Epika moderne përmes gegnishtes, në poezinë e Asja Mulgecit
nga Emrije Krosi
Potenciali dixhital, na mundëson të lexojmë edhe poezi, edhe vargje, edhe bejte, edhe balada, por edhe himne pafund. Imazhet dhe simbolet, mbështesin edhe subjektivizmat e spekulimet, edhe përmes një koncepti inovativ, kur poezia krijon një rezistencë brenda eksistencës (Culler: 2007). Duke patur një qasje ndryshe, në poezinë më poshtë, është gjuha që trasmenton ajo. Një gjuhë, që sot po receptohte çdo ditë e më shumë, gegnishtja dialektore, sepse gegnishtja letrare nuk mund të quhet gjuhë shkrimore. Gjuha është produkt shoqëror dhe sistemi semiotik i saj, përdoret si mjet themelor i komunikimit në shoqërinë njerëzore. Gjuha trasmenton mjë mesazh përmes funksionit poetik (Jakobson: 1982), se gjuha ka karakter krijues.
Bjeshkë krenare, bjeshkt e mija,
me rudina, shtruem n’lulnaja,
lisa t’g’jatë bredha e pisha,
a thue qenis me dorë i ka perëndia,
m’vjen kujtimesh m’drithron shpirtin,
siç përkdhel ftyrën loti…
Druej mos frymën bora t’ka nxan,
netve t’g’jata t’ktij dimni t’marrë,
tek po rrija, mbledhun gërnaç,
tue lundrue n’ditar t’jetës,
s’di si m’erdhe ndër kujtime,
u nisa turraz si n’trok kali,
diçka m’pruni tek ti…
n’krahë malli!
Njaty n’breg lumit si dikur,
sikur ulun isha mbi gurë,
ç’mu hap fryma sa deti gjanë,
e lumnueme thellë fshana…
ç’më paska kputë malli thash moj nanë,
floktë mi krehi nji erëmali,
si vettim m’u sjell rreth kreje,
nji piskamë e nji djali…
m’kthej shumë kohë n’vite mbrapa,
n’rini t’hershme n’njato livadhe,
tue verue bjeshkve t’mija,
n’lulebukurat e n’kang t’zogjve,
gjeta t’shkrueme dashnitë e mija!
Oh, ç’më rrethuen bash si n’prralla,
tana kafshtë e njati pylli,
n’rreze t’diellit njashtu “vjedhtaz”,
në mes lisash m’fektoj syshë
djalë-bukur, njaj çobani,
tue avitë kadalë prej meje,
veshun n’tierq e xhamadana,
zemra vendit don me m’dal,
prit i thashë o ‘ mbarë,
mos mi tremb k’ta shpezë të rrallë,
dhurat ma t’mirat m’kan pru ngarkue,
flatrash t’tyne ngjyra-ngjyra,
kang t’vajznisë që dikur kam knue!
Tue endë lulash shpirtin e bardhë,
cicërimash tue rimue,
t’lumet na kush na ka ardhë
bijëz jona s’na ka harrue,
oh, m’kanë veshë trupit
bash si zanë mali,
fustanbukurin si orteg bore,
m’u duk vetja si Borbardhë
shtojzovalle, çikë malsore!
(Flatroj mallshëm bjeshkve t’mija!)
Në linjën e gjuhës, sidomos të gegrishtes por edhe të tematikës, vjen një poete e re, me penën e saj në formën e shkrimit të lirikës rustike, baritore në trajtën e lirikës epike- moderne, me poezinë: “Flatroj mallshëm bjeshkve t’mija!” (Mulgeci: 2021). Elementet baritore, që kanë “qëndisur” bjeshkën dhe bukuritë e saj, vijnë në trajtën e gegnishtes së folur të krahinës së Tropojës: bjeshkë krenare, bjeshkt e mija,/ me rudina, shtruem n’lulnaja,/ lisa t’g’jatë bredha e pisha,/ a thue qenis me dorë i ka perëndia,/ m’vjen kujtimesh m’drithron shpirtin,/ siç përkdhel ftyrën loti…/ Druej mos frymën bora t’ka nxan,/ netve t’g’jata t’ktij dimni t’marrë,/ tek po rrija, mbledhun gërnaç. Nuk është çështja tek përshkrimi i bukurive të natyrës së bjeshkëve tona veriore, jeta rustike dhe jeta baritore, por diskutimi është: a duhet të shkruhet gegnishtja në poezi (ndeshet shpesh si fenomen në rrjetet sociale), si njësi më vete gjuhësore, apo duhet të kthehet në një normë shkrimore, kur kemi tashmë stadardin, por edhe disa variante territoriale të gjuhës (Memushaj: 2004). Diskutime të shumta pro dhe kundra, nga shumë gjuhëtarë dhe studiues të gjuhës dhe letërsisë, për shkrimin e dialekteve të kthyer në “normë” në shumë botime poetiko-letrare, jo vetëm përmes përshkrimeve mahnitëse të bjeshkëve, me vargjet: njaty n’breg lumit si dikur,/ sikur ulun isha mbi gurë,/ ç’mu hap fryma sa deti gjanë,/ e lumnueme thellë fshana…/ ç’më paska kputë malli thash moj nanë,/ floktë mi krehi nji erëmali,/ si vetim m’u sjell rreth kreje,/ një piskamë e nji djali…/ m’kthej shumë kohë n’vite mbrapa,/ n’rini t’hershme n’njato livadhe,/ tue verue bjeshkve t’mija,/ n’lulebukurat e n’kangë t’zogjve,/ gjeta t’shkrueme dashnitë e mija! Por individualiteti që paraqet: eleganca âsht njai hir njajo, qi drejton shkrimtari t’i zgjedhë mendimet e ftyrat, si edhe fjalët e frazet ku jânë mâ të lartat (Rrota: 1934), një konstatim që At Justin Rrota e ka dhënë që në vitet ’30-të, por pas vendosjes së standardit në 1962, me dhunë nga regjimi, u kanalizua shkrimi në “shtratin e standardit”, me brinjtë totalisht të thyera të gegrishtes letrare. Një trajtesë e tillë është shumë delikate, sepse debatet për të patur një model të panjohur dhe të mirëpranuar si dëshirë e çdo poeti pa rregulla të qarta, vijon si dëshirë shpirtërore në gjuhën e nënës (pra në dialekt), duke përmbysur rregullat e drejtshkrimit të standardit se: un jam i primë mos i besue atyne që me fjalë e mbrojnë gegnishten por shkruejnë në nji standard me dopiopet të mbërthyem deri në fyt (Ndreca: 2012). Vargjet e lirikës epike, të shkruara në gjuhën që flitet (se nuk ka asnjë rregull të caktuar për shkrimin e gegnishtes), që rivajëzohet përmes vargjeve: Tue end lulash shpirtin e bardhë,/ cicërimash tue rimue,/ t’lumet na kush na ka ardhë/ bijëz jona s’na ka harrue,/ oh, m’kan veshë trupit/ bash si zanê mali,/ fustanbukurin si orteg bore,/ m’u duk vetja si Borbardhë/ shtojzovalle, çikë malsore! Vendosja e formave poetike gjuhësore popullore në sferën më të lartë të stileve dhe tematikave, nuk është një imponim i sintaksës dhe ligjërimit poetik në gegnisht, por është delikatesa e mjeteve artistike dhe aftësia për të moduluar ligjërimin poetik, të cilat japin mundësinë për t’u vënë në praktikë përmes distilimit tekstual (Pinsky: 1976). Shkrimi i gegnishtes, sipas rregullave të folmes dialektore, nuk është risi po as edhe e gabuar. Emetimi i gegnishtes në poezi, përdoret edhe nga vargjeshkrues të dialekteve të tjera, që herë-herë “struken” nën tingëllimin e ëmbëlsisë së gegnishtes duke u arratisur nga standardi. Ky kumbin apo “kërcitje” dhe ajo amëlsi që e karakterizon, na detyron që t’i (ri)shohim rregullat e drejtshkrimit, dhe po ashtu rishikimi i standardit ku gegnishtja të jetë jo “vetëm thërrime”, por një pjesë e madhe e bukës së gjuhës tonë shqipe moderne.
Bibliografia:
1.Mulgeci, L. Asja (2021): Perlat e shpirtit tem… “Barleti”, Tiranë.
2.Pinsky, Robert (1976): The Situation of Poetry: Contemporary Poetry and its Traditions. Princeton: Princeton UP.
3.Át. Rrota, Justin O.F. M. (1934): Letratyra shqipe, “Shtypshkronja françeskane”, Shkodër.
4.Culler, Jonathan, (1997): Literary Theory: A Very Short Introduction. United Kingdom: Oxford University Press
5.Memushaj, Rami (2004): Hyrje në gjuhësi, “Dituria”, Tiranë.
6.Ndreca, Ardian (2012): Rreziku i instrumentalizimit të gegnishtes, “MAPO”, Tiranë