back to top
3.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Eqrem Bej Vlora – Personalitet i shquar i diplomacisë shqiptare në shekullin e kaluar – nga Eugen Shehu

Gazeta

Flamuri i Pavarsisë në Vlorë
Flamuri i Pavarsisë në Vlorë

Eqrem Bej Vlora –

Personalitet i shquar i diplomacisë shqiptare në shekullin e kaluar

nga Eugen Shehu

Familja Vlora, ka qenë dikur në radhët e familjeve të mëdha shqiptare, të cilat, në periudha të caktuara historike, mbajtën mbi supet e tyre, jo vetëm fatet e pjestarëve të vet, por fatet e kombit tonë. Pinjollët e shquar të këtyre familjeve treguan aftësi të rralla si në luftërat që Porta e Lartë bënte për të mbajtur të nënshtruar krejt perandorinë e madhe, ashtu edhe në funksione të tjera të larta, të administratës osmane. Një prej këtyre pinjollëve, Syrja bej Vlora, pikërisht në momentet më të lavdishme të karrierës së tij, atëherë kur në Stamboll shihej si personalitet në fushën e teologjisë dhe historisë, shkon në qytetin e dashur të lindjes së tij, në Vlorë, duke u kujdesur për pronat e mëdha që familja e tij zotëronte nga brigjet e Adriatikut e deri në Myzeqe. Nga martesa e Syrja bej Vlorës me Mihrije hanëm Toptanin (nga dera e shquar e Toptanasve të Tiranës), më 1 dhjetor 1885, në Sarajet e Vlorës, lindi djali i parë që u quajt Eqrem. Fëmijëria e tij do të kalonte përmes kujdesjeve prindërore si edhe lodrave që nuk i munguan askurrë. Por kur ishte ende 6 vjeç, Syrja bej Vlora tepër intelegjent dhe i arsimuar, e thërret të birin në odën e burrave (selamllëk) dhe e njeh me dy burra. I pari ishte italiani Luigj Belali ndërsa i dyti Mehmet efendi Lusi, hoxha i fshtit Kaninë. Luigj Belali iu bë mësues i parë i Eqremit të vogël, ndërsa prej Hoxhës do të merrte mësimet e para të fesë. Të dy mësuesit do të parashihnin tek Eqremi i vogël, djaloshin e vëmendshëm dhe të etur për dije, i cili tanimë në vend që të harrohej pas lodrave rrinte me orë të tëra mbi librat apo detyrat. Vlen të thuhet se, Syrja bej Vlora, në vitet 1890-1900, mundi të bëjë ndryshime të mëdha, duke rikthyer familjes shumë prona të konfiskuara nga Porta e Lartë, në kuadrin e shtypjes së Reformave të Tanzimatit ku bejlerët e Vlorës patën kundërshtuar ashpër. Më pas vetë Porta e Lartë, duke parë ndikimin e madh të kësaj familjeje jo vetëm në Vlorë, por në krejt Shqipërinë e mesme, u detyrua të bëjë lëshime, siç bënte edhe me familjet e tjera të mëdha shqiptare.
Historiani i shquar osman Ahmet Xhevdet, lidhur me këtë ide shkruan pos të tjerave: “Shqipëria ishte një vend i ashpër dhe i varfër, i banuar prej një popullsie luftarake dhe të panënshtruar. Për të shmangur rrezikun që kjo trevë të shndrohej në vatër të vazhdueshme trazirash, sulltanët e kishin parë të udhës që postin e mëkëmbësit të tyre t’ia besonin në formë trashëgimore, njerëzve me ndikim… Nga ky vështrim tepër i gjatë i pushtetit dhe pesha që u jepte ai në sytë e popullit, këto shtëpi patwn krijuar në rrjedhë të shekujve “pushtetin familje” dhe ishin kthyer në brezni dinastish që qeverisnin vendin”. (A. Xhevdet “Ngjarje në Perandorinë Osmane” vëll.II, Stamboll).
.
Eqerem bej Vlora
Eqerem bej Vlora

Në verën e vitit 1897, në shtëpinë e madhe të bejlerëve të Vlorës, mbërriti një tjetër mësues nga Vjena, i quajtur Zohovsky. Ky e përgaditi Eqremin për dy vjet rresht dhe në vitin 1899, djaloshi nga Vlora do të regjistrohej në Akademinë Tereziane, në Vjenë. Kjo Akademi ishte e njohur në krejt Evropën e atyre viteve dhe Eqrem Vlora mundi të marrë një kulturë të gjërë dhe njohuri të thella në disa gjuhë. Më tej, pas mbarimit të Akademisë Tereziane në vjeshtën e vitit 1903, ai regjistrohet në fakultetin e drejtsisë, në Universitetin e Stambollit. Djaloshin nga Vlora do ta tërhiqnin së tepërmi, lënda e të drejtës fetare Islame, rreth së cilës për netë të tëra, ai do të debatonte me mësuesin e teologjisë, patriotin e shquar shqiptar, Hoxhë Kadrinë. Në këto debate dhe sidomos në bisedat e ngrohta me të jatin, Eqrem Vlora do të mësonte pos të tjerash se bekimin hyjnor nuk e sjellin formulat stereotipe apo pa kuptim, përkundrazi kuptimi i thellë dhe zbatimi i drejtë i mendimeve të larta,ishin zhvillimi i shoqërisë njerzore. Falë kulturës së thellë dhe pasurive që trashëgonte, Syrja bej Vlora e çoi të birin e vet, në vitet 1903-1907, kur ky studionte në drejtësi, në mjaft vende të largëta, pronë e Perandorisë Osmane. Ai u përkujdes që i biri, të kuvendonte në mënyrë të pjekur e serioze, jo vetëm me atdhetarë të shquar shqiptarë por edhe me mnedimtarë të tjerë, të Azisë apo Europës. Mbresa të mëdha do të linin këto takime e vizita të gjata e të bukura, në shpirtin e djaloshit nga Vlora. Edhe udhëtimi në Evropë së toku me motrat pas mbarimit të fakultetit të drejtësisë, më 1907 do të sihte mbresëlënës. Falë zotërimit të disa gjuhëve evropiane, studenti shqiptar nga Vlora, pas letërkëmbimeve me Dr. Turtullin, Mid’hat Frashërin, Faik Konicën, Myfid Libohovën etje, do të njihej edhe me personalitete të shquara evropiane në fushën e letrave dhe të mendimit diplomatik. Në vitet 1908-1911, Eqrem bej Vlora do të parapëlqente të vihej në radhët e lëvizjes autonomiste shqiptare, natyrisht pa hequr dorë prej studimeve në fushën e drejtësisë, madje këtu mbron në këto vite edhe doktoratën. Tanimë ai jeton më së tepërmi në shoqërinë e Ismail Qemal Vlorës, Hil Mosit, Mid’hat Frashërit, Dervish Himës, Hoxhë Kadrisë etj. Bashkëpunimi me Turqit e Rinj, do të ishte hapi i parë i tij për të kërkuar e fituar sa më shumë të drejta për popullin e vet. Anipse turqit e rinj nuk mbajtën asnjë nga premtimet e dhëna në vitet 1907-1908, atdhetarët shqiptarë nuk humbën shpresat për autonomi, për më tej ata u bindën plotësisht se Lëvizja Kombëtare Shqiptare do të ndizej e çohej deri në fund sa prej mendimit të mençur, aq edhe nga vrulli luftarak i vegjelisë. Mendoj të sjellë në këtë radhë një pasazh të kujtimeve të Eqrem bej Vlorës, lidhur me këto përpjekje; “Ne nacionalistët shqiptarë, në euforinë e ndërgjegjes së fryrë kombëtare, kishim interes t’i bënim për vete dhe t’i afronim në mjediset tona të gjithë turqit e rinj që shquheshin mbi të tjerët, ose që premtonin për të ardhmen, me këtë qëllim u përpoqëm të afroheshin me Mustafa Qemalin, si me një personalitet të vetsigurtë… së bashku me mikun tim, atdhetarin Dervish Hima, i bëmë një vizitë në hotel. Që ai nuk tregoi asnjë mirëkuptim për ideologjinë tonë nacionaliste, nuk më habiti aspak. Nga një njeri i rritur dhe i edukuar në rrethet e ngushta të oficerëve në Selanik dhe Stamboll, nuk mund të pritej ndonjë simpati për idetë nacionaliste të shqiptarëve. Por ajo që më habiti edhe sot e kësaj dite, ishte qëndrimi i prerë për përdorimin e shkronjave arabe në shkrimin e shqipes… Ai nuk donte të dëgjonte për përdorimin e shkronjave latine në shkrimin e shqipes, vetëm e vetëm se shihte këtë si një mjet të shprishjes së parimit unitar turko-myslimano-osman”. (Eqrem bej Vlora “Kujtime” vëll I, Tiranë 2002, faqe 256 ).

Familja e Syrja bej Vlorës, 1938, Eqerem bej Vlora majtas
Familja e Syrja bej Vlorës, 1938, Eqerem bej Vlora majtas

 Gjithashtu në po këto vite, Eqrem bej Vlora kërkon të zgjojë vetëdijen kombëtare shqiptare edhe nëpërmjet veprimtarive të ndryshme letrare dhe artistike. Mendoj se nuk ka qenë rastit miqësia e tij me pjestarët e klubit patriotik “Labëria” të qytetit të Vlorës. Në vjeshtën e vitit 1909, në sallën e madhe të ndenjës në shtëpinë e tij, me nismën e Eqrem bej Vlorës, luhet drama “Vdekja e Pirros” e shkruar nga Mihal Gramenos. Ky i fundit, ndër luftëtarët e shquar të pavarsisë shqiptare, e kujtonte vënien në skenë të dramës, jo vetëm eveniment të jetës së tij, por të krejt kulturës shqiptare të atyre viteve. Anipse “Vdekja e Pirros” i çonte ngjarjet në shekujt më parë, evokimi ishte i saktë. Ky popull ka patur territoret e tij, tragjedinë dhe shpresat e tij tek e mbramja edhe mbretërit, të cilët e kanë udhëhequr. Megjithë nderet e mëdha të Ministrisë së Jashtme të Stambollit (ata patën dërguar deri në Petersburg si përfaqsuesin e tyre) Eqrem bej Vlora parapëlqeu idenë që aftësitë e veta në diplomaci t’i verë në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Në fillim të vitit 1911, pas takimesh e bisedimesh me kushëririn e tij, Ismail Qemal Vlorën, Eqremi kryen një varg udhëtimesh në Stamboll dhe Evropë, duke dashur t’u bëjë të qartë Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha, se shqiptarët janë të vendosur të luftojnë për pavarsinë e tyre qoftë me diplomaci e penë, qoftë edhe me armë. Në një prej telegrameve që konsulli austro-hungarez Pallaviçini, i dërgon kontit Erental pos të tjerave i kumton: “Prej Eqrem bej Vlorës, më është dhënë 10 ditë më parë lajmi se patriotët shqiptarë kanë ndërmend që të hyjnë në kontakt me malësorët e arratisur në Mal të Zi dhe të informohen atje mbi situatën, me qëllim që t’u drejtohen pastaj me një apel Fuqive të Mëdha të Evropës. Ky lajm si edhe dërgimi i prijësve të malsorëve në fjalë, ka mundësi të ketë lidhje me qëndrimin në të njëjtën kohë të Ismail Qemalit në Mal të Zi…” (Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë. Fondi i Arkivit të Vjenës. Dok. dt 1 korrik 1911- Jenikoj).

Ismail Qemal Vlora mes bashkveprimtarëve të Pavarësisë
Ismail Qemal Vlora mes bashkveprimtarëve të Pavarësisë

Nënshkrues i aktit të Pamvarsisë

Pas udhëtimesh të gjata në Evropë në verën e vitit 1912, Eqrem bej Vlora niset për në qytetin e lindjes, me porosi të Ismail Qemalit dhe atdhetarëve të tjerë shqiptarë, me qëllim që të ndikonte se të mundete për stabilizimin e situatave tejet të ndërlikuara në vend. Këtu duhet theksuar se Shqipëria në verën e vitit 1912, ishte kthyer në një arenë të ashpër përleshjesh të Fuqive të Mëdha, me ç’rast monarkitë fqinje patën hyrë në të katër vilajetet shqiptare me mijëra trupa. Duke parë se gati 6 mijë ushtarë grekë pasi kishin pushtuar Jugun e Shqipërisë po i drejtoheshin Vlorës, në bashkëpunim edhe me atdhetarët e tjerë shqiptarë, Eqrem bej Vlora u vendos në ballë të vullnetarëve shqiptarë që do të luftonin ndaj grekërve. Rreth 7 muaj me radhë, diplomati dhe atdhetari i shquar, pa u friguar aspak, ishte në ballë të luftimeve të luftëtarëve shqiptarë, në Borsh, Kuç dhe Himarë. Merita e madhe e Eqrem Vlorës qëndronte tek fakti se ndërsa ndiqte luftimet në këto treva, ai nuk e shkëputi aktivitetin e tij diplomatik. Me anë të letrave e telegramesh të shumta ai bënte me dije për çfarë po ndodhte, sidomos konsujt austro-hungarez në Janinë e Shkup, duke pasur besim të palëkundur tek ndihma që mund të ofronte Austro-Hungaria. Ndonëse u thirr të shkonte në Vlorë në ditët e fundit të nëndorit 1912, Eqrem Vlora parashihte luftime të ashpra në frontin me ushtarët grekë. Ai preferoi të qëndronte me vullnetarët vlonjatë dhe himarjotë i bindur se prania e vet, në atë mjedis dhe në ato rrethana, ishte tejet përcaktues. Pikërisht nga pozicionet e këtij fronti, më 29 nëndor 1912, ai do t’i drejtohej me një letër Ismail Qemal Flamurtarit, ku pos të tjerave do t’i shkruante; “Ungji im i dashur! Me anën e kësaj letre, ju uroj ardhejn tuaj në Vlorë e para të gjithash suksesin që kini pasur me Asamblenë Kombëtare në Vlorë, Asamble që e keni pas dëshirue aq fort e që e dëften hapën e parë tonën, drejt një armërie të sigurtë të Atdheut tonë. Unë kam qenë gjithmonë edhe nashti në fund, ai që e shfaqi këtë ide të mbështetun në sigurimet e dhanuna prej ministrit në Vjenë e gjetkë… Vendimin për të marrë komandën e ushtrive ndihmuese në kufi të Himarës qe diktue prej patriotizmës teme e prej menimit me i sigurue vendit tim kufijtë e duhur për nderin tonë e për të drejtën tonë etnike” (Lef Nosi “Dokumente historike” Elbasan, 1924 ,nr.8 , faqe 237 ).
 .
Në Ministrinë e Turizmit - Niccolo Lo Russo Atoma, Eqrem Bej Vlora, Dhimitër Beratti, Hilmi Leka
Në Ministrinë e Turizmit – Niccolo Lo Russo Atoma,
Eqrem Bej Vlora, Dhimitër Beratti, Hilmi Leka

Gjatë dhjetorit të vitit 1912, pamvarsisht se shqiptarët proklamuan qeverinë e tyre, fqinjët shovenë vazhdonin pushtimin e trojeve arbërore me forca të shumta. Serbët kishin zënë pothuajse krejt veriun dhe verilindjen dhe po i mësynin Shqipërisë së mesme. Grekët, duke ndjekur përparimin e serbosllavëve, po arrinin në vijën e Shkumbimit, duke paraparë si të mundshëm planin e coptimit të plotë të Shqipërisë. Dhe për mos ta lënë qeverinë e sapolindur shqiptare të punonte e qetë, forca të tjera greke u drejtoheshin Himarës e rrethinave të Vlorës. Ndonëse vullnetarët shqiptarë po përballonin trimërisht dhunën e andartëve grekë, gjendja sa vinte dhe keqësohej. E shoh të udhës të sjell në këto radhë, një prej telegrameve që komandanti i njërit prej batalioneve shqiptare i dërgoi ato ditë Ismail Qemalit, në funksionin e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, ku pos të tjerave në këtë telegram thuhej: “Që dje vazhdojnë luftimet midis postave tona.Armiku është në gjendje ofensive. Patrullat e pararojës së tyre, kanë ardhur deri tek vendi i quajtur Qafa e Shkallës një orë larg fshatit. Lartësia juaj e dini se ne s’kemi fuqi. Vullnetarët u shpërndanë që më parë, për mungesë ushqimi… Në një letër të datës 25 dhjetor 1912, e ardhur me firmën e Spiro Milos, drejtuar Eqrem bej Vlorës dhe familjes së Gjon Lekës, shkruhet se po të mos dorëzohen këta mbrenda tri ditësh, do të sulmohen me forca të mëdha”. (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 245, dosja 62, fleta 29 ).

Por edhe mbas këtyre paralajmërimeve të mercenarëve grekë siç ishte Spiro Milo, vullnetarët shqiptarë nuk u tërhoqën nga pozicionet e tyre. Ata mundën të qëndronin deri në ditët e para të janarit dhe me të mbëritur atje luftëtarët e Mallakastrës, Skraparit, Beratit dhe Tepelenës, sulmuan forcat greke duke i çuar deri në kufijtë e Sarandës e Kolonjës. Në marsin e vitit 1913, Ismail Qemali dërgon në frontin me ushtarë grekë Mehmet pashë Derallën i cili organizon në mënyrë të përpiktë mbrojtjen e jugut shqiptar. Në këtë kohë, po me urdhër të kryetarit të qeverisë shqiptare, Eqrem bej Vlora ngarkohet me detyra të rëndësishme, kryesisht në përfaqsimin e vendit në takimet diplomatike. Pikërisht,kur Fuqitë e Mëdha të Evropës po diskutonin në Londër rindarjen e kufijve ballkanike, Myfid bej Libohova (ministër i jashtëm i qeverisë shqiptare) dhe Eqrem bej Vlora, për muaj të tërë endeshin kancelarive evropiane, duke kërkuar me forcë të drejtat natyrore të kombit shqiptar. Në mënyrë të veçantë Roma, Parisi dhe Vjena ishin stacionet ku këta dy atdhetarë u përpoqën të tërhiqnin sa më shumë vëmendjen e opinionit dhe të politikës evropiane. Shtypi shqiptar i kohës do të shkruante: “Zoti Myfid bej, Ministër i punëve të Jashtme bashkë me z. Eqrem Vlora akoma nuk janë kthyer nga Evropa për çështjen e kufijve të jugut”. (Gazeta “Përlindja e Shqypnies” Vlorë, 30 gusht 1913).
.
Eqrem Bej Vlora - Kujtime 1885-1925
Eqrem Bej Vlora – Kujtime 1885-1925

Në fund të vitit 1913, dhe veçanërisht në fillim të vitit 1914, në Shqipëri siç dihet ndodhën trazira të brendshme që e turbulluan rëndë situatën. Veçanërisht Esat pashë Toptani dhe pasuesit e tij, po e çonin Shqipërinë drejt greminës. Në këto kushte duke dashur në një farë mënyre që të ruhet stabiliteti në Ballkan, Fuqitë e Mëdha ngarkojnë Princ Vidin të qeverisë Shqipërinë e mbërthyer keqaz nga kriza. Me t’u njohur me këtë fakt, Vidi mori pranë vetes si sekretar të tij Esat Toptanin dhe lëvizjen anadollake të Haxhi Qamilit, duke orientuar drejt për çdo situatë, Princin që shumë ngjarje as që mund t’i kuptonte, për mënyrën se si ato ridhnin në Shqipëri. Ndërkaq me largimin e Vidit nga Shqipëria, për qëndrimin e tij antiitalian, sapo ushtritë e para të Romës pushtuan Vlorën, Eqrem beu internohet në Itali, gjatë viteve të qëndrimit aty, ai do të ndiqte me vëmnedje trazirat ballkanike e sidomos ato brenda shtetit amë shqiptar. Pas dy vjetësh, në vitin 1917, ai do niset sërisht nëpër kancelaritë evropiane duke marrë kontakte me përfaqsues të lartë politikë sidomos në Francë, Zvicër dhe Angli. Veçanërisht ai do të nxiste mikun e tij Francës, Justin Godart për të bërë sa më të qartë opinionin evropian, lidhur me kufijtë etnike shqiptare dhe pretendimet shovene serbe, malazeze dhe greke. Në bashkëpunim të ngushtë sidomos me Mid’hat bej Frashërin, ai do të sillte në Shqipëri politikanin Godart, në vitin 1921, ku do ta mbante për disa ditë si mikun e shtëpisë së tij. Në fillim të vitit 1923, në prag të zgjedhjeve parlamentare shqiptare, janë me dhjetra atdhetarët vlonjatë të cilët shkojnë në shtëpinë e tij në Vlorë dhe nxitin Eqrem beun të vendosë kandidaturën në qytetin e tij të lindjes. I prirur kah ndjenjat atdhetare, por sidomos duke parë se vendi nën udhëheqjen e Ahmet Zogut kish nisur të konsolidohej Eqrem Vlora pranon të kandidojë dhe fiton lehtësisht kundrejt deputetit politik rival. Në ditën e parë të çeljes së këtij parlamenti, në mars 1923, ai do të betohej përkrah burrave të tjerë të Shqipërisë se do t’i shërbente deri në fund vetëm e vetëm interesave të kombit të vet. Gjatë viteve të qëndrimit të tij si deputet në parlamentin shqiptar, Eqrem Vlora u shqua si atdhetar i dimensioneve të mëdha. Ai nuk do t’i rreshte kritikat e tij kundër çdo lloj dallavereje që vërente në qeverinë e atyre viteve, ashtu si kundër do të përkrahte vendimet e shumta politike të Mbretërisë shqiptare si në problemet brenda shtetit amë, ashtu edhe në mbrojtje të Kosovës, Maqedonisë shqiptare dhe Çamërisë. Në fillim të viteve 1924, Fan Noli dhe përkrahësit e tij siç dihet, nisën nga përpjekjet e tyre për rrëzimin e qeverisjes së Ahmet Zogut. Fan Noli i cili në parlament konsulltohej kurdoherë me Eqrem bej Vlorën (pasi i kishin kolltukët ngjitur) i kërkoi Burrit të Vlorës që ky të rreshtohej me përkrahësit e tij, por Eqremi asesi nuk mund të pranonte ate formë të ardhjes në pushtet. Për këtë arsye pas largimit të Ahmet Zogut, në gushtin e vitit 1924, Eqrem bej Vlora arrestohet turpërisht dhe dërgohet në Burgun e Gjirokastrës. Lidhur me këtë ngjarje të turpshme, vetë ai do të shkruante më pas: “Një ditë më vjen një njoftim zyrtar nga Kryetari i Gjykatës Supreme ku më kërkohej të vihesha në shërbim të hetuesit të çështjes, avokat Abdyl Kuçit, unë nuk e duroja dot këtë kokosh arogant, njëri nga më të paturpshmit në Vlorë. Dhe kështu iu përgjigja me shkrim se nuk pranoj në asnjë mënyrë të vij në kontakt dhe të bisedoj për çfardo teme me këtë njeri… Pas një jave (ka qenë mbase mesi i shtatorit) mora një njoftim të ri se hetuesi ishte ndëruar dhe tani do të kisha punë me avokat Rasim Babameton nga Gjirokastra, një mendjemadh i rrallë. Pyetjet dhe përgjigjet midis nesh ishin të gjitha poza. Unë e humba durimin. “Le ti japim fund kësaj komendie Rasim efendi – i thashë, – Ju sikundër nuk e dini për bukuri se ky proçes është kurdisur vetëm e vetëm për të më trembur dhe poshtruar mua. Por, kjo nuk do të ndodhë kurrë, sepse unë qëndroj më lartë se ata që kërkojnë të më nxijnë”. (Eqrem bej Vlora “Kujtime” vëllimi i 2, faqe 229 ).

Mbas rikthimit të Ahmet Zogut, Eqrem bej Vlora, do të thirret sërish në qeverinë shqiptare ku do të luaj rol të madh sidomos në marëdhëniet diplomatike të kësaj qeverie me vendet e zhvilluara perëndimore. Ai do të jetë bashkëhartues i Kushtetutës së Mbretërisë shqiptare, së bashku me Mehdi bej Frashërin dhe Thoma Orollagain duke bërë të mundur konstituimin e një varg realitetesh të reja në jetën e shqiptarëve, larg mentaliteteve të ndryshkura të sundimit pesë shekullorë osman. “Në vitin 1928 emërohet Ambasador i Shqipërisë në Londër e më pas më 1930 në Athinë”. (B. Gaçe “Ata që shpallën pavarsinë kombëtare” Tiranë 1997 , faqe 155).
Veçanërisht në funksionin e tij të Ambasadorit në Athinë, Eqrem bej Vlora do të bënte përpjekje të vazhdueshme sa me politikanët grekë ashtu edhe m etë tjerët, në Athinë, duke dashur të lehtësonte sadopak vuajtjet e shqiptarëve etnikë të Çamërisë, të cilët vuanin regjimin e urryer të andartëve grekë. Në vitet 1934-1938, Eqrem bej Vlora shkon sërish në Tiranë dhe punon si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ndërkaq ai boton mjaft artikuj mbi emancipimin e shqiptarëve, jep leksione arkeologjike dhe etnologjike në Tiranë, Shkodër, Vjenë, Romë e Paris, duke dashur të vërë në pah egzistencën mijëravjeçare të racës shqiptare. Ai këmbëngul tek bashkëkombasit e vet që këta të futen natyrshëm në rrjedhat e shtetit modern, për t’iu bashkangjitur Evropës Perëndimore. E shoh të udhës të sjell në këto radhë, edhe një shënim tjetër të tij: “Një ditë me mikun tim Myfid bej Libohova shkuam tek Ahmet Zogu. Biseda u shtjellua rreth shumë problemeve që na shoqëronin asaj kohe dhe me këtë rast unë shpreha shqetsimin për zhvillimin e njerëzve të mij, fola për mbivlersimin që ata i bëjnë vetes kur për riformimin e vendit nuk kufizohen brenda mundësive shqiptare, por duan të shohin vende shumë më të pasur dhe përparimtar, të gjitha këto shtova, më duken jo realiste, sa them që do të isha më mirë në një spital psikiatrik. Ahmet Zogu më vështroi buzëgaz dhe tha: “Ju kini mbetur një idealist i padreqshëm Eqrem Bej, i cili kujton se ka për mision t’i ndryshojë dhe t’i edukojë njerëzit sipas recetës së vet. Të gjitha këto janë teori që nuk mund të zbatohen në jetën praktike. Shqiptarët janë ata që janë dhe ne duhet kohë dhe energji në qoftëse duam vërtetë t’i ndryshojmë ata. Ju jeni produkt i një vendi të varfër dhe i një zhvillimi të gabuar mijëravjeçar” (Eqrem bej Vlora “Kujtime” vëllimi 2 , faqe 257- 258 ).
 .
Shtepia e Restauruar e Eqerem Bej Vlores - 2016
Shtepia e Restauruar e Eqerem Bej Vlores – 2016

Më 7 prill 1939, Eqrem Vlora dënon publikisht pushtimin ushtarak të Shqipërisë. Largohet në Paris dhe kthehet nga Parisi në Shqipëri më vitin 1942, me porosi të kryeministrit shqiptar Mustafa Kruja. Vihet në funksionin e lartë të Ministrit të Tokave të Liruara, çka nënkuptonte trevat e Kosovës dhe Maqedonisë Shqiptare. Në këtë funksion do të shfaqej edhe një herë diplomacia dhe atdhetaria e burrit të Vlorës, i cili nuk do të kursente asgjë për sigurimin e kufijve etnike të Shqipërisë. Ai ndërkaq ka marrë kontakte me mjaft udhëheqës të Lëvizjes Nacionaliste në Kosovë e Maqedoninë Shqiptare duke bërë çështë e mundur që t’u vinte në ndihmë atyre. Ka qenë kjo arsyeja që në nëndorin e vitit 1944, ai do të shpallet armik nga klika komuniste e Tiranës dhe Beogradit, ç’ka nënkupton se do të niste përgjithmonë larg kufijve të Shqipërisë të vet, larg Vlorës së tij aq të bukur. Në dy decenie të jetës në emigracion Eqrem bej Vlora rrëfen sërisht shqiptarizmën e tij duke marrë pjesë në tubime të ndryshme antikomuniste duke folur mbi brengën e madhe të bashkëkombasve të vet, kështu, deri sa shuhet jeta e tij në marsin e vitit 1964, larg dy vajzave të tij që i donte si sytë e ballit.

Marre nga http://www.lajmishqip.com/?p=21776

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.