back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Erina Çoku – dhe Opusi i saj poetik – Trilogjia “Frymë” – 2022

Gazeta

Erina Çoku – Trilogjia “Frymë” – 2022

Erina Çoku – dhe Opusi i saj poetik – Trilogjia “Frymë” – 2022

Trilogjia “Frymë” gjendet në libraritë “Adrion” dhe “Albania”.
Titujt e veprave:
“Fill” – “Rrëfime të vogla për shenja të mëdha” – “Jemi gjallë gjer në mbrëmje”

Kopja e parë e trilogjisë u shkoi në duar prindërve e fëmijëve të mi, dashuria e sakrifica e të cilëve më dha jetë, frymëzim e kohë për të shkruar. U falem!
Syri i parë (veç meje) që ka rënë mbi të tria veprat është ai i botuesit “Jozef”, Aurel Kaçulini.
Mirënjohëse këtij njeriu fisnik, fjalëpakë e punëshumë, që mori përsipër botimin e një trilogjie poetike; që me vetëm një fjali “silli librat, të fillojmë punën me to” më hoqi nga supet barrën e fatit të tyre dhe më bëri të mos ndihem vetëm në vizionin tim për to; që u kujdes për të në detajet më të imta, me qetësinë e delikatesën që poezia do (e natyrisht me durimin që redaktimi prej meje kërkon). Ndihem me fat!
Faleminderit “Botimet Jozef”, qoftë e mbarë kjo udhë e poezisë sime përmes jush te lexuesi!
E lexofshi me dashuri!

Erina Çoku
Erina Çoku

Dy fjalë lexuesit

I dashur lexues,
“Fill”, “Rrëfime të vogla për shenja të mëdha” dhe “Jemi gjallë gjer në mbrëmje”, janë tri vepra poetike të mëvetësishme, të cilat të marra së bashku formojnë një të tërë – trilogjinë “Frymë”.
Kjo jetë është një udhëtim. Jemi duke udhëtuar pandërprerë në gjithçka: në kohë e në hapësirë, gjithmonë shtegut për diku, gjithherë diçka duke bërë. Një cikël udhëtimesh, udhësh, që nga rrethi në rreth të çojnë, ku? Nëse jemi me fat, të gjitha udhët na çojnë më lart, më larg, por në rastin më të mirë, ato në fund kthehen te vetja e te gjithësia që na rrethon, shkrirë në një.

“Fill” është përpjekja e parë dhe më e vështirë e këtij udhëtimi nga vetja – te vetja – përmes vetes, drejt gjithësisë. Një përpjekje për të çarë koracën, për të dalë gjallë, shëndoshë e mirë dhe për të vijuar udhëtimin. Përpjekje, e cila zhvillohet e bëhet një betejë e madhe për të mbijetuar, për të jetuar. Është një kapje në një fill, në cilindo fill, për gjallim: për të dashur e për t’u dashur; për të njohur e për t’u njohur.
E gjitha kjo, duket si një përvojë e parë e njohjes me botën. Por jo. Unë e quaj një përpjekje për t’u gjetur së brendshmi, për të kuptuar anatominë e vetes (duke shmangur kështu autopsinë e vetes), pasi thellë-thellë, ky udhëtim (kjo njohje) është e vetmja njësi matëse që na është dhënë për të kuptuar botën e të tjerët, dhe për t’u vendosur në një vend më të qëndrueshëm në hapësirën e këtyre dy të fundit.
Filli shumë i hollë (gati i padukshëm) që mund të shenjojë jetën tonë si shpëtim a mbrojtje, shpesh mund të jetë një fjalë, një ndijim (sytë e dikujt, dora e prindit, zëri i fëmijës), një lule, pemë a gur a veç një dritëz, që në dëshirën për t’u mbushur me frymë, merr një fuqi hyjnore.
Përpjekja për të dalë në breg, për t’ia dalë dallgëve e për të mbetur gjallë ka një adrenalinë, një dhembje të shkëlqyer forcuese dhe është e vetmja mënyrë për t’u lindur, mes dhembjes, frikës e të qarave. Këtë e kemi provuar ditën që lindëm, por nuk e mbajmë mend, edhe pse është një model që e përdorim gjatë gjithë jetës për të mbetur në jetë e për t’u rilindur, nëse është nevoja.
Libri “Fill” dëshmon rënien e krijesës në ujë dhe daljen e saj në breg shëndoshë e mirë, me ndihmën e një filli që përgjat udhëtimit, lundrimit, betejës merr forma e rëndësi të ndryshme, por mbetet gjer në fund shpëtimtar.

“Rrëfime të vogla për shenja të mëdha” është rrethi tjetër i gjallimit. Kapja pas jetës, frymës dhe gjetja e fijeve që na mbajnë gjallë, mbeten pjesë e mënyrës sonë të funksionimit, por duke hyrë në një fazë të re frymimi unë përpiqem të rrëfehem, të dëshmoj.
Prej daljes gjallë, kërkohet mbetja gjallë, njohja e frymës me qëllim ruajtjen e saj. E gjitha në përpjekje për t’u afruar me hyjnoren, universin. E gjitha, duke ndier veten si pjesë të së tërës dhe të tërën si një mëvetësi të papërsëritshme.
Janë rrëfime të lëna në libër (ku libri bëhet fryma vetë, ëndrra, zemra, tempulli etj.) që tregojnë se gjithçka që prekim e na prek lë shenjë në ne (e anasjellë), ndërkohë që pranojmë se ne vetë jemi një shenjë në gjithësi.
Vetëdijesimi se jemi gjallë për pak kohë na tremb, por pajtimi me këtë cikël jete që ka fillim e mbarim, si pjesë e një tjetër cikli që ka fillim e mbarim (ku mbarimi i diçkaje bëhet fillimi i një tjetre) është një lloj fuqie tjetër. Një fuqi e re që siguron paqe, qëndrueshmëri dhe ndoshta një shteg për të mbetur gjallë dhe për t’u pajtuar me gjallimin vetë.

Erina Çoku – Trilogjia “Frymë” – 2022

“Jemi gjallë gjer në mbrëmje” matet me kohën e pakohë të jetës dhe plotëson, por nuk e mbyll udhëtimin e frymës në tempujt që i kemi gjithmonë me vete: trupin, shpirtin dhe hapësirën mes tyre. Një udhëtim i vetëdijshëm përbrenda, i zhvilluar në kohë paqeje e kërkimi shpirtëror: kohë kur plagët shkaktuar prej furtunave tashmë të mbyllura vijojnë të krijojnë një hartë force e shëndeti në trup e shpirt.
Ky udhëtim, tashmë i shkarkuar nga nocioni kohë dhe hapësirë, dëshiron të rrëfehet prej meje si një e tashme (lexuar në të shkuarën dhe dëshmuar në të ardhmen) ku dëftej pa frikë banesat e mrekullueshme ku unë si udhëtar kam gjetur strehë përtëritëse: vetminë, dashurinë dhe përsiatjen (që poetikisht e kam emërtuar në këtë vëllim “qyteti i ideve të kulluara” – “vend” imagjinar për t’u menduar e kthjelluar).
Koha jonë është e kufizuar, koha për të gëzuar të gjallët është e kufizuar. Ne jetojmë sot, duke e ditur se ka mbarim, por edhe identifikohemi si një premtim për të nesërmen, që do të bëhet një e tashme. Nuk e dimë si, nuk e dimë kur.
A është e bukur vetmia? Është pjesë e jona, po aq sa edhe dëshira për të mos qenë të vetmuar. Kuptimi me vetminë, kalimi i shtruar dhe i qetë (aq sa është e mundur) nëpër të, çon në një vetëdijesim të ri, në një gjendje të re që lajmon aftësinë tonë për të dashur e për t’u shkrirë me tjetrin e gjithësinë.
Një bashkudhëtar fantazmagorik, si Uka: një Û (uri), Ujë (mëkim), Uk-Ujk (zjarr e Tokë) dëshire e dashurie, sa i vërtetë – sa i shpikur, në një ëndërr e zhgjëndërr jete, është dëshmi rritjeje shpirtërore të gruas brenda gruas, të burrit brenda gruas, të botës që rri ndërmjet të dyve, të njeriut që edhe në vetminë e tij më të skajshme nuk është asnjëherë vetëm.
Një bashkudhëtar, si Zoti i kudogjendur, si njeriu i dashur, si tjetri a si Toka e Qielli, përplotëson universin dhe mua vetë, teksa kërkohem e gjehem – copëz gjithësie.

I gjithë libri është një dashuri historie shpirti dhe ashtu siç ndodh në një histori dashurie, ai dëshmon: kohën e vetmisë që çon në një kohë kërkimi dashurie; njohjen e dashurisë që çon në njohjen e trupit, shpirtit; dashurinë që fitojmë për gjithsej na rrethon.
Secili vëllim ka diçka nga vëllimi tjetër: një farëz e mbjellë në vëllimin e parë, me shumë gjasë çelet plotësisht në vëllimin e dytë ose të tretë; një perceptim i nisur në të dytin merr formën e vet të plotë në të tretin; një trajtë kuptimore e nisur në të parin përfundon në të dytin a të tretin; një cikël në vëllimin e tretë e ka zanafillën në të parin e kështu me radhë.
Brenda tri rrathëve ka sa e sa rrathë të vegjël që t’i vetë do t’i zbulosh bashkë me mua.
Uroj ta lexosh me dashuri e të gjesh diçka nga vetja!
Erina

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.