back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Eqrem Vlora – Beu i Fundit – 30 fakte nga jeta e Eqrem bej Vlorës

Gazeta

Eqrem Bej Vlora (1885-1964)
Eqrem Bej Vlora (1885-1964)

Eqrem Vlora – Beu i Fundit

30 fakte nga jeta e Eqrem bej Vlorës

Eqrem Bej Vlora ishte personalitet i kulturës shqiptare dhe një figurë poliedrike që, pavarësisht se e përjashtuar gjatë periudhës së diktaturës, ka lënë gjurmë dhe kontributin e vet në historinë e Vlorës dhe të Shqipërisë, një nga pinjollët e familjes Vlora.
Pinjolli i një prej familjeve të mëdha të Shqipërisë e të Perandorisë Osmane, kushëri i afërt i Ismail Qemalit, dëshmitar dhe protagonist i disa dekadave tepër të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, Eqrem bej Vlora ishte një nga njerëzit më të kulturuar të kohës.
Libri i tij “Kujtime” është cilësuar nga kritika si magjepsës! Një nga dëshmitë më interesante për këdo që dëshiron të njohë të shkuarën tonë, atë çka s’e gjen dot në librat e historisë. Që të ndihmon të kuptosh shumëçka sot në kundërshtitë e dritëhijeve të jetës shqiptare. Një rrëfim ku ndjen drithërimat e jetës së trazuar të një njeriu që në muzg të tij, i syrgjynosur diku larg në mërgim të detyruar, i vihet punës për të ndërtuar copëza, tablo, fytyra, emocione, ngjarje të së shkuarës së tij.
Studiuesi Misha nënvizon më tej në parathënien e librit se kujtimet e Eqrem Bej Vlorës janë dëshmi dramatike e shembjes së një bote të tërë, dhe në këtë kontekst citon Eqrem Bej Vlorën që shkruante “një botë merr me vete teposhtë ata, që deri atëherë qëndronin në majat e hierarkisë së shoqërisë, duke i “humbur nën gërmadhat dhe nën pluhurin e marrëzisë së barazimtarisë”, që kupton pashmangshmërinë e ndryshimeve, dhe i përjeton ato si një dramë personale…
“Unë u zgjova nga ëndërrimet, mbase ca si vonë dhe zbrita në tokë: u çlirova nga dashuria ime e tepruar, por edhe nga urrejtja tjetërsuese kundrejt gjithçkaje dështake. Sot unë i kuptoj gjërat më mirë dhe gjykoj më drejt. Tani, mbase mund të shkruaj”, rrëfen Eqerem bej Vlora.
Por cila ishte jeta e beut të fundit shqiptar?
“Tirana Observer” boton sot 30 fakte nga jeta e diplomatit të shquar.
.
Eqrem Bej Vlora - Kujtime 1885-1925
Eqrem Bej Vlora – Kujtime 1885-1925

1-Eqrem bej Vlora u lind në Vlorë më 1 dhjetor 1885, si bir i Syrja bej Vlorës dhe i Mihri hanëm Toptanit dhe vdiq në Vjenë më 30 mars të vitin 1964. Ai ishte një politikan, diplomat, shkrimtar dhe historian shqiptar.

2-Ai është i cilësuar si Beu i Fundit, mishërim i aristokracisë së mirëfilltë shqiptare megjithëse vinte nga një kastë e themeluar nga parimet e feudit ushtarak, shkollimi i tij dhe stili në të shkruar përcjellin stërhollimin interesant të një eruditi.
 
3-Eqrem bej Vlora njihej si një konservator i palëkundur, kritik i madh, por edhe ndaj vetes, por që dinte t’u njihte meritat edhe kundërshtarëve.
 
4-Eqerem bej Vlora, është një figurë e mirëfilltë intelektuale, me kulturë të plotë perëndimore për kohën dhe matanë saj.
Ai është një zë i nderuar i mendimit shqiptar dhe, sipas kriterit kronologjik radhitet krahas Vaso Pashës, Sami Frashërit, Luigj Gurakuqit, Mit’hat Frashërit, Gjergj Fishtës, Fan Stilian Nolit, etj. Eqerem Vlora është ndër 25 intelektualët shqiptarë të periudhës 1879-1945, të cilët përfaqësojnë antologjinë e mendimit shqiptarë, jo vetëm për kohën që jetuan, me ndikim jo vetëm në hapësirat e banuara me shqiptarë
 
5-Familja e tij ishte një nga familjet më të pasura të jugut të Shqipërisë, që falë zotësisë, në ekonomi e administrim, së të atit pasuria e familjes së tij në 25 vjet u gjashtëfishua.
 
6-Ai që i vogël merr mësime nga një djalosh italian, inxhinier Luigji Bekali (Luigi Becali) nga Mesina, tjetri një shqiptar, Mehmet efendi Lusi, hoxhë i Kaninës që më vonë do zëvendësohej nga prof. Jusuf Riza efendiu, dhe gjermanisht nga zoti Fajgenvinter (Feigenwinter) nga Baseli.
 
7-Në vitet 1900-1906, Eqrem bej Vlora kryen studimet liceale dhe universitare K.U.K. Theresianum, Akademia Orientale Vjenë. Studioi për drejtësi dhe teologji në Stamboll në 1904.
 
8-Në vitin 1906, emërohet Sekretar i gradës së III në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane, Stamboll. Në vitin 1907, emërohet Sekretar i gradës së III në Ambasadën e Perandorisë Otomane në Shën Petërburg për tre muaj. Në vitin 1909, emërohet Sekretar i II në zyrën e përkthimeve Ministria e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane-Stamboll.
 
9-Pas disa viteve udhëtimesh nëpër Europë, Shqipëri dhe Orient, Eqrem Bej Vlora iu bashkua xhaxhait të tij Ismail Qemal Vlorës në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë.
 
10-Për prejardhjen e Flamurit që ngriti Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912, në Vlorë në shpalljen e Pavarësisë ka shumë variante, por varianti i sjellë nga Eqrem bej Vlora, cilësohet nga historianët si varianti më i vërtetë. Në librin “Kujtime” Eqrem bej Vlorës shkruan se flamurin, ia dha ai Ismail Qemalit dhe se flamurin ia kishte falur don Aleadro Kastriota, burri i një princeshe që pretendonte se ishte pasardhëse e Skënderbeut.
.
Eqerem bej Vlora
Eqrem bej Vlora

11-Gjatë luftërave ballkanike, ai shërbeu si komandant i batalionit territorial të Vlorës me gradën “Major në rezervë”. Pas disa luftimesh të suksesshme me forcat greke në zonë, ai u thirr në Vlorë nga xhaxhai.

12-Në 1912, u bë zëvendës president i senatit. Më vonë, ai u dërgua në Neuwied për të takuar Princ Vidin, i cili ishte zgjedhur për të mbretëruar në Shqipëri. Pastaj ai shërbeu në Ministrinë e Jashtme gjatë mbretërimit të Princit.
 
13-Eqrem bej Vlora ishte austrofil (dojçkultur) dhe mbështetës i njohur i fuqive qendrore, arsye për të cilën u mbajt nën arrest në Itali, për pjesën më të madhe Luftës së Parë Botërore, por më pas u bë një nxitës i marrëdhënieve të ngushta mes Italisë dhe Shqipërisë.
 
14-Në vitin 1921, Eqrem bej Vlora ishte Kandidat për Kryetar i Bashkisë Vlorë. Ndërsa në vitin 1923, Deputet i Asamblesë Kushtetuese, duke përfaqësuar krahun konservator dhe në 1925, u bë senator për një periudhë të shkurtër kohe.
 
15-Në vitin 1925, emërohet Ministër i Shqipërisë në Londër, ndërsa në vitin 1929, Ministër i Shqipërisë në Athinë. Në vitin 1932, emërohet Drejtor i Punëve Politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme Tiranë. 1934, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Shqiptare, grada Ministër (i plotfuqishëm). 1937-1939, Deputet i Vlorës. 1939, Këshilltar Shteti. 1940, Kryetar i Zyrës së Punëve Civile, Kryetar i Zyrës Ceremoniale në “Luogotenenca” Tiranë.
 
16-Marrëdhëniet e tij me Ahmet Zogun ishin të rralla, megjithëse edhe me pas ai shërbeu në misione të ndryshme diplomatike jashtë vendit.
 
17-Në 7 maj 1942, Mustafa Kruja e emëroi Eqrem bej Vlorëm ministër për Kosovën, Dibrën, Plavën e Gucinë që iu bashkuan Shqipërisë “së vjetër”.
 
18-Në verë të 1944, Eqerem bej Vlora emërohet ministër i Jashtëm dhe ministër i Drejtësisë. Me mbarimin e luftës dhe ardhjen e komunistëve në pushtet ai largohet në Itali dhe më pas në Vjenë.
 
19-Eqrem bej Vlora dhe pse ishte ministër në pushtimin nazist, radhitet mes njerëzve që kanë kontribuar për shpëtimin e hebrenjve nga kërkesat e gjermanëve.
 
20-Pas Luftës së Dytë Botërore, Eqrem bej Vlora u shpall “kolaboracionist” nga qeveria komuniste, sepse ishte Ministër i qeverisë së Rexhep Mitrovicës gjatë pushtimit gjerman.
.
Familja e Syrja bej Vlorës, 1938, Eqerem bej Vlora majtas
Familja e Syrja bej Vlorës, 1938, Eqerem bej Vlora majtas

21-Vajza e tij, Ajnisha, në një intervistë botuar në media ka thënë se pas largimit nga Shqipëria “babai kishte shkuar në Itali, ku vazhdoi të qëndrojë për 10 vite, duke punuar si Gazetar në Rai Uno. Në kohët e para nuk dinim asgjë, përveçse që ishte gjallë, sepse të gjitha letrat a pakot që niste ktheheshin mbrapsht”.

22-Ai ishte një mik i ngushtë i baroneshës bavareze Marie Amelie Freiin von Godin, me të cilën ai përktheu Kanunin e Lekë Dukagjinit në gjermanisht.
 
23-Eqrem bej Vlora nuk ishte vetëm diplomat dhe politikan, por kishte pasion edhe gjuhët e huaja. Beu i Vlorës dinte të shkruante dhe të fliste rrjedhshëm në 11 gjuhë të huaja.
 
24-Më 1925 i dha fund beqarisë, u martua me Hadijen – të bijën e Salih pashë Vrionit. “Ishte një martesë me mendje dhe jo me dashuri”, shkruan në kapitullin e librit “Kujtime”, ‘Beu i fundit’, por e quan “zgjedhje të qëlluar dhe fatlume”.
 
25-Eqrem bej Vlora me Hadijen pati dy vajza, Shehzaden dhe Ajnisha. Gruaja dhe vajza e madhe (Shehzadja) vdiqën në Kavajë, ku ishin internuar nga regjimi komunist.
 
26-Eqrem bej Vlora ka pasur një sërë titujsh aristokratikë, ndërçta mund të përmendim: 1907-Kalorës i Urdhërit të Leopoldit Belgjikë; 1908-Medalje e fushatës Edzekaz; 1927-Oficer i Kurorës së Italisë; 1934-Oficer i Urdhrit Karagjergjoviç; 1935-Oficer i Yllit të Rumanisë. 1942-Kordon i madh i Urdhërit të Skënderbeut.
 
27-Gjithashtu Eqrem bej Vlora ka pasur edhe një sërë titujsh shkencorë, ndër ta mund të përmendim: 1935-Anëtar i Akademisë së Shkencave Gjermanike Humbold. 1935-Medalje Ari e Akademisë së Shkencave Gjermanike Humbold. 1936-Anëtar i Akademisë Diplomatike-Paris. 1941-Anëtar i Institutit të Shkencave – Tiranë. 1954-Anëtar i Institutit të Shkencave – Romë.
 
28-Mes pasurive të Eqrem Bej Vlorës ishte Biblioteka e famshme, e cila u dëmtua pas vitit 1944. Në vitin 1914, në bibliotekën e Eqrem Bej Vlorës ndodhej një fond prej 14.640 vëllime në gjuhët arabisht, turqisht, gjermanisht, italisht, greqisht, shqip. Në të kishte dorëshkrime të rralla arabe, libra fetarë si Kurani, Bibla etj. Çlirimi i qytetit të Vlorës në 15 tetor të vitit 1944, shënoi edhe fillimin e procesit të dëmtimit pa kthim të bibliotekës së njohur të familjes Vlora.
 
29-Eqrem bej Vlora ka shkruar kujtimet e tij në dy vëllime në gjuhën gjermane, botuar pas vdekjes si “Lebenserinnerungen” (“Kujtime”), Mynih 1968, 1973, të cilat japin pasqyrë interesante në botën e një fisniku shqiptar të fillim shekullit të 20-të. Ky libër është vlerësuar jashtë mase për stilin e tregimit, vetëkritikës, por që jep më së miri historinë e Shqipërisë në ato vite.
 
30-Në vitin 2014, në ditën e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta, eshtrat e Eqrem Bej Vlorës u prehën në Kaninë të Vlorës, pas sjelljes së tyre nga Vjena, me interesim të qeverisë shqiptare dhe kontributin e të afërmes së Beut të fundit, Hana Këlcyra, dhe familjareve te tij: Ajnishes dhe Ervin Vlores. Në këtë mënyrë u përmbush amaneti i Eqrem bej Vlorës që kishte lënë porosi të varrosej në vendlindjen e tij.
.
Marrë nga Tirana Observer, 07.07.2016
.
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.