njerëzit krijues për të cilët koha është jo shumë dorëdhënë, fatkeqësisht për të por edhe për shumë për ne, vetëm plane.
Porosia e babait ishte që kur të vinte dita, ta botonin kështu siç është dhe në fund të vendosej shkrimi “Bredhje gjatë një fluturimi”. Pasi e lexuam bashkë me motrën time Mimozën sigurisht filluam të kujtojmë ngjarje, ditë, momente nga jeta e tij, të cilat babai nuk arriti që ti shkruajë. Ndoshta një ditë do t’i hedhim në letër. Tani po e bëjmë këtë botim ashtu siç deshi ai.
“E ç’nuk kanë ngjarë gjatë këtyre pesëdhjetë e pesë vjetëve! Për t’i treguar do të më duheshin me siguri një kuintal letër dhe një penë shatërvan siç e quan anglezi stilografin. Por sa lotë do të derdhja, sepse çdo fjalë do të njomej nga një lot!” shkruan ai.
Marre nga Panorama, 31 korrik 2021
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.