back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ernest Koliqi, intelektual i rrallë e vigan i letërsisë e kulturës shqiptare – nga Dr. Sadik Elshani

Gazeta

Ernest Koliqi në vitet e rinisë
Ernest Koliqi në vitet e rinisë

Ernest Koliqi, intelektual i rrallë e vigan i letërsisë e kulturës shqiptare

nga Dr. Sadik Elshani 

Me rastin e 45 Vjetorit të ndarjes nga kjo botë
Dy letra origjinale të Koliqit në bibliotekën e shoqatës “Bijtë e Shqipes” – Filadelfia
Dyzetepesë vite më parë, më 15 janar te vitit 1975,
në Romë i mbylli sytë përgjithmonë Ernest Koliqi,
njëri ndër personalitetet më të shquara të letërsisë e kulturës shqiptare.
Një figurë intelektuale e gjithanshme, poliedrike: mësues, poet, romancier,
eseist, gjuhëtar, përkthyes, gazetar, ministër arsimi, studiues, botues e pedagog.
Ky përvjetor si dhe dy letrat origjinale të Ernest Koliqit
të cilat ruhen në bibliotekën e shoqatës “Bijtë e Shqipes”,
më nxitën që të bëj këtë shkrim modest. Këto dy letra janë pjesë
e letërkëmbimit (korrespodencës) që ai ka patur me studiusin
e njohur të çështjeve shqiptare, Peter Prifti (1924-2010).
Pra, rasti e do që t’i themi disa fjalë për Ernest Koliqin,
për ta përkujtuar e nderuar atë në këtë përvjetor mortjeje.
.
Prof. Sadik Elshani
Prof. Sadik Elshani

.

Lindi në Shkodër më 20 maj të vitit 1903, kurse shkollën e kreu në kolegjin jezuit në Ariçe të qytetit Breshia (Itali), ku u njoh së afërmi me letërsinë dhe kulturën italiane e ku nisi të shkruajë poezi, tregime dhe komedi italisht. Pas Kongresit të Lushnjës më 1920, dhe me formimin e qeverisë së Sulejman Delvinës, në Shqipëri u krijua një gjendje e qëndrueshme dhe Koliqi i ri u kthye në vendlindje. Mësuesi i tij ishte imzot Luigj Bumçi, i cili e njohu Ernestin me disa nga krijuesit dhe intelektualët e njohur shkodranë, si: Lazër Shantoja, Karl Gurakuqi, etj. Në vitin 1923, botoi të përjavshmen “Ora e maleve”, ndërsa në vitin, 1924 botoi një poem dramatik me titull “Kushtrimi i Skandërbeut”. Pas kthyerjes së Zogut në pushtet në dhjetor të vitit 1924, Ernest Koliqi, si shumë intelektualë të tjerë, u shtrëngua të largohej nga Shqipëria dhe emigroi në Jugosllavi, ku qëndroi për pesë vite në qytetin Tuzla të Bosnjës. Kthehet në atdhe dhe në vitet 1930-1933, punon si mësues në Shkollën Tregtare Italiane në Vlorë e pastaj në Gjimnazin e Shkodrës. Në Vlorë e ka patur nxënës Petro Markon (1913-1991).
Në vitin 1933, u regjistrua në Universitetin e Padovës ku studio gjuhësi me gjuhëtarin e njohur Carlo Tagliavini (1903-1982). Po në të njejtin universitet Koliqi punoi si pedagog i gjuhës shqipe dhe në vitin 1937, mbrojti tezën e doktoraturës, “Epika popullore shqiptare”. Në këtë kohë ishte bërë albanolog i njohur, ndoshta specialisti kryesor i studimeve shqiptare në Itali. Më 1939, u emërua profesor në Katedrën e Gjuhës e Letërsisë Shqipe të Universitetit të Romës. Edhe pse Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste më 7 prill, 1939, Ernest Koliqi vendosi të shfrytëzojë realitetin dhe u mundua për ta zhvilluar arsimin dhe kulturën shqiptare.
Si ministër i arsimit në vitet 1939-1941, ai ndihmoi për botimin e një antologjie mjaft të rëndësishme të letërsisë shqiptare në dy vëllime, “Shkrimtarë shqiptarë”. Në korrik të vitit 1940, në Tiranë themeloi dhe drejtoi të përmuajshmen letrare e artistike, “Shkëndija”.
Nën drejtimin e Ernest Koliqit, për herë të parë u hapën shkollat shqipe në Kosovë, sepse tani Kosova ishte ribashkuar me Shqipërinë. Kjo ngjarje është me rëndësi të madhe historike, sepse përdorimi i gjuhës shqipe dhe funksionimi i shkollave shqipe ishte i ndaluar nga regjimi serb. Ishte ky një mision i shenjtë kombëtar. Ai ndihmoi për hapjen e një shkolle të mesme në Prishtinë dhe dërgoi me bursë një numër të madh studentësh nga Kosova në Austri e Itali. Po ashtu, Koliqi u mundua ta shpëtojë nga duart e nazistëve Norbert Joklin (1877-1942), albanologun e shquar austriak me prejardhje hebraike – mësuesin e Çabejt, duke i ofruar punë si mësues në Shqipëri. Nga viti 1942 e deri më 1943, Koliqi ishte kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Në vjeshtë të vitit 1943, Ernest Koliqi vendoset në Romë me familjen dhe të afërmit e tij.
Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, kuptohet, Ernest Koliqi s’mundi të kthehej më në Shqipëri. Në Itali jetoi deri sa vdiq më 15 janar të vitit 1975. Në Universitetin e Romës punoi si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Në vitin 1957, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare të Universitetit të Romës nderohet, duke u bërë Instituti i Studimeve Shqiptare, ndërsa Koliqi u emërua president. Nga viti 1957 e deri më 1975, Ernest Koliqi botoi në Romë te përkohshmen e njohur kulturore, shoqërore e artistike, “Shejzat”. “Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”, është shprehur Martin Camaj (1925-1992).
Ernest Koliqi është autor i disa përmbledhjeve me tregime, poezi, i romanit “Shija e bukës së mbrume”, i disa studimeve për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Po ashtu, ai përktheu nga italishtja në shqip veprat e klasikëve italianë: Dante Aligieri, Françesko Petrarka, etj. Ernest Koliqi është prozatori më i madh e më i fuqishëm i brezit të vet, periudhës së pavarësisë. Së bashku me Mitrush Kutelin (1907-1967) është themelues i tregimit modern shqiptar. Tregimet e tij kanë shërbyer si model, si shkollë për prozatorët e rinj shqiptarë. Shkrimtari, tregimtari i njohur Naum Prifti (1932) gjatë takimeve tona, disa herë e ka përmendur se ai ka mësuar shumë nga Ernest Koliqi për mjeshtërinë e tregimit dhe prozës në përgjithësi. Ai është vigan i letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Regjimi komunist e ndaloi, e mohoi, e mospërfilli Ernest Koliqin – e zinte në gojë vetëm për të keq. Ernest Koliqi dhe disa shkrimtarë të tjerë të periudhës së tij duhen rivlerësuar dhe duhet ta zënë vendin që e meritojnë në kulturën shqiptare. Në një periudhë të jetës së tij Ernest Koliqi veproi në rrethana jashtëzakonisht të vështira historike. Ai personalisht kurrë nuk i ka bërë ndonjë të keqe popullit shqiptar. Përkundrazi, edhe në ato rrethana të vështira ai bëri përpjekje të mëdha për ta zhvilluar arsimin dhe kulturën shqiptare. Një fjalë e urtë shqipe thotë: “Trimin vraje, hakun mos ja ha!”. Dikush mund të mos pajtohet me qëndrimet, me pikëpamjet politike të Ernest Koliqit, por duhet pranuar e vlerësuar ndihmesa e madhe e tij në zhvillimin e arsimit (sidomos në Kosovë), letërsisë e kulturës shqiptare, qytetërimit shqiptar. Hapja e shkollave shqipe në Kosovë në vitin 1941, ishte misioni më i rëndësishem, më atdhetar që ka ndërmarrë ndonjëherë ndonjë qeveri shqiptare për shqiptarët që mbetën jashtë kufijve shtetëror. Në fund të letrës që Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, i dërgonte kryetarit të këtij Misioni te Jashtëzakonshëm Shkollor, Ali Hashorvës, shkruante: “Ju uroj të gjithëve punë të mbarë në të kryemit e kësaj detyre të shenjtë kombëtare e me randësi historike” (23 qershor, 1941). Vetëm me këtë veprim atdhetar Ernest Koliqi e ka siguruar vendin e merituar ne Panteonin e vlerave tona kombëtare.
 
Dy letra origjinale të Ernest Koliqit në bibliotekën e shoqatës “Bijtë e Shqipes në Filadelfia
 
Shkrimtari i njohur Naum Prifti, vëlla i studiusit, profesor Peter Priftit dhe miku i nderuar i shoqatës “Bijtë e Shqipes” i ka dhuruar bibliotekës së shoqatës një pjesë të arkivit të Peter Priftit, kryesisht një pjesë të korrespodencës së tij me personalitete të ndryshme. Por, në këtë fond ndodhen edhe ca materiale të tjera.
Profesor Prifti i ka sistemuar bukur, duke i vendosur në dosje (angl. filefolders) secilën korrespodencë veç e veç. Në një dosje të tillë ndodhen edhe dy letra origjinale të Ernest Koliqit, si dhe pesë letra të Peter Priftit dërguar profesor Koliqit. Letrat e Koliqit janë të shkruara me dorë në fletë të holla e të bardha, ndërsa letrat e Peter Priftit janë të shkruara me makinë. Ernest Koliqi shkruan ne dialektin gegë, ndërsa Peter Prifti në atë toskë. Letrat janë të shkruara gjatë vitit 1962, kur Peter Prifti ka qenë i punësuar në Massachusetts Institute of Technology (MIT).
Në letrën e parë që ndodhet në këtë dosje e që e mban datën 16 janar, 1962, Peter Prifti e falenderon Koliqin për urimin që ai i ka dërguar për festat e fundvitit. Po ashtu, ai e falenderon edhe për paketën e dërguar me numrat e revistës “Shejzat”. Pastaj ai i kërkon Koliqit që t’i sigurojë informacionet dhe dokumentet nga qeveria italiane, si dhe artikuj nga gazetat për një marrëveshje tregtare të nënshkruar nga Shqipëria e Italia më 6 dhjetor, 1961. P. Prifti ineresohet për hollësirat e kësaj marrëveshje, të cilat ai do t’i shfrytëzojë për një studim për Shqipërinë. Pa e pritur përgjigjen e kësaj letre ai pas tre ditësh, më 19 janar, 1962, i dërgon edhe një letër tjetër Koliqit. Në këtë letër ai e njofton Koliqin se si do të përdoren materialet, sepse Qendra për Studimet Ndërkombëtare e MIT ka filluar të interesohet për studimet shqiptare dhe ka vendosur të botojë një libër. Pastaj vazhdon: “Duke ditur interesimin t’uaj në çështje Shqiptare dhe studime serioze mbi Shqipërinë, ju sugjerova autoriteteve të Qendrës që të vimë në kontakt me Zotërinë T’uaj. Pas mendimit t’im, ju jini personi më i përshtatshëm për të gjetur informatat që kërkojmë…”. Në fund kjo letër ka edhe një pas shkrim (P. Sh), ku P. Prifti i kërkon Koliqit ndihmën e tij për gjendjen e letërsisë në Shqipëri në vitin 1956. “Shkurt, a mos ngjau njëfarësoj shkrirje a liberalizme në letërsinë brenda në Shqipëri në atë kohë si rrjedhim i Kongresit të 20-të në Rusi?” – e përfundon letrën P. Prifti.
 
Më 19 shkurt, 1962, E. Koliqi i kthen përgjigje P. Priftit. E njofton se i ka marrë dy letrat e tij, por nuk ka mundur të përgjigjet menjëherë, sepse ka qenë i zënë me përgatitjen e manifestimeve për kujtimin e At Gjergj Fishtës dhe pas kësaj i ka vdekur në Tiranë e ëma e bashkëshortes së tij. E falenderon P. Priftin për fjalët e mira për “Shejzat”. Pastaj ai ankohet se në ShBA dhe Kanada kanë 60 pajtimtarë, ndërsa shumica nuk paguajnë dhe ai ka vendosur që mos t’ua dërgojë më revistën. E njofton P. Priftin se materialet e kërkuara ia ka dërguar me postë ajrore; i premton se brenda mundësive të tija do të mundohet t’i kryejë edhe kërkesat tjera. I kërkon P. Priftit një “questionnaire” (pyetësor, SE), në mënyrë që të përgatitet më mirë, sepse siç shprehet ai: “Asht nji detyrë për ne ta paraqesim Shqipninë ndër të huej ashtu si asht tue përgënjeshtrue shpifjet e armiqvet. Mbi lëvizjet letrare të periudhës 1944-1961 do t’ju shkruej nji herë tjetër…”. P. Prifti në letrën e 27 shkurtit, 1962, e njofton se e ka marrë letrën e tij të 19 shkurtit. Sa i përket “Shejzave”, P. Prifti i shkruan se do të bisedojë me shqiptarët që i ka përreth për t’u bërë pajtimtarë të revistës dhe vazhdon: “Më duket se problemi këtu në Amerikë është ky: brezi i vjetër nuk është në pozitë (për mungesë arsimi, etj.) të çmojë lëndën e revistës t’uaj, kurse brezi i ri nuk e di Shqipen, dhe nuk interesohet ta mësojë…”. Edhe një herë i përkujton Koliqit se materialet për lëvizjet letrare në Shqipëri i nevojiten sa më shpejt. Po ashtu, ai e njofton Koliqin se Instituti (MIT) do ta shpërblejë materialisht për kohën dhe mundimin e tij. Më 11 prill, 1962, P. Prifti në letrën e tij e njofton Koliqin se e ka marrë numrin përkujtimor të “Shejzave” për At Gjergj Fishtën dhe kopjen e autografuar të librit të Koliqit, “Shija e Bukës së Mbrume”.
Letra e dytë e Koliqit dërguar P. Priftit e mban datwn 3 maj, 1962 dhe është pak më e gjatë se e para, e ka dy faqe. Fillimisht i kërkon falje për vonesën, duke e njoftuar se ka qenë shumë i zënë me punë. Pwrveç kursit letrar në Universitet, atij i duhet të udhëtojë edhe jashtë Romës për të marrë pjesë në komisione provimesh. Edhe përgatitja e “Shejzave” i merr mjaft kohë, sepse ai është vetëm. E njofton se është duke e redaktuar “Historinë e letërsisë fëmijnore shqipe”, si një pjesë të një antologjie botërore për letërsinë për fëmijë. Pastaj i paraqet në imtësi (detaje) projektin e tij për lëvizjet ëe letërsinë shqipe të viteve 1943-1961. Meqenëse ky është një punim i gjatë, ai i kërkon P. Priftit kushtet e punës: sasinë e faqeve të shkruara me makinë, afatin, gjuhën (shqip apo italisht, gjuhë që ai i njeh më mirë). Po ashtu, edhe shpërblimi material (pagesa, SE), pasi aty ka shumë mund. Pastaj vazhdon: “Qi mos të merrmi vesht dallash, shtoj se po patët nevojë Ju personalisht për shënime e dhana, të cilat ne kwtu i gjejmë ma lehtë dhe çdo gja tjetër qi na këtu kemi e jue atje mund u shërbejnë jam gati t’ap kontributin tim pa shpërblim. Duhet ta ndihmojmë shoqishojnë për t’ia paraqitun të huejve n’aspektet e veta të sakta çashtjen shqiptare. Por, për Institutin, si thoni edhe ju vetë, kërkoj shpërblim për çdo punë qi më merr kohën të cilën ia hjeku nji veprimtarie tjetër të dobishme. Libri qi doni të botoni asht shum i nevojshëm. Më dërgoni nji “questionnaire” e unë do të përgjigjem. Dërgoni edhe listën e botimeve italiane qi eventualisht nevojiten për at botim”.
 
Më 13 qershor, 1962, P. Prifti i kthen përgjigje Koliqit, duke theksuar se projekti për lëvizjet në letërsinë shqipe që parashtron Koliqi është i plotë e interesant dhe librit që është duke u përgatitur mbi Shqipërinë do t’ia shtonte vlerën. “Mjerisht institute nuk është në pozitë të përdorë një studim të tillë për dy arsye: e para, libri është tepër i gjatë që tani, pra mungon vendi; e dyta, koha është mjaft e shkurtër, mbasi libri duhet të pwrgatitet e të botohet së shpejti…” – shkruan P. Prifti, duke shpresuar se do të vijë rasti për të bërë këtë studim që do t’u shërbejë studiusve të letërsisë shqipe. Kjo është njëherësh edhe letra e fundit në këtë letërkëmbim në mes tyre. Nuk e di a e kanë vazhduar letërkëmbimin edhe më vonë dhe nuk e di nëse ka ndonjë dosje tjetër në bibliotekën e shoqatës sonë apo ëe ndonjë vend tjetër. Po të kishte, ndoshta profesor Prifti do t’i vendoste në të njejtën dosja.
Sidoqoftë, ky letërkëmbim i këtyre dy figurave të rëndësishme të kulturës, letërsisë dhe historisë sonë hedh dritë për përkushtimin e tyre atdhetarw e shkencor për ta përparuar çështjen shqiptare, për t’ia paraqitur të huajve atë sa më të plotë e sa më të saktë. Rasti i bashkëpunimit të tyre duhet të jetë si shembull për të gjithë shqiptarët sesi duhet të bashkëpunojmë, të ndihmojmë njëri-tjetrin për çështjet madhore të kombit tonë. Këtë letërkëmbim e karakterizon edhe komunikimi mjaft njerëzor, i qytetëruar dhe respekti i ndërsjellë për njëri-tjetrin. Siç e cekëm në fillim të këtij shkrimi, me 15 janar, 2020, u mbushën 45 vite nga ndarja nga kjo botë e Ernest Koliqit, ndërsa më 17 gusht, 2020 do të mbushën 10 vite që Peter Priftin nuk e kemi në mesin tonë.
I paharrueshëm qoftë kujtimi për të dy këto fytyra të ndritura të kombit tonë!
18 janar 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.