back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Ernest Perdoda – Profil letrar nga Anton Çefa

Gazeta

Ernest Perdoda
Ernest Perdoda

Ernest Perdoda – Profil letrar

nga Anton Çefa

U njohëm në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Që në ditët e para filloi të krijohet në ndërgjegjen time personaliteti i një njeriu të formuar, që vlerësonte me një peshojë të saktë ngjarjet e ditës, rrethanat e kohës, dhe mbante një qëndrim të drejtë e të arsyeshëm ndaj tyre. E drejta dhe e vërteta ishin impulset shpirtërore, që e drejtonin jetën dhe veprimtarinë e tij. Shquhej që në atë kohë edhe si poet i pajisur me një talent të spikatur.
Me keqardhje e them që Ernesti nuk arriti, për arsye financiare, të botojë lirikat origjinale dhe të përkthyera nga poeti italian hermetik Giuseppe Ungaretti. Gjithashtu, mbeti në dorëshkrim përkthimi në spanjisht i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, të cilin ia pati dërguar shumë kohë më parë Akademisë së Shkencave për botim. Nuk dihet fati i këtij dorëshkrimi.
Një cikël lirikash të Perdodës u botua në revistën “Phoenix”, viti 1999/ nr. 2. Këtu është shkruar se poezitë i takojnë: “Këngëve të para”, “Elegjive” dhe “Monologjeve”. Nuk kuptohet që nën këto tituj, a bëhet fjalë për përmbledhje poetike a për cikle poezish.
Poezia e tij, disa motive të së cilës kam pasur fatin t’i njoh që në kohën e krijimit të tyre, flakëron nga një bukuri e rrallë, shëndrit në vargjet e saj një ndjeshmëri e shije e hollë, figuracion i pasur, një akustikë imitative, ku spikat paja e fonetikës së gjuhës sonë, jetësuar në një strukturë harmonike të realizuar, më së shumti, në pak vargje.
Veç motiveve të lirikës intime e të natyrës, poezia e Perdodës karakterizohet për dhuntinë e artë të shqetësimit intelektual për atë që po ndodhte me atdheun e popullin tonë në kohën e diktaturës, duke e pasqyruar atë në situata e detaje konkrete, dhe duke njëmendësuar mesazhe fisnike të qarta, të cilat shpesh kalojnë në intonime revoltuese.
Si një “Credo” tingëllon poezia që hap përmbledhjen e tij poetike, një angazhim për një veprimtari të menduar mirë, dhe një zotim për vazhdimësinë e saj:
 
U dogjën andrrat!
Me dritë të trëndafiltë
edhe nji herë po lidhi
fillin e këputur t’mendimit.
 
Nji nyje tjetër,
nji tjetër ditë. (poezia Mëngjez)
 
Në pak vargje të poezisë “Gjak e brymë” – Dhjetor 1944 – , me një peshë lirike për t’u lakmuar, përkujtohet tragjedia që pllakosi mbi popullin tonë me vendosjen e diktaturës komuniste. Po ashtu, tek poezia “Subkonsh”, një shtjellim motivi i tillë që nuk e kam hasur askund në poezinë tonë, me një përgjithësim të jashtëzakonshëm, trajtohet pengesa deri në mohim të plotë e zhvillimit të natyrshhëm të shoqërisë, të kulturës, të ecjes përpara, që solli diktatura.
 
Andrrat më rrokullisin
Nder kambë të Trogloditit
Që më shikon e m’përqesh.
(Atje ku nisem shtegun
E nëpër shekuj rryeshëm
Shtrijmë krah’t për t’rrokun yjet…
E diellin që na zgjon)
Por gazi i njeriut t’shpellës
Ende m’ushton ndër veshë
E më trondit. (poezia Subkonsh)

.
Studiuesi Anton Cefa
Studiuesi Anton Cefa

Ëndërrimet e njerëzimit dhe përpjekjet e përgjithmonshme të tij për të ecur përpara, “Shtrijmë krah’t për t’rrokun yjet/ e diellin që na zgjon”, janë gjithnjë e para së gjithash edhe ëndërrime të poetëve; por, mjerisht është njeriu i shpellës – Trogloditi – një metaforë tejet e fuqishme për forcat regresive, në këtë rast për diktaturën – që bëhet pengesë e ecjes përpara. Është prania e nënvetëdijes – subkonsh-i – kjo gjendje psikike, që e përjeton përqeshjen e shpellakut.

Me dhimbje të thellë e të thekshme, përjetohet në ndërgjegjen e poetit djegia e librave, në prill të vitit 1946, tek e ashtuquajtura “Kulla e Inglizit”. Aty qenë grumbulluar librat e bibliotekave më të mira të qytetit, duke filluar me bibliotekat e famshme të fretënve dhe të jezuitëve. Poeti sjell në kujtesë djegien e famshme të Bibliotekës së Aleksandrisë, një nga më të mëdhatë e asaj kohe, në vitin 640, nga Omar I Abu Hafsa ibn al Khatab, dhe shkruan në postscriptum: “Trembëdhjetë shekuj më vonë me urdhër të diktatorit Enver Hoxha… fondet e të gjitha bibliotekave të qytetit të Shkodrës pësuan të njëjtin fat!”
 
Me hijet e asaj nate,
një tjetër Omar Khatab
rendi mbas dit’ve tona
të zymta
të ftohta
si gurët e k’saj Kulle
. . . . . . . . . .. . . . . . . .
Ndoshta kët’ mbramje Prilli
krrokatja e korbit mbi Kullë
t’kujton dhe ty
çka humbëm përgjithmonë!
 
Në një lirikë tjetër kujton me një nostalgji të mallëngjyeshme tingujt melodiozë të kumbonëve, që paraprinë mbylljen e faltoreve fetare dhe më vonë shpalljen e atdheut si vend ateist.
 
Me kot përgjon tashma nga kumbonaret
tingujt që malli zgjon n’kujtesën tande
kumbonët gjimuen kur ranë për t’fundit herë
mbi tokën e dhunueme.
 
Është në natyrën e strukturës poetike të Poetit, komunikimi i drejtpërdrejtë me një person të dytë, dhe Ernesti gjithnjë i drejtohet vajzës që dashuron si në këtë “Prelud”:
 
Këtë natë,
(ndërsa për rreth
gjithçka përngjan
me flokun tand që l’moj)
yjet e qiellit tim
unë pa u kujtue zbuloj
kur ti çel e mbyll sytë.
 
Ose:
Dhe ja ti vjen përs’ri,
e ashtu si ban kjo erë,
mbi gjurmët që la dhuna
hedh prap një dorë me gjethe
e qan mbi supin tim.
 
Ose:
N’rrënojat e kujtesës
ende luhaten flakët,
por kangët e Alkeut
(që deshte ma shumë se mue)
nuk m’bien ndër mend tashma.
 
Një nga mjeshtëritë e trajtesës poetike që vihet re në poezinë e Perdodës është akustika imitative, që e kemi cekur më lart, e shoqëruar kjo me një kursim fjale tejet të kujdesshëm. Po bie si shembull modeli të rrallë të kësaj veçorie poetike në letërsinë tonë këto pak vargje që imitojnë erën:
 
Furishëm shkon
n’për fletë,
fërsh’llon
fishkllon
e tretë! (poezia Erë)
 
Te kjo poezi, dhe, në përgjithësi në krejt krijimtarinë poetike të Ernestit, vërejmë një shkallë të lartë përsosmërie të mjeshtërisë së tij poetike. Mund të themi se ky poet e ka kapërcyer herë – herë pragun e poezisë së zakonshme, që u përket motiveve që trajtojnë probleme sociale; ai shkon deri tek poezia për poezi, pra tek funksioni i artit për art, aq i luftuem në kohën e diktaturës së kuqe.
 
* * *
Po bie këtu poezitë e paraqituna në revistën “Phoenix”, që u botua në Shkodër në vitet 1997 – 2003, me drejtor Dom Ndoc Nogaj dhe kryeredaktor Dr. Romeo Gurakuqi, dhe disa përkthime nga Ungaretti.
.
Udhëtim drejt Dritës...
Udhëtim drejt Dritës…

Cikël Poetik nga Ernest Perdoda

Revista “Phoenix”, viti 1999/ nr. 2

Mëngjez

U dogjën andrrat
Në dritë të trëndafiltë
Edhe njiherë po lidhi
Fillin e këputur t’mendimit.
Nji nyje tjetër nji tjetër ditë.
.

Erë

Furishëm shkon
N’për fletë
Fërshllon
Fishkllon
E tretë.
.

Prelud

Këtë natë
(Ndërsa për rreth
Gjithkund m’pergjanë
Me flokun tand qi l’moj,)
Yjet e qiellit tim
Un pa u kujtue zbuloj
Kur ti çel e mbyll sytë.
.

Asgja pa dashuri

Nanës

N’kujtimin tand
Vadita lulet
Qi mbijetuen mbas teje:
Porse asnji prej tyne
Nuk çeli ma.
 
Ato kërkonin
Frymën e dashnisë
Që unë s’ua dhashë.
.

Ernest Perdoda
Ernest Perdoda

Nga “Monologjet’

Subkonsh

Andrrat më rrokullisin
Ndër kambë të Trogloditit
Që më shikon e m’perqesh.
 
(Atje ku nisëm shtegun
E nëpër shekuj rryeshëm
Shtrijmë krah’t për t’rrokun yjet…
E diellin që na zgjon)
 
Por gazi i njeriut t’shpellës
Ende m’ushton ndër veshë
E më trondit.
.

Nga “Elegjitë”

Brymë e gjak (Dhjetor 1944)

Shumë gjethe ranë që atë vjeshtë
E prap po bien,
Porse kujtimin
Qoftë edhe nji i vetëm e përt’rinë
E bahet brymë e gjak.
 
(Dhe ja ti vjen përs’ri
E ashtu si ban kjo erë,
Mbi gjurmët që la dhuna
Hedh prap nji dorë me gjethe
E qan mbi supin tim
Si bane at’herë.)
 
Ato nuk duken ma,
As edhe ti;
Kurse trishtimi
Prap endet në k’to rrugë,
Me mue
dhe gjethet
që bien.
.

(Pa titull)

Me kot përgjon tashma nga kumbonaret
Tingujt që malli zgjon n’kujtesën tande
Kumbon’t gjimuen kur ranë për t’fundit herë
Mbi tokën e dhunuar.
 
Agimet zbardhin pa meloditë e ambla
Që joshnin nga qielli sytë e vështrimin,
tash jetën tande veç heshtja rrethon.
.

(Variant)

Me kot përgjon tashma nga kumbonaret
Tingujt që malli zgjon n’kujtesën tande
Kumbon’t gjimuen kur ranë për t’fundit herë
Mbi tokën e dhunuar.
 
Mëngjezet zbardhin pa meloditë e ambla
Që joshnin nga qielli sytë e vështrimin,
dhe muzgjet sjellin me vete trishtimin
e dit’ve tua pa t’ardhme.
tash jetën tande veç heshtja rrethon.
.

Flakët që sollën errësinën (Prill 1946)

Ngado që shkoj, më ndjek me hije të saj
Kjo Kullë e gurtë që m’josh e më largon:
N’rrënojat e kujtesës.
Ende luhaten flakët;
Por kangët e Alkeut
(Që deshe ma tepër se mue)
Nuk m’bien ndër mend tashma.
 
Me hijet e asaj nate,
Nji tjetër Omar Khattab*
Rendi mbas dit’ve tona
Të zymta,
Të ftohta
Si gurët e k’saj kulle,
Ku nga frëngjitë
Ajo pak dritë që hyn
Veç larva mendimi sajon.
E dashtun
Ndoshta këtë mbramje Prilli
Krrokatja e korbit mbi Kullë
T’kujton dhe ty
Çka humbëm përgjithmonë.
 
*Në vitin 640 Omar I (Abu Hafsa ibn al Khattab) dogji bibliotekën e Aleksandrisë, një nga ma të mëdhatë e asaj kohe. Trembëdhjetë shekuj ma vonë me urdhen të diktatorit E. Hoxha u grumbulluan tek “Kulla e Inglizit” (që për nji kohë të shkurtë shërbeu si sallë leximi), fondet e të gjitha bibliotekave të qytetit të Shkodrës, pësuan të njajtin fat.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.