back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Erdh koha me t’i shkye shtatë lkura… Cikel Poetik nga Donika Dabishevci

Gazeta

Donika Dabishevci
Donika Dabishevci

Erdh koha me t’i shkye shtatë lkura…

Cikel Poetik nga Donika Dabishevci

Donika Dabishevci asht nji lexuese e thellë dhe e guximshme e vetvedit…
Ajo udhëton përmes fjalës së thukët në krejt relievin e saj emocional
pa iu trembë as majave dhe as humnerave.
Ajo asht njiherit kangtare e mishit të përvluem pasioni
po edhe e nuancave të holla t’nji shpirti puplor,
gjithnji të shpalosuna me nji vel të admirueshëm misteri.
Sensualiteti i saj poetik shfaqet hera herë si nji lojë tejet e rrezikshme,
pse mjafton pak çekuilibër me u rrëzue në t’randomtë e banalitet.
Sensualiteti poetik femënor në nji shoqni me frymë maskiliste kërkon guxim poetik,
që jo shumë kush e ka, pse s’asht fort e lehtë me e pa vedin
n’lakuriqsinë e pasqyrave dhe me u ndje sa e përndritun aq edhe e pranueshme…
Donika Dabishevci lexohet me andje dhe mund të thuhet
se Poezia e saj përtej guximit artistik ka edhe mjaft ngrohtësi njerzore,
çka e ban ndjeshmërinë e vargjeve të saja
me jetue jashtë peshës gravitacionale të paragjykimit…
Për sot, Dabishevci asht e krahasueshme veç me vedin…!
jozef radi, shtator 2017

.

"me t'marrë e me t'dhanë e me pa dillin mbi kry tuj zdritë veç për ty..."
“me t’marrë e me t’dhanë e me pa dillin mbi kry tuj zdritë veç për ty…”

Dashunis’ së nji nate

Erën tande nuhas
trupi lehtë m’dridhet
zemra m’rreh ngadalë
prej tutës që s’ke me ardhun
mos gabo
se shpirti copë do t’mbahet
e ma e fortë se deka
âsht dëshrimi jem për ty
.

***

Due me bâ
tuj kanë
n’nji shkretinë të paanë
a n’nji ishull plot det
ku dallditë frymojnë
n’fillin e vet
n’zall e n’lloç
n’ujë e n’djersë
n’natë me yje e hanë
 
T’due si s’kam dashtë
kurrë
asnjiherë ma parë
dashni soji t’bâjmë
pa fjalë e andrra
veç afsh
 
Kurrë s’t’kam thanë
se ti je hamshor
e unë harlisun jam
për gjâ tjetër n’ket jetë
zhig s’më mbet’
prekmë
pa fjalë
për net pa gjumë
ta bâjmë
.
"...ke me i gjujtë maskat e vetëmohimit..."
“…ke me i gjujtë maskat e vetëmohimit…”

***

Due me iu dhanë natës
qysh i jepet nana fmisë
pa asnji fjalë
asnji peng
asnji kusht
 
Due me t’pas’ krejt,
t’zhveshun
dej n’asht
e me vlu,
e me u shkri
me shpërthye
e me kanë e lumtun
veç që jam n’këtë botë
veç që jam me ty
sall për ket çast
kam me luftue dej n’frymë t’fundit
.

***

Bash s’due me t’pa ma
me ndie dhimtën e ndamjes dej n’asht
me e pa lamshin e zanun n’fyt lak
frymën tuj m’u përbiru
e trupin tuj m’lshu
 
Bash du me çue dorë prej teje
.

Kryqzueme para tij

Jam krejt e brishtë
kur ftyrë e tij m’zen ninëzat
 
T’dridhmet trupit
ma zi se t’rrnqethunat dimrave t’acartë
 
Krejt n’gjamë, plotë frymë,
humbun n’valë jam,
nji shej’, nji rreze, nji dritë tuj pritë
Fort u qindron tundimeve t’mija
ai i mbështjelluni me diell n’flok
 
Prej syve, mollzash, poshtë buzve tan’ musht
kryqzueme e zbrapsun para shenjtnisë s’tij
 
S’jepet ai,
luftar mitik që s’njeh dorëzimin
 
Dashnia n’mu veç vjen e rritet
se e du fort e i falem veç t’pajepshmes.
.
"...kryqzue e zbrapsun para shenjtnisë s'tij...!"
“…kryqzue e zbrapsun para shenjtnisë s’tij…!”

Mllefosun hana n’ty

Shih, hana është dhezë
shigjeta dhimte plot mllef
dëshprueshëm gjuen n’ty
oxhaktë e shpijave
s’lshojnë tym prej mërzie
za fmishë s’nihet mrena aty
 
Ngo, britmën e shelgjeve
fërshllimë t’egër
gjethet kanë marrë
piskamë e erës
qiellin plasaritë
mos qëllofsh udhësh
o i mjerë shtegtar
 
T’bajnë za
me e nxerrë atë zemër miu
prej sëndukut t’vjetër
ku e ke mshefë
me dalë prej burgut
që ja ke maru vetes
me marrë ni udhë,
me rrnu a me dekë
 
Unë i rri dashjes teme patundun
s’ke me m’pshtue
n’metsh mas ksajna gjallë
kur t’qetohet ajri
n’dalsh prej ksaj terrine
ke me ndi gulçimën e trupit t’marrë.
.

Kur ke me u dorëzu

Naj fillim vjeshte si kjo
ke me i gjujtë maskat e vetëmohimit
e ke me ia dhanë lirinë gjuhës
gjethet pezull kan me mbetë n’ajr
prej burrnisë tande tek ke me u zanë vend
qilim tokës tue u shtri
 
Ke me i çjerrë faqet si vajtojcë
s’ke me u nalë s’menuemi mortin
e as zot e as hyjni s’kanë me u pa
para atij gzimi kur ke me kanë vetja
 
Pa flamuj t’bardhë,
e di,
ke me u dorëzu
sytë kanë me i thanë krejt
para se shpirti me folë
ke me i lshu frenat e tij
n’krejt detnat e ksaj bote
ke me u shkri
ke me i marrë brigjet,
ke me vërshu
atë ditë vjeshte kur kam me t’pasë ty.
.

"...sytë kanë me i thanë krejt para se shpirti me folë..."
…sytë kanë me i thanë krejt para se shpirti me folë…”

N’atë t’përveçmen ditë

Nji ditë n’përveçmëninë e saj
papërtueshëm kam me ta dhanë kumtin
se erdh koha me t’i shkye shtatë lkurat
si rrangalla t’vjetra me t’i thye,
e me t’i gjujtë edhe lëvozhgat e shpirtit
tuj gërmue me e gjetë palcën
e naj vishkull drite n’sy.
 
Nadje heret masi t’jen mpi gjymtyrtë
kam me t’pa zbuluet tan’ paqtim
qielli ka me dënesë prej gëzimit
shiu ka me gjallue edhe rrasat e vorreve
n’zogj t’hareshëm ka me i kthye
e sytë e gjelbër kanë me lulzue.
 
Nji ditë n’përveçmëninë e saj
.

Udhës kah ti

Nisem drejt teje
si drejt preje
me t’u vërsulë
me t’u dhanë
e me t’lanë.
 
Por, nisi me u qetu bisha
e zemra me bo t’veten
tu’ u gzu se je k’tu veç për mu
e jasht meje nuk ekziston.
 
E nisa me ta puth synin ngadal
me t’bo t’lumtun n’kët’ mëngjes
me t’marrë e me t’dhanë
e me pa dillin mbi kry tuj zdritë veç për ty.
 
T’i du sytë e qeshun
edhe kur qiell e tokë lutesh me t’nxanë
du me t’pa k’shtu
ose si trofe t’varrosi me ritual pagan
e shnoshna prej teje
njiherë e përgjithmonë.
.
Donika Dabishevci
Donika Dabishevci

Donika Dabishevci ne pak rreshta

Donika Dabishevci (1980) u lind në Prishtinë. Fakultetin dhe Masterin në Letërsi Shqipe i ka përfunduar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 doktoroi në Universitet të Tiranës, po ashtu në Departament të Letërsisë me temën “Proza poetike në letërsinë shqipe”. Ka punuar si redaktore në RTK, dhe profesoreshë e letërsisë në njërin nga universitetet private në Prishtinë. Sot drejton portalin www.gazetaobserver.com.
Ka botuar këto libra:
“Krizantema të plasura” (1996)
“Imazhe të brishta” (2004),
“Proza e poetizuar – F. Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari” (2015)
“Kam me ardhë si deka” (2015).
Botohet së shpejti në Romë përmbledheja poetike “Kam me ardhë si deka”/ La tua robinja” përkthyer nga Gëzim Hajdari, botuar Edizioni Ensemble.
Me punimet e saja ka marrë pjesë në dhjetëra seminare e konferenca të fushës së albanologjisë.

.

Donika Dabishevci - La tua Robinja  - Ensemble Editore
Donika Dabishevci – La tua Robinja – Ensemble Editore

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.