Ernest Koliqi për Dom Lazër Shantojën
Shumë kanë pyetë pse komunistat u suellën aq egërsisht me të mjerin poet, i cili mbas kthimit në Shqipni, jetonte pa u përzie në rrymat e ndryshme politike qi turbullojshin vendin, veҫanisht në periudhën 1941, deri në 1943. Spjegimi asht vetëm nji. Komunistat shqiptarë, antiperëndimore, antikristjanë, menijshin në Dom Lazrin shkrimtarin i cili, lidhë me traditat ma të shëndoshta autoktone, mbillte në shkrimet e veta thelbin ringjalljes të nji qytetnimi të pastër perëndimuer të mbrume me krishtënimin. Shkrimja e qytetnimit perëndimuer qi shkëlqente në prozat e lirikat e tija, i acaronte komunistat e në të njejtën kohë i frikësonte, tue qenë se në të ata zbulojshin nji vegël antikomuniste me depërtim të lehtë ndër shpirtnat e rinisë. Shija e të rijve përkonte me stilin e Shantojës, t’ushqyem prej frymzimeve etnike, por të shprehun në mënyrë moderne, ku patetizmi e humorizmi harmonizoheshin në mënyrë elegante. Ai dinte me përkthye esencën sarkastike të përshtatshme racës shqiptare me përpikni humorizmit të vulës perëndimore.