back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Ernest Koliqi: agjent i huaj, antishqiptar apo shqiptar i vërtetë, antikomunist? – nga Erald Kapri

Gazeta

Ernest Koliqi i ri (1903-1975)
Ernest Koliqi i ri (1903-1975)

Ernest Koliqi: agjent i huaj, antishqiptar

apo shqiptar i vërtetë, antikomunist?

nga Erald Kapri

Mungesa e studimeve profesionale dhe sistematike mbi historinë tonë, ka lënë vend për spekullime nga “historianë” amatorë apo kureshtarë ambulantë, disa prej të cilëve kanë qëllim jo të vërtetën, por sensacionin apo prapavijat politike.
Shenjestra e këtij sensacionalizimi me historinë janë bërë këto ditë Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, dy figura të rëndësishme të letërsisë dhe antikomunizmit shqiptar, akuzuar respektivisht për bashkëpunim me shërbimet sekrete të huaja dhe ish-Sigurimin e Shtetit.
Akuzat ndaj Koliqit dhe Camajt nuk bazohen mbi veprime konkrete të tyre, nuk bazohen mbi fakte të asaj që ata kanë bërë apo thënë; secila është ngritur nisur nga një dokument i vetëm i shërbimeve sekrete, me informacion indirekt, të hamendësuar, pa fakte apo prova për veprimtari informimi ndaj agjenturave nga Koliqi dhe Camaj.
Dokumentacioni i CIA-s i periudhës 1945-1960 është deklasifikuar pothuaj i gjithi nga qeveria amerikane dhe mund të hulumtuhet nga çdo kush.
Historianët kanë paralajmëruar se, përveç domosdoshmërisë së hulumtimit metodik të së kaluarës, trajtimi i informacionit të shërbimeve sekrete duhet bërë me shumë kujdes: këto informacione nuk janë të besueshme, veçanërisht raportimet e informatorëve sekretë, të cilët shpesh gënjejnë apo japin informacione të pasakta. (Vetë CIA ka deklaruar se nuk garanton dhe nuk mban përgjegjësi për vërtetësinë e informacioneve operative që ka deklasifikuar).
Ky paralajmërim i historianëve nuk është dëgjuar nga hulumtues amatorë apo spekulantët sensacionalë, që duke përfituar nga moria e informacionit sekret që tashmë gjendet kudo, po përhapin të pavërteta dhe shtrembërime historike.
Ernest Koliqi, një nga intelektualët shqiptarë me me ndikim në perëndim, ka qenë nën shenjestrën e CIA-s qysh në fundin e viteve 40-të.
Në një nga raportet e para për të, më 1950, CIA nënvizonte se Koliqi “është një nga më të shkolluarit dhe ndoshta më inteligjenti mes komunitetit shqiptar në Romë. Politikisht është antikomunist, por pro-italian. Nuk ka preferencë mes monarkisë apo republikës, por advokon vetëm për Shqipëri të lirë dhe të pavarur”.
.
Ernest Koliqi - dhe Piana degli Albanesi
Ernest Koliqi – dhe Piana degli Albanesi
Përshkrimi i CIA-s për Ernest Koliqin: Fragment nga materiali i CIA-s për Ernest Koliqin
CIA e ka mbajtur nën vëzhgim Koliqin, gjatë gjithë kohës që ai jetoi në Romë, pas largimit nga Shqipëria më 1943.
Në vitin 1946, Koliqi dhe mërgimtarë të shquar shqiptarë në perëndim, përfshi Gjon Markagjonin dhe Ismail Vërlacin, krijuan Bllokun Kombëtar Indipedent, një nga tre grupimet kryesore antikomuniste të mërgatës shqiptare.
Një grup tjetër mërgimtarësh formuan Komitetin Shqipëria e Lirë, drejtuar nga Mid’hat Frashëri, ku bënin pjesë edhe Abaz Kupin, Said Kryeiu, Zef Pali dhe Nuçi Kotta; ndërsa një grup i tretë krijoi Komitetin e Prizrenit në ish-Jugosllavi, i cili ishte nën ndikimin e qeverisë jugosllave.
Amerikanët dhe britanikët u investuan fillimisht në Komitetin Shqipëria e Lirë, ndërkohë që ishin pesimistë dhe mbajtën nën vëzhgim dy grupet e tjera, për shkak se anëtarë të tyre kishin shërbyer në administratat nën pushtim në Shqipëri dhe mund të ishin pre e propagandës.
Me vdekjen misterioze të Mid’hat Frashërit, në fundin e 1949-së, amerikanët vendosën që të investohen tek Blloku Kombëtar Indipendent që kishte udhëheqës shpirtëror Ernest Koliqin.
Për këtë qëllim ata ndërmorën dy operacionet e para informuese mbi mërgatën shqiptare dhe ndikimin e Koliqit mes shqiptarëve të arratisur, të koduara “Obstacle” dhe “Charity”.
Si pjesë e këtij operacioni, më 1953, CIA mori një raport nga një burim konfidencial i saj, punonjës i Qendrës së Mynihut në Romë, mbi veprimtarinë e Koliqit. Ky raportim, një dokument i vetëm, është përdorur për akuzat kundër Koliqit.
Sipas raportimit, një gjerman i quajtur Karl Hass, i cili kishte qenë funksionar nazist dhe që në atë kohë punonte për shërbimin sekret të Republikës Federale Gjermane, kishte krijuar kontakt me Koliqin dhe dyshohej se mund ta kishte përdorur atë për të marrë informacione mbi përbërjen e mërgatës shqiptare.
Raporti i informatorit të CIA-s pretendon se Hass ishte agjent i dyfishtë, i cili punonte për sovjetikët, duke hamendësuar se ai mund t’u kishte kaluar sovjetikëve edhe informacione të mësuara nga Koliqi mbi mërgatën shqiptare.
Në raport, informatori i fshehtë i CIA-s shprehej, gjithashtu, se Koliqi ishte i gatshëm të jepte informacion për shërbimet gjermane kundrejt një pagese.
Kaq është i gjithë informacioni dokumentar, që është përdorur për të akuzuar Koliqin se ka bashkëpunuar me shërbimet gjermane apo KGB-në sovjetike – një dokument i vetëm informatori operativ, indirekt, hamendësor, i cili madje nuk e akuzon dhe as nuk aludon për Koliqin si agjent, por vetëm se mund të ishte përdorur miqësisht, pa e ditur, nga një agjent i supozuar gjerman.
Në të vërtetë, CIA nuk e besoi se Koliqi mund të kishte rënë pre e KGB-së sovjetike apo që mund të punonte për shërbime të tjera. Këtë gjë e provon fakti se një vit më pas, CIA i besoi Koliqit drejtimin e një prej projekteve më të rëndësishme që ajo ndërmori për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.
Pas dështimit të operacioneve të para të lëshimit të desantëve në Shqipëri, për nxitjen e kryengritjes kundër regjimit, realizuar përmes Kompanisë 4000 dhe britanikëve me operacione nga Malta, amerikanët vendosën në rend të parë Bllokun Kombëtar Indipent (BKI) që ishte nën ndikimin e Koliqit.
CIA lëshoi operacionin Obdurate, me pjesëmarrjen e nëntë agjentëve shqiptarë anëtarë të BKI-së, të cilët kishin qënë më të sukseshëm se të tjerët në terren, në veri të Shqipërisë. Suksesi i operacioneve të tyre dukej se kishte të bënte me bashkëpunimin e me shërbimin italian që dukshëm kishte më shumë njohje dhe përvojë me shqiptarët.
Ernest Koliqi ishte në qendër të operacionit duke u kthyer në mbështetjen kryesore të amerikanëve. Operacioni Obdurate vendosi të japë një shpërblim prej 400 dollarësh në muaj për Koliqin, i cili duhet të shkruante raporte për përbërjen e mërgatës shqiptare dhe të sugjeronte persona të përshtatshëm të besuar për tìu bashkuar me amerikanët në operacionin për rrëzimin me dhunë të regjimit komunist shqiptar.
Agjentët që do të përgatiteshin për t’u hedhur në Shqipëri do të merrnin shpërblim nga 40 dollarë në muaj. Dy shqiptarë të tjerë të paguar për këtë operacion ishin Gjon Markagjoni me 320 dollarë në muaj dhe Iljaz Kraja me 100 dollarë në muaj.
E gjithë kjo mbështetje vazhdoi për rreth një vit, por duke qenë se suksesi në terren i agjentëve për të ndezur pakënaqësi dhe kryengritjen kundër regjimit ishte shumë i kufizuar, amerikanët nisën të humbasin interesin për BKI-në dhe punën e Koliqit.
.
Koliqi - Asdreni - Lasgushi - Tefta Tashko etjerë në Shkodër
Koliqi – Asdreni – Lasgushi – Tefta Tashko etjerë në Shkodër
Në raportet e CIA-s, puna e Koliqit po kritikohej pasi informacioni mbi mërgatën nuk cilësohej i rëndësishëm. Vetë Koliqi i ankohej kontaktit të CIA-s se mësimdhënia në Universitetin e Romës dhe angazhimet e tij intelektuale nuk mundësonin që ai të ofronte informacionet që ata kërkonin.
Pas 14 muajsh, CIA vendosi që Koliqi të shpërblehej me vetëm 80 dollarë në muaj; shpërblimi iu ul në 160 dollarë në muaj edhe Markagjonit.
Shqiptari tjetër, Iljaz Kraja ishte një zbulim i vërtetë për CIA-n, i cili meriton disa radhë. Iljaz Kraja ishte rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit në Romë, por në fakt ai bënte agjentin e dyfishtë, duke i dhënë CIA-s informacioent që merrte nga Sigurimi, në total 63 raporte kundërzbulimi.
Agjentët e Sigurimit në Itali, Skënder Konica, Aleko Shyti dhe Jonuz Mersini, që punonin nën mbulesën e Legatës Shqiptare në Itali, mendonin se e kishin të vetin Iljaz Krajën. CIA dokumenton presionin e këtyre agjentëve të Sigurimit ndaj shqiptarëve antikomunistë të mërgatës, duke i kërcënuar kryesisht me familjarët që persekutoheshin kampeve në Shqipëri.
Gjithsesi, me dështimin e operacioneve për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës, CIA i mbylli krejtësisht marrëdhëniet me Bllokun Kombëtar Indipedent, por jo me Ernest Koliqin të cilin e vlerësonte për punën intelektuale.
Në vitin 1957, Koliqi nisi botimin e revistës më të njohur kultutore shqiptare jashtë vendit, Shejzat, botimin e së cilës e mbështeti sërish CIA, si shpërblim për ngritjen e kulturës shqiptare dhe mbajtjen gjallë të frymës antikomuniste mes shqiptarëve.
Ernest Koliqi u përpoq të jepte një kontribut modest në përpjekjen e perëndimit për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri.
Puna e Koliqit për CIA-n nuk ishte spiunim, por punë e përbashkët në kuadër të një operacioni amerikan për ndezjen e revoltës antikomuniste në Shqipëri. Për këtë punë ai u shpërblye nga amerikanët, si pjesë e e mbështetjes së tyre për Bllokun Kombëtar Indipendent, organziata që mori përsipër operacioin në terren për rrëzimin e regjimit.
Por gjatë gjithë jetës së tij, Ernest Koliqi mbeti një antikomunist dhe shqiptar i madh, i cili nuk i shërbeu askujt tjetër vecse Shqipërisë dhe kauzës së saj.
 –
Shënim: Të dhënat e përdorura në artikull janë nxjerrë nga dokumentacioni i deklasifikuar i CIA-s për Shqipërinë, i cili gjendet pranë administratës amerikane të arkivave (National Archive and Records Administration, Archive II, College Park, Maryland, Box 45-52, OBOPUS/BGFIEND) dhe të dhënat e arkivit britanik në Kew Gardens për operacionin “Valuable” të desantimeve në veri të Shqipërisë..
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.