back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ernest Koliqi dhe “Minerva” e Nebil Çika – 1933 – dy pamje

Gazeta

Ernest Koliqi i ri (1903-1975)
Ernest Koliqi i ri (1903-1975)

Ernest Koliqi dhe “Minerva” e Nebil Çika – 1933

Vet-Vetes

nga Ernest Koliqi (Minerva)

Nga prehni i nanës me sa shpresë u nise
mbi udha t’gjata për nën qiella t’hueja
Shtegtar andrrues, u ende npër shum vise
dhe hove hove njofte vaj e gaz;
por, si dallndyshat, kthyen mendimet t’tueja
me bà prap çerdhën po nën at pullaz.
 
Tymi qi mbi pullaz t’shtëpis’ atnore
ngjitet n’ajri me dredha të kalthera
syve i u duk, n’qytete t’largta, prore
e zemrën ta shtrëngoi me mallëngjim,
e me t’tan’ flatrat qi përtrin prendvera
u dridhte shpirti i yt n’dëshir për kthim.
 
Ktheve, e nji andërr t’flinte midis sltpirtit;
nji kangë e re te buza t’lulëzote:
i ngjeshun n’ball me gjeth larit e mirtit
deshte me zgjue agimet përmbi mal,
por n’terr e n’heshtje treti kanga e jote
e kurr njerì për me t’ndëgjue s’u ndal.
 
Kërkove nàmin, e përbuzjen gjete;
thirre dashnin, e t’u përgjegj mënija;
visaret e panjoftne qi ndryin n’vete
more me i fal’, por s’i pëlqei kurrkush
me njiqind maska t’u ngërdhesh Shpotija.
E andrra diq, e shpirti n’helm u mbush.
 
Vuej por mos hesht. E prap shikimet sielli
kah maja e malit ku do t’len agimi,
këndo n’errsi deri sa t’dridhet qielli
e t’derdhet ari i rrezeve kah ti
Vuej po, mos hesht. Këndo me shpres’ ngadhnimi.
tuej ec kah kreshtat ku Lavdija rri.
 
Syve qi kurr s’i a pan fytyrën Zanës
për çdo shikim të shtrembtë epu nji rreze;
arbnorit qi përbuz’ qumshtin e Nanës
kndoj fisnikin qi ai qumshtë ushqen në gjak;
paprà deshirin nëpër zemra ndeze
me ndihmue t’drejtën pa u frigsue aspak.
 
Me njimij’ gjuhna fishkulluese Smira
ka m’e përsjellun udhës kangën tande,
ti delu para agimeve ma t’lira
pa i a vu veshin turmës qi prozhmon:
mjaftoj vetvetes, gjef ma t’madhen ande
n’kangën kumbore qi mbi buz’ t’lulzon.
.
(marrë nga Revista Minerva – 1933)
 
Nebil Çika (i Vjetri) - Botues i Minrva-s
Nebil Çika (i Vjetri) – Botues i Minerva-s

Një hidhërim…

nga Nebil Çika (minerva)

Po ata qarqe që përmendëm sipër e që e njohin z- in Ernest Koliqi, gjithashtu shumë rallë janë hidhruar nga një ngjarje sa u hidhruan prej largimit të tij nga dega e Arsimit, që për ne Shqiptarët s’është – s’duhet të jetë – veçse tempulli i kulturës e i patriotizmës.
Për ne të Minervës q’e kemi shok Ernestin, hidhrimi ka shkak të thellë. Një nga këta është ky, që puna të ketë ngjarë në një kohë kur z. Ivanaj është Ministër i Arsimit, i cili, po ta njihte Ernestin, nuk do të lejonte aspak q’ay të largohej.
Shkaku i dytë, është ky që ne e dijmë se Ernest Koliqi ka pasë hyrë n’Arsim i shtytur nga një nga prirje natyrore më e fortë se çdo arsyetim tjatër. Ndër të, gjithë profesorët e Gjymnazit të Shkodrës ay kish rrogën më të vogël: 12 napolona, e me gjithë këtë, ka refuzuar vende me shpërblim të mirë shumë, pse mësimi e tërhiqte. Ay mësimin e letërsisë shqipe e bënte me pasjon; përpiqesh të ndezë në zëmra të nxënësve flakën e dashurisë për letërsinë e për gjuhën-shqipe, domethënë flakën e dashurisë për Kombin. A nuk është Ernest Koliqi ay që e ka dëshmuar me punë gjer tani se sa shumë e do gjuhën shqipe? Ndryshe nuk do ta nxënte aqë me kujdes e nuk do të përpiqesh që të japë të kuptohet, me punën dërmonjëse të përkthimit të poetve të mëdhënj të huaj, se gjuha e jonë është e lartë. E kush përpiqet për gjuhë si Ernest Koliqi, ay e do me të vërtetë e shumë Kombin.
Prandaj vendi i tij ishte në Arsim e prandaj ne jemi hidhëruar shumë nga largimi i tij.
.
(marrë nga Revista Minerva – 1933)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.