back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Erenestina Halili Gjergji – “Gjama e Eres” – Poezi

Gazeta

 

Erenestina Halili - "Gjama e Eres" - Poezi
Erenestina Halili – “Gjama e Eres” – Poezi

Erenestina Halili Gjergji –

“Gjama e Eres” – Poezi

Kohë ma parë
ndesha n’do vargje shtojzovallesh,
për të cilat m’u desht me e ndalë mendjen
e me e mbajtë frymën…
e u shtyva me besue se poezia ndër shqiptarë
asht e shtrenjtë po aq sa buka,
asht e vyeshme po aq sa ujnat  
e çmueshme sa dielli që i jep shpirt gjithçkafjes…
Poezia ndër ne asht binjake me njat Zotin e Madh,
që ka mujtë me na mbrritë gandull deri n’ditë t’sodit,
njashtu n’dritë të pashprishun prej së keqes,
e shumë prej poezive të kësaj zoje
të panjoftun e aq shumë të njoftun
nji ditë kanë më ju bindë  edhe Ju tjerve n’fjalë të mia,
Sot unë mundem veç me thanë:
Mbani mend: Asht tuj ardhë Era…!
jozef radi, 22 e gushtit 2016

Autorja Erenestina Halili Gjergj duke folur për "Gjamën" e saj...
Autorja Erenestina Halili Gjergj duke folur për “Gjamën” e saj…

Gjama e Eres – Kopertina e Pasme e Librit

Akademiku Gjovalin Shkurtaj
Akademiku Gjovalin Shkurtaj

Më gjeti edhe mua me vjershat e Erenestinës, si Darën  e Ri me të bijën e Lalës, që e çoi “në monë e shkuom”.
Janë të bukura, plot me gdhenj e gjurmë të një etnografie të foluri të hershme e tashmë gati të harruar. Poetja gërmon në folklorin e zonës dhe sjell së andejmi motive e leksematikë shumë të bukur, por edhe jo gjithmonë të kuptueshme për brezin e ri, besoj edhe për shoqet e saj të njëmoshe, me të cilat tashmë ndan sukseset e detyrat në katedër a department. Ç’ta ketë shtyrë këtë zonjë, mbas një përvoje të mirë e relativisht të gjatë në lëmin e gazetarisë e të letrave, me tituj të mbrojtur e çmime të fituara për shkrimtari e gazetari të realizuara në shqipen standarde, të shkruajë poezi në dialekt dhe as në gegnishten tradicionale, por në një të folme anësore e gati prej shumëkujt edhe të harruar? Pra, a kemi një ikje ekzotike “larg rrëmujës e rrëmetit”, apo një sprovë për të këndellur sende “rrëgjata”, të ndryshkura, por që kanë vlerë të madhe, pikërisht si gjetjet e hershme në zbulimet arkeologjike(?!).
Akademik Gjovalin Shkurtaj

Dr. Shefkije Islamaj
Dr. Shefkije Islamaj

“Në historinë tonë, në kujtesën tonë vetjake e kolektive, më së lehti hyhet me gjuhën. Me poezinë e saj, Erenestina Halili nuk shkruan histori, as të veten e as të popullit të saj, ajo ndriçon artistikisht ngjarje dhe fakte, zbërthen e kuptimëson gjendje që lidhen me këto ngjarje dhe fakte.
Në poezinë e saj, ajo nuk e ka paraqitur Dukagjinin e vet në lashtësinë e në të sotmen e tij fizike e gjuhësore, por ai i ka shërbyer si bazë e formësimit të botës së saj të pasur artistike, i ka shërbyer për të na bindur mjeshtërisht se gjithçka ndien e provon ajo, kemi ndier dhe përjetuar edhe ne, për të na siguruar se ajo jeton e mendon njëmendësisht me shpirtin dhe me krenarinë e tokës së saj dhe me frymën e shpirtin e idiomës së vet gjuhësore, kurse, siç na është e njohur, çdo idiomë gjuhësore, sado e vogël qoftë, përmban në vete një botë të veçantë, unike, me të cilën mbahet ajo, me të të cilën subjekti poetik riprodhon kujtesën e vet, trashëgiminë e vet gojore e materiale, në vërtetë me të cilën shpreh gjallësinë e shpirtit të vet. Këtë të vërtetë na e dëshmon qartë e bukur poezia e frymëzuar e Erestina Halilit.
Prof. Dr. Shefkije Islamaj

Adem Gashi - Shkrimtar
Adem Gashi – Shkrimtar

Këtë vit më bëjnë ta mbaj në mend tri poetesha: Enkeleda Ristani, Entela Tabaku Sorman dhe Erenestina Gjergji Halili. Kjo e fundit, duke u personifikuar si Era, na e solli në strukturë kompakte librin Gjȃma e Erës që nis me N’t’mjellun e sos me N’t’korrun. Në njëfarë formë sekush sjell një kumt në lirikën e tij, po kumti i Erenestinës i jep zë Erës, Dheut e Gjâmës. Ajo nuk është Fatthëna, po bija e gjëmimit të kohërave që end fijen e perit të arkeologjisë poetike e na mbështjell shpirt e mendje e zemër me pëlhurën qefin e vello njëkohësisht. Gjetje konstruktesh, formash e idiomash vijnë e bëhen qëndisma të këtij qilimi magjik. Midis këtij hutimi gjëma na bëhet klithmë dhe s’kemi sesi të mos pyesim: Erenestina, ku paske qenë!?
Adem Gashi, shkrimtar

Dr. Murteza Osdautaj
Dr. Murteza Osdautaj

Një libër që të përçudnon me lashtësinë, finesat gjuhësore e figurative dhe me modernitetin tematiko-stilistik. E thurur dhe konceptuar si ringjallje, ajo ta sjell afër gjuhën e Buzukut, Fishtës e Camajt, por që tematikisht dhe perceptimisht krahasohet me perlat poetike të Shkrelit. Një libër, që mëton të sjellë ligjërimin e lashtë dhe fjalët harruara gegnishte, ajo të ngjan me Biblën dhe aftësinë e saj të përhershme për përtëritje kuptimore dhe semantike. Libri Gjáma, është një inkarnim i shpirtit antik ilir, i mitologjisë shqiptare dhe i të menduarit filozofik antik.
Dr. Murteza Osdautaj

Të gjitha baladat e marra në analizë, Gjibardha, Legjenda e shqipes, Kulçedra, Binak’t, Bjeshka, Legjenda, Gjyshënve, Gjama, rrinë në këmbë mbi narracion, e autorja luan rolin e ndërmjetësueses, për te lexuesi. Autorja shërben si ndërmjetësuese, por edhe vetë identiteti (kulturor, trashëgimor) kuptohet si ndërmjetës (idem), pikërisht atëherë kur zëvendëson identitetin e kuptuar si vetvete/vetvetja (ipse), ku dallimi mes idem dhe ipse, nuk është gjë tjetër veçse identifikimi themelor i identitetit narrativ. E, ky, duket se është edhe qëllimi kryesor i autores: ngrehja e përhershme e kullës së të parëvë ndërmjet identitetit narrativ, kulturor dhe përmbajtësor. E, prof. Erenestina, ia ka dalë të ngrehë kullën e saj të përjetshme të baladave, duke sjellë jo vetëm rrënjët e shpirtit të saj, por edhe duke i mbjellë ato të përjetësi.
Dr. Alma Dema

Jozef Radi
Jozef Radi

Poezia e Erenestinës, edhe pse e tevonë, hyn te akumulimet e thella shpirtnore që nji ditë e kërkuen dhe e gjetën shpërthimin. Ajo guxoi me iu drejtue poezisë e me e kërkue prej saj dritën e përroit të nënndërgjegjes, me e shfaqë krejt at botë që kishte jetue si ndrydhje mbrenda saj. Me trajta e forma aq të larmishme letrare, prej primitives primordiale deri te modernia abstraguese, ajo mbrrin Olimpin e vet letrar, duke i dhanë përmasa të reja fjalës, fjalisë dhe mendimit. Kambanat e mshehuna në shpirtin e saj të përcjella me nji dritë të pashoqe përmes vargjesh kanë me gjetë gjithnji e ma shumë vemendje e kanë me grabitë gjithnji e ma shumë lexues!
Jozef Radi, shkrimtar

Agron Y. Gashi
Dr. Agron Y. Gashi

Poezia e Erës ka palcë etnie, gjuhë dhe figurë autentike. Poezia e saj s’është vetëm varietet gjuhësor, është idiolekt, gjuhë e atësisë, etnotekst. Poezia e saj është monument për gjuhën, revoltë, por edhe stil i të jetuemit. Ajo është lëngatë dhe shërim, luftë dhe ngadhënjim! Gjâma e Erës, është një autopoetikë figurale, përtej saj shtrihet antropoetika si konfesion i përhershëm, që e ndjek si hije kudo në jetë dhe në letra.
Lexues, po (ri)kthehet Era e Poezisë!
Dr. Agron Y. Gashi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.