back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Epifania – Poemë nga Shpëtim Kelmendi (frag)

Gazeta

Shpetim Kelmendi dhe Azem Qazimi (2006)
Shpetim Kelmendi dhe Azem Qazimi (2006)

Epifania (1999-2011)

Poemë nga Shpëtim Kelmendi

“Zoti ka thesare nën fronin e tij
dhe çelësat e këtyne thesareve
ndodhen në gjuhën e poetëve…”
(Muhameti a.s)

Sufi
Katet e dijes naltohen n’pafundësi
e yjet janë kokrra rane duarve të tua
që lahen n’ujët e praruem të Heshtjes.
Në ç’ishim ka të ardhme, në ç’jemi
ka amshim që na pulson në zemër.
diku në gjoks na fshihet Universi,
jetojmë nën qiej, e qiejtë janë nën ne
dhe retë, kodrat, pylli ku këndojnë zogjtë.
Vëzhgojmë jashtë e soditim mbrenda,,
dëgjojmë e heshtim, flasim e mendojmë,
zvarritemi, lakmojmë e lumturojmë
në rrathë të venitun dijesh iluzore.
Burrit që prej diellit mahnitet në agim,
ndër gishta i kullon malli i Krijimit,
muzgut andrron portën që s’e shtyn qëmoti:
s’prehet një çast, prore forma të reja
me brumin e shqisave krijon e shkon
dhe vetë të mbruhet në një tjetër formë.
Ngjitet dhe zbret rrëmores së kujtesës,
e mahnitet me gjana të thjeshta, me barin
shiun e buzqeshjen njerëzore, mizat e dheut
qëvtërheqin ndonjë kandërr drejt folesë
qentë endacakë me turij ndër lëtyra,
me fytyra të njohura që s’i pamë kurrë,
retë që mbështjellin e zhbajnë britmën e parë,
çastin, mërzinë, rrëmujën e vetminë,
mandej lirinë që shtyn mendimin
qiejve që bukur i banuam n’andërr.

I
Hapet dritare e dijes, zgjanohet fusha
e gjanave që s’dijmë. Dhe asht pranë nesh
aromë e së panjohunës që din të jetë prani,
një kurm prej eteri që të sotmen na e flak
ashtu si fëmija gurin në lumin e moshës
që s’dihet a e jetuam. E gjen të mbështetun
në parvazin e ditës së re kundruall Universit
tue nderthurë kunorat e përndrituna të hapsinës
e në librin e vetëdijes shfleton ditën, natën,
frushullimën e gjetheve, flatrimin e një zogu
yjet, diejtë, tokat e panjohuna që i rrjedhin
si ujvara në zemër,  shfleton mandej gjuhën
e sendeve, thonë gjana që i kupton njeriu
na kërkon ndër xhepa thërrime dinjiteti
harxhue ndër gostà të ndritshme arrogance,
K atepër zhurmë. Kambanat që ranë s’e zgjuan
diturinë që kotullohet ndër thasë të lëkurtë
ndaj rrokullisemi hullisë errcakë të unit…

Shpetim Kelmendi - Epifania
Shpetim Kelmendi – Epifania

***

Zoti nuk kërkon gjana të dobishme për Veten. Ai asht i dlirë e i pastër në veprat e veta., të cilat i kryen vetëm për shkak të dashurisë. Po kështu vepron edhe njeriu që asht shkri në njësinë e zotit, ai asht i pastër e i lirë në të gjitha veprat e tij, të cilat i kryen veç për hir të Zotit. Te ky njeri asht vetë Zoti që vepron. Njeriu i drejtë s’kërkon shpërblim për veprat e veta. Vetëm shërbëtorët dhe mercenarët kërkojnë të nxjerrin përfitim nga veprat e tyre, të cilat i bajnë sipas nji mendimi të paracaktuem. Kësisoj nëse dëshiron të formohesh apo të transformohesh, nëpërmjet të qenit i drejtë, mos u udhëhiq nga synimeapo arsye të paracaktueme në veprat e tua, mos mendo as kohën, as përjetësinë, as shpërblimin, asgja prej gjaje, përndryshe veprat që ti kryen janë përnjimend të vdekuna. Për të ba të mundun që të gjitha veprat të jenë tonat, duhet ta ndjejmë Zotin në secilën prëj tyne, por jo te njena ma shumë se te tjetra, sepse ai asht njilloj i pranishëm në çdo gja.  
Mjeshtër Ekart – (Fletpalosja e kopertinës)

***

Imazhet shfaqen e zhduken në pasqyrën e vetëdijes. Pasqyra mbetet. Mëson të njohë të palëvizshmen te ajo që lëviz, të pandryshueshmen te ajo që ndryshon. Derisa njeriu arrin me kuptue se të gjitha dallimet janë veç iluzione dhe se uniciteti asht i vetmi realitet. Këtë idenditet bazë mund ta quash Zot, Brahman apo diçka tjetër, fjalët kanë pak randësi, mjaft të zbulojnë se gjithçka asht Nji. Sapo të arrish me thanë: unë jam bota dhe bota asht unë, me besimin e njeriut  që e ka vërtetuar këtë në përvojën e tij, atëherë ndjehesh i lirë nga dëshira dhe nga frika dhe arrin të bahesh krejtësisht i përgjegjshëm për botën.Vuajtja e pakuptimtë që përjeton gjinia njerëzore shëndrrohet në interesin tand të vetëm. Nji njeri i realizuem ka dhimbjen e tij, por nuk asht i helmuem nga ndjenja e fajit. Nuk ka asgga të keqe me vuejtë për mëkatet e të tjerëve, por në fund do të arrish me kuptue se nuk ekziston as mëkati, as faji, as shpërblimi, por vetëm jeta në transformimet e saj të pafundme…
Nisargadata Maharazh – (Fletpalosja e kopertinës së mbrapme)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.