back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Epilog i librit “Enigma e një Brenge” nga Agim Hamiti

Gazeta

Autori Agim Hamiti
Autori Agim Hamiti

Epilog i librit “Enigma e një Brenge”

nga Agim Hamiti

21 maj 1993 – Njëzetvjetori i revoltës Spaç ’73.

Zhurma e disa autobusëve dhe veturave e prishi qetësinë e gropës së zymtë atë ditë: një qetësi zie për lavdinë vrastare të zbehur prej kohës. Ish-të burgosurit politikë shqiptarë festonin në Spaç fitoren e tyre si të Pirros. Shumë kishin udhëtuar me vetura policie. Ndofta ndonjëri edhe me atë të ish-komandantit, apo të komisarit të kampit të Spaçit, kur ai vetë kishte qenë i burgosur.
Komandantët e komisarët e kampeve e të burgjeve e kishin lënë periferinë dhe ishin grumbulluar në qendër. Tani ata shërbenin në MP të Brendshme dhe u shpërndanin dëshmitë e persekutimit ish-“grigjës” së tyre. Këta shtyheshin e djersinin për orë të tëra në radhë, që të merrnin dëshminë e të mundurit. Fitimtarëve përbrenda sporteleve u shndriste fytyra prej lumturisë, që partia mëmë dhe “bijat e saj” kishin ditur ta hidhnin bukur vallen e demokracisë ala-puniste, duke përjetësuar trashëgiminë e luftës klasore të paraardhësve të tyre: fitimtarët – fitimtarë të përhershëm; të mundurit – të mundur të përjetshëm. Ata gajaseshin tek shikonin duart me vraga prangash të shtynin njëra-tjetrën në sportel, para fytyrave të tyre të qeshura, sikur u thoshin: “Na i hidhni edhe një herë hekurat, se jemi mësuar me to!”
Të rreshtuar, të shtrënguar, të nxituar, të alarmuar… si dikur! E asgjë nga këto nuk i pengonte të festonin. Çfarë? As ata vetë nuk e dinin se çfarë festonin. I munduri i përhershëm quan festë ditën e humbjes më të vogël.
Prej një muaji Prenga mezi dilte në oborr. Kanceri po i bluante dalëngadalë mushkëritë e ai vazhdonte të pështynte gjak. Mjekët ia kishin bërë të qartë së shoqes, se ditët e tij ishin të numëruara.
-Ç’është kjo zhurmë makinash, o File? – i foli gruas.
-Autobusë e vetura po vijnë përqark vendit ku ka qenë kampi.
-Autobusë e vetura? Sa është data sot, moj?
-21, më duket.
-I ke rënë në kokë; aq duhet të jetë.
-Nga u sigurove ti?
-Prej atyre mysafirëve me autobusë e vetura, që kanë ardhur të çmallen me mua.
-U bënë merak shumë për ty, nuk e sheh!
-A e di ti që ata burra, të cilët po shëtisin sot me autobusë e vetura, më kanë thënë mua “si urdhëron!” brenda një dite aq herë sa ti nuk më ke thënë gjatë gjithë bashkëjetesës sonë? Do të dal t’i shikoj për herë të fundit.
-Mos e mundo veten, se do të mbetesh andej.

Burgjet shqiptare - Burgu i Spaçit
Burgjet shqiptare – Burgu i Spaçit

-Ah, sa mirë do të ishte! Vitet më të bukur të jetës sime midis atyre i kam kaluar. Ishallah më vjen fundi me ta ndër sy, se do të vdisja i kënaqur!
Pa i dëgjuar ankesat e së shoqes, Prenga doli jashtë. Shtëpinë e kishte afër minierës. Rrethimi i saj e i kampit ishin shkatërruar. Shumë fshatarë i kishin marrë shtyllat e betonit e telat me gjemba për t’i përdorur në përgatitjen e soletave të shtëpive, apo thurjen e arave. Disa të tjerë e kishin nxitur atë bastisje, për të zhdukur një dëshmi të vogël të krimit të tyre të madh. Po ashtu ishte vepruar edhe me fjetoret.
Prengës iu desh një gjysmë ore të dilte deri tek qafa përballë kampit, ku përfundonte “E Përpjeta e Sizifit” mbetur pa Sizifë. Ndofta përkohësisht…
Ai vuri dorën si strehë dhe nisi një dialog në distancë me “mysafirët”:
-Oh, qenkeni grumbulluar në tarracën e numërimit! Vihuni në rresht, se do të vij t’ju numëroj. E di që nuk do të jeni të gjithë të pranishëm në këtë apel…si atëherë. Helbeté, keni fituar “lirinë”, jeni “fitimtarë”, hahahaha! Të shkretët ju, që ju iku jeta duke u ngopur me lugën bosh! Po unë i kam edhe sot e gjithë ditën, o të mjerë, dekoratat që më kanë dhënë për luftën 24 vjeçare kundër jush. Sikur një ditë të më bënin ngarkim bishtat e kazmave, që kam thyer në shpinat tuaja, do të më mbetej pensioni gjashtë muaj pa marrë.
«Kam dëgjuar se një pjesë prej jush jeni veshur me rroba policie. Vetëkuptohet që ju ka hyrë në qejf uniforma ime, se ju është mësuar syri gjithë jetën me të. Edhe shkopinjtë e gomës, që kanë mbetur pa u këputur në shpinat tuaja, aty ua kemi lënë, gati. Ishallah i përdorshi së shpejti kundër njëri-tjetrit!
“Në fund të shpatit të kësaj kodre, ku ndodhem unë, duket ende një shkurrajë e padëmtuar prej bastisjes së rrethimeve. Diku poshtë rrënjëve të atyre shkurreve gjembaçe, prehen eshtrat e një djali të ri, varrin e të cilit unë e Paskali e luftuam me po atë ashpërsi që kemi luftuar ju vetë. Ne i trembeshim Shkëlzen Gramit edhe pas vdekjes, sepse ai ishte një i vdekur i gjallë. Unë tallem me ju edhe sot, sepse ju jeni të vdekur për së gjalli. Tani që jam duke dhënë shpirt vetë, më dhimbset Shkëlzeni. Unë po vdes i harruar, i braktisur, i mohuar prej atyre që më përdorën një çerek shekulli kundër jush. Paskali është përsëri shef në MP të Brendshme, ndërsa mua nuk më japin as qetësues për dhimbjet e fundit. Ai dje ishte shefi im, kurse sot është shefi juaj. Gjersa Paskali sot bashkëpunon me ju, do të thotë se dje ai ju ka luftuar kot së koti. Po nesër, a jeni të sigurt se ai nuk do ta bëjë përsëri të njëjtën gjë?
“Tani e kuptoj se vetëm Shkëlzen Grami dhe një pakicë si ai, që dhanë jetën brenda telave me gjemba, e kanë njohur të vërtetën e luftës sonë të djeshme. As unë e as ju, ‘politikanët’, hahahaha! Oh, nuk kam më fuqi as për të qeshur me ju që ju ka përqeshur fati gjithë jetën…! Ata e ditën pse duhej të mbeteshin atje, ndërsa ju nuk e ditët pse dolët prej burgut. Një copë bukë ne jua kishim dhënë edhe në burg: pse, për pak gjellë më shumë e ëndërronit ju lirinë? Oh, sa ‘politikanë’ të zotë që e treguat veten, hahaha!”
“Unë i kam në xhep sot të tri dekoratat e Kuvendit Popullor dhe një skelet syzesh dielli, të cilit nuk i çova ndonjëherë xhama. Po i flak në mes të shkurreve me gjemba, ku prehen eshtrat e Shkëlzenit. Ai e meriton t’i kërkoj falje; ju kurrë!
U mërzitët nga këto që ju thashë dhe po niseni? Udh’ e mbarë ju qoftë, o ‘politikanë’! E gëzofshi fitoren tuaj të dështuar!” – thirri Prenga me gjithë fuqinë e mbetur.
Nga goja i shpërtheu gjaku dhe ra përmbys pa ndjenja. Ndërsa zhurma e autobusëve dhe veturave po tretej në largësi, trupi i ish-gardianit filloi të ftohej.
Marrë nga Muri i Fb, 20 shkurt 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.