Duke lexuar poezinë e Lasgush Poradecit “Zemra e shokut”,
në të cilën përjetësohet dashuria, besnikëria, bujaria dhe fisnikëria midis njerëzve,
që gjatë jetës i lidh miqësia e vërtetë, m’u përtërinë kujtimet e paharrueshme
të takimeve të para me poetin, Lasgush Poradecin (1898-1987)
dhe me profesorin Eqrem Çabej (1908-1980).
Në këtë poezi Lasgushi i drejtohet mikut të dashur:
.
“Zemra e shokut” nga Lasgush Poradecin (1889-1987)
“Të kam shok nga koh’ e vjetër
Shok prej zemre – edhe prej gjaku…
Shok të ri me besë plaku
Nuku kam, nuku ke tjetër.
Se ç’do gas e mall të shkretë
M’i ke thënë – emër me emër,
Unë – i mbylla mun në zemër
Gjer sa zemra të mos jetë.
Se ti mban në kraharuar
Shenjtërinë – e një dhurate:
Mban në fund të zemrës s’ate
Ç’të kam thënë – i llaftaruar.
Ish e bardhë – e nuku kishte
Dredhëri zemra bujare:
Bënte botën zilitare
Zemr’e bukur shokërishte.
.
Më 1970, me rastin e vizitës sime të parë në Shqipëri, kur shkova për qëllime studimi, në Tiranë u takova përsëri me profesor Çabejn në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare. Në një kuti të letrës, ku ishte i shkruar emri Çabej, ai më parë la disa skeda shënimesh bibliografike dhe pastaj u afrua të më përshëndesë. U përqafuam ngrohtësisht dhe, për të mos penguar lexuesit e tjerë, u ngjitëm lart në bufenë e Pallatit të Kulturës. Atje biseduam për çështje të ndryshme dhe veçanërisht për ato të gjuhësisë dhe të letërsisë. Lidhur me çështjen e periodizimit të letërsisë shqiptare me atë rast sqaroi ecurinë që kishte ndjekur dhe, me keqardhje, tha se atë çështje e kishte lënë cung, pra të papërfunduar. Dhe duke biseduar në vazhdim për krijimtarinë letrare të disa shkrimtarëve shqiptarë të traditës dhe të letërsisë bashkëkohore, foli për Lasgushin dhe posaçërisht për kohën e kaluar bashkë me të gjatë studimeve në Austri, por edhe për afërsinë që kishte me të gjithnjë.
Profesorit i shfaqa dëshirën për ta takuar poetin dhe, për fatin tim të mirë, kjo kërkesë u realizua disa ditë më vonë, kur Lasgushi kishte ardhur në Tiranë. Një ditë tjetër, deri sa shikoja katalogun e albanologjisë, hyri në sallë profesori Çabej dhe më ftoi për t’u takuar me Lasgushin, me këtë poet të jashtëzakonshëm dhe të adhuruar, në lokalin që ndodhej një kat më lart. Ambienti ishte i bukur dhe duke pirë nga një kafe, bisedonim së bashku të gëzuar. Temat e bisedës ishin të ndryshme dhe shumë interesante. Lasgushi fliste edhe për jetën e vet dhe për krijimtarinë letrare, për poezinë, për pikturën, për arsimin (kur ai kishte qenë profesor në Gjimnazin e Tiranës). Me Lasgushin kemi biseduar edhe në dy takime të mëvonshme. Me kërshëri të posaçme ai ndiqte informacionin për arsimin në Kosovë, për veprimtarinë botuese dhe për krijimtarinë letrare. Me admirim fliste për poezinë moderne. Përjetimi estetik i poezisë nga lexuesit, sipas tij, varet nga niveli i formimit të lexuesve. Ka shumë veçori karakteristike që e bëjnë poezinë të ketë vlerë të lartë artistike.
Vështrimi kritik letrar i Eqrem Çabejt “Mbi poezinë e Lasgush Poradecit”, i shkruar në Graz më 1929, dhe i botuar në Tiranë në shkurt të atij viti në “Gazeta e Re”, për shumë vjet ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe të studiuesve të letërsisë. “Lasgush Poradeci, ka shkruar Çabej, na hap portën e një jete të re në poezinë shqiptare, një “frisson neuf” siç pat thënë Viktor Hugoi për vjershat e Baudelaireit, lind e rritet në lëmën e këngës shqiptare një stil i ri, të cilin do ta kërkosh më kot ndër poetët e tjerë shqiptarë, po më kot edhe ndër shkrimtarët e huaj nga shkaku i origjinalitetit që shquan këtë poet djalosh… Këtu ndjenja e mendime që nuk kish guxuar e s’kish arritur kurrkush ndër shqiptarët e pendës t’i shfaqte, këtu një stil i munduar, i cili ndryshon nga shkrimi i një Naimi…, si bie fjala një pjesë beethoveniane nga një mozartiane. Ky është stili i Lasgush Poradecit”. Çabej, duke u bazuar në vlerësimin e vet estetik, me një mburrje të veçantë konstaton praninë e Lasgushit në letrat shqipe. Poezia e tij “ka shumë vjet që tingëllon në veshin e Shqiptarit; po e ngadalshme e si nga larg”. Ai shpreh mendimin se me këtë poezi më parë askush “nuk është marrë estetikisht”. Lexuesit shqiptarë, varësisht nga niveli i formimit të tyre të përgjithshëm letrar “më shumë pëlqejnë do vjersha idilike si “Kroi i Poradecit”. Vetëm disa lexues “shijojnë-thellësitë moderne të tija; një shenjë e cektësisë së shijes shqiptare të sotme”.
.
Poradeci
Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’i natës që po bije,
Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…
E kudó krahin’e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë… në Liqer heshtë një lopatë…
Një shqiponjë – e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.
Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira… Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi
Para se të analizojë poezinë lirike të Lasgushit, Çabej bën një vështrim për literaturën e Shqipërisë së re. Ai vë në dukje “frymën etike (morale)” të saj. Letërsia është zhvilluar në dy periudha kryesore. Në të parën përfshin poetët: Jeronim De Rada dhe Naim Frashëri, që më shumë trajtojnë motivet patriotike, “në jetën dhe në veprën e të cilëve, midis të tjerave, një ide kryesore është flaka e madhe që i ndez për lirinë e Atdheut”. Duke spikatur tiparet e poezisë së tyre, dhe ndryshimet e natyrshme të artit poetik, shquan disa nga karakteristikat e letërsisë shqiptare të romantizmit në krahasim me ato të letërsive evropiane.
.
Periudhën e dytë të letërsisë Çabej e vlerëson të kompletuar edhe me karakterin humanist bashkëkohor. Në këtë kohë “ideja kombëtare i lë udhën idesë njerëzore… syri i poetit u hap për horizonte më të gjera, vegime më të thella”. Krahas Asdrenit, edhe Lasgushi krijon një poezi novatore. Me këta poetë hapet periudha e dytë, “e cila mund të quhet periudha moderne e poezisë shqiptare”.
Poezia e Lasgushit sipas Çabejt ndryshon nga ajo e Asdrenit dhe e poetëve të tjerë. Thellësia e mendimit të shfaqur është dhuntia artistike e tij. Lasgushi “Është vjershëtori më i thellë që ka shkruar në shqipet; në qoftë se kjo nuk është vënë re gjer tani, shkaku është se më të shumtët nuk e kuptojnë poezinë e tij, e cila me fjalë e mënyra foljesh fare të thjeshta, e shumë herë popullore, arrin të koncentrohet aq sa mundet të nxjerrë në dritë mendimet më të thella, ndjenjat më labirintike, idetë më të larta. Dhe po të këndohet Lasgushi me dashurinë, do të vërtetohet thellësia e tij e pa shoqe, në mos sot, nga breza që do të vijnë”. Poezia e Lasgushit është krijim i kohës moderne dhe si e tillë bënë pjesë natyrshëm në poezinë moderne evropiane. Kjo epokë ka njohur poetët e mëdhenjë evropianë, siç janë: Rilke, Stefan George (letërsia gjermane), V. Hygo, Bodleri, Verleni, Mallarme, Rembo, Valery (letërsia frënge), Carduçi, D’Annunzio, Pascoli etj. (letërsia italiane), Sergej Jesenin (letërsia ruse) etj. Lasgushi, sa i përket koncepcionit të krijimit të poezisë “nuk është poet lirik në kuptimin e vërtetë të fjalës: nuk do të gjesh të ëmbla e të buta melodi; më shpesh vjershat e tij janë drama dhe shumë prej syresh tragjedi të vogla; shquan prologun, aktin e parë të dramës, kulmin e dramës, pastaj, si vala e detit e “Këngës pleqërishte”, bie, bie, bie, pasi pat luftuar shpirti i munduar, i munduar më kotë…”
Ideali estetik i dashurisë në poezinë e Lasgushit është origjinal. Pa e njohur mirë Lasgushin dhe jetën e tij, është vështirë të njihen disa nga premisat kryesore të poezisë së tij. Duhet njohur mirë edhe ndikimet letrare nga poezia e poetëve klasikë botërorë, apo nga ajo e poetëve bashkëkohorë. Në këtë labirint të misterit të krijimtarisë letrare klasike dhe moderne Lasgushi është zë i veçantë. Frymëzimi i tij poetik i përket artit, “Prandaj misioni i artit, ka pohuar Lasgushi është të na japë një kënaqësi estetike, që qëndron mbi të gjitha këto mizerje të jetës… Artisti krijon për vete siç këndon edhe bilbili”. Lasgushi ka shprehur bindjen e tij se poezia duhet të jetë shumë e mirë, shumë e lartë, shumë e thellë “që t’i vëmë shpirtit të kombit themele të shëndosha. “Poezia, ka pohuar ai, është divine (yjnore). Prandaj kur shkruan poezi duhet ta keshë shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj duhet të jetë xhevahir…” Çabej ka analizuar poezinë e Lasgushit dhe ka shprehur mendimin se ajo është e qartë dhe e realizuar artistikisht. Megjithatë lirika e tij nuk është transparente. Disa poezi të tij nuk kuptohen lehtë “po moskuptimi i lehtë, të themi errësira e disa vjershave të tija, nuk është një e metë. Fundi i fundit çdo thellësi është e errët”. Vështrimin për poezinë e Lasgushit Çabej e përfundon me vlerësimin e gjithanshëm dhe shumë afirmativ. Megjithatë, ai ka dhënë edhe disa vërejtje dhe për to ka thënë: “le t’i shërbejnë kuptimit të poezisë së Lasgush Poradecit…, të cilin një fat i mirë duket sikur ia ka falur Shqipërisë që të bëhet ai shkrimtar, të cilin Shqipëria do t’ia falë një herë botës”.
(Punim nga libri Identitete letrare I – 1970)
Marre nga http://www.xlpress.tv/eqrem-abej-pr-lasgush-poradecin/
Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.
To provide the best experiences, we use technologies like cookies to store and/or access device information. Consenting to these technologies will allow us to process data such as browsing behavior or unique IDs on this site. Not consenting or withdrawing consent, may adversely affect certain features and functions.
Functional
Always active
The technical storage or access is strictly necessary for the legitimate purpose of enabling the use of a specific service explicitly requested by the subscriber or user, or for the sole purpose of carrying out the transmission of a communication over an electronic communications network.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistics
The technical storage or access that is used exclusively for statistical purposes.The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
The technical storage or access is required to create user profiles to send advertising, or to track the user on a website or across several websites for similar marketing purposes.